nga Yzedin Hima
Dita e kujtesës (Shoah), 27 janari, është Dita e nderimit dhe kujtesës për miliona hebrenj, masakruar nga nazistët gjatë Luftës II Botërore. Bota në këtë ditë kujton barbarinë njerëzore në mes të shekullin XX. Qytetarët shkojnë në muzetë e ngritur dhe tronditen për mizorinë e dokumentuar, që njerëzit ushtruan ndaj njerëzve, nxitur nga urrejtja.
Në këta muzeume dallon qartë dështimin dhe rënien e qytetërimit të ndërtuar me mjaft sakrifica gjatë shekujve, pikërisht në shekullin modern. Tronditja është e madhe, sepse shihet se sa i brishtë është ekulibri dhe raporti midis humanizmit dhe urrejtjes, midis paqes dhe luftës. Në mes të shekullit XX qytetërimi rijetoi barbarinë e tij më ekstreme, rijetoi mugun e tij, teksa pa të bëheshin pluhur e hi, bashkë me librat e djegur në sheshet e Europës, institucionet e qytetërimit të ngritura me mund e mend gjatë shekujve.
Ka disa muzeume në botë që tregojnë për mizorinë e nazistëve ndaj qytetarëve hebrenj, ku vizitori, pavarësisht kombësisë së tij, ndihet i traumatizuar dhe e kap kompleksi i fajit, thjesht se ka qënë bashëkohës i mizorisë, bashkëkombas i mizorëve, apo sepse është thjesht njeri, sikurse lindën si të tillë edhe mizorët. Njenja të tjera përjeton vizitori kur vjen dhe viziton Muzeun “Solomon”, muzeun më të ri të qytetit muze, Beratit.
Pa dyshim, është i rëndësishëm një gur i latuar dikur nga banorët e këtij trualli, një vizatim në një shpellë, një fyell apo një lugë e gdhendur bukur në dru, një djep apo një tekst i vjetër kodiku, një tekst poetik i gdhendur në gur apo një kostum i vjetër zonjash, një ikonë e mesjetës, apo një shtëpi me arkitekturë karakteristike. Janë të rëndësishme për trashëgiminë tonë kulturore, por nuk duhet harruar se trashëgimia më e çmuar nuk gjendet në asnjë muze, por gjendet në çdo shtëpi të këtij qyteti dhe fshatrave të tij, gjendet te njeriu me një shpirt të lartë e të fisëm, me një shpirt të ndjeshëm nga burojnë sjellje dhe gjeste humane.
Është tashëgimia shpirtërore e banorëve të Beratit, që aq thesht dhe bukur është paraqitur në këtë muze nga themeluesi i saj poeti, studjuesi, publicisti, mësuesi Simon Vrusho. Berati ka disa muzeume të rëndësishëm si muzeu kombëtar “Onufri”, me pikturat mesjetare të një mjeshtri si Ai, vepra e të cilit me elementet e Rilindjes europiane e nderon Beratin duke e vënë në një radhë me qytetet ku u zhvillua kjo lëvizje artistike e kulturore, ka një muze etnografik me artefakte që tregojnë një qytetërim të hershëm e të pandërprerë, por i mungonte një muze si muzeu “Solomon”, i cili do të bëntë të njohur në botë marrëdhëniet e qytetarëve të Beratit me hebrenjtë gjatë shekujve dhe posaçërisht, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Muzeu “Solomon” ka një jetë të shkurtër në qytetin e Beratit, por gjatë këtij harku kohor pragun e tij e kanë kapërcyer mijëra vizitorë, që nga Parisi në New York, nga Moska në Rio De Zhanerio, nga Londra në Johanesburg, nga Madridi në Tokio etj. Ky muze, i konceptuar me thjeshtësi, por me shumë dashuri nga Simon Vrusho, i kuruar nga skluptori Nezir Ago, është bërë mjaft i njohur brenda dhe jashtë vendit.
Muzeu “Solomon”, i brishtë në pamje të parë, mbart një mesazh mjaft të rëndësishëm që qytetërimi ynë ia përcjell qytetërimit europian e më gjerë: humanizmin dhe altruizmin e një qyteti të vogël, në një kohë kur Europa dhe Bota kishte humbur çdo ekuilibër. Rrënjët e këtij humanizmi dhe altruizmi janë te njerëzit e thjeshtë të qytetit dhe fshatrave, banorët e të cilit qenë gati të vetësakrifikoheshin për të mbrojtur hebrenjtë e ardhur nga vise të ndryshme të Ballkanit për shkak të përndjekjes nga nazistët. Ky fakt e bën mjaft të besueshëm thënien se qyteti i Beratit është një qytetërim 2400 – vjeçar i pandërprerë. Vetëm në një qytetërim të tillë mund të kultivohej një ndjenjë kaq e fortë altruizmi.
Qytetarët e Beratit janë shquar gjatë historisë për humanizmin e tyre. Pavarësisht statusit shoqëror, besimit, ata kanë mirëpritur ardhësit. Studiuesi beratas Agim Mehqemeja shkruan se kanë qënë qytetarët e Beratit që u kanë bërë vend banorëve të Durrësit, pas shembjes së qytetit të tyre nga tërmetet e viteve 1372, 1905 dhe 1926. Banorët e Voskopojës, pas djegies së parë në vitin 1769 dhe pas tri djegieve të tjera si ajo e vitit 1916, u mirëpritën dhe u strehuan në qytetin e Beratit.
Duke qënë një qytet me kulturë të hershme, qytet ku punuan piktorë të shquar si Onufri e të tjerë, qytet i kodikëve dhe dijetarëve të shquar gjatë shekujve XVII-XVIII, qytet me një harmoni fetare të shenjuar, me ç’duket u parapëlqye edhe nga hebrenjtë gjatë shekujve, pikërisht për këto cilësi. Ata u bënë pjesë e ekonomisë dhe e kulturës së këtij qyteti. Pikërisht në këtë kohë, krahas poetëve të njohur si Nezim Berati , Sulejman Naibi, Mehmet Ashkiu, Fejziu, përmendet edhe poeti hebre Solomoni.
Thuhet se kur Mehmet Qypryliu, zyrtar i lartë i Perandorisë Osmane me origjinë nga Berati, mori urdhër për të ndëshkuar udhëheqësin shpirtëror të hebrenjve Sabbatei Zevin, ai e dërgon atë në Berat tek miqtë e tij duke e lënë në besën e tyre.
Dita e Kujtesës në Shqipëri, posaçërisht në Berat merr edhe vlera të reja, krahas nderimit dhe kujtesës për qytetarët e martirizuar, në këtë ditë kujtohen dhe nderohen edhe ata qytetarë që strehuan dhe mbrojtën hebrenjtë nga nazizmi. Ne sot kujtojmë emër për emër qytetarët e Beratit që ndanë me hebrenjtë e ardhur strehën, bukën, kripën, ujin, duke qënë të gatshëm të ndanin me ta edhe vdekjen.
Simon Vrusho ka biseduar me banorë të qytetit dhe fshatrave që strehuan hebrenjtë, ka sjellë emrat dhe kujtimet e tyre në librin “Hebrenjtë e Beratit”: “ Ne bëmë atë që duhet të bëjë njeriu për njerinë, – ka treguar Isuf Qojle,- të gjithë jemi bij të Zotit. Kam strehuar e ndihmuar Jakov David Asherin, me të shoqen Rashela e fëmijët.”
E kishim babanë mikëpritës,- kujton Shyqyri Civeja, të atin Qani Civeja. Babai thoshte shpesh: – Mikun dhe jabanxhinë e dërgon Zoti, ndaj duhen nderuar si mekam. Dhe erdhën tek ne Jozefi me të shoqen, fëmijët, dy djemë binjakë, vajza Sonja, Jakovi e Sarika me fëmijët, Isaku me të shoqen Pembe. Ne kishim tri shtëpi, dy ua lamë hebrenjve. Kur erdhën gjermanët ikëm shtëpiçe në Kamçisht te Muhamet Metko, dajua ynë. Me vete morëm të gjithë hebrenjtë.
Në familjen e Josif Dodit gjen edhe sot mobilje të punuara nga dora e Jusës, siç e thëritnin shkurt Jozef Adyzyssin, hebreun marangoz, strehuar nga beratasi Toli Dodi. Ka mjaft episode që që janë sjellë si kujtesë qytetare në librin e Vrushos.
Sot në Ditën e Kujtesës ne kujtojmë 600 qytetarët hebrenj që u strehuan gjatë Luftës II Botërore në Berat: Në pamundësi për t’i përmendur të gjithë po përmendim emrat e disave prej tyre: David, Abraham, Solomon, Moisi, Jakov, Isak, Levi, Asher, Samuel, Joakim, Benjamin, Llazar, Mosha, Simeon, Gjoni, Pjetri, Aron, Mordo, Mushon, Jitzhak, Rashela, Sara, Sarina, Shabat, Bahar, Ruben, Kohen, Kalderoni, Jakoel, Pardo, Shvarc, etj. etj.
Natyrisht, në këtë Ditë të Kujtesës do përmendim edhe emrat e atyre qytetarëve beratas që mirëpritën dhe srehuan hebrenjtë: Isuf Qojle, Qani Civeja, Mehmet Xhezo, Halil Frashëri, Xhevat Gjergjani, Xhevahir Zaganjori, Vexhi Buhraja, Hysen Nallbani, Bari Zeko, Burhan Ruli, Sulo Muzhaka, Tajfur Haznedari, Asaf Xhufi, Gani Telegrafi, Sulo Droboniku, Tefik Ruzi, Taq Simsia, Lilo Xhimitiku, Jorgji Naço, Irakli Meroli, Gaq Kajana, Dhimitër Shyti, Llazar Sholla, Toli Dodi, Dhoksi Sfeci, Siku Gjogu, Kozma Gega, Llukan Gjika, Tasi Bixhonja, Vangjel Sota, Zoi Vesho, Grigor e Peçi Shkurti, Jorgji Angjeliu, Resmeie Spathara, Ndon Papai, Miti Cania, Vlash Myzeqari, Hiqmet Çipi, Bajram Ago, Qerim Kasapi, familja Vruho në Mangalem etj etj.
Muzeu “Solomon”, i ideuar dhe ngritur me pensionin e tij të varfër nga Simon Vrusho, përcjell diçka tjetër nga ajo që përcjellin muzetë në New York, Washington, Londër, Paris, Tel Aviv, e gjetkë. Tek ky muze vizitori s’takon dhunën, por përkujdesjen, s’takon urrejtjen, por dashurinë, s’takon sadizmin, por harmoninë e gjinisë njerëzore, pavarësisht nga kombësia dhe gjuha, pavarësisht nga besimi dhe feja, pavarësisht nga kultura dhe pasuria.
Ky muze është mjaft i thjeshtë në dukje, por ai përcjell një mesazh të mrekullueshëm. Këtu njeriu ndihet i denjë përballë historisë, krenar që është njeri, sepse disa banorë të këtij qyteti, të cilët nuk njihnin historinë e madhërishme të hebrenjve, që nuk kishin dijeni për gjenitë e këtij populli, që nuk dinin për udhëtimin e tij biblik, në kohë e hapësirë drejt dritës, u dolën para dhe i pritën.
Vizitorët e kujdesshëm të qytetit të Beratit habiten me arkitekturën e lagjeve muzeale të qytetit, por tronditen me “arkitekturën” shpirtërore të qytetarëve të tij, kur vizitojnë muzeun “Solomon”.
Në këtë Ditë të Kujtesës, teksa kthejmë kokën pas nënvizojmë: “Dy gjera të shenjta ka ruajtur qyteti i Beratit në shekullin XX, kodikët dhe hebrenjtë”, ndaj lipset ta mbajmë të gjelbër Pemën e Kujtesës!