More
    KreuLetërsiBibliotekë"Misteret e Beratit", etyde nga Xhevair Lleshi

    “Misteret e Beratit”, etyde nga Xhevair Lleshi

    «Jeta është historia që thonë për ty, jo ajo që tregon ti…»

    John green

    1

    Basti ynë u vendos në çastin e fundit. Ai që do të mundej do ta pësonte duke pirë një shishe verë plus! Po, nga vera e kantinës Riko në Goricë, pasi Landi ka edhe verën më të vjetër, sido që Zoi Kumati, që tani rri i degdisur andej nga Lioni e Parisi, e sjell ndërmend (vetëm kaq) por jo se merret me verërat. Me mikun tim piktor u takuan në Rogner, pimë një kafe dhe unë ia kujtova që për të parë një qytet të rrallë nuk mjaftojnë edhe javë të tëra. E pranoi sfidën dhe ne do të niseshim një mëngjes me shumë diell e dritë të vesuar prilli. Makina dhe shoferi ishin gati. Ne do të rrinim të dy pas, me shpresën se nuk do të ngopeshim duke folur rreth asaj që na priste. Por, miku im piktor, s’ma vari, vuri kufjet dhe më tha se kishte përgatitur sipas mënyrës së tij njëqind fraza në anglisht, të deklamuara nga aktorë të vërtetë anglezë me një diksion dhe ritmikë të përsosur, kështu, me të mbërritur në Berat, do t’m’i thoshte tëk e tëk e tëk pa bërë asnjë gabim. Ai u krodh në anglishten e përcaktuar si detyrim personal, ndërkaq mua më duhej të vizatoja mirë me mend planin e vizitës. Ku do të ngecte si miza në mjaltë, që sigurisht s’e kishte të parën herë që vinte në Berat? Eh, në të vërtet do doja që këtë vizitë me bast ta bëja me Roland Gjozën dhe t’i hipja me të kalit të «përrallës», e t’i tregoja ato që as mëma e tij s’ia ka treguar ndonjëherë. Për mua ka qenë gjithnjë mundësi dhe një marifet i vogël të mësoja pikat më të nxehta e të padukshme të këtij qyteti që u bë imi falë këmbënguljes, dëshirës dhe dashurisë…

    2

    I pari që m’i futi fitat ka qenë Todi Sotira, mjeshtri i muzeut, ciceroni i famshëm që në rininë time të parë. Dhe, nuk kishte si Todi ynë! Dinte të mbërthente zjarrin me dorë dhe ta mbante shpuzën e rrëfimit ndezur gjithë kohën. Është e tepërt të them se xha Todi vdiq ndanë një sokaku në Mangalemin lindor dhe nuk e kapte njeri me dorë nga frika e ndonjë sëmundjeje ngjitëse. Prej tij i mësova misteret e Beratit, që të dalin përpara dhe të zënë pritë papritur, aq sa befasia të mban frymën dhe ti mbetesh si një budalla i vogël para tij. Hesht. Bukuri, edhe heshtja duhet, se dihet, me heshtje janë mundur ushtri të mëdha, janë pushtuar Kala dhe… unë tek thirrja e osmanit të famshëm spiun që u ngjit me litarë drejt Tabies… do ta filloja me mikun tim… Çekbeniiiiii!

    3

    Ja dhe rruga prej 120 kilometra nga Rogneri në sheshin «Teodor Muzaka II» në Berat mbaroi. Një orë e treçerek. Shoferi e quante veten kampion. Ndoshta. Im bir, kur sillte Redon Makashin me një Benz tjetërsoj e kishte bërë për një orë, nga teatri popullor në teatrin e qytetit. Por ky do të ishte rekord tjetër. Ndërsa miku im piktor e mbajti fjalën, duke m’i thënë përmendësh të njëqind shprehjet anglisht, deklamuar si aktorët anglezë të regjistruar në një CD origjinale, unë i bëra pyetjen e parë sa për të thyer kureshtjen: A e dinte ai se cili ishte kampioni i botës në njohjen e aromave? A e dinte piktori ynë se rekordi Guinness për aromat (1001 të tilla, sa edhe përrallat e Persisë së famshme) dhe rekordmen ishte Kela Mbuhuri që nuk ia përmend njeri emrin?…

    4

    Është emër i harruar si edhe emri i Nasi Papapavlit që mbrojti kodikët e famshëm dhe ua solli njerëzve sot në duar, edhe pse s’jeton. Ehu, shpirti është mes nesh. Tjetër gjë shpirti, apo jo?! Dhe Kela Mbuhurin e gjeje gjithnjë mbi lule, nëpër bezgat e kalasë, në Tomor e në Shpirag, në damarët e Myzeqesë dhe mbi pllajën e Dumresë. Kudo. Thonë se edhe Alpet i kishte prekur dhe aromat ia njihte. Çudi. Ne të zakonshmëve edhe kishat e një qyteti na duken krejt të njëjta jo më aromat. Ja, e dinte ky se…

    5

    Do ta fillojmë me muzeun etnografik, i thashë. Të duhet pak tranazh. E di atë tranazhin e ushtrisë «vishu-zhvishu» para krevatit në mënyrë që t’i zërë gjumi shpejt, apo jo? Edhe unë do ta tregoj një nga misteret. Se Berati ka 999 mistere, ta dish. Duhen 999 net dimri që t’i tregoj. Lum ai që ka durim. Por një mjafton në pak sekonda. Një nga këngët popullore qytetare të Beratit (ia këndova, duke theksuar vargjet «ky jeleku i ngushtë në sqetull, / iu thefshin duart kush ta ka qepur!» Perlë, apo jo? T’u thyeje duart rrobaqepësve se vajza rritej brenda natës dhe jeleku i djeshëm s’bënte më sot, se gjoksi i saj ishte bymyer nga prilli – me siguri prill ka qenë edhe atëherë kur u qanë me lot këta vargje, ndoshta si ky prill me diell të vesuar sot, teksa u nisëm nga Rogneri i famshëm…) Si do ta bënte piktori ynë portretin e asaj vajze? E kuptoj, më tha, çdo gjë e bukur, nis me vargjet e një kënge të famshme. Deri tani basti anon nga ti.

    6

    Të shohim. Ecim, se u bëmë vonë. Do t’i biem nga rruga e Telelkave. Dhe dalim atje ku duam. E ku duam ne sot? – pyeti.  Kisha e Shën Mëhillit. Ku? Atë kishë e njoh me centimetra. Si? E njeh? Po basti, si? Njëri nga ne të dy do ta pijë atë verë! Mirë, le të bëhet si thua ti. Vajtëm. Porta. Kambanorja që ngrihej në shkëmb. E gjithë kisha zgjatet në gji të shkëmbit dhe humbet brenda vetes. E sheh dot si u fsheh? – e pyeta. Nuk e shoh. Po çfarë shikon ti!? Mbaje mendjen këtu. Kemi hyrë në kishë. Qetësohu. Merr frymë thellë. Se, para se të vizitohet kjo kishë duhet bërë ushtrim joge. Kuptohet, kërkon të më sugjestionosh.

    7

    Rruga e Telelkave… Telelkat = Telendaret, ngjelkat… Kisha e TelelkaveXhamia e Telelkave… Sheshi i Telelkave… Dhe ja tani edhe romani Telelkat… Magjia e Telelkave… Zot më mbaj mendjen… Berati është i vetmi qytet në botë që i ka Telelkat si toponime dhe emërtime…

    8

    Marifetçi bastesh qenke! Jo, mor vëlla, këtu jemi në Shën Mëhill. Kujdes shikoji ikonat, mundohu t’i prekësh me dorë. Ta them vërtet. Dhe piktori, miku im, zgjaste duart të prekte ikonat dhe duart nuk arrinin dot tek ato. E pse? Ç’po ngjet? More rrufjan, se mos më bën magji. E si mund t’i ndalosh duart e mia për të prekur ikonat e famshme? Ç’thua, s’ka bërë vaki ndonjëherë. E di pse ndodh kjo? Ndodh që atij që ka dashur t’i prekë për herë të parë ia kanë prerë duart. Të dyja. Dhe tani, për të mos u prerë gjithë duart e njerëzimit, se njerëzit rrojnë, hanë e pinë me ato të uruara duar, (sidozot ti bën edhe piktura me mollëzat e gishtave, apo jo? Të themi edhe ndonjë ikonë të re!…) dhe si i bëhej hallit? Ja përse ndodh kjo. I nxit ikona, i tërheq. Po të duash puthi, të lejojnë, të pranojnë me nderim të thellë. E pra, puthe njërën! Piktori u afrua dhe e puthi cepin e ikonës. Mos ki frikë, nuk të ha! Tani afroji duart. I afroi. Sa ta prekte dhe dora mbeti në afërsi, punë milimetri. Shtjellë ajri? Magji? Ç’të të them! Ngeci para ikonave miku im piktor dhe merrte e jepte për të prekur misterin e Shën Mëhillit

    9

    Është shpirt i shenjtë, Shën Mëhilli i famshëm, që nuk të lejon. E puthura është shpirtërore dhe lejohet të arrihet si mundësi. Puthja mbahet mend, prekja jo. Ti mund të përdorësh duart në mënyrë fantastike dhe nuk ke mundur dot ta arrish atë ndjeshmëri të lartë që të dhurohet nga Perëndia prej të puthurës. Kështu që ikonat e Shën Mëhillit i mbron një tjetër shpirt, sepse dora që i ndërton, ajo dhe i shkatërron. Jetojnë bashkë vesi me virtytin! Si thua? E dhe provimin hyrës në ikonografi? Qeshi. M’u duk se s’përmbahej nga inati dhe i dukej se një botë e tërë fantazmash ishte e pranishme aty. Do detyrohej ai edhe unë të kalonim në labirintin e tyre të përfytyruar.

    10

    Iu afruam një dritareje të ngushtë. Vështro, i thashë. Dhe pa. Tomori larg. Më afër Osumi. Pjesa poshtë e qytetit. Ndihej një puhizë e këndshme. Tani vëri re muret. I sheh? Jo. Bukur. Dalim përjashta atëherë. Vijmë te dritarja. Kujdes se është shkëmb dhe mund të biesh. Kujdes se ka nepërka, po lutju Zotit që jemi në prill dhe ende s’kanë dalë, por në zgjim janë, po u mbaron gjumi letargjik. Helmi i këtyre nepërkave të Shën Mëhillit është ilaç, more vesh. E pinë ata, shenjtorët, se duhet të ketë fuqi që të prodhojnë rrymën e pandjeshme të ajrit që ndalon duart e tua.

    11

    Të njeh Perëndia ty, duket! Dhe t’i ndal duart. Po, e lëmë më mirë. Tani shih nga jashtë brenda kishën. Sheh gjë? Jo! Si qenka e mundur? Ti po më luan mendsh mua! Pse e ke kapur kaq keq, zotëri? Kam ardhur qindra herë këtu, po me këtë gjuhë s’ka folur njeri me mua. Duket se po vë në përdorim imagjinatën e shfrenuar, që ma paske naaa! Hapi krahët dhe sytë nuk i ndante nga dritarja frëngji. Shih e bot. Nuk ngopej, por ama inati që pse i turbullohej gjithçka nuk i shqitej. Si të ishte e mundur? E, pra, mister. Një nga misteret e Shën Mëhillit. Por besimtarëve nuk u ndodh kështu. Ata shohin. Provoje ta gjejmë një besimtar. I tregova se kisha ardhur në kohën kur stërvitesha në njohjen e guximshme të imtësive të panumërta të tregimeve e gojëdhënave të njerëzve. Me Mim Kumatin. Ai shihte dhe prekte gjithçka. E kishim dhe sekretar partie të teatrit. Mimi bënte numra të rrezikshëm, ndonëse i sëmurë nga zemra, por bari i helmët i nepërkës e kishte shpëtuar nga plasja e saj. Mimit ia afronte duart ikona. Mimi shikonte punë e madhe edhe nga dritarja frëngji, nga jashtë brenda, merr vesh? E pra, punë besimi… Dhe kjo nuk është pak.

    12

    Mendo çfarë shqise të tepërt duhet të kesh. Ke më nga këto në Shën Mëhill? Me kaq s’fiton dot…

    I thashë papritur që të gjente Tabien e Kalasë. I hodhi sytë lart dhe e vuri dorën strehë.  Dielli i prillit, ndonëse ishte pak freskët, e digjte shkëmbin dhe mjegulla e çuditshme e tij krijonte një vello të mrekullueshme e të paparë, saqë askush nuk e besonte dot. Ke pikturuar ndonjëherë pas një nape të tillë të lehtë e flurore? E ke shikuar ndonjë vajzë që rri pas një kremi të magjishëm që të zbulon shtatëdhjetë për qind të dritës, brenda një misteri kaq xiglues? Mos thuaj jo. Ja, hidhi sytë sërish. Një zë i thellë, sikur shkapetej nga toka u dëgjua si pëshpërimë e thellë burri që merr frymë me zor, me shpatulla, thellë. «Çekbení!» Ç’është kjo? Duhet ta dish. Këtë e shkruan edhe Evlia Çelebiu i famshëm turk, udhëtari që ua zbuloi këto thesare njerëzimit, duke i parë si një besimtar tjetër lloj. «Çekbenííííí!» Miku im zuri veshët me duar. Shaka e rëndë kjo. Por asgjë nuk bëhej për shaka. Të më besonte. Ato s’ishin zërat e regjistruar të aktorëve më të mirë anglezë për anglishten e tij! Jo. Ato ishin shpirt i dëshirës dhe shpirt i vrarë.

    13

    Sikur të thoshin se ishte shpirti i Mona Liza Xhokondës të Leonardo Da Vincit, që rënkonte, të gjithë do ta besonin. Sepse Xhokonda tashmë është një figurë botërore. Njëlloj sikur t’i ngjitnin një gjë të pamundshme Mesit dhe njerëzit me siguri do të tundnin kokën, edhe pse s’e dinin atë që mund të kishte ndodhur apo jo! Ç’të thuash! Por ama gdhend fjalët në shkëmb po deshe që në një masiv në Valamarë pikon qumësht, këtë s’ta beson kush! Por atje, ndarë nga Guri i Kamjes barinjtë freskohen nga pika e qumështit. Se qumështi nga bari bëhet dhe rrënjët e qumështoreve fryjnë gjinjtë e malit dhe ky kullon qumësht në guvat e Gurit të Topit, në shpellat e Kamjes dhe në gjinjtë e plotë të Valamarës. Kur fjeta një natë në Valamarën e Istrias m’u kujtuan pikat e qumështit të Valamarës sonë… Kështu pikon qumësht mbi Shën Mëhill

    14

    Ej, mos më thuaj se ka edhe qumësht ky shkëmb që mban në gji këtë kishë? Po, i thashë, por vetëm tani në prill. Veçse duhet të jesh i guximshëm, të ngjitesh në gurë të thepisur për të pikasur qumështore. Dikur, ama dikur, gjeje edhe dhi që flinin aty, bashkë me nepërkat e dhisë, se nuk bënin dot pa njëra-tjetrën. I dashur ciceron (unë ciceron?!) pse më the të vështroja Tabien? S’ka nevojë ta them unë. A nuk e sheh që ka një kënd të thyer midis Tabies dhe Shën Mëhillit? Po. Atëherë, mendo sa e bukur do të ishte një ngjitje me ashensor këtu! Perlë. Ti as me mend nuk e merr se çfarë humbasim. Kemi 30 vjet, nuk e di saktë, që bërtasim e themi se duhen projekte. Po projektet i ha lubia atje në kryeministri, apo në ministri, se nuk mendon për një ashensor, por më së pari për një PPP me ishullin e Piratëve, që do ta ndërtokan kinezët. Na ndërtuan njëherë e një kohë kombinatin tonë për të veshur të paveshurit e botës, madje edhe marksistë-leninistët e zgjuar tek Zoti, kurse tani do ta bëjnë me Ishull! Perëndi e madhe, më gjej vend të futem…

    15

    E more vesh edhe këtë? Tani do futemi sërish në kishë. Do të dëgjojmë fjalë të vjetra dhe organo. Si? Edhe këto do t’i kemi? Bukur. S’paska më bukur. Qenka si Notrë Damë e Parisit me Kurrizon dhe Esmeraldën. Më keq, i thashë. Por kjo ndodh në pak ditë. Duhet të jesh këtu një javë para Pashkës. Ku e di kisha se kur vjen Pashka? Gjëra të mësuara, Zot. S’ka si shpjegohen ndryshe. Pse, e gjithë toka e Shën Mëhillit kështu qenka? Po a ka mundësi që kjo të mbahet në këmbë nga kureshtja e njerëzve? Po tallesh më duket. Jo, vetë ishe i pranishëm, nuk të dolën ato që të thashë? Po, vërtet. E pra. E fshehta është te besimi. Këtu, i dashur njeri i zakonshëm, bëhet diferencimi i madh: si asnjë dëshmi tjetër që ndodhet në Shën Mëhill, duhet edhe kjo pamundësi: as zërat, as ikonat, as muret, dhe… as besimi nuk mbrohen me xham. Me xham të thjeshtë, nga ai i thyeshmi, ku depërton drita e fshehtë. Se tani njeriu është zhvilluar shumë, bën edhe lojë me drita, apo jo?…

    16

    Mijëra drita e godasin natën Shën Mëhillin dhe ai duket i ngjyruar si i fshehur në ylber. Sa dashuri dinë të falin ata që i besojnë dritës. Por… e dini se Shën Mëhilli u fshihet dritave vetvetiu. Është një nga magjitë e tij të mrekullueshme. Nuk i fik kush dritat, jo. Kjo është lojë kalamajsh dhe as që ngjan me fantazinë e njeriut. Është thjesht dritë dhe kjo po aq thjesht humbet. E bën të mundur ndoshta Shën Mëhilli. Më thoshte dikur kryetari i bashkisë së këtij qyteti se nuk mjafton buxheti i bashkisë për të ndriçuar Beratin, lagjet muze të mbrojtura nga UNESCO. Mirëpo nuk ma zuri ngoje që Shën Mëhilli ia kursente lekët Bashkisë. Edhe kjo çudi ngjante. Por kjo s’kishte të bënte me misteret e tij. Të tjera ishin ato. E merr me mend, i thashë piktorit, mikut tim, se si mund të ngjiteshim pa ashensor në Tabie. Do të dilte shkumë, edhe pse e merr me mend se kjo do të ishte më e bukura.

    17

    Këtu, në këta shkëmbinj deri vonë nga fundi i viteve gjashtëdhjetë ka rrojtur, në sheshet e braktisura të Shën Mëhillit, Memeci i Dines, ai që i fuste tmerrin Beratit, kur i shkrepte të dilte rrugëve (qejfi i tij ditët e Pazarit!) teksa ndërsente dyzet langonjtë e tij, me hejbet varur në krahë dhe rrobat copë e trokë, leshra lëshuar, zgjyrë e gjallë, që ulërinte me «aaaaa!» dhe «iiiii!»-të e tij të llahtarshme…

    18

    Lëmi i Shamatasë… Sheshi i Shamatasë… Shkolla e Shamatasë… Kisha e Shamatasë… Dhe tani së fundi portreti E Bukura e Shamatasë…Berati është i vetmi qytet në Botë që e ka toponimin dhe emërtimin e fjalës Shamatà, Shamatë…

    19

    Ndoshta, për t’u mbrojtur ndryshe, Shën Mëhilli i madhërishëm mori masa urgjente dhe u dha dritë ca gjërave që ne na duken mistike. Duheshin mbrojtur ikonat, muret, drita. Provo të ecësh mbi pllakat e gurta të Shën Mëhillit dhe të ndihesh ngushtë, sepse trupi yt nuk peshon fare, edhe pse je i mbështetur mirë mbi tokë. Mund të jesh, madje edhe peshë e rëndë si puna ime, dhe prapë nuk peshon. Para këtij ligji kozmik, s’qenka gjë edhe obeziteti. Ku m’i gjen më operacionet për të hequr dhjamin. Ta heq fët Shën Mëhilli…

    20

    Kështu, miku im, ne mund të ngjiteshim edhe me shkallë të rregulluara bukur, rrethuar me drita anash, drejt Tabies, prej kësaj foleje të Zotit të plotfuqishëm. Dhe do ta meritonim. Turistët, sigurisht, këtë do ta pëlqenin shumë. Dhe kjo do të donte më tepër besim dhe jo aq pará sa do të donte ashensori me kënd të thyer deri në Tabie. E ç’duhet Ishulli i Piratëve para kësaj vepre të madhe? Sepse koha është e vyer. Kush ka nge le t’u bjerë shkallëve, kurse të tjerët do ta mbajnë frymën në Tabie, si për ta përshëndetur edhe njëherë Shën Mëhillin tonë të madh.

    21

    Ti si thua? E bëjmë ne ashensorin? Pse jo! Do të fitonim shumë. Rrethuar me xham me dritë diellore dhe pse jo edhe fotografike. Do të jetë më e shikuara,  nuk e fsheh. Sigurisht aty do të thuret një enigmë tjetër, ashtu si më thoshte Mim Kumati i ndjerë se Shën Mëhillin nuk e lag as shiu. E provova në kurrizin tim dhe u bëra qull. Ama Mimi nuk ishte lagur. Me mua ndenji. Çudi, për të luajtur mendsh! Mirë që ditën e atij fundprilli nuk ra shi se të dy me mikun tim piktor do të ishim bërë si rosat në pellg dhe ndoshta do ta paguanim shtrenjtë këtë bukuri të allasojtë në Shën Mëhillin e ajgëtuar nga të fshehtat. Por, sidoqoftë, moslagien e Mim Kumatit s’mund ta harroj kurrë. Të dy nën shi, të dy ndryshe: ai me teserën e PPSH në gji dhe unë pa të? Mos vallë e kishte fajin tesera? E di që s’do ta zbërthente dot njeri këtë mister. Se askush s’mund ta kishte vullnetin e këtij Shenjti të tjetërfartë nga bota!

    22

    Ndoshta dikur, në dritën e fuqishme të yjeve të shuar (se drita e tyre udhëton, paçka se ata janë shuar me kohë, pse jo edhe mijëra vjet më parë) do të zbërthehet enigma e vërtetë e Shën Mëhillit, që këdo e tërheq me pamjen nga jashtë aq fine dhe me një elegancë të paparë, saqë të fshihet pas një nuri të pathënë ndonjëherë për t’u përmbytur nga blicet dhe dashuria e pafund e njerëzve. Po unë sidoqoftë, mikut tim Roland Gjozës, shkrimtarit që shkruan nën dritën e një tjetër magjie, pafundësisht i dashuruar me zemrën njerëzore, në Nju Jorkun e largët, do t’i thosha që një ditë të bekuar ne do ta ruanim për të qenë bashkë e për të përjetuar magjitë e Shën Mëhillit. Por ai është besimtar dhe unë sërish do ta pësoj. Do të jetë përsëri e bukur. E pashë në sy piktorin. U ngrysëm këtu, i thashë. Do ta pimë verën?…

    23

    Ndërkaq ai u përpoq të rimonte diçka që ngjante me jelekun e vajzës së vogël e të rritur brenda natës së prillit: Shën Mëhill o i uruar, iu thefshin duart kush të ka ndërtuar Qesha. Po të ishte këtu Faslli Haliti do të jepte një flakërimë që ta mbaje mend e do të thoshte: Pse kështu vargëzohet o trupeshk?! Sidoqoftë ne drekën e hëngrëm në darkë, por ama, basti bast, verën plus e piva vetëm unë!… Po. I gjithë Shën Mëhilli, është një mister

    24

    Miku im piktor, përsëri s’ma vari, vuri sërish kufjet dhe më tha se prapë do të merrej me  njëqind frazat në anglisht, gjithnjë sipas mënyrës së tij, të deklamuara nga aktorë të vërtetë anglezë me një diksion dhe ritmikë të përsosur…

    Duan të prishin muret, i thashë. I kanë zhveshur nga bimët kacavjerrëse dhe kanë krijuar një shesh pushimi me gjatësi sa gjithë perimetri i murit në tërë shtrirjen, nga jashtë. Mos është thjesht një trill? Ndoshta, por sot unë nuk i besoj askujt, ta dini. Mund të ndodhë që të jetë një fiksion, se s’bën vaki të prishen muret sot më 2020-ën! Por ama çdo gjë mund të ndodhë. Me ata që kemi mbi krye, të prishur nga mendja dhe me oreks optimal mund të zhduket edhe nga harta. Mjafton të luajnë nën dorë ca miliona! Ëndrra në diell, miqtë e mi. Organizatat jo qeveritare, duke parë me një sy shkreptimën e diellit mbi Tomor, u gjendën të shokuar nga befasia: Republika e katërt e Tiranës. Zgjedhje të reja. Të gjithë për zgjidhjen përfundimtare. Sakrificë kombëtare: të gjithë shqiptarët kudo në botë, që kanë emrin në listat zgjedhore, të vijnë medoemos ditën e zgjedhjeve dhe të votojnë për alternativën e re studentore… Njerëzit po shihnin njëri-tjetrin. Ishte gdhirë në këmbë një aktor skeçesh e baladash, një Pepe Grilo shqiptar, që s’dilte nëpër sheshe, por punonte vetëm me internet, me thirrje të fuqishme… Asnjë s’mund të zgjidhej: as nga pd, as nga ps, as nga lsi. Në lëvizje thirreshin vetëm të ndershmit. Pikë…

    24.1 (ose 999, fundja edhe 1001… )

    Ëndërr apo e vërtetë? Po me Kalanë ç’patën xhanëm? Po e ndreqin apo po e prishin? S’dihet, por kësaj radhe duan të kurorëzojnë lirinë! Vdiqën sheshet, fluturoi mbrojtja e turmave. S’ka më turma. Ka vetëm njerëz të ndershëm. Kështu bëjnë vetëm njerëzit me mend dhe jo kokëkrisurit!

    Kjo atmosferë elektrizuese na solli në Kalanë e Beratit, bashkë me një grup norvegjezësh të etur për diell. «Bukur. Shumë bukur!» thoshin nëpër buzë, duke prekur paksa një buzëqeshje të fikur. Ecnin si të handakosur, sikur t’i kishin rrahur (efekt trallisës i diellit!), po më fort se gjithçka donin të shihnin diellin në sy dhe hapnin krahët si të shkalur, si për t’u mbrojtur nga era që ua ngrinin leshrat përpjetë. Ndaluan pak te hyrja prapa Katedrales «Shën Mëria e Fjetjes» dhe donin të hynin brenda për të parë ikonat e famshme të Onufrit. Abdyl Pilafi nuk i thotë gjë askujt dhe as mburret se Onufrin e kishim dhuratë prej tij. Por këto, sot, nuk i vlejnë askujt…

    NJË KOMENT

    1. I nderuar zoti LLeshi! Me pelqyen shume ETYDET e mrekullueshme tuaja per Beratin. Me rikujtuan rinine time te hershme qe kam kaluar edhe te gezueshme edhe te trishtueshme. Jam nga Droboniku, ing. gjeolog nafte me banim ne Fier, shkrimtar, poet. Afersisht tridhjete vjet me banim ne Athine. Memecin e Dines nuke harroj sa sa te rroj!. Shume faleminderit per kenaqesite estetike dhe ngacmimet shpirterore… Urime, suksese.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË