More
    KreuOpinionMuza dhe shkrimtarja Zelda Fitzgerald akuzoi për plagjiaturë bashkëshortin e saj F....

    Muza dhe shkrimtarja Zelda Fitzgerald akuzoi për plagjiaturë bashkëshortin e saj F. Scott Fitzgerald

    Zbuloni historinë e Zelda Fitzgerald, “muza” dhe shkrimtarja që iu bë plagjiaturë nga bashkëshorti i saj i mirënjohur.

    Nga Cati Gaya

    Shumica e njohin thjesht si “gruaja e romancierit të famshëm F. Scott Fitzgerald”, por edhe Zelda Fitzgerald ishte e veçantë. Një ikonë e viteve ’20 dhe një nga figurat më tipike të së ashtuquajturës Epoka e Xhazit, ajo ishte një nga të parat flapper në Amerikë.

    Flappers ishin një brez vajzash të cilat kundërshtonin normat dhe e shpërfillnin hapur atë që konsiderohej “sjellje e pranueshme” gjatë asaj kohe. Ato nuk mbanin korse, vishnin funde që shkonin deri te gjuri (një skandal atëherë), i prisnin flokët shkurt, dëgjonin xhaz dhe pinin alkool në publik.

    Megjithatë, në radhë të parë Zelda ishte artiste. Ajo kërcente, pikturonte dhe më e rëndësishmja, shkruante. Ajo çfarë shumica e njerëzve nuk dinë – ndoshta sepse historia e ka fshehur të vërtetën – është se F. Scott Fitzgerald e arriti një pjesë të mirë të suksesit si shkrimtar falë Zelda-s. Ai jo vetëm e përdori si muzë, por u tregua i paskrupullt në vjedhjen e ideve dhe shkrimeve të saj. Zbulojeni më poshtë historinë e saj:

    Përgjithmonë rebele

    Gjatë fillimit të shekullit 20, gratë në Jugun e Amerikës pritej të ishin të bindura dhe të nënshtruara. E megjithatë, Zelda Sayre, lindur në Montgomery, Alabama, në vitin 1900, nuk ishte aspak e tillë. Ajo ishte aktive, rebele dhe provokuese. Ajo kërcente, pinte, tymoste dhe kërkonte qëllimisht të sfidonte konvencionet.

    Thuhej se ajo lahej me rroba banje me ngjyrën e lëkurës, për të nxitur thashethemet se ishte lakuriq në publik. Një artikull për performancat e saj në kërcim, shkruante se Zelda kishte interes vetëm te “djemtë dhe noti”.

    Nuk është dhe aq e habitshme që djaloshi F. Scott Fitzgerald, i cili më vonë do të njihej si një nga shkrimtarët më të shquar të Amerikës, ra thellësisht në dashuri me të në vitin 1918, kur po qëndronte në Alabama gjatë karrierës së tij ushtarake. Ai ishte vetëm 22 vjeç. Ajo ishte 18.

    Një çift filmi

    Zelda dhe Scott u afruan menjëherë, ishin të dy të pashëm, të zgjuar, kureshtarë për artin dhe me talent të lindur. Gjatë viteve të para të lidhjes së tyre, Scott po shkruante librin Kjo anë parajsës, të cilin në fund ai e rishkroi, vetëm që të mund ta bazonte njërin prej personazheve te Zelda. Ndërsa lidhja e tyre përparonte, e njëjta gjë ndodhte edhe me rolin e Zelda-s në shkrimet e Scott-it: Zelda e lejoi të lexonte ditarët e saj, prej të cilave shkrimtari kopjoi fragmente të tëra të cilat i përfshinte te librat e tij, pa ia çmuar kontributin.

    Kur u botua libri Kjo anë e parajsës, suksesi ishte i jashtëzakonshëm dhe e katapultoi çiftin në rrethet shoqërore të elitës. Scott i ngjiti Zelda-s nofkën “flapper i parë i Amerikës”, duke e kthyer atë në një ikonë. Më vonë, kur Zelda ishte në ekstazë pas lindjes së vajzës së parë, ajo tha, “Shpresoj të jetë e bukur dhe budallaqe, një budallaqe e vogël dhe e bukur”, fjalë të cilat Scott i vuri në gojën e personazhit Daisy në librin e tij, Gatsby i madh.

    Vitet e para të martesës së tyre u karakterizuan nga tepria: më konkretisht, nga shumë festa dhe alkool. Lindja e vajzës së tyre nuk i dha fund kësaj teprie, sepse ata punësuan shërbëtorë dhe dado në mënyrë që të ruanin jetesën e tyre të paqëndrueshme.

    Nga muzë në shkrimtare

    Festat e ekzagjeruara sollën një periudhë që u karakterizua nga tradhtia, problemet me paranë dhe debatet të cilat shpesh shkaktoheshin nga xhelozia e Scott-it. Kur Scott do të botonte librin Të bukur dhe të mallkuar dhe Tribuna e New York-ut, ai i kërkoi Zelda-s të shkruante në gazetë një recesion për të. Në artikullin dërrmues, Zelda përshkruante për herë të parë se çfarë kishte ndodhur që nga momenti kur u bënë çift:

    “Më duket se në një faqe njoha një fragment nga një ditar i vjetër i imi i cili u zhduk në mënyrë të mistershme pas martesës dhe, gjithashtu, zbulova pjesë nga letra të cilat, edhe pse tejet të ndryshuara, më ngjajnë disi të njohura. Në fakt, z. Fitzgerald (besoj se kështu e shkruan emrin) duket se beson që plagjiatura fillon në shtëpi”.

    Edhe pse komentet e saj ishin me humor, shkaktuan plot debate. Kur Zelda-s filluan t’i vinin kërkesa për të shkruar libra dhe artikuj, Scott nisi të zemërohej gjithnjë e më shumë. Fakti që “muzës së tij” po i vinin mundësi për të trajtuar tematika të cilat ai dëshironte t’i përdorte për romanet e tij, ua përkeqësoi gjithnjë e më shumë lidhjen.

    Kur çifti u shpërngul në Paris, Scott ishte përfshirë kaq shumë në shkrimin e romanit Getsbi i madh, saqë Zelda u takua dhe ra në dashuri me një pilot francez të quajtur Edouard Jozan. Kur i kërkoi bashkëshortit divorcin në mënyrë që të niste një jetë të re me dashurinë e sapogjetur, Scott jo vetëm refuzoi, por e kyçi atë në shtëpi derisa ajo e tërhoqi mbrapsht këtë kërkesë. Pasi kaloi pak kohë, Zelda tentoi të vetëvritej për herë të parë.

    Rënia e “flapper” të parë në botë

    Debatet dhe tensionet sa erdhën dhe u përkeqësuan, ashtu si shëndeti mendor i Zelda-s. Në vitet ’20, sjellja e Zelda-s u bë gjithnjë e më tepër e paqëndrueshme dhe bashkëshorti i saj, një i alkoolizuar, u bë gjithnjë e më shumë i zemëruar me të. Zelda vendosi të merrej me kërcim, e megjithëse arriti të përparonte goxha në këtë karrierë, në fund kundërshtimi i Scott-it e dekurajoi aq shumë, saqë e refuzoi ofertën që mori për t’u regjistruar në San Carlo Opera Ballet Company, në Naples. Festat e saj dikur ekstravagante, tani ishin shkatërruese dhe dekadente. Në vitin 1930, Zelda u shtrua në një spital psikiatrik në Francë, ku u diagnostifikua me skizofreni.

    Kur i bënë me dije se shëndeti i babait të saj po përkeqësohej, çifti u kthye në vendlindjen e saj në Montgomery, ku Scott-i e braktisi dhe shkoi i vetëm në Hollywood. Pasi babai i ndërroi jetë, shëndeti i saj mendor u përkeqësua edhe më shumë, dhe ajo shkonte nga njëri spital psikiatrik te tjetri.

    Megjithatë këto rrethana nuk ia zbehën entuziazmin për kreativitet. Në vitin 1932, ndërsa ishte e shtruar në spital, ajo shkroi një roman gjysmë autobiografi të titulluar Më ruaj valsin, dhe ia dërgoi botuesit të Scott-it. Kur Scott-i e lexoi, u tërbua dhe i dërgoi disa letra ku e qortonte për atë çfarë kishte shkruar.

    Ai reagoi kështu për shkak se po planifikonte të përdorte të njëjtin material për librin e tij E butë është nata, të cilin do ta përfundonte pas dy vitesh. Në mënyrë që të kishte mjaftueshëm material për këtë roman, Scott-i e detyroi Zelda-n të hiqte ato pjesë që ai dëshironte t’i përdorte nga libri i saj. Ky version krejtësisht i ndryshuar u botua pa ndonjë sukses. Në mënyrë ironike, bashkëshorti i saj iu shtua atyre që shkruanin recesione negative. Ai e quajti Zelda-n “një shkrimtare e dobët” dhe punën e saj e etiketoi “plagjiaturë”, duke e akuzuar për atë që kishte bërë vetë gjatë pjesës më të madhe të martesës. Më ruaj valsin është e vetmja vepër që ajo botoi gjatë jetës. Zelda u zhgënjye thellësisht nga reagimi që solli ky libër, gjë që ia përkeqësoi gjendjen.

    Trashëgimia e një brezi grash

    Vite pas vdekjes së Scott-it, Zelda, e cila ishte sërish në spital, nisi të shkruante një tjetër roman, pavarësisht asaj që kishte hequr me romanin Më ruaj valsin. Titulli i romanit të ri ishte Gjërat e Çezarit, megjithatë ajo nuk arriti ta përfundonte, sepse ndërroi jetë kur një zjarr shpërtheu në dhomën ku ishte kyçur, teksa priste terapinë elektrokonvulsive.

    Edhe pse jeta e Zelda-s pati një fund kaq tragjik, ajo la një trashëgimi të madhe. Megjithëse bashkëshorti i saj, Scott Fitzgerald, ende njihet si një nga shkrimtarët më të shquar në historinë e Shteteve të Bashkuara, gjenia e Zelda-s po zbulohet dhe po çmohet vazhdimisht, falë botimit të biografive të ndryshme për të.

    Deborah Pike, në biografinë e saj shkruan se Zelda ishte një kontribuuese me rëndësi për historinë e artit. Vepra e saj dhe vështirësitë me të cilat u përball, na ndihmojnë të theksojmë këndvështrimin femëror në artin e asaj kohe. Veprat e saj të botuara dhe ato të pabotuara, paraqesin mendimet e saj mbi modernizmin, sëmundjet mendore dhe plagjiaturën.

    Libri i autores Nancy Milford me titullin Zelda: Një biografi, ishte një bestseller që e bëri të njohur Zelda-n si një ikonë feministe e cila i mbijetoi bashkëshortit kontrollues që refuzonte ta ndante suksesin e tij.

    Falë këtyre shkrimtareve që kanë ngritur zërin e gruas pasi është heshtur prej vitesh, njerëzit anembanë botës nuk po e njohin më Zelda Fitzgerald-in si “bashkëshortja e Scott Fitzgerald”, por si gruan e zgjuar, rebele, të talentuar, të fortë dhe unike që ajo ishte.

    Përktheu David Hudhri

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË