Bisedoi: Andreas Dushi
Sivjet, si rrallëherë, ndoshta hera e parë, në Çmimet Kombëtare të Letërsisë i njëjti njeri i letrave nominohet në dy kategori: si shkrimtare dhe përkthyese. Kur morët vesh se edhe Diktatori në kryq edhe 100 vjet vetmi ishin përzgjedhur për konkurrim, si u ndiet? Ç’mendoni për çmimet letrare në përgjithësi?
Në fillim të viteve ’90, kur drejtoja të parin fondacion privat kulturor në vend, “Velija”, krijova çmimet e përvitshme letrare private. Ishte një risi e madhe për atë kohë, kur Ministria e Kulturës kish pushuar së qeni strategjia e kulturës kombëtare dhe kur shkrimtarët shqiptarë, më së pari, ndodheshin të çorientuar, të mbetur si pa busull. Jo vetëm për hir të ndryshimit epokal, të ikjes masive të lexuesit, të të etiketuarit si “përçues të ideologjisë së regjimit”, por edhe se një pjesë e madhe e tyre mbetën në mes të rrugës. Asokohe besoja fuqishëm se çmimet letrare që kurorëzonin konkurset e krijimtarisë letrare të një viti ishin nxitëse, dinjitetdhënëse për shkrimtarin, por edhe se mund të shërbenin si themeluese të një sistemi të ri dhe të qëndrueshëm të vlerave në letërsinë shqipe, në kohën e lirisë së rigjetur.
Me kohë ky besim m’u venit. Njëlloj si çmimet që jepen nga Ministria e Kulturës, edhe ato që jepen nga entitete private, në më të shumtën e rasteve (fatmirësisht ka edhe përjashtime) janë të molepsura ligsh nga nepotizmat, qokat, klanizmat dhe seksizmi; në vend që të promovojnë vlera dhe arritje në letrat shqipe, kanë promovuar antivlera, duke e bërë rrokopujë sistemin e brishtë të vlerave letrare në Shqipëri. Kanë bërë dëme të mëdha duke e çorientuar dhe duke e larguar lexuesin nga letërsia e gjuhës së tij. Gjykoj edhe se, në njëfarë mase, ndikuan në krijimin e një aradhe shkrimtarësh të pas viteve ’90, nihilistë të thekur, të cilët mohuan çdolloj vlere të krijuar në letërsinë shqipe më parë, që e shpallën veten, apo kështu i quajtën disa studiues mediokër të letërsisë, si “mbushës të boshllëkut letrar” që la sipas tyre “zhdukja e farës së shkrimtarëve të para viteve ’90”, dhe që nisën të hedhin “themelet” e një letërsie të re shqipe allasoj (ma lejoni përdorimin e këtij turqizmi) me eksperimente letrare, nga ato që ishin bërë pa sukses në vitet ’30-’50 në Europë e më tej. Pa mohuar aspak disa prurje të mira në këtë kohë dhe shkrimtarë seriozë që u rritën në profesion nga viti në vit, pjesa më e madhe ishin dështime të shpallura të lavdishme.
Le t’i kthehemi pyetjes suaj. Së pari, juria e këtij viti ka si anëtarë të saj emra eminentë të letërsisë shqipe, por edhe individë seriozë dhe të përkushtuar. Që një krijues të vlerësohet në dy zhanre të krijimtarisë së tij letrare është arritje mendoj, më së pari për mendësinë dhe funksionimin e jurisë. Por nuk isha unë e vetmja, edhe një krijues tjetër shumë i njohur, Romeo Çollaku, është përzgjedhur për tregimin dhe përkthimin. Kjo është për t’u përshëndetur. Nga ana tjetër, gjykoj se si romani im si përkthimi i kryeveprës së shekullit që lamë pas, 100 vjet vetmi, në këtë përzgjedhje, kanë vendosur lidhjen e duhur me anëtarët-lexues të jurisë, dhe kjo sigurisht që më bëhen të ndihem mirë.
Si mendoni, është e vërtetë përqasja sipas së cilës, ashtu sikurse lind shkrimtar, lind edhe përkthyes?
Bëhet fjalë për krijimtari letrare në të dyja rastet. Dhuntia, prirja apo talenti në krijimtarinë letrare është e lindur. Pra, si për shkrimtarin, njëlloj edhe për përkthyesin letrar. Por nuk mjafton. Është pak në raport me kultivimin, njohjen e gjerë, punën e madhe, pasionin, motivimin… Por ju tanimë e dini këtë.
Si kanë ndikuar në krijimtarinë tuaj shkrimtarët më të mëdhenj botërorë, veprat e të cilëve i keni përkthyer në shqip?
Nuk lodhem së thëni dhe stërthëni se, ndonëse kam shkruar që e vogël, janë penat e mëdha të letrave botërore që kam përkthyer në shqip ato që më kanë bërë shkrimtare. Shkrimësia është zeje, është mjeshtëri dhe, përpos një lloj prirjeje të lindur e cila lidhet me ndjeshmërinë ndaj gjuhës, me imagjinatën, mësohet. Përveç leximeve të shumta, kam pasur fatin të shkruaj në shqip kryevepra botërore, siç është rasti i librit të librave, romanit 100 vjet vetmi, me dorën e Márquez-it. Kështu mësohen prosedetë letrare, pasurohet pafundësisht gjuha shqipe nëpërmjet kërkimit në shqip të ekuivalencës së gjuhës së pasur të Márquez-it, shkohet gjer në fillesat e thurimës së tekstit dhe preken tejzat e saj. Është një alkimi dhe magji që pasuron. Nuk është rastësi që shkrimtarë të mëdhenj janë edhe përkthyes të mëdhenj, ose përkthyes të mëdhenjsh.
Unë kam shkruar një tregim me titullin Gringa dhe që flet për një rimishërim letrar. Është rimishërimi i Gabriel García Márquez-it, të shuar ato kohë, te një studiuese e re ballkanase në Meksikë, e cila studion zakonet e Mayave të vjetër. Papritur dhe vetvetishëm antropologia nis të shkruajë letërsi për një brezni të munguar të familjes Buendia te 100 vjet Vetmi, çka rezulton të jetë edhe pengu letrar i shkrimtarit të vdekur. Më besoni, porsa kisha mbaruar përkthimin e 100 vjet vetmi kur e shkrova tregimin në fjalë dhe ndihesha në shkrimësi një rimishërim i shkrimtarit, tekstit maestral të të cilit i kisha dhënë në shqip shpirtin dhe gjakun tim.
Librat tuaj, pasi i keni shkruar dhe botuar në shqip, i keni rishkruar edhe në frëngjisht. Si është për ju kjo eksperiencë, në dukje dhe e parë nga larg tejet e veçantë?
Shkrimtari shkruan dhe mëton komunikimin. Sa më i madh numri i lexuesit, aq më i gjerë komunikimi i tij dhe aq më shumë gjallon vepra e shkruar dhe e botuar nëpërmjet leximit. Unë kam kryer studime për filologji frënge. Me këmbënguljen e botuesit tim francez, Diktatori në Kryq është romani i katërt që do të botohet së shpejti në Francë, i rikrijuar në frëngjisht nga vetë autorja. Është një proces i vështirë, por që të jep jashtëzakonisht shumë. Ka ndodhur që jam nisur nga varianti frëngjisht nganjëherë për të përmirësuar diçka në tekstin shqip të përgatitur për ribotim. Më ka ndodhur më së shumti me Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë, i cili në frëngjisht ka për titull Teuta e Ilirisë, mbretëreshë dhe pirate – priftëreshë dhe dashnore. Nga ana tjetër, botimi për një autore frankofone në Francë ka më pak pengesa sesa për një autore të përkthyer. Gjithsesi, është më lehtë të rikrijosh në një gjuhë tjetër veprën tënde, për hir të lirisë që i jep vetes në gjithçka, deri edhe në ndryshimin e situatave, të fjalëve apo edhe të shpjegimeve që për psikologjinë e një tjetër lexuesi mund të kërkojnë më tepër detaje, sesa të përkthesh një autor tjetër. Është mund i madh dhe merr shumë kohë, pa dyshim. Nga ana tjetër, kurrsesi nuk do ta shkruaja veprën time në frëngjisht, siç më kanë pyetur gazetarët, sepse jo vetëm nuk e kuptoj dot krijimin tim pa veshjen e bekuar të shqipes së shenjtë, por edhe sepse frëngjishten e konsideroj si gjuhë të dytë.
Në letërsinë tuaj vihet re prania e disa epokave mes të cilave ka kaluar Shqipëria: nga ajo e Ilirisë së hershme deri në kohët e vona. Ku gjendet ajo çka ju ngacmon për të shkruar a, më mirë të themi, ku gjenden zanafillat e historive që ju rrëfeni artistikisht në romane?
E vërteta është se, sidomos në romane, jam përpjekur të mbaj një largësi të madhe nga ngjarjet për të cilat shkruaj. Për të qenë e çliruar nga koha dhe hapësira. Nuk shkruaj për ngjarje të sotme, aktuale, dhe kjo është e vullnetshme, sepse nuk dua të bëhem robinë e realitetit. Letërsia ime do të rrezikonte të ishte dokumentare dhe shumë pranë publicistikës. Ndërkohë që elementet thelbësore të saj, fantastikja, metafiksioni, apo një lloj realizmi magjik, do të komprometoheshin thellë. Largësia më e vogël nga ngjarjet është romani i fundit, Diktatori në Kryq, ose më mirë një pjesë e tij – vetëm 35 vjet.
E thënë me një fjalë, zanafillat e historive të veprave të mia gjenden në Kujtesën time. Në të gjitha format e saj: si imazh, si përjetim, si aromë, si shije, si ngjarje… Ka ndodhur që fëmijëria ime të jetë shumë pjellore në këtë drejtim dhe ka ushqyer disa nga veprat e mia. I kam shpjeguar, sa kam mundur, për secilën vepër dhe nuk dua të përsëritem. Shpesh ka një lloj alkimie midis idesë zanafillore për një krijim të ri të nxjerrë nga kujtesa dhe gjendjes shpirtërore të kohës, apo përjetimeve të kohës së shkrimit, e cila detyrohet të evokojë kohën e ngjarjeve. Është një proces i tërë shumëfaqësh dhe i koklavitur që i shpëton edhe vetë shpjegimit ka herë. Një lloj metafizike e nënndërgjegjes së krijuesit.
Fjala vjen, në lidhje me romanin e fundit Diktatori në Kryq; kur vdiq Enver Hoxha në prill të vitit 1985, unë përjetoja ferrin në tokë nga një shtatzëni e vështirë: marramendje, neveri ushqimore, makthe, frikë nga errësira dhe vdekja. Dhe dëshira e çartur për të dalë nga ajo gjendje me çdo kusht… Në kohën e shkrimit të romanit, të gjitha ato përjetime të tmerrshme të dikurshme u rishfaqën sërish në mendjen time, si përkim i kohës së ngjarjeve, dhe për të mbetur gjallë, vetishëm i kaluan të gjitha personazhit tim – diktatorit që po jetonte ditët e fundit të jetës, që ishte i ndërgjegjshëm për fundin e afërt, që bënte bilancin e krimeve të tij, që nuk ishte penduar, që kish krijuar vetminë e llahtarshme të pushtetit absolut dhe që kërkonte një mundësi rikthimi në tokë, sado absurde të dukej.
Qëndrojmë te ky roman, Diktatori në Kryq, i cili u nderua me çmimin letrar më të rëndësishëm që kemi, Çmimin Kombëtar të Letërsisë 2019. Ky çmim vjen te ju pas një krijimtarie të shtrirë përgjatë shumë vjetëve. Si e përjetuat këtë vlerësim?
Më dha entuziazëm dhe shpresë. Në komunikimin tim në rrjetet sociale u shpreha se e konsideroj këtë çmim si një homazh për kontributin e jashtëzakonshëm të shkrimtareve në letërsinë shqipe. Sepse është i pari çmim që i jepet një shkrimtareje grua në këta 30 vjet. Një e vërtetë tronditëse.
Romani Diktatori në Kryq u botua në prag të Panairit të Librit 2019 dhe tërhoqi menjëherë në stendën e Onufrit shumë lexues, apo blerës-lexues. Në fund të prillit 2020 Bukinisti, në saje të votimeve të lexuesit në rrjet, e shpalli Librin më të Mirë të Vitit 2019, Panairi i Librit të Fierit 2020 e shpalli po ashtu Romanin më të Mirë. Rruga e këtij romani ishte shtruar. Duket sikur marrja e çmimit kombëtar të letërsisë prej tij erdhi natyrshëm.
E vërteta, mendoj, duhet analizuar ndryshe. Gjatë rrugëtimit tim përmbi 30-vjeçar në shkrimësi ka pasur edhe të tjera romane bestseller dhe të përshëndetura fort nga kritika letrare. Kujtojmë romanin me elemente historike Frosina e Janinës, i botuar që në vitin e largët 2002, i cili vazhdon të shitet, të ketë lexues ribotim pas ribotimi, edhe sot (në Panairin e Librit 2019 kam firmosur disa syresh); Porfida – ballo në Versailles po ashtu; E kuqja e demave ka njohur disa ribotime dhe është romani bestseller par excellence, romani që në konkursin letrar “Ballkanika”, Shkup 2010, u quajt nga kryetari i kësaj jurie, profesori i njohur i letërsisë Andrew Wachtel, si romani “…që e fut letërsinë shqiptare në rrjedhën e letërsisë europiane”; apo romani Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë i cili ka njohur katër botime në shqip, që nga botimi i parë më 2014, dhe që nga kritika franceze është konsideruar si “…një epope homerike për gruan”. Pra, me gjithë suksesin e tyre, asnjë prej këtyre veprave nuk është nderuar me këtë çmim. Sepse, për fat të keq, te ne më shumë se kudo gjetkë romani është konsideruar “në pronësi” të burrave, si fusha e shkrimtarëve meshkuj. Diçka ka ndryshuar, pra, për mirë në këtë drejtim. Me gëzim kam konstatuar një emancipim te juria e çmimeve letrare të këtij viti. Nuk është rastësi. Ministria e Kulturës drejtohet nga një grua, zonja Margariti, që ka rezultuar të jetë shumë efikase në punën e saj dhe ka futur një frymë të rrallë bashkëpunimi kudo; Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, që organizon këto çmime, drejtohet po ashtu nga një grua shumë e zonja dhe me personalitet të fuqishëm, A. Bardhyli, e cila ka bërë shumë në drejtim të promovimit dhe mbështetjes së librit, leximit dhe shkrimtarëve shqiptarë. Po shpjegoj pak më shumë se më sipër. Juria e çmimeve të këtij viti drejtohej nga poetesha e shquar kombëtare Natasha Lako dhe kishte anëtare një tjetër poeteshë shumë të suksesshme si Lindita Arapi, ashtu si edhe anëtarët e tjerë të jurisë, të gjithë krijues të njohur dhe me individualitet të spikatur. Me këtë nuk dua të them që juria ishte feministe, por e drejtë dhe pa paragjykime seksiste. Ka ditur të gjykojë veprën dhe jo shkrimtarin. Shumë i rëndësishëm është edhe fakti që Shtëpia prestigjioze Botuese Onufri, autore e së cilës unë jam që prej librit të parë, është kthyer në shtëpinë botuese më të rëndësishme të krijimeve të autorëve shqiptarë, jo vetëm për numrin e tyre, por edhe për cilësinë e botimit, përpunimin, paraqitjen dinjitoze të teksteve, por edhe në promovimin e tyre. Kjo bën diferencë të madhe në botimet e letërsisë në Shqipëri.
Sipas Virginia Woolf-it, “veprat letrare të grave meritojnë rivlerësim për kontributin e dhënë në kulturë, duke kapërcyer pengesa nga më të ndryshmet”. Studiueset Sandra Gilbert dhe Susan Gubar, bazuar në këtë thënie, shtrojnë hipotezën e ekzistencës së një kanoni femëror në letërsi i cili duhet të rizbulohet dhe të rivlerësohet. Si mendoni, vlen kjo hipotezë edhe për letërsinë shqipe, areal gjeografik, në letërsinë e të cilit mbizotërojnë burrat?
Sigurisht që gratë shkrimtare kanë krijuar një pasuri të madhe vlerash në letërsinë shqipe. Më së shumti, e pakonsideruar në vlerën e saj të vërtetë. Pa i hyrë analizës së vështirësive që u janë dashur të kapërcejnë për t’i krijuar ato vlera. Pra, jam në një mendje me shkrimtaren e madhe se kontributi i tyre duhet rivlerësuar, kudo ku e kanë dhënë këtë kontribut, në Angli, Francë apo Shqipëri. Pa dyshim që shoqëria ka evoluar dhe shkrimtaret gra nuk kanë më nevojë të fshihen pas emra meshkujsh për të botuar krijimet e tyre. Gjithsesi, paragjykimi ndaj tyre në këtë botë maskiliste ekziston. Nga ana tjetër, nuk besoj në ekzistencën e një kanoni femëror në letërsi. Për mua letërsia është prodhim i shpirtit dhe si i tillë, nuk ka gjini. Unë mund të dalloj stilin e një shkrimtari në vepra të ndryshme, por kurrsesi gjininë e tij.
A është e vështirë për romanin e një prozatoreje të zërë vendin që i takon në një bibliotekë plot romane prozatorësh?
Për gjithçka thashë më sipër dhe që lidhet me vlerësime konkursesh dhe jurish, përgjigjja do të ishte po. Nga ana tjetër, ka një mospërputhje ndërmjet këtij gjykimi të vërtetë dhe realitetit. Sepse, personalisht, me gëzim të madh kam konstatuar se lexuesi im (apo ndoshta blerësi më tepër) është rritur nga vepra në vepër, çka më ka bërë shumë më të kujdesshme në shkrim. Një tjetër mekanizëm ndoshta vihet vetiu në punë në këto shoqëritë tona kaq maskiliste dhe plot paragjykime e mërira foshnjarake mes shkrimtarësh: mospërfillja nga ana e lexuesit e çmimeve të konkurrimeve dhe vlerësimeve shpesh të rreme… Apo ndoshta karizma e vetë shkrimtarit. Sepse letërsisë nuk i avitesh dot me arrogancë, me zemërim dhe mllef, hatërmbetje mjerane, makutëri çmimesh të mbledhura në thasë kompleksesh karakteriale dhe palavira të nxjerra ngoje nëpër rrjetet sociale prej të ashtuquajturve shkrimtarë për kolegët e tyre. Lexuesit janë aty dhe gjykojnë. Me sa duket, ka ardhur koha që letërsia të funksionojë si në lashtësi: vepra të jetë, emri i shkrimtarit jo. Atëherë lexuesi do të qëmtojë i lirë e në harmoni me fjalët dhe bukurinë e tyre të qashtër, polifoninë e mrekullueshme, ushqimin për shpirtin e tij nga njëra vepër tek tjetra, pa sinorë, pa kohë, pa hapësirë dhe pa shkrimtarë…
T’i kthehemi romanit fitues Diktatori në Kryq. Në librin “Postmodernizmi – poetikë e antirregullit” prof. Floresha Dado thotë: “…apo dy linjave të anktheve torturuese të fatit të diktatorit dhe historisë së kishës së kryqit, që mbart një përplasje rrënuese midis mëkatit dhe shpagimit rrënues të pashmangshëm.” Çfarë i përbashkon këto dy linja?
Mund të konsiderohen ndoshta si dy romane brenda një të vetmi, karakteristikë kjo e letërsisë që krijoj (E kuqja e demave është ndërtuar po kësisoj). Apo dy linja të fuqishme që zhvillohen mëvetësishëm dhe paralel me njëra-tjetrën, secila duke u rritur drejt paroksizmit të natyrshëm, gjersa pikëpriten me një shpërthim rrufeje; rrjedhë e tij është shpërhapja e ngjarjeve drejt zgjidhjes. Elementi përbashkues i tyre është vetë diktatori gjakësor – në një anë krimet, makthi, izolimi, vdekja me beft, tradhtia, pabesia, pasvdekja si shpëtim, në anën tjetër një nga monumentet e rralla të krishterimit në botë, kisha 1500-vjeçare e Hylindëses në Labovë, me një mister të jashtëzakonshëm në rropullitë e saj që do të jetë shpëtimi i njerëzimit, e ngritur përmbi rrënojat e një tjetër monumenti edhe më të jashtëzakonshëm, tempulli i Sibilës së Vënjës, i cili dëshmon për lashtërinë dhe shenjtërinë e gjuhës shqipe. Dhe Kryqi i Labovës me Ashklën e Shenjtë në pikëprerje të dy linjave. Kryqi i Shenjtë si mëtimi i kthimit nga vdekja të diktatorit dhe njëkohshëm si gozhdimi i tij i mbramë në vdekje të vdekjeve.
Dëshira e diktatorit për t’u vendosur në një kontekst biblik, falë të cilit kërkon të shpëtojë nga e pashmangshmja vdekje… Mendoni se vetëm kjo e shtyn “kryeateistin”të njohë dhe të kuptojë Zotin?
Jo, aspak. Në roman diktatori nuk u përpoq ta kuptonte Zotin dhe ca më pak ta besonte apo ta çmonte atë. Filloi t’ia ndiejë frikën për krimet e kryera. Kjo është njerëzore, nëse diçka e tillë kish mbetur tek ai. Madje iu lëkund besimi në ideologjinë që i kish kushtuar jetën dhe për hir të së cilës kish gjymtuar një popull të tërë. Për hir të hipokrizisë së tij të madhe. Shkërbimi i riteve biblike, apo ëndrrat paralajmëruese të fillimromanit që e vendosnin diktatorin në skena apo kontekste biblike, lidhen me megalomaninë qesharake të pushtetit të tij absolut. Barabitej me vetë Krishtin. Kërkoi të bënte paqe apo të fitonte ndjesën e shërbëtorëve të Zotit në tokë, klerit, që e masakroi pa mëshirë. Kjo vetëm në funksion të qëllimit të tij – kthimit nga vdekja nëpërmjet Kryqit të Shenjtë. Që gjithçka të mund të funksiononte. Nuk u pendua kurrë për krimet e bëra dhe ajo që kërkoi me ngulm ishte vetëm ta përdorte Zotin. Për t’u rikthyer.
Ngjan gati i pabesueshëm fakti se vetë diktatori i druhet mizorisë të së shoqes. Çfarë ju ka bërë ta shihni kështu raportin mes tyre?
Ndonëse është roman, pra fiksion, rremësi, sërish ka elemente të qenësishme të realitetit historik, apo pëshpërima të realitetit të kohës. Të domosdoshme për këtë lloj romani. Fjala vjen, ato vite flitej nën zë për zonjën e diktatorit se, në kohën e luftës, kish hedhur vallen dibrane në Pezë me kokën e prerë të një ushtari italian nën sqetull. Servilët e regjimit apo të indoktrinuarit e tregonin si “trimëri” të saj këtë tmerr. Në roman nuk ka rëndësi e vërteta. Është një ilustrim i goditur për përfytyrimin që ekzistonte te shqiptarët për të. Kadareja në poezinë Sapuni Lady Makbeth i bën nder këtij përfytyrimi popullor dhe e krahason vejushën e diktatorit me personazhin më mizor të Shakespeare-it, me zonjën Makbeth, me duart të lyera me gjak që nuk i lan dot asnjë sapun.
Nga ana tjetër, janë ditët e fundit të jetës së diktatorit: njeriu më i fuqishëm i vendit është i sëmurë, i drobitur, me gjykim të mjegulluar (kemi parë materiale filmike në mbledhjet e byrosë kur i çaprashit fjalët dhe deri ngatërron vitet), vendimet politike që merren, deri edhe ato për eliminimin e kundërshtarëve politikë, bëhen në emër të tij, por me urdhër të shoqes N. dhe shokut R. Deri diku, atmosfera e romanit i përgjigjet asaj që ndihej apo përflitej asokohe në Tiranë dhe që unë e kam jetuar. Në atë gjendje pafuqie, kur kish nisur lufta e tmerrshme për pushtet, për pasvdekjen e diktatorit, vetmia që ka krijuar vetë pushteti i tij absolut, i krijon makthe dhe tmerr diktatorit.
Romani ka edhe një figurë tjetër femërore në pjesën përmbyllëse të jetës së diktatorit, infermieren e tij, Lumkën. Është dashuri? Pasion?
Nuk është dashuri. Diktatori vetë e ngatërron me dashurinë, figura e saj në ëndërrime apo vegime përzihet me atë të androgjinit që ka dashuruar në Paris. Po ai e mban të “qashtër” figurën e Lumkës, sepse ajo është shpresa e rikthimit nga vdekja. Lumka përfaqëson jetën në pasvdekje; ajo është një antishoqja N. “Është e vetmja gjë e pastër në botën e fëlliqur ku jeton”, sipas vetë fjalëve të diktatorit. Dhe e vetmja qenie që beson, aq sa dëshiron ta ngarkojë atë me procesin e rikthimit nga vdekja. Zhdukja e Lumkës, vrasja e saj nga ata që kanë pushtetin dhe që kontrollojnë edhe frymën e tij, është edhe paralajmërimi i fundit të pashmangshëm të diktatorit, gozhdimit të tij në kryq, pa asnjë tjetër mundësi mbi këtë tokë.
Te 100 vjet vetmi miku i kolonel Aureliano Buendia-s ka të njëjtin emër me gjyshin e Márquez-it, ndërsa te Diktatori në kryq lexojmë emrin Apostol Meksi. A ka vend për ndonjë analogji? Nëse në rastin e parë kemi të bëjmë me një personazh real brenda një historie të trilluar, po në rastin e dytë, bëhet fjalë për praninë e një personazhi real brenda një historie të vërtetë?
Krejt rëndom shkrimtarët përdorin në veprat e tyre emra personash realë, të afërm, miq. Borges-i thotë se përshkruan edhe karakteret e miqve të ngushtë, madje edhe me të metat e tyre, të cilat për fat ata nuk i dallojnë, sepse nuk i pranojnë, shpjegon shkrimtari i madh. As unë nuk bëj përjashtim si për emrat ashtu edhe për karakteret. Apostol Meksi është personazh real, është pinjoll i familjes së cilës i përkas, folklorist i njohur dhe bashkëpunëtor i Kristoforidhit. I ka mësuar gjuhën shqipe albanologut të njohur Hahn.
Letërsitë e tjera personazhet gra të historisë dhe mitologjisë i kanë shpesh si pjesë të tyren, trajtuar përgjatë viteve nga pikëpamje të ndryshme. Ndërsa në letërsinë shqipe kjo ka munguar deri kur ju filluat të shkruani për Ilirinë e largët dhe mbretëreshën Teuta.
Shumë e saktë. Këto personazhe i përkasin historisë së mbarë njerëzimit dhe kanë frymëzuar shumë artistë: shkrimtarë, piktorë, kineastë… Historia e lashtë e shqiptarëve lidhet me ilirët. Studiuesit e të gjitha kohërave janë pothuaj në një mendje, shqiptarët e sotëm janë pasardhës të iliro-arbërorëve. Figura më e madhe grua e lashtësisë është mbretëresha Teuta. Një figurë shumë më interesante se Kleopatra e Egjiptit, fjala vjen, së cilës i janë kushtuar shumë vepra letrare dhe artistike. Për fat të keq, ka shumë pak të dhëna historike për të, asnjë pamje e saj apo objekt i përdorur prej saj nuk ka arritur në ditët tona. Bëmat e Teutës janë të jashtëzakonshme, por mungesa e dokumentacionit historik, mendoj, ka mbajtur larg artistët e të gjitha kohërave. Vetëm Polibi ka shkruar për të, por, duke qenë edhe politikan grek, përveçse historian, e ka parë dhe gjykuar si kundërshtare. Në letërsinë tonë figura e Teutës është trajtuar shumë pak, ndonjë varg, ndonjë poezi. Moikom Zeqo ka shkruar Letrat e Teutës, një bisedë imagjinare që shkëmben me mua për mbretëreshën ilire. Mitrush Kuteli ka një roman të pambaruar për Ilirinë. Romani që i kushtova Teutës, Ilirisë, gruas ilire, një metafiksion historiografik, më mori tetë vjet punë, kërkime, hulumtime historike, leximin e mijëra e mijëra faqeve të të gjithë autorëve që kanë trajtuar atë periudhë, autorë të antikitetit apo modernë. Bëhet fjalë për 2200 vjet më parë, një periudhë e veshur me mjegullinë, kur Iliria bëhet fuqia më e madhe detare në brigjet e Adrias, nën sundimin e Teutës, duke cytur kështu mërinë e Romës.
Nuk mjaftonin vetëm librat historikë, duheshin vjelë mitet, gojëdhënat, legjendat që të mund të ndërtohej Iliria e shekullit II para Krishtit. Është romani i jetës sime. Për hir të të gjitha këtyre megavështirësive, nuk mendoj se në letërsinë tonë do të mund të vijë shpejt një tjetër vepër e këtyre përmasave për Teutën dhe Ilirinë. Ndërkohë që është një kozmos i tërë i paeksploruar dhe shumë grishës për artistët në përgjithësi.
Në vitin 1996 keni themeluar dhe drejtuar revistën letrare “Mehr Licht!”. Ndonëse ajo është botuar qysh para se të lindja, vërej se, bashkë me mua, edhe moshatarët e mi e kërkojnë nëpër biblioteka apo bukinistë të ndryshëm. Kjo do të thotë se ajo ia ka dalë t’i mbijetojë kohës, t’u mbijetojë viteve. Pasi e ktheni kokën në të shkuarën për të parë kujtimet e kohës kur ajo revistë mblidhte rreth vetes shkrimtarë e përkthyes tejet të talentuar, a shihni ndonjë shpresë në horizontin e së ardhmes për një jetë të atillë letrare?
Për 16 vjet me radhë “Mehr Licht!”-i arriti të bëhet për lexuesin shqiptar një enciklopedi e letërsisë shqipe dhe asaj botërore. Arriti t’i shërbente kulturës kombëtare, sipas motos së revistës, duke sjellë më shumë dritë mendimi, më shumë dituri dhe vërtetësi. Por ajo çka ishte më e rëndësishme, revista u kthye në tribunën e krijimeve të para letrare të atyre krijuesve të talentuar që u bënë më vonë shkrimtarë dhe përkthyes të njohur.
U bënë dy vjet që kam filluar të shpresoj, dhe kjo ndjenjë sa vjen e rritet; është gazeta letrare-kulturore e përjavshme “ExLibris” e cila botoi javës që lamë pas numrin e saj të 110 ajo që po më mbush boshllëkun e “Mehr Licht!”–it si krijuese, por edhe si vëzhguese e zhvillimeve letrare dhe kulturore. Pres me gëzim të premten në mbrëmje kur në kutinë postare elektronike mbërrin numri i ri i saj. Dhe çdo numër është një arritje në plotësimin e shpresës sime për të pasur një pamje përpara syve të gumëzhitjes krijuese letrare, problematikës kulturore, risive letraro-kulturore apo procesit krijues të një shkrimtari të zgjedhur për numër.
Për ta mbyllur, në vitin 2020 keni ribotuar Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë, në vitin 2019 keni botuar Diktatori në kryq, në vitin 2018 Hakmarrja e Kazanovës dhe në vitin 2017 Flutura mes gjinjve. Po tani, në poçarinë tuaj krijuese, po mbrujtet një tjetër libër? Nëse po, mund të na thoni diçka për të?
Po, u bë mbi një vit që po punoj me një roman të ri, i cili ka personazh kryesor Mid’hat Frashërin. Por kam shumë kohë që lexoj veprën e tij, monografitë për të, por edhe librat historikë të kohës, memoriet e personazheve politike të atyre viteve. Përmbi tre vjet është koha që grumbulloj materiale. Periudha ndërmjet dy luftërave është shumë e pasur me ngjarje politike në Shqipëri dhe shumë interesante për një shkrimtar. Është koha (1923-1926) kur M. Frashëri është ambasador i Shqipërisë në Athinë dhe zhvillon një aktivitet të madh për mbrojtjen e popullsisë shqiptare në Greqi, e cila konsiderohet si turke nga politika greke, dhe dëbohet me dhunë për në Turqi në kuadër të shkëmbimit me popullsinë greke që jeton në Turqi. Është sërish një metafiksion historiografik. Karakteristikë është se ka vargje të Mid’hat Frashërit, thënie të tij, mendime, pjesë dialogësh që janë reale. Romani është edhe një lloj trilleri politik me suspens policesk, ku ndërfutet si personazh edhe shkrimtarja Agatha Christie dhe një nga misteret e mëdha të jetës së saj – zhdukja për 11 ditë në vitin 1926.