Gruan shtatvogël me sy të mëdhenj plot dritë dhe energji të jashtëzakonshme, e njoha personalisht fundviteve 80’, kohës kur punoja si përkthyese letrare në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Ishte si një takim i gëzuar me fëmijërinë e largët. Fati kish dashur që të ndaja zyrën me të paharruarin Odise Grillo, shkrimtarin tim të dashur të vogëlisë dhe më pas bashkëpunëtorin dhe mikun e shtrenjtë. Kur Shpresa vinte në zyrën tonë për t’u takuar me Odisenë, i cili merrej me redaktimin e librave të letërsisë për fëmijë, ajo kishte gjithmonë një buzagaz në fytyrë, pavarësisht halleve dhe mundimeve të jetës së saj, dhe gjithçka kthehej në magji: Odiseja nxirrte përherë nga sirtarët një grusht arra, ndonjë mollë dhe kish raste edhe pak verë Vunoi në gota plastike për të na gostitur, dhe niste bisedën për librat e të vegjëlve, të cilës më pas i jepte zjarr Shpresa. Fillonte me librin që po përgatiste secili për shtyp, apo me librin në proces shkrimi dhe me librat e autorëve të tjerë. Më pas vinte shpalosja e projekteve të të dyve për të ardhmen … Sa shumë projekte! Sa shumë ide, sa shumë personazhe përrallash parakalonin në zyrën tonë të vogël!
Andej nga fundi i shpalosjes së projekteve letrare, kur ishte folur tanimë për përshtatjen e “Historisë së Skënderbeut”të Naim Frashërit për fëmijët, për aventurat e veshkaushëve e të tjerëve, ata më ktheheshin mua. Isha, po ashtu, projekti i të dyve. Gjer atë kohë isha marrë, më së shumti, me përkthime, qoftë nga letërsia për fëmijë dhe qoftë nga letërsia për të rritur. Shkruaja edhe tregime, kisha botuar ndonjë syresh në gazetën “Drita”. Porse nxitja e tyre e njëmendtë ishte: “shkruaj letërsi për të vegjlit!” “Është një mënyrë e jashtëzakonshme komunikimi”, thoshte Shpresa; “Është një urë lidhëse mes të rriturive dhe fëmijëve”, vazhdonte Odiseja, “përçon vlera kulturore të jashtëzakonshme te fëmija-lexues. Por edhe arrijmë të themi të vërteta që nuk i themi dot për të rriturit” vijonte ai dinakërisht dhe me humor, duke i bërë nder emrit që mbante. “ Vetëm imagjina e tyre i pranon natyrshëm tërë marrëzitë tona krijuese”, i vinte kapakun Shpresa, duke buzëqeshur si përherë. Me siguri kjo thënie e saj më nxiti të krijoja një personazh krejt të pazakontë në letërsinë shqipe për fëmijë të atyre viteve, i cili me kohë u pat vënë flakën ëndrrave të mia : Xhuxhi i detit – krijesa e jashtëzakonshme me shtatëpëllëmbë trup dhe tripëllëmbë mjekër të kaltër. Dhe rrëfenjat e tij. Ishte një përmbledhje përrallash me personazhë nga më të padëgjuarit dhe më të pabesueshmit për kohën. Nuk do kisha guxuar ta paraqisja për botim, nëse nuk do kisha mbështetjen plot dashamirësi të Shpresës dhe Odisesë, miqtë e mi me besë, që ishin lexuesit e saj të parë. Kështu hyra në aradhen e atyre shkrimtarëve që ruanin në zemër si askush magjinë e fëmijërisë.
Viteve të lirisë së rigjetur, Shpresa Vreto u kthye në një nga misionaret e jashtëzakonshme të librit për fëmijë. Të pajisjes së fëmijëve me kulturën e leximit. Ishin vite shumë të vështira. Të vështira edhe për librin për fëmijë, të cilin ajo e kish parë të shitej kioskave së bashku me revista pornografike dhe ishte tronditur.
Me nismën e saj dhe me bashkëpunimin e një grupi shkrimtarësh, përkthyesish dhe ilustratorësh, u krijua gazeta “Sirena e vogël”dhe më vonë “Bota ime”. Më kujtohet qartazi pasdrekja në shtëpinë e Shpresës në Rrugën e Kavajës, kur pagëzuam gazetën e parë për fëmijë të kohës. Unë kisha propozuar “Xinxifillua” si emër, librin e mrekullueshëm të Mitrush Kutelit dhe të parin libër që kisha lexuar vetë; pastaj “Princi i vogël”. Shpresa ishte për të shqyrtuar titujt e përrallave të klasikëve të botës: përmendëm përrallat e Grimëve, të Perraut-së, Andersenit… Për dashurinë e Andersenit fitoi “Sirena e vogël”. Albana, e bija e Shpresës dhe piktore e talentuar, vizatoi sakaq një sirenëz të bukur të kaltër, e cila do të bëhëj logoja e gazetës. Nisën të dilnin numrat e parë. Shpresa fluturonte nga gëzimi; të gjithë kontribonim sa mundnim. U botuan shkrime për fëmijë, përkthime, krijime origjinale. “Libri dhe leximi do ta ndryshojnë botën” ishte lajtmotivi i gazetës. Më kujtohej që krijova një rubrikën time në gazetë të titulluar “Karkanxholli i pyllit të librave”, me rrëfenja krijesash imagjinare, një pjesë të “peshkuara”në folklorin tonë. Shumë shpejt, “sirena e vogël”u bë tejet e dashur për fëmijët, një ushqim i shëndetshëm kulturor, por edhe argëtues. Në sajë të Shpresës së paepur. E kam përpara syve se si me çanta në shpinë, të mbushura deng me gazeta, ajo dhe Vasili fisnik, i shoqi që e ndihte shumë në gjithçka, shkonin shkollë më shkollë për t’i shpërndarë. Jo vetëm në shkollat e Tiranës, edhe në ato të fshtrave, por edhe të qyteteve të tjera.
Shpresa Vreto gëlonte nga idetë avanguardiste. Punonte palodhshëm. Aktivitetet që krijonte dhe realizonte për librin dhe fëmijët qenë të panumërta. Me ndihmën e UNICEF-it krijoi Bibliotekën e Përrallave për fëmijë te Pallati i Kulturës, me një fond prej disa mijëra librash, të cilën e drejtoi me shumë sukses për 12 vjet me radhë. Ishte një ambjent i mrekullueshëm, kam shkuar disa herë për t’u lexuar fëmijëve të shumtë që vinin aty, përralla nga librat e mi, apo të autorëve botërorë që kisha përkthyer. Pjesa më argëtuese ishte kur Shpresa i nxiste fëmijët të shprehnin mendimin e tyre mbi përrallën e lexuar, por edhe pritshmërinë që kishin mbi përfundimin e saj. Shpesh dëgjoja që së bashku me ta, krijonte variante të ndryshme përrallash, sipas humorit dhe dëshirës së fëmijëve.
Shpresa arriti që ta anëtarësonte Shqipërinë në IBBY, Organizata ndërkombëtare e zhvillimit të librit për fëmijë dhe të rinj, e cila kishte si qëllim kryesor krijimin e kushteve që çdo fëmijë në botë të ketë mundësi të sigurojë libra për moshën e tij me cilësi të lartë artistike. Merrte pjesë në kongreset e IBBY-t, në panairet e tij të librit ku njihej me të rejat e botimit të librave për fëmijë dhe të rinj, siguronte libra nga fondacionet e huaja, por edhe nga shkrimtarët për shkollat dhe Bibliotekën e përrallave. Shqipëria u vlerësua me një çmim nga IBBY për “Qendrën e leximit”. Më kujtohen përpjekjet e saj që autorët shqiptarë të kandidonin për Çmimin “Andersen”, Nobelin e letërsisë për fëmijë, që i dorëzohet autorit fitues nga dora e mbretëreshës së Danimarkës.
Shumë kujtime vijnë e më mpiksen në mendje tani që Misionarja e pashembullt e librit të të vegjëlve nuk është më. Shumë nderim ndiej për të, shumë mirënjohje. Metafizika e shuarjes, e vdekjes ma turbullon shpirtin. Porse zemra më thotë se sirenat e saj të vogla tani janë rritur, kanë hedhur shtat, kanë këmbë njeriu në vend të bishtpeshkut dhe vijojnë ( kam besim të palëkundur se kudoqofshin a në çdo lloj forme qofshin), të mbjellin farën e librit dhe të leximit te fëmijët. Që bota të bëhet më e mirë. Zemra më thotë se Sirena Nënë vetëm se është shndërruar në shkumë deti për të udhëtuar e lirë oqeaneve të pafund…