More
    KreuIn memoriamMoikom Zeqo, mistika e rrethuar me dritë blu

    Moikom Zeqo, mistika e rrethuar me dritë blu

    nga Xhevair Lleshi

    Sot ndoshta tingëllon e çuditshme dhe pse jo mund ta quash edhe lajthitëse, por Anima Mundi erdhi jo thjesht si titull libri që Ai e mbante në duar si një gjë të rrallë, ngaqë i dhuronte të qeshurën si diçka të shenjtë, e përpunuar në të gjitha tiparet burrërore të fytyrës së eshtërt. Kjo m’u skalit në vetëdije sa dëgjova mëngjesin e së hënës për humbjen e tij. Dikur, jo larg, teksa shqyrtonim një tjetër vepër të tij ai mbeti tek një kompozitë: populli imagjinar. Atij i përkasim? A e prishin dot, thua, me buldozerë? Se populli nuk rroposet as edhe me kujtime të ëmbla, jo më me dhunë. Po e shihja në sy si t’i zbuloja një dritë tjetër. Dhe m’u bë se e zbulova. Një rreze blu, e shkurtër, që depërtonte përhumbshëm në ajër dhe mbetej aty. Një varg i tërë figurash, si njollat e Rosharshit, madje në përfytyrim më ka mbetur me buzëqeshjen e përndritur e të veçantë. Të dyja u bashkuan dhe mbetën ashtu, bashkë: rrezja e syve të tij dhe përfytyrimi i zbuluar nga buzëqeshja. Do të doja t’i bashkoja si një tingëllimë që formësonte mistikën e tij të jashtëzakonshme, herë i vjetër sa bota dhe herë i rinuar befas. Atë e ka dhe tani që po shkruaj, natyrisht para meje, me syrin që di të shohë nëpërmjet besimit. Me botën e hedhur supeve dhe me buzëqeshjen e çiltër, aq të sinqertë, ku edhe vetë mistika ndihej ngushtë, duke kumtuar ndryshime të thella, edhe pse lundronin në sipërfaqe rrëmujshëm. E vura re papritur teksa kapej me veten, domethënë me mistikën e tij, ku orët lart s’qenë më të tijat, ku biseda e lirë përkthehej si poezi shkruar në alfabete të panjohur ende, ndërsa e tërhiqte pa masë e shkuara shqiptare, rrëfimi, historia, si një lloj shpërfaqjeje shpirti, thjesht Anima Mundi, shprehur nën prizmin e një shqiptarie të amshuar. Ulur në kafe Libri të lirë dhe me ajsbergun e tij, thua se edhe poetika, edhe mistika fluturojnë majave, duke i lënë përjetësisht të fshehura thellësitë. Se të dyja fitojnë vlerë tjetër kur hapin flatrat për t’u lexuar me urì. E kisha përpara mistikën, tek rrezja e shkurtër blu e syrit të tij, të cilën tashmë ia shihja konkretisht, por nuk ia zija ngoje sepse kisha frikë mos ma fshihte. Se ai që prodhon një ideale të tillë me vlerë konkrete, me siguri do edhe ta fshehë. Më bëhej herë-herë edhe si një mrekulli poetike dhe qetë-qetë po i besoja kësaj mistike. Ai mbështetej tek librat e nxjerra prej çantës dhe ashtu si nëpër mjegull frymëzohej, ikte nga tryeza, bëhej një me shpirtin e Frederik Rreshpjes, ndillte dy vargje nga Roland Gjoza, vinte në shtrungë Sulejman Maton, gërricej me Visar Zhitin, përtypte Uollt Uitmanin e famshëm: kundërshtoni shumë dhe binduni pak, se bindja e verbër ju çon në skllavëri të plotë. Ah Skënder Luarasi, kushedi ç’do të ketë britmuar teksa ia zbuloi thesarin atij demiurgu në atmosferën përplot tym e amë në skarën e prushtë, pastaj merrnim rrugët vargjet e prera me thikë dashurie nga Faslli Haliti… Ne ishim të dy, por aty vinin gjithë poetët. S’bënim gjë tjetër, veç zhbironim në kaltërsi emra të mëdhenj veshur me një vel mistike të habitshme. Mistika e tij nuk qe dekadencë. I zgjedhuri i Kuazimodos, i Lorkës, i… Një mistikë e lirë, edhe me diell të zemëruar që drita dhe nxehtësia çoheshin aq dëm…

    Mahnitja e tij intelektuale, kurrë e dalluar nga jashtë brenda, po me një shpërthim të mrekulluar nga brenda jashtë, bëhej mbështetje e fortë për mistikën e tij antike, mesjetare, po edhe për mistikën e sotme, që shfaqej e habitur,  që s’pyeste ku hynte, por dëgjonte pëshpërimat e adhuruesve, tretur në gjakun e ëmbël moikomian. Edhe aty futej ajo mistikë elegante, ndonëse me njëfarë ndrojtje, përmbytur nga shumë dritë, shoqëruar me pak fjollë tymi që i jepnin kolorit të paparë  tablosë së freskët. Mistika e tij kurdoherë e vëmendshme shfaqej si portret pikture, si peizazh, si lexim model i një teksti të vjetër, pa i përzier botët edhe pse ato kishin lindur brenda rrëmujës së vërtetë thurur me fije aq elegante. Kjo mahnitje e tij intelektuale kishte aroma ngacmuese, krejt të bëra fir nga ëmbëlsia e tij e veçantë mashkullore. Mistikën ato çaste e fuste nën det, thellë, për ta shqyrtuar me poezinë, rrëfimin, tronditjen dhe kompetencën e arkeologjisë nënujore. Aty autoriteti bëhej edhe më i mistershëm, gati për të thyer edhe vetë besën. Që atë çast e kuptoje se mistika dhe adhurimi i tij kishin shije që kanë të bëjnë me dritën, me errësirën e pamjaftueshme (sepse mistika e dëshiron errësirën kurrë të plotësuar…), me kundërmimin e luleve, vështirësinë që ngjëron bashkë me krijimin (asnjë krijim, sado i bukur qoftë, nuk i shmanget dot dhimbjes, luftës, shpirtit dhe dalldisjes së përkorë), sepse errësira ka dritë blu brenda, dritën kristaline të syrit të tij që përmblidhte gjithë Adriatikun e Durrësit të tij. Ai nisej të zbulonte diçka por gjithnjë gjente tjetër gjë, hutohej i mahnitur dhe harresa (kjo mrekulli e jetës) e çonte në shtigje që s’i kish vërejtur ndonjëherë, duke e kthyer nga rruga për ku qe nisur, pastaj mbërrinte në finishin e çdo poeti: në limanin e dashuruar. Në çdo pikë të kësaj rruge, ulej, rrinte pak, çlodhej, ngrinte lart vështrimin ëndërrimtar dhe studionte ç’i dilte përpara, ndonjëherë duke i krijuar probleme sepse nuk bindeshin lehtë, siç do të donte kushdo, madje prisnin një kohë tjetër për t’u takuar sërish… Atëherë zbriste në tokë, me mjegullën si aureolë, sado që kapela e tij strehëgjerë nuk e lejonte të ngacmohej nga fjollat e lehta të qiqërimës. Veç ta vije re: nuk e hapte gojën, po vetëm qeshte me një cep buze, se ai nuk i përmbante dot mendimet, ato i rrëzëllinin vetiu. «Mendimet e tij ishin të mistifikuara, alegoria e tij rëndom donte një përkthyes.»

    Më shumë e kuptoja kur më lexonte copëza mendimesh, vargje të hedhur në atmosferë, kërkime të thella. Gjithçka ishte nën sundimin e rrezes së tij të padukshme blu. Si deti i thellë, ngarkuar me aq vërtetësi saqë të shkaktonte habi… Më vjen keq që nuk i mbaj mend ato lajthitje të bukura, gjithnjë pranverore, kur shkelte në dhé tjetër, ku shfaqej një copëz dritë e paparë si gjithnjë e kthjelluar, por e mbështjellë me pak metaforë dhe me grimca metonimie, që s’të ndaheshin pastaj gjithë jetën. Ato vargje t’i shqiptonte duke u dridhur nga emocioni dhe tronditja e mistershme, po ndoshta edhe nga një frikë e pakuptueshme. Moikomi ishte natyrë stoike, një ajsberg i rrallë, me aq shumë butësi dhe ëmbëlsi, një shenjtëri që ecte, vazhdimisht ecte, paksa i kërrusur (duket nga pesha e rëndë e mendimeve (se kërrusjen e udhëheq koka!) dhe të mundimeve, që shfaqej kur belbëzonte me zë të ulët citimet e tij të mrekullueshme dhe jo vetëm nga Anima Mundi. Varg i gjatë, përplot dallgë antike, që në të vërtetë ishin malet, shpellat, erërat, kufiri, fushat, narkoza në një trup pa gjymtyrë, me duar në ajër, këmbë në vetëtima e rrufe. Kjo bëhej shpejt drithërimë bëhej emër që s’kish nevojë për mbiemrin, tendosje që i pëlqente shkronjës shqip, mirënjohje për kulturën tonë kombëtare, dijetar që s’i mjaftonte kurrë vetja dhe «funksiononte si institucion». I sëmurë? I drobitur? I mpakur? Jo. Këto janë hipoteza të një bote inekzistente që nuk e kish lejuar t’i humbiste asgjë. Botë e çuditshme, që merrte formën e fjalëve dhe të ideve. Dua të jem i fshehur në një guvë si murgjit e mesjetës, më thoshte. I tillë je, por i kësaj Mesjete që jetojmë… Edhe komunizmi prodhim mesjetar është… Ëndrra e murgjve… Thua? Lexoji dhe do të shohësh. Ato mendime t’i kam thënë të gjitha… Borëtim bore, rrugë të ngushta pa krye, male të larta, humbëtira të thella detare, detarë të pabindur që i tërheq poezia e pazbuluar kurrë, malësorë të gjatë, armë të ngrëna nga vitet si mola, temperaturë koronavirusi në qiell, një gotë që nxit etjen e pashuar, mëngjesi pranveror me vesë të magjepsur e aq të fshehtë e përplot mistikë… Mendime që përshkojnë idetë e tij dhe gjithnjë të mbushura vetëm përgjysmë. Etja e një dijetari të kthjellët nuk mund të shuhej kurrë. Me një dehje stilistikore dhe të papërmbajtur. E bukur si pika e lotit…

    Një njeri i ditur si Moikomi Zeqo ishte i pranishëm kudo, në opinione e diskutime, në analiza dhe në entuziazmin e librit të ri, në njohjen e stileve dhe organizimit letrar, në biblioteka e veprimtari ku flitej për librat. Ai binte në sy menjëherë, me sytë xiglues, shpotitës, shpuzë, me një dritë të habitshme, zërin e ngrohtë dhe aq mirënjohës, duke dhënë kurdoherë përgjigje të thukëta. Moikomin nuk e gjeje kurrë vetëm, gjithnjë ndillte e provokonte diskutime mbushur me ëmbëlsi krejt njerëzore dhe sidomos e veçanta e tij falënderuese hidhte një hije tjetër miqësore dhe tejet afruese, që nuk e pashë kurrë të ngrefosej. E ku kish kohë ai të merrej me kësi sjelljesh?… Libri të rrëmben, të bën për vete dhe ka veç kulturën e tij të lartë dhe domethënëse… Moikomi hynte lehtë në diskutim, dinte të futej në mendimin tënd dhe të diskutonte me ty në heshtje. Po. Me të mund të flisje gjatë kështu…

    Atë kohë kur botonte Sinopset e tij të shkëlqyera, një libër i përmasave të mëdha dhe bërthama e librave të tij të pafundme, monografi e romane, studime e novela, tregime e poezi, shkrime historike dhe analiza të holla psikologjike, opinione dhe kritikë e ashpër, shqetësim për shkatërrimin arkeologjik të Durrësit, krimi më i madh e i më i shëmtuar në botën shqiptare. Dhe  ky diskutim më sjell në kujtesë një vizion të përbashkët për Durrësin e vjetër. Edhe Moikomi, edhe unë, e kishim të njëjtë përfytyrimin për ta parë Durrësin antik poshtë xhamave ku mund të gjenin mundësinë miliona turistë duke parë një mrekulli. Por ky përfytyrim merrte përmasa ideale dhe luftohej mu për këtë qëllim të jashtëzakonshëm… Të këmbëngulje do të thoshte të bëje shumë vjet burg, ndonëse ne si në burg na dukej vetja. Pa ndonjë dallim të madh midis jetës andej brenda e këndej jashtë. Por letërsia dhe jeta kulturore sipas Mjeshtrit të Madh Moikom Zeqo ka qenë dhe mbetet rrëmujë e batërdi, ku dominon një art i rëndomtë, ku mungon drama apo komedia shqiptare – e cila në kushtet e prishjes dhe shkatërrimit s’mund të gjejë dot vend, as edhe për një gardërobë të thjeshtë e jo më për atë të mendimit. S’kishte dhe nuk ka punë, s’duket kurrkund dritë, kurse dielli sido-sido shkëlqen, ndonëse i copëtuar në dhëmbët e politikës.

    E takova krejt papritur kur kërkonte një mik të vjetër. Atë mik e kish kapur dalldia, si të thuash një dalldi në përgjithësi. U buzëqesh të gjithëve, me një buzëqeshje përulëse si galdim për tjetrin… Ai, miku i tij i vjetër kish filluar të hidhte rrugë, sa t’i jepej mundësia, batuta të çmendura që të robëronin… Nuk e takoi dot dhe duket se i mbeti peng… Kurse mua s’më ndahen nga kujtesa takimet me të. Diskutonim për një prirje që unë e kam vënë në qendër të studimeve të mia: Bashkëjetesa paqësore e mrekullueshme fetare në botë, thelbi i trashëguar në breza tek populli shqiptar, aty ku gjeti shtratin, sepse e mbajti gjallë nga trashëgimi i Perandorisë Osmane. Moikomi thoshte se ne e kemi çelësin e zgjidhjeve në politikë. Thjesht. Jemi në kohën e duhur të gjejmë pikat e nxehta që na japin mësime nga vetë historia. Të tilla janë analogjitë historike (periudhat e ndryshme historike për të ndërtuar paralele të rëndësishme siç janë Republika e viteve 1920-1927 në Shqipëri dhe po aty Vitet 1944-1948, duke ngulitur gjithnjë në mendje parimin se «çfarëdo marrëdhënieje që të ekzistojë midis dy ngjarjeve historike, ajo nuk varet nga një përkim i saktë i ndodhive, por nga ngjashmëria e problemeve midis tyre», sepse «historia mëson nëpërmjet analogjisë, jo nëpërmjet identitetit.» Në studimin e çështjeve të politikës së jashtme, është i domosdoshëm ndërgjegjësimi në kontekstin historik. Në veçanti, duke qenë se një popull e përcakton identitetin e tij «përmes vetëdijes së një historie të përbashkët, historia mund të përkufizohet si kujtesë e shtetit. Prandaj studimi i historisë së shtetit mund të përdoret për t’i kuptuar ato më mirë. Duke u mbështetur në këtë parim, mund të perceptojmë ngjashmëritë dhe dallimet midis Shqipërisë së sotme me atë të viteve 1920-1927. Në këtë rast, është e domosdoshme të rindërtojmë një rend legjitim kombëtar. Sido që pengesa kryesore është ekzistenca e një force revolucionare (në vitet ’20 forca demokratike e Fan Nolit), prapëseprapë mësimi i historisë na tregon se politika është gati e njëjtë në pozicionin e ngurtë, domethënë të dyja forcat kryesore politike qëndrojnë në pozicionet e tyre të fortifikuara. Roli i thjeshtë i baraspeshuesit nuk mjafton, është e nevojshme që njëkohësisht të ndërtohet një rend i duhur demokratik i baraspeshuar, duke ia shteruar fuqisë revolucionare (që realisht nuk ekziston, me gjithë tendencat e forcave demokratike) si energji e rrezikshme. Por, ndërkohë as duhet ta paragjykojmë…

      Dhe pastaj sërish Moikomi futej në botën e librave që i rreshtonte mbi tryezë.

    Nuk e kisha shkuar nëpër mend se bisedat mes njerëzve të letrave, edhe në spital, janë të këndshme. Diku ngriti krye ballafaqimi mes rretheve letrare dhe rretheve të lexuesve. Unë drejtoj një rreth lexuesish tha njëri prej miqve të mbledhur në spital, ditëve të shtrimit. Librat. Diskutimet rreth tyre. Mund të jenë rishtar leximesh, po edhe ithtarë aksidentalë dhe pa shkak i leximeve. Për atë që nuk lexon s’ka dhembshuri. Po të jetë libër poetik poezitë duhen thënë përmendësh. Si në teatër. Dhe shqiptohen poezi, poezi që s’i shkruan vetë, por poeti, ama ai i lexon, i thotë përmendësh, poezi pafund… Dhe diskutimi nuk e gjen dot pikën, madje nganjëherë… Dhe shpërthen e qeshura e sinqertë.

    Po e shihja Moikomin në profil. Mjekra e dendur, mollëzat e faqeve kishin nisur të dilnin më pah, sytë paksa të lodhur si shpuzë e mbuluar, shihte larg, tej dritareve. Edhe malet tutje duket sikur rrinin në këmbë, përngrehur. Edhe ne aty rreth tij. M’u duk si profil shenjtori, donte të çohej në këmbë dhe qahej për dikë ose për veten… Për veten më mirë. Do të donte ta kthente një faqore por sikur ngurronte dhe vështrimi pa skaj të trembte. Profili i një shenjtori do të mbetet përjetshëm tek ne miqtë e tij…

    Tiranë, 16 qershor 2020

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË