Mirela Oktrova, gazetarja që 20 vjet më parë raportoi për Europën nga kampet e refugjatëve në Maqedoni dhe hyri me forcat e NATO-s në Kosovë, është vlerësuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës në kuadër të Panairit të Librit, Prishtinë 2019, me Çmimin e Publicistikës. “55 ditë” quhet albumi-ditar, botimet “Onufri”, 20 vjet pas çlirimit të Kosovës, si dokumentim dhe dëshmi e së shkuarës së afërt jo vetëm përmes rrëfimit, por duke u shoqëruar me foto unike nga zona e krizës, kur çdo ditë me mijëra shqiptarë të Kosovës evakuoheshin drejt Perëndimit
Intervistoi: Violeta Murati
Libri juaj, apo më mirë albumi-ditar nga lufta e Kosovës, është vlerësuar në Panairin e Librit 2019, në Prishtinë, me Çmimin e Publicistikës. Para se t’ju pyesja konkretisht rreth këtij projekti, doja të dija se si e shihni rolin e medias, sidomos raportimet nga zonat e krizës apo nga fronti i luftës… Në Shqipëri, me sa dimë, ju jeni e vetmja gazetare që e keni bërë këtë.
Në periudhën së cilës i referohem në ditarin tim, kam qenë gazetarja e vetme shqiptare në zonën e krizës dhe e para gazetare që më 12 qershor 1999 hyri me trupat e NATO-s në Kosovë. Nisur nga përvoja ime e gjatë si gazetare dhe veçanërisht nga përvoja si reportere lufte, them se profesioni i gazetarit, pavarësisht se në kohë lufte apo paqeje, është baras me përgjegjësi. Po nëse në kohë paqeje informimi duhet të jetë i përgjegjshëm, pasi prej tij varet orientimi shoqëror i secilit prej individëve që shërbehet me të, në kohë lufte nga përgjegjësia e informimit varet jeta e gjithsecilit që e merr këtë informacion. Nuk marr dot përsipër të them me siguri nëse jam e vetmja që kam qenë në një pozicion të tillë, ndonëse në dijeninë time po. Por për mua, më shumë rëndësi se të qenit në zonën e luftës, kanë rëndësi mësimet që gjithsecili nxjerr prej një përvoje të tillë. Dhe sipas meje, veçanërisht për një treg informacioni si yni, është jetike të mos kesh nevojë të kesh qenë në luftë për t’u bërë i përgjegjshëm në paqe…
Ditari ofron informacion të dorës së parë, me një fokus të përcaktuar, ngjarjet e të cilit nisin në pashkën e vitit 1999, kur bota u përball me një eksod masiv të shqiptarëve të Kosovës… Ka një histori vendimi që morët për t’u nisur në zonën e krizës në Maqedoni?
Duke qenë se punoja për seksionin shqip të radios Dojçe Vele, pra për një redaksi lajmesh që informonte disa herë në ditë për rajonin, isha gjithsesi e lidhur profesionalisht dhe emocionalisht shumë ngushtë me ngjarjet. Por në epiqendër të tyre më vuri një zhvillim i një natyre tjetër… Të dielën e pashkëve nga Ministria e Brendshme e RFGJ-së më ofruan të shoqëroj si eksperte për rajonin misionin e posaçëm që do të evakuonte të shpërngulurit e Kosovës nga Maqedonia në Gjermani. Misioni gjerman – i pari i këtij lloji – synonte të bëhej model për vendet e tjera perëndimore. Nuk hezitova të pranoja, me gjithë përgjegjësinë ndaj vajzës dhe prindërve, por nuk mund të bëja ndryshe… Nuk ishte as turizëm lufte dhe as aventurizëm, por thjesht nuk munda të refuzoja… Drama njerëzore që unë, si gazetare e lidhur shumë ngushtë me rajonin, e dija se si kulmonte çdo ditë e më frikshëm në Kosovë, nuk më linte të bëja sehir…
“E Premte e Madhe, 2 prill 1999…” dhe më pas “Misioni i parë: Pashkë në Bllacë…” Kështu e nisni ditarin… Ka ndonjë prapamendim, apo është kjo rastësi për ju? Në çfarë besuat në ato momente?
Fillimi i ditarit dhe përjetimeve të paraqitura në të është i diktuar nga historiku i ngjarjeve apo nga aktualiteti i dikurshëm. Ndonëse shpesh eksodit kosovar të vitit 1999 i vihet epiteti “biblik”, jo gjithkush e di se ishte pikërisht e Premtja e Madhe e Shenjtë e Pashkës 1999 dita që shënoi kulmin e emergjencës së refugjatëve në brezin asnjanës të pikës kufitare të Bllacës dhe e Diela e Pashkëve ajo që sensibilizoi opinionin ndërkombëtar për dramën humanitare të shqiptarëve të Kosovë, që kishin kohë që endeshin brenda Kosovës, por që atë ditë mbërritën me qindra mijëra në kufi, duke u bërë më në fund të perceptueshëm për botën. Në momentin kur unë u bëra pjesë e misionit, besoja se njerëzve u duhej ardhur në ndihmë me çdo kusht dhe se askush të cilit i jepej mundësia për ta bërë këtë, nuk mund të shmangej, pavarësisht pasojave që në atë moment nuk ishin të parashikueshme.
Ju raportonit për Dojçe Vele-n, RTSH-në dhe media të tjera gjermane. Ndërsa raportimi kërkon një gjendje “të akullt” apo neutral për të komunikuar vetëm faktet, të vërtetën, sa e mundur është kjo, kur raportohet nga zona e krizës apo fronti i luftës, kur pamjet tragjike janë përballë. A kujtoni ndonjë episod lidhur me këtë?
Fatmirësisht, dita dhe nata ime e punës ishte e organizuar në mënyrë të tillë, që më jepte mundësinë të ndaja veprimtarinë time në mbështetje të të shpërngulurve, çka ndodhte në kuadrin e misionit gjerman për evakuimin e tyre nga Maqedonia, nga pozicioni i reporteres së fokusuar te faktet. Ndonëse angazhimi im parësor në rajon kishte të bënte me misionin e evakuimit dhe angazhimin tim si eksperte dhe përkthyese në kuadrin e procedurave përkatëse, raportoja mesatarisht gjashtë herë në ditë live për mediat audiovizive gjermane dhe shqiptare. Të gjitha emocionet dhe mbresat e tjera që nuk arrija t’i përpunoja dot gjatë ditës, mundohesha t’i hidhja në ditarin që mbaja pasditeve dhe mbrëmjeve, si një mënyrë për t’u “larë” borxhin të gjithë atyre që nuk kishin gjetur dot vend në raportimet e mia ditore. Episodi më mbresëlënës përkitazi punës sime si reportere i takon një dite kur, ndryshe nga herët e tjera kur unë, për të shmangur ndërprerjen e linjës dhe ndërhyrjen e zhurmave, informoja nga automjetet e grupit, për shkaqe logjistike u detyrova të raportoja direkt nga kampi, ku prej pak ditësh ishte instaluar një altoparlant, nëpërmjet të cilit banorët e kampit mund të ndiqnin programet e Dojçe Vele-s në shqip.
Kështu, tek informoja për programin e mesditës, u bëra papritur e ndërgjegjshme se zëri që momentalisht vinte nga altoparlanti, ishte zëri im, dhe reagimet e atyre që dëgjonin kishin të bënin me ato që po thosha unë. Tek shihja me sa vëmendje më dëgjonin, desh u stepa dhe efekti i atyre që po thosha nisi të më trembë. Ndikimi i medias te publiku i vet nuk ishte i panjohur për mua – po deri në atë çast e kisha njohur thjesht teorikisht e profesionalisht, pa e provuar praktikisht. Të paktën jo në këtë formë dhe me këtë mprehtësi. Se vetëm në atë çast pashë me sytë e mi se si nga çdo fjalë që unë thosha, varej jeta e atyre që më dëgjonin… nëse unë informoja që mbrëmjen e shkuar kishte kaluar kufirin edhe një kontingjent i ri të dëbuarish, secilit prej tyre i ringjallej shpresa se në të mund ishte nëna, babai, vëllai, motra, të dashurit e vet, të humbur prej muajsh… nëse njoftoja se kufiri ishte mbyllur, kjo për ta do të thoshte ankth i tmerrshëm për gjithë ç’mund t’u ndodhte atyre që kishin mbetur të mbyllur në anën e vdekjes… po kështu, nëse flisja për bombardime, për evakuime, për masa mbështetëse apo për ndihma nga komuniteti ndërkombëtar… Ndërsa flisja dhe ndiqja reagimin e dëgjuesve të mi, për herë të parë mendova se lufta dhe krizat me sfond ekzistencial janë përvoja nga duhet të kalojë të paktën një herë në jetë çdo gazetar, për të kuptuar se nga pena, fjala dhe reagimet e tij varet jeta e të tjerëve, aq më shumë në anët tona, ku gazetaria nuk është sfidë përgjegjësie.
A është ky album-ditar një plan paraprak? Pse gjithë kjo distancë kohe dhe pritjeje për të parë dritën e botimit?
Ideja për publikimin e këtyre materialeve ka “moshën” e vetë dëshmive që këto materiale zbulojnë. Edhe vendimi për të pritur gjithashtu. Ngjarje si këto shënjojnë kombin, shoqëritë, mediat, njerëzit… Në një drejtim a në një tjetër. Fatkeqësisht, më shpesh në një tjetër nga ai i pritshmi… Në këndvështrimin tim, shoqëria jonë dhe media, si pjesë e saj, janë tejet problematike në mënyrën se si raportohen me ngjarje të këtij lloji. Pasi marrëdhënia me to është e pandarë nga përdorja apo më saktë nga keqpërdorja e tyre – për karrierë, për protagonizëm apo për pushtet. Ndaj unë me qëllim vendosa të prisja. Për të ndenjur në mënyrë të ndërgjegjshme larg këtij trendi, paçka se ideja jetonte me mua në gjithë këto vite. Dhe prita… Derisa të gjitha dëshmitë e tjera, jo të drejtpërdrejta dhe mbase edhe jo autentike, u konsumuan, protagonizmat e të gjitha llojeve verifikuan synimet, duke e justifikuar vetveten ose jo, dhe interesat – të paktën ato afatshkurtra dhe afatmesme – shteruan. Atëherë mendova se kishte kaluar “koha e rrekjes së madhe për lavdi” dhe u kishte ardhur radha dëshmive autentike dhe së vërtetës, së vërtetës së jetuar me të vërtetë.
Kur para rreth shtatë vjetësh hapa në Tiranë ekspozitën “Fate lufte”, e kisha vendosur me vetveten që këtë dokumentacion t’ia dhuroja Kosovës në pesëvjetorin e pavarësisë. Po më takonte që këtë rrugëtim ta nisja nga Shqipëria. Në respekt të aktit të pashembullt të solidaritetit që populli shqiptar i këtejkufijve tregoi në mbështetje të të shpërngulurve nga Kosova. Po edhe në plotësim të kujtesës dhe njohurive të tyre me atë dimension të dramës që kishte qenë jashtë perceptimit dhe kufijve shqiptarë. Interesi me të cilin ekspozita u prit nga publiku tiranas dhe jehona që ajo pati në media, më bindi se vendimi për ta filluar nga Shqipëria kishte qenë i drejtë. Aq më shumë më dhembi indiferenca e përfaqësisë së atëhershme të Republikës së Kosovës në Tiranë dhe pamundësia e realizmit të synimit tim për ta çuar ekspozitën në Kosovën protagoniste… në pesëvjetorin e saj të pavarësisë. Po për fat jeta vazhdon… Dhe historia bën përpara… Kosova festoi dhjetëvjetorin e “ditëlindjes” së saj dhe një tjetër jubile, i lidhur drejtpërdrejt me këto dëshmi, u shënua këto ditë kur unë, më në fund, arrita ta sjell librin në Prishtinë, duke plotësuar kështu jo vetëm premtimin që i kisha dhënë vetes, por dhe detyrimin ndaj Kosovës që ushqeu mbresat dhe faktet që libri përmban.
Fotot, pa dyshim, janë mbresëlënëse, tronditëse… Si nisët t’i bënit ato fotografi? A ka foto ose pjesë rrëfimi të lëna jashtë, apo gjithçka është e përfshirë në “55 ditë”?
Fotografitë që shoqërojnë rrëfimin, nuk janë fotografi artistike, madje as produkt i një plani paraprak. Edhe sot nuk jam në gjendje të shpjegoj se si nisa t’i bëja ato fotografi. Në mendje më ka mbetur vetëm dëshira për të mos u “ndarë” prej portreteve që ato fiksojnë. Ndaj këto foto-dëshmi janë shkrepur shpejt, me ndjesinë e momentit, dhe fillimisht nga larg, për të mos lënduar të fotografuarit dhe për të mos prodhuar ndjesinë se vuajtja e tyre po përdoret. Derisa ata – me të parë aparatin fotografik – zunë vetë të afrohen dhe të kërkojnë të fotografohen. Disa për të fiksuar, qoftë dhe virtualisht, ekzistencën prej muajsh të pasigurt, të tjerë për të lënë gjurmë jete në një rrugëtim, ku jo një herë ishin ndier të humbur. Ndaj fotot e mia fiksojnë të moshuar që i ktheheshin aparatit me ndjesinë e ndarjes nga jeta, fëmijë, prindërit apo të afërmit e të cilëve më shtynin t’u fiksoja fytyrat si dëshmi ekzistence, dhe cilindo tjetër që “takimin” me aparatin fotografik e shihte si vëmendje dhe mundësi për të rimarrë fytyrë në një veçim sado të shkurtër nga masa shumëvuajtëse që e shndërronte në numër. Fiksimi i identiteteve në celuloid më shkaktoi, megjithatë, një lloj stepjeje etike, veçanërisht vitet e ushtrimit të profesionit në Gjermani do më kishin shtyrë në çdo rast tjetër të tentoja të dokumentoja miratimin e “heronjve” të mi për t’u fotografuar, por në kushtet kur kufiri kalohej me një vulë në dorë dhe njerëzit e konsideronin foton si amanet, plotësimin e vullnetit të tyre të fundit në tokën, që po linin, e pashë si detyrim. Një detyrim të plotësuar vetëm përgjysmë deri ditën e botimit të këtij libri, kur dëshmia e tyre të arrijë lexuesin.
Fotot janë, në fakt, shumë më tepër se ato të paraqitura në këtë album – ato janë afro 500. Po unë këtu kam paraqitur ato që flasin më shumë, ndërkohë që materiali i shkruar është ofruar në mënyrë shteruese.
Ç’domethënie ka fotoja e kopertinës dhe të tjera foto në album, ku shihen vula dhe numra identifikimi mbi duar refugjatësh, çka ngjall trishtim, të kujton holokaustin, por, në fakt, ka shërbyer për të shpëtuar dhe jo për të shfarosur jetë. Ju ishit e angazhuar drejtpërdrejt në këtë “numërim”? Si e shihnit këtë procedurë?
Në mungesë të dokumenteve të identifikimit dhe vizës, secili prej të shpërngulurve merr në dorë një vulë, akronimin e Ministrisë së Brendshme gjermane, dhe një numër që e identifikon. Praktika, me reminishencë të fortë me kampet e dikurshme naziste të përqendrimit, komentohet në shtypin gjerman si “cenuese” për dinjitetin njerëzor, dikush shkon deri aty sa të propozojë madje ndalim dhe deri kërkim ndjese për përdorimin e saj. Vetë të shpërngulurit e trajtojnë me kujdes si “vulën e shpresës”, lirojnë dorën e vulosur nga gjithë ç’kanë me vete dhe përpiqen ta mbajnë disi më lart, për ta ruajtur se mos u fshihet. Ndërsa mua, përsëritja e së njëjtës praktikë në kushte dhe me motive të ndryshme më ngjan si një lloj katarsisi. Fundja, njeriu – me mënyrën se si i përdor – është ai që u vesh objekteve domethënie, sikurse dhe këtij numri identifikimi, përdorimi i të cilit sot ndryshon historinë shumëvjeçare të lidhjes së njeriut me numrin, duke kuruar simbolikën e përndjekjes, të cilën këtë herë nuk e mbjell, por e shmang.
Përmes fotove ju sillni pamje autentike të dramës së të shpërngulurve nga Kosova. Me çfarë u përballët më pas? Çfarë keni ndier dhe perceptuar nga të gjitha këto trazime?
Misioni ynë evakuoi 15 mijë vetë drejt Gjermanisë. Kur ktheva kurrizin për të ikur, duke lënë pas gjithë atë anonimat të madh vuajtjesh dhe sakrificash, ndjeva se doja t’i mbaja mend të gjithë… të gjithë ata që, kur ngjarjet e ditës mbysnin qetësinë e natës, as më largoheshin dhe as u largohesha dot nga mendja dhe sytë. Ato fate të nëpërkëmbura nga lufta, të mpakura nga drama humanitare, të lëna pas dore nga lajmet e frontit, statistikat dhe strategjitë, e dija se do të vazhdonin të më emociononin sa herë t’u rikthehesha shënimeve të atyre kohëve, kur natën e shkurtonte halli dhe gjumin e zbonin mbresat. Pas kisha lënë një pjesë të shpirtit tim, të ngjizur në mijëra emra dhe fate që s’më ndaheshin, duke më rithënë për herë të 15001-të se lufta është dhimbja më e madhe që njerëzimi mund t’i shkaktojë vetvetes, por edhe mësimi më i madh që jeta mund t’i japë njerëzimit! Dhëntë Zoti, të mos përjetojmë luftën, për të mësuar të vlerësojmë paqen! Me këto mendime dhe mbresa – herë më intensive dhe herë më pak – kam jetuar deri sot, kur për herë të parë kam ndjesinë se u kam “larë atyre borxhin” që u kisha për t’u rikthyer kujtimet dhe mbresat me të cilat më ngarkuan atëherë.
Në gjithë këtë histori rrëfimi Shqipëria nuk është në fokus. Përse?
Drama e të shpërngulurve nga Kosova, pa dyshim, është shumë më e madhe, shumë më e gjerë dhe shumë më e thellë nga sa më panë sytë e më dëgjuan veshët mua në Maqedoni dhe pjesërisht në Kosovë. Një nga kapitujt më tronditës të saj – nëse jo më tronditësi – është Golgota shqiptare e qindra mijëra të dëbuarve kosovarë dhe po aq të pakamurve shqiptarë që ndanë me ta gjithë ç’kishin e ç’nuk kishin.
Po Shqipëria nuk është në fokusin tim, sepse unë nuk kam qenë dëshmitare e drejtpërdrejtë e asaj drame, por edhe sepse drama që përditë “luhej” para syve të mi, ma mbërthente vëmendjen pas vetes deri në atë shkallë, sa më “mbyllte” çdo hapësirë perceptimi për “gjithçka” tjetër. Megjithëse, për shkak të afërsisë me luftën dhe kulisat e vendimmarrjes europiane për eksodin kosovar, kam ndier dhe perceptuar si rrallëkush të gjitha trazimet, që situata, por dhe mënyra e menaxhimit të saj nga qeveria shqiptare e kohës, prodhoi për vendin, shqiptarët e Shqipërisë dhe jo së fundi për miqtë e qindramijtë, që strehoheshin atëherë në të. Ndaj qasja ime ndaj zhvillimeve të kohës në Shqipëri është e ftohtë, analitike dhe ndodh të perceptohet si “e akullt”.
Ky rrëfim ka shmangur totalisht politikën. Pse?
Ky rrëfim qëndron me vetëdije të plotë larg politikës, pavarësisht se herë pas here analizon ngjarje dhe rrethana të lidhura pashmangshmërisht me të. Analizat mbajnë vulën autentike të perceptimit të atëhershëm të të gjitha ngjarjeve dhe personazheve në fokus, duke mbetur besnike të synimit për të “fotografuar” gjithçka: jo vetëm ngjarjet, personazhet dhe rrethanat në të cilat ata veprojnë, por edhe qasjet e gjithkahshme të kohës ndaj tyre dhe anasjelltas. Ballafaqimi i së shkuarës me të sotmen politike të Kosovës i lihet qëllimisht gjykimit të lexuesit, duke përmbushur kështu një prej synimeve që një botim i tillë me karakter dokumentues mëton të përmbushë.
Brenda kësaj qasjeje, rrëfimi nuk pretendon as të japë një tablo shteruese të situatës, ndonëse ofron informacion të dorës së parë dhe përpiqet të mos mbetet rob i kohës dhe hapësirës që percepton, megjithëse fokusi i tij është qartësisht i përcaktuar. Ngjarjet e tij nisin në pashkën e vitit 1999, kur bota u përball për herë të parë me eksodin masiv të shqiptarëve të Kosovës, dhe përfundojnë një javë pas dislokimit të trupës ndërkombëtare të paqes në Kosovë, kur të shpërngulurit, po aq masivisht sa ikën, zunë të riktheheshin në atdheun që ende digjej.
Sulmet ajrore të NATO-s, veprimet luftarake të ushtrisë jugosllave dhe nismat ndërkombëtare për paqen, përbëjnë kulisën gjigante të shpërnguljes masive drejt Maqedonisë, ngjarjes kryesore të këtij rrëfimi, dokumentuar në pamje po aq autentike sa ato, me të cilat u përballa unë gjatë dy misioneve evakuuese të qeverisë gjermane, pjesë e të cilave isha si eksperte e rajonit dhe gazetare. Afërsia me ngjarjet ka vulën e vet të fortë në qasjen time ndaj tyre dhe analizat që rrjedhin prej saj. Ndaj për të mos çorientuar lexuesin, ditari ndan qartësisht kronikën e zhvillimeve ndërkombëtare dhe rajonale nga kronika e shpërnguljeve dhe për-jetimet e personazhit kryesor të rrëfimit, të lidhur ngushtë me to.
Ju rrëfeni jo për gjithë atë prani refugjatësh, duke tentuar të depërtoni në masë për t’iu shmangur humbjes së identitetit dhe identifikimit të njeriut me numrin. Megjithatë, heronjtë tuaj, siç shpreheni dhe vetë, janë të paemër. Si pajtohen këto qasje me njëra-tjetrën?
Rrëfimi mëton t’i shmanget edhe gjithëpranisë së masës shumëvuajtëse, fati i së cilës zapton pahiri vëmendjen time. Po ai “kundërshton” me vetëdije njësimin e njeriut me numrin. Fokusi i tij është tragjedia e individit, si i përndjekuri dhe vuajtësi më i madh i luftës. Sigurisht, me përjashtim të rasteve kur të vërtetat e masës janë më të forta se fati i secilit prej pjesëtarëve të saj. Heronjtë e mi janë, megjithatë, të paemër, portretet dhe situatat me të cilat ata përballen, vijnë në mënyrë përfaqësuese për të gjithë të ngjashmit e tyre që nuk arritën të shpëtonin, që u strehuan diku tjetër apo që unë nuk s’munda t’i takoja.
A keni një moment kulmor tuajin ku nuk mundët të realizoni raportimin tuaj, të cilin mund të na e rrëfeni në këtë intervistë?
Nuk ka pasur momente në të cilat nuk kam mundur të raportoj, por më kujtohet një moment në të cilin nuk kam mundur të fotografoj. Ditën e parafundit të misionit të parë, si për t’u ndarë nga zonat ku kishim evakuuar për dy javë rresht, rishkuam sërish në të gjitha kampet në kufi me Jugosllavinë, përfshirë dhe kampin e Radushës. Aty u përballa me 1.700 dëshmi të gjalla brenda kampit, por edhe mbi 1.000 të tjera jashtë tij, të cilat ndodheshin në pritje të kalimit të kufirit. Pamja më ringjethi për së pari. Tronditja kishte humbur koordinatë, rraskapitja thyente veç rekordet e vetvetes, ndërsa këputja kishte ngrirë në pritje të mundimeve akoma më të mëdha. Në atë dërrmim gjigant dinjiteti nuk munda të fotografoja, e ndodhur gjatë gjithë kohës nën vëzhgimin e një mijë fateve që në atë çast jetonin vetëm për të parë, në pritje të një shenje sado të vogël shprese se kufiri do hapet dhe ferri do mbesë pas. Për sa kohë s’bëja dot gjë për ta, mbeta e shtangur në respekt të vuajtjes së tyre.
Si e shikoni sot gazetarinë? A vazhdon media, sipas jush, të mbajë peshën e së vërtetës e të ketë impakt në ndërtimin e historisë për ne, është fjala atë shqiptare?
Unë bëj pjesë tek ata njohës dhe studiues të medias që nuk ndajnë mendimin e shumicës, sipas të cilit media bën pjesë në fushat më të zhvilluara të veprimtarisë shoqërore në Shqipëri. Është e vërtetë që mediat në Shqipëri thithin shumë investime, pjesa dërrmuese e të cilave shkon për teknologji. Por në këndvështrimin tim nivelin e zhvillimit të një medieje e përcakton, para së gjithash, përmbajtja dhe standardet e ofrimit të saj. Në kushtet kur burimet e financimit dhe interesat jotransparente që qëndrojnë pas tyre i bëjnë shumicën e mediave jo vetëm joobjektive dhe të paparashikueshme, por edhe të rrezikshme për manipulimin që ushtrojnë dhe çorientimin shoqëror që prodhojnë, “zhvillimi” që shumëkush sheh në to ka shkuar për mua në kah të kundërt. Në këto rrethana, gazetari e ka në dorë vetë nëse do të vendosë kundër apo pro së vërtetës, nëse do të zgjedhë të ecë sipas status quo-së apo do të tentojë ndryshimin, do të vijojë të mbetet pjesë e problemit apo do të tentojë të bëhet pjesë e zgjidhjes. Nisur nga ky këndvështrim, unë respektoj çdo personalitet gazetari që vetëdefinohet personalisht duke u distancuar nga modelet e konformizmit dhe të vërtetave të kapura nga interesat. Kjo është një rrugë dhe ndërmarrje e vështirë, por e vetmja e duhur dhe e drejtë e cila mund të funksionojë, nëse ata që vendosin për rrugën e dytë do të vijojnë të shtohen gjithnjë e më shumë, derisa situata të ndryshojë. Atëherë mund të fillojmë të dis-kutojmë si shoqëri hapur dhe pa komplekse si për të tashmen ashtu dhe për të shkuarën. Më parë, mendoj, kjo do të ishte energji e çuar dëm!
A janë të mjaftueshme dëshmitë e së kaluarës për të kuptuar të vërtetën? Çfarë e nxiti idenë tuaj për botim dhe tani, që e keni realizuar, çfarë mendoni se është e rëndësishme t’u tregohet brezave?
Unë besoj se monopolin e së vërtetës nuk e ka askush. Aq më tepër në kohë lufte dhe konfliktesh, e vërteta është një mozaik, i pamundur të perceptohet pa të vërtetat. Ka disa të vërteta të të gjitha palëve. Unë ndihem e privilegjuar që me këtë botim më jepet mundësia të rrëfej të vërtetën time për gjithë ç’pashë dhe dëgjova në ato 55 ditë të qëndrimit tim në zonën e krizës dhe të luftës. Dhe kjo e vërtetë nuk vjen më kot tani.
Pikërisht në vitin e njëmbëdhjetë të pavarësisë dhe në 20-vjetorin e luftës, në kohë politikisht jo pak të trazuara, kur qasja ndaj së shkuarës bëhet gjithnjë e më koniunkturale, historia gjithnjë e më pak interesante dhe kujtimi i saj gjithnjë e më i parehatshëm, besoj se është më e rëndësishme se kurrë të risjellim edhe një herë në mend sakrificën stoike që populli kosovar i blatoi së ardhmes dhe marrëveshjen historike që Kosova lidhi atëherë me botën. Për të “shkundur” kujtesën, për të rizgjuar vetëdijen dhe jo së fundi, për të zgjuar përgjegjësi.
Shpresoj të ndajmë me lexuesin reflektimet që përballja me këto fakte nxit: për mua lufta mbetet sfida më e fortë ku njerëzimi provon veten, ndërsa paqja sprova e madhe që verifikon nëse sfida e luftës ka qenë e duhura dhe sa ajo ia ka vlejtur. Shpresoj fort që edhe lexuesi të mos mbetet larg kësaj qasjeje. Sepse pikërisht këtej merr jetë shtysa për të botuar këtë ditar dhe këto fotografi: jo vetëm për të risjellë në kujtesë sakrificat, por edhe për të tërhequr vëmendjen e njeriut për njeriun – që vërtet fiton përmes luftës – po fiton akoma më shumë përmes paqes. Natyrisht, për sa kohë di ta vlerësojë atë! Për të vlerësuar paqen, mjafton një luftë!
Cili do të jetë “udhëtimi” i këtij ditari-album pas prezantimit në Prishtinë?
Libri do të bëjë rrugën e tij të zakonshme. Do të vijojë paraqitja dhe pjesëmarrja në Panairin e Librit në Tiranë, Shkup, Malin e Zi dhe në panairet e tjera ndërkombëtare të librit. Në planet e mia bën pjesë edhe përkthimi në gjuhë të huaj, me synim ofrimin e tij një publiku akoma më të gjerë se ai shqipfolës.
Sa i rëndësishëm është profesioni i gazetarit nisur nga përvoja juaj (nëse gazetarinë mund ta quajmë profesion, se ka mendime të ndryshme për këtë)? Rasti juaj, p.sh., flet për një profesion si “mision”…
Unë besoj se profesioni i gazetarit, sikurse ai i mjekut, është njëkohësisht profesion dhe mision. Ndërsa mjeku ka në dorë shëndetin fizik të njeriut dhe e mëson njeriun si ta mbrojë atë, në këndvështrimin tim mediat dhe për pasojë gazetarët, kanë në dorë shëndetin mendor dhe orientimin shoqëror të të gjithë atyre që u drejtohen. Po në të dyja rastet, është shkalla e përgjegjësisë ajo që e bën profesionin të mbetet thjesht i tillë apo të ushtrohet edhe si mision.