Që kur lexova njërin pas tjetrit romanet madhështore të Marguerite Yourcenar-it, Kujtimet e Hadrienit dhe Opus Negrum,mora vetë me vete një vendim të pakthyeshëm: nuk do t’i futesha kurrë përkthimit të asaj shkrimtareje të vështirë, përndryshe erudicioni i saj i frikshëm, i hedhur plot bujari në veprat e saj, i cili më pati mrekulluar gjatë leximit të zakonshëm, rrezikonte të më zinte frymën po të guxoja t’i shkoja gjer në ashtë tekstit të saj, – ta përktheja. Një lloj shqetësimi më minonte gjithsaherë shijimin e leximit moskokëçarës, pse gjithsaherë pavetëdija e zejes sime më detyronte të vija në peshore veprat që mund të përktheja dhe ato që s’m’i hante syri. Ky ishte kryqi i përkthyesit. Yourcenar-i më trembte. Dhe mundohesha t’i rrija larg. Qëndrova e patundur në vendimin tim deri ditën kur shkova në Kolegjin e Përkthyesve në Arles të Francës, për të përkthyer një vepër nga letërsia bashkëkohore franceze. Arli më preu në besë. Më ndodhi diçka e pabesueshme. E jashtëzakonshme. Halucinante.
Nuk kisha vendosur ende se çfarë do të përktheja, mendjemarrë nga perspektiva e vizitës së Parisit, e kafeneve, librarive, teatrove të tij, kur dola nga aeroporti Charles De Gaulle dhe shoqëruesja e Ministrisë së Jashtme franceze, që më kish dhënë një bursë përkthimi, më bëri pyetjen rutinë, e cila më zuri gafil: “Çfarë do të përkthesh?” Përpara se të ndërmerrja udhëtimin, kisha bërë një listë me disa vepra të shkrimtarëve të njohur francezë të kohës, të cilat i njihja mirë dhe që ndodheshin në mediatekën e njohur të Kolegjit të Përkthyesve, ku domosdo e kisha përjashtuar Yourcenar-in e frikshëm. U kapa në çast, pa e vrarë mendjen gjatë, pas një emri nga lista që m’u kujtua atij çasti, dhe mërmërita: “Michel Tournier.” Më pas, ndërsa makina ecte nëpër rrugët e humbura nën një shi hollak e të vakët, e mendova seriozisht: “Po sikur të përktheja me të vërtetë një vepër nga Tournier?”
Mekanizma të mistershëm fillojnë të punojnë në mendjen e një përkthyesi në çastin që ai ndodhet përpara mëdyshjeve të zejes të tij dhe shpesh vendosin për të, sepse sado që mundohesha të zgjidhja një vepër, qoftë nga Tournier apo nga shkrimtarët e tjerë të listës sime, nuk po ia dilja dot.
Ishte fillimpranvere, i ftohti i Provences ishte zbutur dhe ngjyrat e tablove të Van Gogh-ut kishin përmbytur Arlin vezullues. Kolegji i Përkthyesve ndodhej në ngrehinën e dikurshme të Hotel de Dieu,e cila mbahej në këmbë që nga shekulli XVI, në hapësirën Van Gogh. Ishte restauruar e tëra dhe ambientet brenda ishin të modernizuara, por më mjaftoi të shihja në tavanin e dhomës sime dykatëshe trarë të mëdhenj e të zhveshur dhe pranë tyre ca dritareza papafingoje që sillnin nga jashtë gugatje pëllumbash në pranverë, për të kuptuar se lashtësia, që ndillte një vetmi të çuditshme, do të ishte përherë me mua. Ishte një klimë e mrekullueshme për të përkthyer.
Thashë një lutje të Shën-Jeronimit – shenjtit mbrojtës të përkthimit – për t’u çliruar nga mëdyshja që më kish kapluar si sëmundje e ligë dhe për të zgjedhur pa humbur kohë veprën që do të përktheja. Atë pasdite, ndërsa në oborrin e brendshëm të Kolegjit kishin ndërtuar, brenda disa orëve, një lulishte të mrekullueshme me lehe lulesh, ndodhi diçka. Pascale Delpech, banore po ashtu atëkohë e Kolegjit, e veja e Danilo Kishit dhe përkthyese e veprës së tij në frëngjisht, që mbante në sy një trishtim të pangushëlluar për humbjen e të shoqit dy vjet më parë, më vuri në dorë një libër. “Novelat orientale të Yourcenar-it”, – më tha. – “Nëse nuk e ke lexuar, do të të pëlqejë shumë. Ka legjenda ballkanase të mrekullueshme”.
I lexova me një frymë Novelat orientale, ishin magjike. Kur mbarova novelën e fundit, mendova se i kisha lexuar shpejt dhe se duhet t’i lexoja sërish, kësaj herë më shtruar, që të mund t’i shijoja më mirë. Sigurisht, vendimi që kisha marrë për të mos e përkthyer Marguerite Yourcenar-in vazhdonte të ishte i palëkundur. I pakthyeshëm. Andaj isha e lirë, pa zgjedhën e përkthimit në qafë. Teksti ndodhej përballë meje, vetëm për kënaqësinë time. Në të vërtetë, në leximin e dytë, të tretë e më pastaj, nisa të zbuloja aq shumë detaje të fshehta të atyre rrëfimeve të jashtëzakonshme, të cilat nuk më ishin shfaqur më parë, saqë deri mendova se ato krijoheshin gjatë leximeve të mia, aq të padukshme ishin gjatë leximeve të para, dhe se bëja mirë të vazhdoja me këto lexime për të përftuar, më në fund, kulmimin e bukurisë, shijes dhe aromës së tyre. Lexoja ditën, lexoja natën, aq sa mendova se fati im në atë kolegj përkthimi nuk kish për të qenë përkthimi, por leximi i thellë, i përqendruar, pasionant, i pandërprerë, i përsëritur gjer në përsosmëri i Novelave orientale. Tejzat e thurimës së tekstit të Yourcenar-it ishin hapur përpara syve të mi, njëlloj si nën bisturinë e pamëshirshme të një kirurgu të kobshëm. Papritur, Novelat… u futën brenda meje, u shkrinë tek unë, u bënë mishi, gjaku dhe shpirti im, aq sa nisi të zbehej kufiri ndarës midis meje dhe autores. E shijoja pafundësisht këtë gjendje magjepsëse që më jepte një pushtet të madh mbi atë tekst qiellor, ndërsa vuaja tmerrësisht nga vargonjtë e atij pushteti, brenda ferrit zhuritës të Novelave orientale…
Ëndërroja syhapur sikur e shoqëroja unë plakun Vang-Fo udhëve të mbretërisë Han; recitoja përpara princit Genghi poezi që dilnin nga goja e Zonjës-së fshatit-të luleve-që bien; një ditë u dashurova edhe unë me nimfat e ujit, njëlloj si burri i marrosur prej tyre; dhe vajtova me lot të nxehtë orë më vonë fatin e Rozafës, nuses së re të murosur në kalanë e Shkodrës. Një ndajnatë, ishte dita e katërt e qëndrimit tim në Kolegj, ndërkohë që lëngoja nga zjarri i pasionit të Novelave orientale dhe leximi i shumëfishtë më kish krijuar një çakërdisje nervore, në dritën e paktë dhe të kaltër që hynte nga dritarja e hapur e dhomës sime të punës, shqova zonjën e madhe të letrave të botës që ishte ulur në tryezën time të shkrimit, në karrigen time, dhe po shtypte ethshëm në makinën time të shkrimit për udhëtime “Erika”. Iu avita ngadalë, me çapat që i hidhja plot kujdes përmbi realitete të panjohura, me zemrën që më rrihte fort dhe me librin e saj në dorë, të cilin nuk e ndaja më nga vetja; i dola mbas shpine në majë të gishtërinjve që të mos ia tërhiqja vëmendjen, iu avita më shumë dhe nuk u besova syve: Marguerite Yourcenar-i po shkruante në shqip legjendën e Rozafatit… Pashë qartë titullin e novelës: Qumështi i së vdekurës. Me siguri ishte ndonjë lajthitje, sepse titulli në origjinal, në frëngjisht, ishte Le lait de la mort, pra Qumështi i vdekjes. Dyshime të egra më kapluan vrullshëm. Lëvdova Shën Jeronimin që ndodhesha aty dhe që po konstatoja shndërrimin e gabuar të tekstit në gjuhën time. Apo mos vallë autorja kishte të drejtë ta ndryshonte?! Jo, nuk duhej lejuar, duhet të veproja me ngut dhe sigurshëm…
Zgjata dorën me kujdes përmbi supin e saj dhe vendosa, sa më lehtë që munda, dorën e djathtë përmbi dorën e saj të djathtë. Prita zemërdredhur. Nuk e hoqi dorën. Atëherë guxova dhe vendosa edhe dorën e majtë përmbi dorën e saj të majtë me kraharorin të mbështetur pas shpinores së karriges. S’kaloi shumë dhe të katër duart nisën të lëviznin me shpejtësi përmbi tastierë. Më vonë shpejtësia u kthye në një uragan të papërmbajtshëm që shkruante në shqip Novelat orientale… Ditë e net me radhë. Kishte ndodhur. Nuk ishte përkthim, nuk e kisha shkelur vendimin tim përbetues. Ishte mishërim.
Mbaj mend se paskëtaj, e rraskapitur për vdekje, fjeta tri ditë me radhë. Mbrëmjen e ditës së katërt u përmenda nga bisedat me zë të lartë dhe gazmimi i përkthyesve-banorë të Kolegjit që pinin pastis së bashku me shkrimtarë dhe artistë të Arlit në verandën e bukur të Babelit tonë dhe rrëmuja e një feste pa emër që ishte derdhur rrugëve të qytetit.
Përpara se t’u bashkohesha festarëve, i kalova nëpër duar njëra pas tjetrës fletët e shumta që ishin bërë pirg pranë makinës së shkrimit përmbi shkrimëtore, për të admiruar punën e bërë; aty ndodheshim ende, shkrimtarja e botës dhe unë, duke lëmuar, duke ndryshuar rendin e fjalëve në shqip, duke krahasuar, duke përzgjedhur nga e para të tjera nuanca leksikore, duke matur kadencën e muzikës së atij teksti madhështor, pafundësisht, me një marrëzi që i bënte nder thënies, e cila vinte shenjën e barazimit midis përkthimit dhe çmendurisë…
Mund të kish vazhduar në jetë të jetëve. Por diçka ndodhi në kohën njerëzore që unë i dhashë fund një pune të pafundme dhe dola lehtazi e pa u ndier nga teksti i mrekullueshëm, si flutura nga krizalida, për të lënë përballë njëri-tjetrit Marguerite Yourcenar-in dhe lexuesin shqiptar, në këto novela të mrekullueshme orientale.