Në fillim të kohërave shkrimtari nuk ishte, vepra po, ishte aty, ndërsa ai jo; ekzistonte vepra e shkruar, ekzistonte lexuesi që e lexonte, porse shkrimtari nuk qe, ose më mirë, nuk qe i dukshëm, qe i padukshëm dhe, për pasojë, nuk kishte as marrëdhënie të drejtpërdrejta shkrimtar-lexues. Ç’do të thotë kjo? Do të thotë se vetëm në Greqinë e shekujve IV-VI para erës sonë doli në dritë autori, shkrimtari. Deri përpara kësaj periudhe autorësia e shkrimtarit shihej si gjëja më e papeshë e një vepre. Si provë e kësaj mund të sillen pa mëdyshje dy kryeveprat me të cilat nis letërsia e madhe: “Iliada” dhe “Odiseja”. Njohja e autorësisë së tyre Homerit është e mëvonshme, zë vend pikërisht gjatë periudhës së përmendur, ndërkohë që para saj flitej për “homeridët”, për një mori aedësh, të pranishëm në textus me të tëra tiparet e tyre vetjake. Porse duke nisur nga shekujt VI-V para erës sonë autorësia sa vjen e bëhet gjithnjë e më e pranishme, madje edhe përcaktuese për veprën letrare. Dukuria e autorësisë, e identifikimit dhe e njohjes së shkrimtarit zë fill gjatë viteve kur letërsia futet në rivalitet me retorikën dhe eristikën (me ligjërimin bindës të sofistëve), ku rivaliteti lidhej me përftimin e një pozite dominuese në shoqëri. Në këto kohë rektorët, sofistët dhe poetët filluan të identifikohen si klasa të veçanta shoqërore, ku secila rrihte që të shfaqej në rolin e udhëheqësve, duke u përpjekur gjithkush, sipas mjeteve dhe formave të lëvruara, që të manipulonte një bashkësi, gjithherë e njëjtë dhe e vetme: audiencën, “klasën” e popullit. Jemi në lindjen e figurave mitologjike të epokës së racionalizmit, në vend të hyjnive antropomorfe kemi njerëz teomorfë, jemi në kohën kur lind miti i shkrimtarit, i rektorit, e sofistit. Një gjerdan pamësish të kësaj dukurie të re në shoqërinë helene e hasim nëpër jo pak dialogë të Platonit, madje në trajtat e një kritike të ashpër. Sa për shkrimtarin, një kahje e këtillë sa vjen e i kthehet në mani, përpjekjet e tij sa vijnë e përqendrohen në arritjen e një pozite të qëndrueshme dhe me ndikim ndër masa e në shoqëri. Ndryshe nga rektori dhe sofisti, të cilët mbeten në kuadrin e manipulimit të opinioneve dhe bindjeve të masës, shkrimtari rreket të depërtojë dhe të punojë në kuadrin e psikës së njeriut; kjo është edhe një nga arsyet pse kryeveprat e tragjedisë e të komedisë së lashtë greke lëvizin dendurazi në botën e psikës, duke u rrekur që të krijojnë shock-un, trandjen emocionale, madje, sipas Platonit, duke zgjuar “ato pjesë të shpirtit që i rrëshqasin më së shumti kontrollit të arsyes”. Pra, shkrimtari në këtë kohë arrin të ketë në dorë (të manipulojë) ndjenjat dhe psikën e lexuesit, ai është Zoti, miti, magjistari për lexuesin; marrëdhënia shkrimtar-lexues është krejt e njëanshme. Një shembull të qartë të kësaj kahjeje që shoqëron dukurinë e mitizimit të shkrimtarit (deri edhe të shfaqjes së tij si magjistar) e gjejmë te një nga mitet më të famshme që kemi nga mitologjia greke. Fjala është për mitin e Akoncios dhe Sidipës. Ky mit na rrëfen se si Akoncioja, një djalosh mjaft i pashëm dhe prej dere të kamur nga Kiosi, shkon një ditë në Delos për të bërë një blatë në nder të Artemidës. Atje i qëllon të shohë Sidipën, një hyri athinase, që gjendej në Delos për të bërë një blatë në nder të Apolonit. Djaloshi e ndjek pas duke u përpjekur që të mos i binte në sy. Ato çaste, me sytë që i shkreptinin nga përvëlimi i epsheve mërshore, i vetmi mendim që i shtizonte keqas trurin ishte gjetja e një mënyre për ta shtënë patjetër në dorë Sidipën e bukur dhe, për të qenë i sigurt në përpjekjet e tij, hedh një mollë në kopshtin ku kjo shëtiste e lumtur, mbi lëkurën e së cilës pati shkruar: “Të betohem për Artemidën, o Akoncio, se s’do të jem e tjetërkujt, por vetëm jotja” dhe fshihet pas një gëmushe. Mëndesha e Sidipës e sheh mollën poshtë këmbëve ndërsa po shëtitnin dhe, ndonëse nuk dinte të lexonte, tërhiqet nga shenjat që dukeshin mbi lëkurën e frytit, arsye për të cilën e merr dhe ia jep vashës, që dinte të lexonte. Kjo e lexon çfarë ishte shkruar, bën pa dashje një betim në emër të Artemidës dhe, pa e vrarë fort mendjen, e hedh frytin tej për të vijuar sakaq shëtitjen e saj. Shumë herë familja vendosi që ta martonte, porse pak përpara se të bëhej dasma vasha mbërthehej nga ethe të forta: hyjnesha po kërkonte të mbahej premtimi i dhënë përmes betimit në emër të saj, ndonëse ky premtim ishte dhënë në mënyrë të pavetëdijshme e pa dashje. Nga ana tjetër, enigma e rënies ligsht e Sidipës një natë përpara dasmës nuk mund të ndriçohej e zbërthehej përveçse nga Akoncioja, i cili shkruan sërish, duke ndriçuar kumtin dhe shkakun e ngjarjeve. Prindërit e Sidipës, që s’dinin të lexonin, ia japin pusullën e mbërritur, prej nga vasha mëson të vërtetën, porse nis t’i qëndrojë e paepur dëshirës së Akoncios. Ky i shkruan sërish, porse Sidipa s’pranonte t’i lexonte pusullat e tij. Po sikur të ishte një truk tjetër? Po sikur të ishte një kurth akoma edhe më mizor? Po sikur ajo çka ishte shkruar të ishte një magji, që do ta shtrëngonte t’i jepej pa dëshirë djaloshit? Pyetje të tilla i trazonin tërë qenien sa herë në shtëpinë e saj mbërrinte një pusullë nga Akoncioja. E kjo histori vazhdoi gjatë, me Sidipën që binte në lëngatë një natë përpara martesës me mëtonjësin e radhës, derisa në fund, në një prej këtyre netve lëngatash i mbërrin sërish një pusullë nga Akoncioja, që i sillte ndër mend premtimin e dhënë përmes betimit në emër të Artemidës; ishte e dyta dhe e fundit letër që Sidipa lexoi, pasi mëngjesin e ditës tjetër të tilla net lëngatash marrin fund: familjarët e gjejnë në dhomën e saj truppajetë.
Miti i Akoncios dhe i Sidipës na rrëfen në mënyrë simptomatike një gjerdan tiparesh dhe ngjyresash të spikatura që kanë karakterizuar shkrimtarin dhe marrëdhëniet e tij me lexuesin. Akoncioja, si njeri që shkruan, mund të shihet si një figurë e shkrimtarit; madje fjala është për një njeri që jo vetëm shkruan, por dhe arrin ta shfrytëzojë shkrimësinë si instrument, si një armë të fuqishme, madje jepet si e vetmja armë që i ofronte sigurinë për arritjen e qëllimit: të shtinte në dorë Sidipën, objektin e dëshirës, ta bënte të vetën dhe për vete, duke mos i lënë kësaj asnjë liri në zgjedhje. Sidipa mund të shihet si një figurë e lexuesit, për aq sa është e vetmja që di të lexojë në familje, e manipuluar e deri e magjepsur prej shkrimtarit. Po sot, në botën moderne, përherë e më pak naive, përherë e më tepër të çprangosur nga mitet, cila është marrëdhënia shkrimtar-lexues? Përgjigjen e jep një i llojit, shkrimtari i njohur Javier Marias, i cili e nis dritëhedhjen mbi këtë marrëdhënie me pyetjen: “Si është e mundur që njeriu i sotëm modern i beson shkrimtarit, asaj që vetë shkrimtari e shpall që në krye të herës se është rremtësi, pra diçka që s’ka ndodhur vërtet dhe që, ndonëse rrëfehet në vetë të parë a të tretë ngjarja, dihet mirë se është autori që flet, madje, si për t’u bërë i tërëpranishëm, ai ka vendosur edhe foton e tij në kopertinën e librit?…” Paskëtaj ai vetëpërgjigjet: “Në thelb, ne të gjithë priremi ta shohim veten në etapat e ndryshme të jetës sonë si rezultati i asaj që na ka ndodhur dhe asaj që kemi arritur apo kemi realizuar, sikur vetëm kjo të konfirmonte ekzistencën tonë. Dhe pothuaj përherë harrojmë se jeta e njerëzve nuk është vetëm kjo: çdo trajektore përbëhet edhe nga humbjet tona, nga mosarritjet dhe dëshirat e papërmbushura, nga ajo që ndonjëherë e lëmë mënjanë apo nuk e zgjedhim, apo nuk e arrijmë, nga mundësitë e panumërta që në më të shumtën e rasteve nuk arritën të realizohen – të gjitha përveç njërës, në fund si ëmbëlsirë – nga mëdyshjet dhe ëndërrimet tona, nga projektet e dështuara dhe nga dëshirat e rreme apo të vakëta, nga frikërat që na paralizuan, nga ajo që e braktisëm apo që na braktisi. Në fund të fundit, ne ndoshta pranojmë se ekzistojmë po aq në atë që jemi sa në atë që nuk kemi qenë; njëlloj si në atë që është e vërtetueshme, e matshme, e kujtueshme, edhe në atë që është më e pasigurt, më e pavendosur dhe e mjegullt, ndoshta jemi bërë në të njëjtën masë nga ajo që ishte dhe nga ajo që mund të ishte. Dhe guxoj të mendoj se është pikërisht rremtësia (fiksioni) që na e rrëfen këtë, a më mirë të them ajo që na shërben për të kujtuar këtë dimension, të cilin zakonisht e lëmë mënjanë në çastin kur bëjmë bilancin dhe shpjegojmë vetveten apo jetën tonë.”
Në këtë botën e sotme, pra, shkrimtari nuk është më “magjistari” i dikurshëm dhe marrëdhënia e tij me lexuesin nuk ka më ngjyresa mitike. Shkrimtari i sotëm është çmitizuar; marrëdhënia shkrimtar-lexues është komplementare, shkrimtari mbush zonat e errëta të jetës së lexuesit, i cili ka nevojë për rremtësi (për produktin e shkrimtarit) që të plotësojë bilancin e jetës së tij, ndërkohë që vepra vetë realizohet nëpërmjet leximit (nëpërmjet lexuesit) “… ndoshta nuk është e drejtë ajo që thashë në fillim se vepra letrare nuk rrëfen atë që ka ndodhur, – vijon Javier Marias-i. – Ndoshta në të vërtetë veprat letrare ndodhin nga fakti që ekzistojnë dhe lexohen dhe, po ta shohësh me kujdes, pas kaq shumë kohësh është më real dhe i vërtetë romani Don Kishoti se tërë bashkëkohësit e tij historikë të Spanjës së shek XVIIl.”
24 janar 2009