More
    KreuLetërsiBibliotekëMira Meksi i kthen nderin e humbur në shqip romanit “Njëqind vjet...

    Mira Meksi i kthen nderin e humbur në shqip romanit “Njëqind vjet vetmi” të G. G. Márquez

    KAPITULLI I PARË

    Shumë vjet më vonë, përballë togës së pushkatimit, kolonelit Aureliano Buendía do t’i kujtohej ajo pasdite e largët kur i ati e çoi të shihte akullin. Macondo-ja ishte atëherë një fshat me njëzet shtëpi prej balte dhe kallamash, të ndërtuara në bregun e një lumi me ujëra të tejdukshme që vërshonin në një shtrat me gurë të lëmuar, të bardhë dhe të stërmëdhenj si vezë parahistorike. Bota ishte aq rishtare, saqë shumë sendeve u mungonte emri dhe për t’i përmendur duheshin treguar me gisht. Për çdo vit, në mars, një familje ciganësh zhelanë e ngrinte tendën pranë fshatit dhe me një zhaurimë të madhe bilbilash dhe daullesh paraqisnin shpikjet e reja. Në fillim sollën magnetin. Një cigan trupmadh, me një mjekër ferrishtë dhe me duar si të trumcakut, i cili u prezantua me emrin Melquíades, bëri në sytë e të gjithëve një demonstrim mizor të asaj që ai vetë e quante mrekullia e tetë e alkimistëve të ditur të Maqedonisë. Shkoi shtëpi më shtëpi duke tërhequr zharg dy shufra metalike. Dhe gjithë bota u tmerrua kur pa se kazanët, tenxheret, darët e mangajtë dilnin vetë nga vendi dhe dërrasat kërcisnin nga dëshpërimi i gozhdëve dhe vidave që rrekeshin të shkuleshin, madje edhe sendet që kishin humbur përpara shumë kohësh, shfaqeshin aty ku i kishin kërkuar më shumë dhe zvarriteshin plot zhurmë rrezga-bjezga pas hekurave magjikë të Melquíades-it. “Edhe sendet janë të gjalla, – bërtiste cigani me zë të vrazhdë, – veç u duhet zgjuar shpirti”. José Arcadio Buendía, imagjinata e shfrenuar e të cilit e kalonte përherë gjeninë e natyrës dhe ca më tepër, mrekullinë dhe magjinë, mendoi se me atë shpikje të kotë mund të nxirrej ari nga rropullitë e tokës. Melquíades-i, që ishte njeri i ndershëm, e paralajmëroi: “Nuk bën për këtë punë.” Por José Arcadio Buendía nuk i besonte asokohe ndershmërisë së ciganëve, andaj i këmbeu shufrat e magnetit me mushkën e tij dhe disa kokë cjep. Úrsula Iguarán-i, e shoqja, e cila me ato kafshë kishte shpresë ta mëkëmbte kamjen e rrëgjuar të familjes, nuk ia doli t’i ndërronte mendje. “Së shpejti do të kemi aq flori sa të veshim edhe shtëpinë”, – iu përgjigj i shoqi. Për muaj me radhë iu përvesh punës që të vërtetonte pandehmat e tij. Eksploroi pëllëmbë për pëllëmbë tërë zonën, gjer edhe shtratin e lumit, duke tërhequr rrëshqanë pas vetes shufrat e hekurit dhe duke recituar me zë të lartë namatisjen e Melquíades-it. E vetmja gjë që arriti të zhvarroste, ishte një armaturë e shekullit XV, e salduar në çdo pjesë të saj nga një koracë ndryshku, brendësia e zgavërt e së cilës kumbonte si një kungull i madh plot me gurë. Kur José Arcadio Buendía me katër burra të ekspeditës së tij arritën ta çmontonin armaturën, gjetën në të një skelet të kalcifikuar që mbante të varur në qafë një medaljon bakri me kaçurrelin e një gruaje brenda.

    gabriel-garcia-marquez-

    Ciganët u kthyen në mars. Kësaj here sollën një tejqyrë dhe një lente sa një tambur, të cilat i paraqitën si shpikjen e fundit të çifutëve të Amsterdamit. E ulën një cigane në të dalë të fshatit dhe e vendosën tejqyrën në hyrje të tendës së tyre. Për pesë reale, njerëzit vinin syrin tek tejqyra dhe e shikonin ciganen sikur ta kishin në pëllëmbë të dorës. “Shkenca i ka fshirë largësitë”, – bërtiste Melquíades-i. – “S’do vonojë dita kur njeriu do shikojë gjithçka ndodh kudo mbi tokë pa dalë nga shtëpia”. Një mesditë të përvëluar nga zhegu bënë një demonstrim befasues me anë të lupës gjigante: vendosën një grumbull me kashtë në mes të rrugës dhe i vunë zjarrin duke mbledhur rrezet e diellit mbi të. José Arcadio Buendía-s, që ende nuk i kishte dalë e keqja e dështimit të magneteve, i lindi ideja që atë shpikje ta përdorte si armë lufte. Melquíades-i sërish u përpoq t’ia kthente mendjen. Por, më në fund, pranoi dy shufrat e magnetit dhe tri monedha të kohës koloniale në këmbim të lupës. Úrsula qau nga marazi. Ishin paratë e një arkëze me monedha floriri që i ati i pati kursyer me shumë sakrifica një jetë të tërë dhe që ajo i kishte groposur poshtë shtratit në pritje të një rasti të mirë për t’i vënë në punë. José Arcadio Buendía nuk mori as mundimin për ta ngushëlluar, i përpirë i gjithi nga eksperimentet e tij taktike, me përkushtimin e një shkencëtari që vinte në rrezik edhe vetë jetën e tij. Tek rrekej të demonstronte efektet e lupës përmbi forcat armike, përqendroi mbi trupin e tij rrezet e diellit dhe pësoi djegie që hapën plagë, të cilave iu desh shumë kohë për t’u shëruar. Nga qortimet e së shoqes së trembur prej këtyre shpikjeve kaq të rrezikshme, përdesh i vuri zjarrin shtëpisë. Rrinte me orë të tëra i mbyllur në dhomë, duke përllogaritur mundësitë strategjike të armës së tij të re, gjersa ia doli të hartonte një udhëzues të shpjeguar shumë qartë dhe me një fuqi bindëse të parezistueshme. Ua nisi autoriteteve të vendit të shoqëruar me dëshmi të shumta të përvojave të tij, plot skica shpjeguese, nëpërmjet një korrieri që kaloi sierra-n, humbi nëpër moçalishtet e paana, kapërceu lumenjtë e rrëmbyer dhe për pak la kockat nga bishat e egra, prej dëshpërimit dhe murtajës, përpara se të arrinte të dilte në udhën e mushkave të postës. Ndonëse udhëtimi për në kryeqytet asokohe ishte pothuaj i pamundur, José Arcadio Buendía premtonte se do ta merrte në sy porsa ta urdhëronte qeveria, me qëllim që t’u bënte autoriteteve ushtarake demonstrime praktike të shpikjes së tij dhe t’i stërviste vetë në artin e ndërlikuar të luftës diellore. E priti përgjigjen për vite me radhë. Më në fund, i lodhur së prituri, iu ankua Melquíades-it për dështimin e nismës së tij dhe cigani i dha atëherë një provë bindëse ndershmërie: ia ktheu dublonët prej floriri në këmbim të lupës dhe i la edhe disa harta portugeze dhe ca lloje instrumentesh lundrimi. Me dorën e tij shkroi një sintezë të ngjeshur të studimeve të Hermann murgut, të cilën ia dha që të mund të mësonte ta përdorte astrolabin, busullën dhe sekstantin. José Arcadio Buendía i kaloi muajt e gjatë të shirave i mbyllur në një dhomëz që e ndërtoi në fund të shtëpisë, në mënyrë që askush të mos e shqetësonte gjatë eksperimenteve të tij. Meqenëse detyrimet e shtëpisë i kishte braktisur krejtësisht, kaloi net me radhë në oborr duke vigjiluar trajektoren e trupave qiellorë dhe gati i ra pika e diellit kur po rrekej të ndërtonte një metodë të saktë për të gjetur kohën e mesditës. Kur u bë mjeshtër në përdorimin e instrumenteve, krijoi një përfytyrim të hapësirës që i dha dorë të lundronte nëpër dete të panjohura, të vizitonte vise të pabanuara dhe të krijonte marrëdhënie me kfrijesa vezullimtare pa pasur nevojë të dilte nga kabineti i tij. Në këtë kohë e bëri zakon që të fliste me vete, duke u vërtitur nëpër shtëpi pa i përfillur të tjerët, ndërkohë që Úrsula-s dhe të bijve iu thyhej kurrizi në perimore duke u kujdesur për bananen dhe malangën, për jukën dhe injamen, për kungullin dhe patëllxhanin. Befas, pa dhënë më parë asnjë shenjë, aktiviteti i tij i ethshëm u ndal në vend dhe u këmbye me një lloj shtangieje. Mbeti ditë të tëra si i karfosur nga magjia, duke përsëritur me vete zëulët dhe pa mendje një varg me hamendësime të çuditshme. Më në fund, një të martë dhjetori, në kohën e drekës e flaku tej barrën e torturës së vet. Fëmijët s’kishin për ta harruar gjersa të ishin gjallë solemnitetin augustian me të cilin i ati i tyre u ul në krye të tryezës, duke u dridhur nga ethet, i dërmuar nga pagjumësia e zgjatur dhe nga imagjinata e vet e malcuar, dhe u shpalli zbulimin e tij:
    -Toka është e rrumbullakët si portokall.
    Úrsula e humbi durimin. “Nëse do të çmendesh, çmendu vetëm ti”, – ulëriti. – “Por mos u fut në kokë fëmijëve broçkulla ciganësh”. José Arcadio Buendía, gjakftohtë, nuk e la veten të ligështohej nga dëshpërimi i së shoqes, e cila në gjaknxehtësi e sipër ia bëri copë përtokë astrolabin. Ndërtoi një tjetër, mblodhi në dhomëzën e vet burrat e fshatit dhe u demonstroi, me anë të teorive që askush nuk i kuptonte, mundësinë e kthimit në pikënisje duke lundruar drejt lindjes. Gjithë fshati ishte i bindur se José Arcadio Buendía kish roitur nga mendja, kur mbërriti Melquíades-i i cili i vuri gjërat në vend. Lëvdoi përpara të gjithëve inteligjencën e atij burri, i cili me anë të një spekulimi të pastër astronomik kishte ndërtuar një teori që tanimë ishte vërtetuar në praktikë, ndonëse nuk njihej ende në Macondo, dhe si provë të admirimit të tij për të, i bëri një dhuratë që do të kishte një ndikim vendimtar në ardhmërinë e fshatit: një laborator alkimie.
    Asokohe Melquíades-i ishte plakur me një shpejtësi të habitshme. Në fillim të udhëtimeve dukej në një moshë me José Arcadio Buendía-n, por ndërsa ky e kishte ende fuqinë e tij të pazakontë që e shembte një kalë përtokë duke e mbërthyer për veshësh, ciganin dukej sikur e gërryente një sëmundje e ligë. Ishte, në të vërtetë, pasoja e gjithë atyre sëmundjeve ngjitëse të rralla që kishte marrë gjatë udhëtimeve të tij të panumërta përreth botës. Siç i tregoi vetë José Arcadio Buendía-s kur po e ndihte të ngrinte laboratorin, vdekja i ishte qepur dhe po e përndiqte pas me erë, por nuk e kishte ndarë ende mendjen t’i jepte goditjen pas zverkut. Kish shpëtuar nga sa e sa fatkeqësi dhe katastrofa që kishin fshikulluar gjininë njerëzore. I mbijetoi sëmundjes së pelagrës në Persi, skorbutit në arkipelagun e Malajzisë, leprës në Aleksandri, beriberit në Japoni, murtajës me lunga në Madagaskar, tërmetit në Sicili dhe mbytjes së një anijeje të mbipopulluar në ngushticën e Magelanit. Ky burrë i jashtëzakonshëm që thoshte se kishte gjetur çelësin e Nostradamusit, ishte njeri i zymtë, i mbështjellë nga një brerore trishtimi, me një vështrim aziatik që dukej se njihte anën tjetër të sendeve. Përdorte një kapelë të madhe dhe të zezë, si krahët e shpalosur të një korbi, dhe një jelek kadifeje të lustruar nga zgjyra e shekujve. Me gjithë diturinë e tij të pafundme dhe misterin që e rrethonte, kishte peshë njerëzore, një kusht tokësor që e mbante në rrjetën e problemeve vogëlane të jetës së përditshme. Ankohej për mjerimet e pleqërisë, vuante edhe për më të voglin problem financiar dhe kishte shumë kohë që nuk qeshte më, sepse skorbuti ia kish rrëzuar të gjithë dhëmbët. Mesditën me ufëm që i zbuloi të fshehtat e tij, José Arcadio Buendía pati sigurinë se ishte fillimi i një miqësie të madhe. Djemtë u mrekulluan me rrëfenjat fantastike. Aureliano-ja, që asokohe nuk ishte më shumë se pesë vjeç, kishte për ta kujtuar tërë jetën, ashtu siç e pa atë mbrëmje, të ulur përkundrejt pasqyrimit metalik të dritares, duke ndriçuar me zërin e tij të thellë prej organoje viset më të errëta të imagjinatës, ndërkohë që prej tëmthave i rridhte lyra e shkrirë nga vapa. José Arcadio-ja, vëllai i tij më i madh, kishte për t’ua përcjellë atë pamje të mrekullueshme, si një kujtim të trashëguar, të gjithë pasardhësve. Úrsula-s, përkundrazi, i la një mbresë të keqe ajo vizitë, sepse hyri në dhomë në çastin kur Melquíades-i theu pa dashje një shishkë me biklorur zhive.
    -Mban era djall, – tha ajo.
    -Aspak, – e korrigjoi Melquíades-i. – Është provuar se djalli ka natyrë squfuri, ndërsa ky s’është veçse pak sublimor.
    Me të njëjtin ton prej mësuesi, bëri një paraqitje shkencore të vetive diabolike të cinabrit, por Úrsula nuk ia vuri veshin dhe mori me vete fëmijët për të thënë lutjet. Ajo aromë që të shponte hundët, do t’i mbetej përgjithmonë në kujtesë, e pashqitur nga kujtimi i Melquíades-it.
    Laboratori elementar – pa llogaritur një morí enësh, hinkash, distiluesish, filtrash dhe kullesash, – përmbante një atanor primitiv, një epruvetë xhami me një grykë të gjatë e të ngushtë që shkërbente vezën filozofike dhe një distilator që ciganët e kishin ndërtuar me duart e tyre sipas përshkrimeve moderne të lambikut me tre krahë të María Profeteshës. Përveç këtyre, Melquíades-i la edhe shtatë mostra metalesh që përkonin me shtatë planetët, formulat e Moisiut dhe të Zosimusit për dublimin e floririt, dhe një sërë shënimesh dhe skicash mbi procedurat e Magjisterit të Madh të cilat, nëse dije t’i zbërtheje, të mundësonin përpjekjen për të prodhuar gurin filozofal. I joshur nga thjeshtësia e formulave për të dubluar floririn, José Arcadio Buendía u përpoq me javë të tëra që ta bënte për vete Úrsula-n dhe t’i merrte mendjen që ajo ta lejonte t’i zhgroposte monedhat e saj koloniale dhe t’i shtonte aq herë sa ç’ishte e mundur të nëndahej zhiva. Úrsula u dorëzua, siç ndodhte gjithmonë përpara këmbënguljes së paepur të të shoqit. Atëherë José Arcadio Buendía hodhi tridhjetë dublonët e floririt në një enë dhe i shkriu së bashku me ashkla bakri, orpiment, squfur dhe plumb. I vuri të gjitha për t’i vluar në një kazan me vaj ricini, mbi zjarr të fortë, gjersa u përftua një shurup i trashë dhe kutërbues, i cili më shumë ngjante si karamel i zakonshëm se flori vezullimtar. Pas proceseve të rrezikshme dhe të pashpresa të distilimit, e shkrirë me të shtatë metalet planetare, e punuar me anë të zhivës hermetike dhe vitriolës së Qipros, e rivluar me sallo derri në mungesë të vajit të rrepës, trashëgimia e çmuar e Úrsula-s përfundoi në një cingaridhe të shkrumbuar, e ngjitur pas fundit të kazanit.
    Kur u kthyen ciganët, Úrsula kishte vënë tërë fshatin kundër tyre. Porse kureshtja e mundi frikën, sepse kësaj here ciganët i ranë kryq e tërthor fshatit duke bërë një zhurmë shurdhuese me të gjitha llojet e veglave muzikore, ndërsa kasneci shpallte se do të ekspozohej zbulimi më i jashtëzakonshëm i njerëzve të Nazianzusit. Andaj tërë gjindja shkoi në çadër dhe për një cent panë një Melquíades të rinuar, të shëndetshëm, pa rrudha dhe me dhëmbë të rinj vezullues. Ata që mbanin mend mishrat e tij të dhëmbëve të ngrëna nga skorbuti, faqet e flashkëta dhe buzët e fishkura, u rrëqethën nga tmerri përpara asaj prove të qartë të fuqive të mbinatyrshme të ciganit. Tmerri u shndërrua në panik kur Melquíades-i i hoqi dhëmbët e përsosur që larzonin mishin e dhëmbëve, ia tregoi publikut për një çast – një çast vetëtimë kur u kthye dhe u bë po ai njeriu i rrënuar që kishte pasë qenë viteve të shkuara, – dhe i vendosi sërish në gojë duke buzëqeshur, i sigurt për rininë e tij të rigjetur. Deri edhe vetë José Arcadio Buendía gjykoi se dijet e Melquíades-it i kishin kapërcyer kufijtë e lejuar, porse u qetësua dhe u gëzua kur cigani i shpjegoi kokë më kokë mekanizmin e protezave të tij të dhëmbëve. Ky iu duk kaq i thjeshtë dhe i mrekullueshëm, sa e humbi brenda ditës gjithë interesin që kishte për kërkimet e alkimisë, pësoi një tjetër krizë dëshpërimi, ushqehej rrallë e tek dhe e kalonte ditën duke u sjellë dhe përsjellë nëpër shtëpi. “Në botë po ndodhin gjëra të pabesueshme”, – i thoshte Úrsula-s. – “Atje përtej, matanë lumit, ka gjithfarësoj aparatesh magjike, ndërsa ne vazhdojmë të jetojmë si gomarë”. Ata që e njihnin që në kohën e krijimit të Macondo-s, habiteshin se sa shumë kishte ndryshuar nën ndikimin e Melquíades-it.
    Në fillim, José Arcadio Buendía ishte një lloj patriarku riosh që jepte udhëzime për të mbjellat, këshilla për rritjen e fëmijëve e të kafshëve dhe që bashkëpunonte me të gjithë, madje edhe në punët fizike, për mbarëvajtjen e bashkësisë. Meqë shtëpia e tij ishte që në fillim më e mira e fshatit, shtëpitë e tjera u ndërtuan duke e marrë si model në gjithçka. Kishte një dhomë ndenjjeje me hapësirë të gjerë dhe të ndriçuar mirë, një dhomë ngrënieje në formë tarrace me lule me ngjyra të gëzuara, dy dhoma gjumi, një oborr me një pemë gjigante gështenje, një kopsht të mbjellë së mbari dhe një vathë, ku jetonin paqësisht së bashku dhitë, derrat dhe pulat. Të vetmet kafshë që nuk lejoheshin, jo vetëm në shtëpi, por as në fshat, ishin gjelat e ndeshjes.
    Úrsula ishte po aq punëtore sa i shoqi. E zonja, e përpiktë, e rreptë, ajo grua me nerva të forta, së cilës nuk i këndoi goja kurrë, dukej sikur ndodhej kudo që nga mëngjesi gjer natën vonë, e përndjekur gjithmonë nga fru-fruja e ëmbël e zhuponeve të saj veref. Prej duarve të saj, dyshemetë prej trualli, muret me baltë të palyera me gëlqere, orenditë e fshatit të punuara vetë me dru, ishin përherë dritë nga pastërtia, ndërsa sëndukët e vjetër ku ruheshin ndërresat, kundërmonin një aromë të ngrohtë borziloku.
    José Arcadio Buendía, sipërmarrësi më i zot që kishte për të parë ndonjëherë ai fshat, e kishte përllogaritur në atë mënyrë pozicionin e shtëpive, që nga secila të shkohej në lumë dhe mundi për të mbushur ujë të ishte i njëjtë për të gjithë, ndërsa rrugët i hapi me aq mençuri, në mënyrë që asnjë shtëpie të mos i binte dielli më shumë se tjetrës në orën e zhegut. Në pak vjet Macondo-ja u bë fshati më i sistemuar dhe më punëtor nga tërë fshatrat me rreth treqind banorë që njiheshin gjer asokohe. Ishte, në të vërtetë, një fshat i lumtur, ku askush nuk ishte mbi të tridhjetat dhe askush nuk kishte vdekur.
    Që në kohët e themelimit të fshatit, José Arcadio Buendía ngriti gracka dhe ndërtoi kafaze. Brenda një kohe të shkurtër mbushi me turpialë, kanarina, harabela të kaltër dhe gushëkuqë jo vetëm shtëpinë e tij, por edhe shtëpitë e fshatit. Kënga e tërë atyre zogjve të ndryshëm u bë aq shurdhuese, saqë Úrsula mbylli veshët me dyllë bletësh që të mos humbiste ndjenjën e realitetit. Herën e parë që mbërriti në fshat fisi i Melquíades-it për të shitur toptha qelqi kundër dhembjes së kokës, të gjithë u habitën se si kishin mundur ta gjenin atë fshat të humbur në topitjen e moçalit dhe ciganët u rrëfyen se e kishin gjetur udhën pas këngës së zogjve.
    Ai shpirt nismëtari u zhduk në pak kohë, u fshi nga ethet e magneteve, nga përllogaritjet astronomike, nga ëndrrat alkimiste për të transformuar metalet dhe nga dëshira e zjarrtë për të njohur mrekullitë e botës. Nga një njeri që i hanin duart për punë dhe pastërtor, u kthye në dikë që dukej sikur vërtitej kot, i lëshuar, me një mjekër si drizë, të cilën Úrsula me mund të madh ia sillte në formë me një thikë kuzhine. Kishte syresh që e quanin viktimë të ndonjë magjie të çuditshme. Por edhe ata që besonin më shumë se ishte i marrë, lanë punë dhe familje dhe e ndoqën pas, kur ai hodhi mbi sup veglat e shpyllëzimit dhe kërkoi ndihmën e të gjithëve për të hapur një shteg që do ta lidhte Macondo-n me shpikjet e mëdha.
    José Arcadio Buendía nuk e njihte aspak gjeografinë e zonës. Dinte që andej nga Lindja ndodhej sierra e padepërtueshme dhe në anën tjetër të sierra-s ishte qyteti i vjetër i Riohacha-s, ku kohërave të shkuara, – siç i pati rrëfyer Aureliano Buendía i parë, gjyshi i tij – Sër Francis Drake-u gjuante për sport kaimanët duke u rënë me top, të cilët më pas i arnonte dhe i mbushte me kashtë për t’ia dërguar mbretëreshës Isabel. Në rininë e tij, ai së bashku me burrat që e rrethonin, me gra, fëmijë, kafshë dhe me gjithë takëmet e shtëpisë, përshkuan sierra-n duke kërkuar një dalje në det dhe në krye të njëzet e gjashtë muajve hoqën dorë nga ajo ndërmarrje dhe themeluan Macondo-n, që të mos merrnin sërish udhën e kthimit. Ishte, pra, një udhë që nuk u interesonte, sepse vetëm mund t’i kthente tek e shkuara. Në Jug ndodheshin moçalishtet, të mbuluara nga një shtresë e përjetshme ajke bimore, dhe universi i gjerë i kënetës së madhe e cila, sipas dëshmisë së ciganëve, nuk kishte kufij. Këneta e madhe humbiste në Perëndim në një hapësirë ujore pa horizonte, ku kishte lopë deti me lëkurë të brishtë, me kokë dhe bust gruaje, që u merrnin mendjen lundërtarëve me magjinë e gjinjve të tyre të jashtëzakonshëm. Ciganët lundronin gjashtë muaj nëpër këtë udhë ujore përpara se të arrinin brezin e steresë ku kalonin mushkat e postës. Sipas përllogaritjeve të José Arcadio Buendía-s, e vetmja mundësi kontakti me qytetërimin ishte rruga e Veriut. Kështu që pajisi me veglat e shpyllëzimit dhe me armë gjuetie po ata burra që e shoqëruan në themelimin e Macondo-s; vendosi në një çantë shpine instrumentet e orientimit dhe hartat, dhe u hodh në aventurën e çmendur.
    Ditët e para nuk ndeshën në ndonjë pengesë kushedi çfarë. Zbritën përgjatë bregut me gurë të lumit deri te vendi ku vite më parë kishin gjetur armaturën e luftëtarit dhe atje u futën në pyll nëpërmjet një shtegu me portokaj të egër. Në fund të javës së parë vranë dhe poqën një dre, por u mjaftuan duke ngrënë vetëm gjysmën dhe e kripën mishin e mbetur për ditët që do të vinin. I morën këto masa që të mund ta shtynin sa më shumë kohën kur do t’u duhej të hanin sërish papagaj, mishi i mavijosur i të cilëve kishte një shije të athët prej myshku. Më pastaj, për më shumë se dhjetë ditë, nuk panë diell me sy. Toka u bë sërish e butë dhe e lagësht, si hi vullkanik, bimësia edhe më e pabesë, klithmat e zogjve si dhe poterja e majmunëve u ndien përherë e më të largëta dhe bota u bë e trishtë përgjithmonë. Burrat e ekspeditës e ndien veten të dërrmuar nga kujtimet e tyre më të vjetra në atë parajsë lagështie dhe heshtjeje, më e hershme se mëkati zanafillor, ku çizmet zhyteshin në pellgje me vajra avulluese dhe satëret shkatërronin zambakë të përgjakur dhe salamandra të praruara. Për një javë të tërë, pothuaj pa folur, bënë përpara si somnambulë nëpër një univers angështie, të ndriçuar paksa nga përndritja e dobët e insekteve fosforeshente dhe me mushkëritë e rraskapitura nga një aromë mbytëse gjaku. Nuk mund të ktheheshin pas, sepse shtegu që hapnin duke ecur mbyllej sërish në pak kohë nga një bimësi e re e cila pothuaj rritej para syve të tyre. “S’ka rëndësi”, – thoshte José Arcadio Buendía. – “Thelbësore është të mos humbasim drejtimin”. Pa ia ndarë sytë busullës, vazhdoi t’i udhëhiqte burrat drejt veriut të padukshëm, derisa arritën të dilnin nga ajo zonë e magjepsur. Ishte një natë e dendur, pa yje, porse errësira ishte e mbushur me një ajër të ri dhe të pastër. Të kapitur nga udhëtimi i gjatë, varën hamakët dhe bënë gjumë të thellë për herë të parë pas dy javësh. Kur u zgjuan me diellin në majë, shtangën të magjepsur. Ballë tyre, në mes të fierishtës dhe palmave, i bardhë dhe i pluhurosur në dritën e heshtur të mëngjesit, ndodhej një galeon i stërmadh spanjoll. I batuar paksa në ijën e djathtë, nga direkët e tij të paprekur vareshin lefetrat e zgjyrosura të velave, në mes të pajimeve të anijes, të stolisura me orkide. Skafi i anijes, i mbuluar nga një koracë e shndritshme prej peshqish ventuzë të ngurosur dhe prej myshku të butë, ishte gozhduar fort në gurishtë. E gjithë struktura dukej sikur qëndronte në një mjedis të vetin, një hapësirë vetmie dhe harrese e mbrojtur nga babëzitë e kohës dhe zakonet e shpendëve. Në brendësi të tij, të cilën burrat e ekspeditës e eksploruan me një përkushtim të heshtur, nuk kishte veçse një pyll të dendur me lule.
    Gjetja e galeonit, që tregonte se deti ishte pranë, ia preu hovin José Arcadio Buendía-s. I dukej si një tallje e fatit të tij lojcak që detin që e pati kërkuar me mundime dhe sakrifica të panumërta, nuk e kishte gjetur kurrë dhe e gjente tani pa e kërkuar, tek i priste rrugën si një pengesë e pakapërcyeshme. Shumë vjet më vonë, koloneli Aureliano Buendía e përshkoi sërish zonën, kur tanimë ishte rrugë e rregullt e postës, dhe ajo çka gjeti nga anija, ishin brinjët e saj të shkrumbuara në mes të një fushe me lulëkuqe. Vetëm atëherë, i bindur se ajo histori nuk pati qenë pjellë e imagjinatës së të atit, pyeti veten se si kishte mundur galeoni të futej aq thellë brenda steresë. Por José Arcadio Buendía nuk e pati më atë kokëçarje kur e gjeti detin në krye të katër ditëve të tjera udhëtim, dymbëdhjetë kilometra larg galeonit. Ëndrrat e tij mbaronin përballë atij deti ngjyrë hiri, të shkumët dhe të zgjyrët, që nuk i meritonte rreziqet dhe sakrificat e aventurës së tij.
    -Punë muti! – bërtiti. – Macondo-ja qenka e rrethuar me ujë nga të katër anët.
    Ideja se Macondo-ja ishte gadishull u pranua për shumë kohë, e frymëzuar nga harta që vizatoi arbitrarisht José Arcadio Buendía kur u kthye nga ekspedita. E skicoi me tërbim, duke i shtuar me keqdashje vështirësitë e komunikacionit, sikur të donte të ndëshkonte veten për mungesën e plotë të gjykimit në zgjedhjen e vendit. “Kurrë s’kemi për të mbërritur kund”, – i ankohej Úrsula-s. – “Këtu do kalbemi për së gjalli, pa marrë asnjë përfitim nga shkenca”. Kjo bindje, që e kishte përtypur për muaj me radhë në dhomëzën e laboratorit, e bëri të ngjizte idenë për ta shpërngulur Macondo-n në një vend më të përshtatshëm. Por kësaj here Úrsula u doli para planeve të tij të ethshme. Me një punë të pamposhtur dhe të fshehtë prej milingonëze, i vuri gratë e fshatit kundër tekave të burrave të tyre, që kishin zënë të bëheshin gati për shpërnguljen. José Arcadio Buendía nuk e mori dot vesh se në cilin çast dhe si pasojë e cilave forca kundërshtare planet e tij u ngatërruan në një kokolëmsh me pretekste, pengesa dhe bishtnime, gjersa u shndërruan thjesht në një gënjim të pastër. Úrsula e vëzhgoi me një përkujdesje të pafaj, madje i erdhi pak keq për të mëngjesin kur e gjeti në dhomëzën nga fundi duke përfolur nëpër dhëmbë ëndrrat e tij të shpërnguljes, ndërsa vendoste sërish nëpër arkat e tyre pjesët e laboratorit. E la të mbaronte. E la t’i gozhdonte arkat dhe të vendoste inicialet e tij sipër me një furçë me bojë shkrimi, pa e qortuar aspak, por duke e ditur që ai e dinte (sepse e dëgjoi kur e thoshte gjatë monologëve të tij zëmbytur) se burrat e fshatit nuk kishin për ta ndjekur pas në atë ndërmarrje. Vetëm kur nisi të çmontonte derën e dhomëzës, Úrsula guxoi ta pyeste se përse po e bënte dhe ai iu përgjigj me një lloj hidhërimi: “Meqë askush nuk dëshiron të ikë, do të ikim vetëm.” Úrsula nuk u turbullua.
    -Nuk do të ikim, – tha. – Këtu do të rrimë, sepse këtu kemi lindur një fëmijë.
    -Ende s’na ka vdekur njeri, – tha ai. – Nuk je nga askund po s’pate një të vdekur në dhé.
    Úrsula ia ktheu me një vendosmëri të ëmbël:
    -Nëse duhet të vdes unë që ju të rrini këtu, do të vdes.
    José Arcadio Buendía-s nuk ia mori mendja që vullneti i së shoqes të ishte aq i pathyeshëm. U rrek ta joshte me magjepsjen e fantazisë së tij, me premtimin e një bote mrekullish, ku mjaftonte të hidhje në tokë disa lëngje magjike që bimët t’i jepnin fruta njeriut sa të dëshironte, ku shiteshin fare lirë gjithfarëlloj aparatesh kundër dhembjes. Porse Úrsula nuk u prek nga largpamësia e tij.
    -Në vend që të sillesh rrotull duke bluar fantazi të çartura, merru me fëmijët e tu, – ia ktheu. – Shikoji si janë, të braktisur në mëshirë të Zotit, njëlloj si gomarët.
    José Arcadio Buendía i mori të vërteta pikë për pikë fjalët e së shoqes. Vështroi nga dritarja, i pa të dy vogëlushët zbathur në perimoren me diell dhe pati përshtypjen se vetëm atij çasti kishin nisur të gjallonin, të ngjizur nga përgjërimi i Úrsula-s. Diçka ndodhi atëherë në shpirtin e tij; diçka e mistershme dhe përfundimtare që e shkuli nga koha e tanishme dhe e shpuri me rrymën në vise të pashkelura të kujtimeve. Ndërsa Úrsula vazhdonte të fshinte shtëpinë, të cilën tani ishte e sigurt që nuk kishte për ta braktisur sa të ishte gjallë, ai mbeti i përpirë në soditjen e fëmijëve, derisa sytë iu njomën, i fshiu me trinën e dorës dhe nxori një ofshamë të thellë nënshtrimi.
    -Mirë, – tha. – Thuaju të vijnë të më ndihmojnë të nxjerr gjërat nga arkat.
    José Arcadio-ja, më i madhi i fëmijëve, kishte mbushur katërmbëdhjetë vjeç. E kishte kokën me qoshe, flokët gjembaçë dhe ishte i krisur si i ati. Ndonëse ishte zhvilluar me të njëjtin vrull dhe kishte po atë forcë fizike si i ati, tani dukej sheshit se i mungonte imagjinata. U ngjiz dhe doli në dritë gjatë kalimit të mundimshëm të sierra-s, përpara themelimit të Macondo-s, dhe prindërit e tij lëvduan Zotin kur panë që nuk kishte ndonjë organ kafshe. Aureliano-ja, qenia e parë njerëzore që lindi në Macondo, mbushte gjashtë vjeç në mars. Ishte i heshtur dhe i tërhequr. Kishte qarë në barkun e së ëmës dhe lindi me sytë hapur. Ndërsa i prisnin kërthizën, lëvizte kokën nga njëra anë në tjetrën duke zbuluar sendet e dhomës dhe vëzhgonte fytyrën e njerëzve me kureshti, por pa u habitur. Më pas, mospërfillës ndaj atyre që afroheshin për ta soditur, e përqendroi vëmendjen tek tavani me gjethe palmash që dukej sikur do të shembej nga furia e shiut. Úrsula-s iu kujtua sërish fuqia e atij vështrimi vetëm një ditë kur Aureliano-ja i vogël trevjeçar hyri në kuzhinë, kur ajo po hiqte nga zjarri një vorbe me lëng të valuar. Midis pragut dhe derës vogëlushi tha: “Ka për t’u rrëzuar.” Vorbja ishte vendosur mirë mu në mes të tryezës, por sapo vogëlushi bëri njoftimin, ajo nisi të lëvizë pa u ndalur gjer në buzëtryezë, sikur të shtyhej nga një dinamizëm i brendshëm, dhe u bë copë përtokë. Úrsula e alarmuar ia rrëfeu ndodhinë të shoqit, por ky e shpjegoi si një fenomen të natyrshëm. Kështu ishte përherë, i huaj ndaj ekzistencës së të bijve, nga njëra anë sepse fëmijërinë e quante si një periudhë të pazhvilluar mendërisht dhe nga ana tjetër sepse ishte krejt i përpirë nga spekulimet e tij kimerike.
    Por që nga mbrëmja që i thirri fëmijët ta ndihmonin për të nxjerrë nga paketimet instrumentet e laboratorit, u përkushtoi atyre kohën e tij më të mirë. Në dhomëzën e veçuar, muret e së cilës u veshën pak nga pak me harta të pabesueshme dhe me grafikë përrallorë, u mësoi shkrim e këndim dhe aritmetikë dhe u foli për mrekullitë e botës, jo vetëm gjer atje ku shkonin njohuritë e tij, por duke i shtyrë në një marrëzi të pabesueshme kufijtë e fantazisë. Kështu ndodhi që fëmijët arritën të mësonin se në skajin jugor të Afrikës kishte njerëz aq të mençur dhe paqësorë, saqë të vetmin dëfrim kishin të uleshin për të menduar, dhe se ishte e mundur të përshkohej në këmbë deti Egje, duke kapërcyer nga njëri ishull tek tjetri gjer në portin e Selanikut. Ato rrëfime halucinante mbetën aq të gdhendura në kujtesën e fëmijëve, saqë shumë vjet më vonë, një sekondë përpara se oficeri i trupave të rregullta t’i jepte togës së pushkatimit urdhrin e hapjes zjarr, koloneli Aureliano Buendía përjetoi mbrëmjen e ngrohtë të marsit kur i ati e ndërpreu mësimin e fizikës dhe mbeti i magjepsur, me dorën në ajër dhe sytë të shtangur, duke dëgjuar së largu pipizanet, tamburet dhe zilkat e ciganëve që po vinin sërish në fshat të shpallnin zbulimin e fundit të mahnitshëm të dijetarëve të Memfisit.
    Ishin të tjerë ciganë. Djem dhe vajza të reja që njihnin vetëm gjuhën e tyre, specie të bukura me lëkurë të vajosur dhe duar të zgjuara, vallet dhe muzika e të cilëve mbollën një panik gëzimi zhurmëmadh nëpër rrugë, me papagajtë e ngjyrshëm që recitonin romanca italiane, me pulën që pillte njëqind vezë të arta nën tingullin e dajres, me majmunin e stërvitur që të gjente mendimin në kokë, me makinën gjithëbërëse që shërbente në të njëjtën kohë për të qepur kopsa dhe për të ulur temperaturën, me aparatin për të harruar kujtimet e këqija, me melhemin për të vrarë kohën dhe një mijë shpikje të tjera aq mendjeholla dhe të rralla, saqë José Arcadio Buendía do të kishte dashur të shpikte makinën e kujtesës që të mund t’i mbante mend të gjitha. Brenda një çasti e shndërruan fshatin. Banorët e Macondo-s befas humbën nëpër vetë rrugët e tyre, të trullosur nga panairi gumëzhitës dhe i rrëmujshëm.
    Duke i mbajtur të dy fëmijët për dore që të mos i humbiste në atë tollovi, duke u përplasur pas pehlivanëve që i kishin dhëmbët të koracuar me flori dhe zhonglerëve me gjashtë krahë, frymëmarrë nga afshi i bajgave i përzier me aromë santali që lëshonte turma, José Arcadio Buendía kërkonte si i çmendur gjithandej Melquíades-in, që t’i zbulonte pafundësinë e të fshehtave të atij makthi përrallor. Iu drejtua disa ciganëve që nuk ia kuptuan gjuhën. Më në fund, mbërriti te vendi ku Melquíades-i zakonisht ngrinte çadrën dhe takoi një armen fjalëpakë i cili po njoftonte në spanjisht për një shurup që të bënte të padukshëm. Kishte rrëkëllyer me fund një gotë me substancën e qelibartë, kur José Arcadio Buendía çau rrugën me bërryla në mes të grupit që vështronte i shtangur shfaqjen dhe arriti t’ia bënte pyetjen. Cigani e mbështolli në klimën e marrtë të vështrimit të tij, përpara se të shndërrohej në një pellg zifti kutërbues dhe të avullt, përmbi të cilin pluskoi jehona e përgjigjes së tij: “Melquíades-i vdiq.” I goditur nga lajmi, José Arcadio Buendía mbeti i ngrirë, duke u përpjekur të merrte veten nga hidhërimi, gjersa njerëzit u shpërndanë në kërkim të të tjera mrekullive dhe pellgu i armenit fjalëpakë u avullua i tëri. Më vonë, të tjerë ciganë i pohuan se, në të vërtetë, Melquíades-i kishte vdekur nga ethet në dunat e Singaporit dhe trupin e tij e kishin hedhur në vendin më të thellë të detit të Java-s. Fëmijëve nuk u interesoi lajmi. E kishin mendjen vetëm që i ati t’i çonte të shihnin risinë e mrekullueshme të dijetarëve të Memfisit, të cilën e kishin shpallur në hyrje të një çadre që, siç thoshin, kishte qenë e mbretit Solomon. Këmbëngulën aq shumë, sa José Arcadio Buendía pagoi të tridhjetë realet dhe i shoqëroi deri në qendër të çadrës, ku rrinte një gjigant me kraharorin leshator dhe kokën të rruar, me një unazë bakri në hundë dhe një zinxhir të rëndë hekuri në kyçin e këmbës, që i bënte rojë një sënduku piratësh. Kur gjiganti hapi kapakun, sënduku lëshoi një frymë ngrice. Brenda ndodhej vetëm një bllok i stërmadh i tejdukshëm, me një pafundësi gjilpërash në brendësi të tij, ku vinte dhe copëtohej në yje të ngjyrshëm dritësimi i perëndimdiellit. I hutuar, duke ditur se fëmijët po prisnin një shpjegim të menjëhershëm, José Arcadio Buendía guxoi të pëshpëriste:
    -Është diamanti më i madh i botës.
    -Jo, – e korrigjoi cigani. – Është akull.
    Pa kuptuar gjë, José Arcadio Buendía zgjati dorën drejt bllokut të akullit, por gjiganti e shmangu. “Edhe pesë reale për ta prekur”, – i tha. José Arcadio Buendía i pagoi, vuri dorën përmbi akull dhe e mbajti për minuta të tëra, ndërsa zemra i gufonte me frikë dhe gazmim nga kontakti me misterin. Pa ditur ç’të thoshte, pagoi dhjetë reale të tjera që të bijtë të përjetonin eksperiencën që të linte pa mend. José Arcadio-ja i vogël nuk pranoi ta prekte. Aureliano-ja, përkundrazi, bëri një hap para, vendosi dorën dhe e tërhoqi menjëherë. “Po vlon”, – thirri ai i trembur. Por i ati nuk ia vuri veshin. I dehur përpara asaj mrekullie të vërtetë, atë çast e harroi dështimin e ndërmarrjeve të tij të çartura dhe trupin e Melquíades-it të hedhur si ushqim për kallamarët. Pagoi edhe pesë reale të tjera dhe e vuri dorën përmbi bllokun e akullit, siç betohet dëshmitari mbi librin e shenjtë, dhe thirri:
    -Kjo është shpikja më e madhe e kohës sonë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË