More
    KreuOpinionMira Meksi: Dashuria e penguar e Gabriel García Márquez-it

    Mira Meksi: Dashuria e penguar e Gabriel García Márquez-it

    Historia e një kurthi gjenial letrar

    Aty rreth viteve ‘65, në rrethin e ngushtë të miqve të Gabo-s, siç i thërrisnin miqtë Gabriel García Márquez-it, pëshpëritej se ai përvëlohej nga një dashuri e fshehtë, e penguar apo e pamundur. Disa thoshin se ishte një vajzë meksikane me një bukuri të rrallë, e cila e kish refuzuar dashurinë e tij. Asokohe lindi edhe ideja e shkrimtarit se dashuria e penguar ka aromën e bajameve të hidhura.

    Këto hamendësime u kthyen zhurmshëm viteve ’80. García Márquez-i lëngonte nga një dashuri e penguar apo e pamundur, përherë e njëjta. Një thashethemnajë e dendur me këtë temë ish përhapur ndër rrethet e shkrimtarëve dhe artistëve panhispanikë edhe në vitet ’90 e më pas. Tani flitej për një studente, ja peruane, ja kolumbiane, e cila studionte në Barcelonë për arkitekturë asokohe, në vijim të hamendësimeve të viteve ‘80. Gojë pas goje, pëshpëriteshin kursyerazi gjer dhe tiparet e saj: lëkura e mrekullueshme ngjyrë gruri, sytë si bajame të blerta dhe ecja prej sorkadheje, apo luaneshe. Shkrimtari 52 vjeçar, një nga më të mëdhenjtë e botës, nobelisti i 2 viteve më vonë, refuzohet sërish dashurisht nga 22 vjeçarja e asohershme, për t’u kthyer në idengulitje dashurore, dhe më pas letrare për shkrimtarin. Gjer kur më 2004, rreth 40 vjet më pas, ai arriti ta bënte “të vetën”, por vetëm në letërsi. Ia vlejti barra qeranë; paskëtaj, Márquez-i 70 e kusur vjeçar gjeti paqen e kërkuar.

    Nuk është e lehtë të shpjegohet odiseja e një ndjenje kaq të fuqishme tek një shkrimtar i tillë, dhe ca më vështirë akoma të shpjegohet ngërthimi i hatashëm e pa kufij realë i jetës së vërtetë me letërsinë, fiksionin dhe rremtësinë, te një shkrimtar. Për ta patur të lehtë shpjegimin, do të mundohem të paraqes së pari fakte, që do ta bëjnë më të kollajtë të kuptuarit e gjithë sa më sipër:

     Thuhet se shkrimtarët jetojnë disa jetë, thuhet se jetojnë e përjetojnë edhe vdekjen në të gjallë të tyre, ka nga ata që arrijnë gjer të shijojnë përtejvdekjen, përjetësinë, ose më mirë, që arrijnë t’ia ndiejnë aromën në paradhomën e saj; mundësitë e tyre janë shumë më të mëdha se ato të vdektarëve të tjerë, – nganjëherë fati i tyre i përgjan fatit të perëndive a të vetë djallit. Sa për dashurinë, thuhet se me të është marrëdhënia më e koklavitur, më e shumëfaqtë dhe më interesante që kanë; ajo është “arketipi” i tyre i shumëfaqtë “qiellor”, Dionis egërshan, Apolon maskues dhe Eros krijues njëhershëm; për këtë arsye, është kyçi i fuqisë së tyre, lënda muzore ku ngjyejnë penën, veglëria që u kurdis vrumbujt e zemrës, kodet dhe algjebrat e fshehta të alkimisë së reales, arsyeja pse marrin frymë; ka raste, është thembra e Akilit; ndodh, po ashtu, që është pikërisht ajo që u err sytë, i qorrollis udhëve pa krye, gjersa i vidhis përgjithmonë, si të ishin kukulla të pavlera, njëlloj si vdektarët e rëndomtë. Porse shumëkush siguron se ata e njohin mirë, se e kanë “zbutur” që në fillim të kohërave hyjninë xhindake, se dinë t’i vjelin eliksirin, edhe kur sjell me shumicë hidhësirë, lëndim, e vuajtje, se kanë një arsenal të tërë armësh për ta bërë zap dhe për ta vënë në shërbimin e tyre, se luajnë me të, i ngrehin çarqe, i ngrejnë gracka, se përkundrazi, kur dashuria rebelohet, kur nuk i qas, kur i përbuz, kur i zbon si rrjepacakë, kur ikën dhe arratiset me të katra prej tyre, ata gjakëndizen dhe si gjuetarë të përbetuar i vihen nga pas si Erosi Afërditës, e ndjekin dhe e përndjekin, kudoqoftë, në tokë, në hënë, në diell, në kohë e përtejkohës, në varr e në vdekje, gjersa e arrijnë me çdo kusht, i hedhin lason mbi qafë si një kafshe të egër dhe e kthejnë në grua, në letër, gërma dhe gjak që ushqen e larton shpirtin e tyre, ndërkohë që torturohen, copëtohen, poshtërohen, gjunjëzohen, vdesin e ngjallen në këmbët e saj… Shembujt janë pa fund.

     Më 1819, Stendal-it të madh i mbiu në kokë ideja e shkrimit të një monografie mbi dashurinë, një traktat ideologjik që do të shpjegonte thjesht, logjikisht, matematikisht, ndjenjat e ndryshme që vijnë varg njëra pas tjetrës dhe që përbëjnë në të tërën atë që quhet pasioni i dashurisë: Imagjinoni një figurë gjeometrike shumë të koklavitur të vizatuar me shkumës përmbi një pllakë të madhe: mirë pra!, thotë shkrimtari, Tani kam për ta shpjeguar këtë figurë gjeometrike, por me një kusht të domosdoshëm, duhet që figura të ekzistojë tashmë përmbi pllakë, unë s’mund ta shpik atë. Ajo çka kërkon  Stendal-i si kusht për të ngjizur veprën më të detajuar mbi fazat e lëngimit të shpirtit të quajtur dashuri, që doli në dritë më 1822, si shqyrtimi më i madh dhe më i saktë filozofik i shkruar ndonjëherë për këtë ndjenjë: De l’Amour, (Mbi Dashurinë), ishte që lexuesi të cilit i drejtohej ta kish parë (ndjerë) dashurinë. Po si mund të shihet e dallohet pagabueshëm dashuria? Shpesh ajo krahasohet me atë që në qiell quhet Udha e Qumështit, një pirg vezullues i formuar nga mijëra yje, ku secili prej tyre mund te jetë një mjegullimë. A nuk qorrolliset njeriu i ngratë në mes të mjegullimës? A nuk beson se është përjashtë kur është brenda dashurisë dhe se është brenda kur në fakt është fare jashtë saj? Tërë talenti i Stendal-it shkëlqeu në veprën që edhe sot nuk njeh të dytë dhe që ai e shkroi, në të vërtet, si një fatkeq dashurie dhe me qëllimin e qartë, porse të fshehtë, për të prekur dhe lidhur pas tij zemrën e gruas që dashuronte, ndërkohë që ajo e kish refuzuar ngulshëm, “koka më krenare e Milanos”, Mathilde Viscontini, e dashura e dikurshme e Ugo Foscolo-s, shkrimtarit të madh italian. Nëpërmjet kësaj vepre, ai mëton të komunikojë me Mathilde-n, t’i rrëfejë ndjenjën e tij të jashtëzakonshme për të dhe të rrihte t’i provonte, nëpërmjet përshkrimit të gjithë gjendjeve dhe hamendësive të lëngimit dashuror, por edhe të vetë flakës së tij të shpirtit, se edhe ajo e kishte, pa e kuptuar ndoshta, apo syveshur nga krenaria e pamendtë, po të njëjtën ndjenjë; në fund të fundit, shpresonte t’i ngjallte mëshirë për vuajtjet e tij. Mathilde vdes disa vjet më vonë dhe shkrimtari vazhdon të shkruajë veprën me zemrën plot nga dashuria platonike për të.

    Gjithsesi, dinakëria e Dante Alighieri-t e kalon ku e ku mendjen e mprehtë të Stendal-it; ai është Mjeshtri: i dashuruar marrëzisht me Beatrice-n, i refuzuar përherë prej saj, kur e humbet përgjithmonë dhe pa shpresë, sepse ajo vdes, Aligheri ndërton veprën më të madhe letrare të të gjitha kohërave, Komedinë Hyjnore, me qëllimin e vetëm: të takojë gruan e zemrës së tij. Poeti luan me të gjithë fiksionin, prosedetë simbolike, vizionet e ëndrrës dhe, duke ndërtuar poemën e madhe, arrin të ndërkallë edhe takimin me të në Parajsën e dëshirës dhe dashurisë safi  – i ngre kurth Beatrice-s, e detyron të takohet me të. Vargjet më patetike që letërsia ka arritur ndonjëherë, për hir të lëndës tragjike që ngërthejnë, janë ato që përshkruajnë “ kthimin e Beatrice-s në burimin e përjetshëm të dritës” dhe “buzëqeshja e fundit e Beatrice-s” mund të interpretohet si një shpresë e vagullt për Aligheri-n, – ndoshta ajo e ka pranuar më në fund dashurinë e tij.

    Për Márquez-in ishte mbase më e lehtë të vepronte si paraardhësit e tij të shquar. Ka shpirtin, mendësinë, praktikën dhe prosedetë e tyre, porse ai shkon shumë më larg: në krye të herës, në romanin e tij që do bëhej legjendë për njerëzimin “ Njëqind vjet vetmi” në portretin e Remedios bukuroshes nga Macondo, ata që ia njohin brengën dashurore njohin portretin e vajzës meksikane me bukuri të rrallë që i pat djegur atij zemrën. Por Remedios bukuroshja është e paarritshme: ajo është krijesë e një bote tjetër dhe ngjitet në qiell. Po në këtë roman, Marquez-i ngulmon dhe e ndërton sërish të dashurën e tij refuzuese në një tjetër personazh që i përket gjakut të Remedios bukuroshes, por në një brezni më të vonë, Amaranta Ursula që ka pothuaj të njëjtën bukuri dhe fuqi ngashnjyese si Remedios bukuroshja. Përpjekjet e tij për ta bërë të vetën dështojnë: jo vetëm ajo nuk e përfill dhe dashurohet me Mauricio Babilonia-n, nipin e saj, por tragjikisht i sjell edhe fundin tërë breznive të Buendiave.

     Pothuaj pesëmbëdhjetë vjet më vonë, në tregimin “Avioni i bukuroshes së fjetur”, shkruar më 1982, vit kur mori edhe Çmimin Nobel, García Márquez-i përshkruan për herë të parë, me zemër në dorë dhe me rrëfim në vetë të parë (kjo është e rëndësishme), duke e nxjerrë jashtë të fshehtën, gruan e dashurisë së tij: Ishte e bukur, elastike, me një lëkurë taze ngjyrë buke dhe sy si bajame të blerta, me flokë të lëmuar e të zinj, të gjatë deri te supet, dhe një brerore lashtësie që mund të ishte hem e Indonezisë dhe hem e Andeve… “Kjo është gruaja më e bukur që kam parë në jetën time”, mendova kur e pashë të kalonte me hapa të mëdhenj e të matur luaneshe, ndërsa unë mbaja radhën për të hipur në avionin e New York-ut në aeroportin Charles de Gaulle të Parisit. Qe një fanitje e mbinatyrshme, që flatroi vetëm një çast, dhe u zhduk në turmën e korridorit… E gjen (vendos ta gjejë) sërish “fanitjen e mrekullueshme” të çasteve më parë, atëherë kur nuk e priste, kur mendonte se e kish humbur, fare pranë tij, në ndenjësen ngjitur në avion, – i ka ngritur, letrarisht, një lloj kurthi parak; jemi larg orbitave yjore lasgushiane, tashmë bukuroshja nuk ka nga lëviz: orbita e yllit të saj dhe ajo e yllit të shkrimtarit nuk pikëpriten, por shkrihen njësh, pa krijuar as kaos, as kataklizmë kozmike, por vetëm një shtëllungë misteri, një ditë e ditësuar nga “hije ëndrrash dhe resh që rrëshqasin mbi ujë”; ai mund ta sodisë i qetë, si në një kundrim platonik, për orë të tëra, madje, edhe të shijojë ndenjien me të pranë e pranë si në një “shtrat bashkëshortor”. Porse, ajo nuk jepet kollaj, ajo vazhdon që të jetë mospranuese edhe brenda këtij kurthi letrar, me një zbutje fare të vogël, një lloj lëshimi që më tepër ngjan si një kapriço (apo dredhi) femërore, e stisur për ta joshur më dhembshëm: vajza i dorëzohet gjumit të tetë orët e udhëtimit (pa një pauzë, pa një psherëtimë, pa ndërruar asnjë sekondë krahun…), por e lejon ama shkrimtarin ta sodisë: Atëherë nisa ta kundroja atë me orë të tëra pëllëmbë për pëllëmbë, dhe e vetmja shenjë jete që munda të dalloja, ishin hijet e ëndrrave që kalonin mbi ballin e saj si retë nëpër ujë… Klima e firomës së saj ishte po ajo e zërit dhe lëkura i lëshonte një fije hukamë, që s’mund të qe veç aroma e vetë bukurisë së saj… Më ngjante e pabesueshme: pranverën e kaluar kisha lexuar një roman të bukur të Yasunari Kawabata-s për pleqtë e pasur të Kyoto-s, të cilët paguanin shuma të mëdha për ta kaluar natën duke soditur vajzat më të bukura të qytetit, të zhveshura e të përgjumura me anë narkotikësh, ndërsa ata vetë jepnin shpirt nga dashuria në një shtrat me to. Nuk u lejohej t’i zgjonin, apo t’i preknin, dhe ata as që mëtonin, sepse thelbi i asaj kënaqësivjeljeje të stërholluar ish t’i sodisje të fjetura. Atë natë, duke përgjuar gjumin e bukuroshes, jo vetëm e kuptova atë delikatesë pleqërie, por edhe e jetova tërësisht. – E kush mund ta besonte?! – thashë me sedër të lënduar nga shampanja. – Të katandisesha unë në një plak japonez?! Dhe paskëtaj, vajza sërish zhduket për të, i rrëshqet nga duart, e paepur ndaj dashurisë së tij. Duket se ai e ka humbur përgjithmonë, duket sikur shkrimtari është dorëzuar, por përkohësisht; fraza e fundit, përmbyllëse e tregimit e rrëfen këtë: … dhe u zhduk gjer diellin e sotëm (këtu është shpresa se edhe mund të rishfaqet!) në amazonën e New York-ut.

    Tre vjet më vonë, më 1985, García Márquez-i boton “Dashuria në kohërat e kolerës”; për lexuesin e vëmendshëm dhe sidomos për miqtë që ia njohin brengën, libri pesëqind faqësh është romani i dashurisë së penguar a të pamundur par excellence. Shkrimtari i madh, përveçse i përjeton shijen, nëpërmjet përtypjes së petaleve të gardeniave dhe pirjes së kolonjës litroshe, shpall faqe botës edhe aromën që ia ka zbuluar viteve të shkuara: për herë të parë në jetën njerëzore, dashuria e penguar ka një aromë, – aromën e bajameve të hidhura. Dashuria e pamundur e García Márquez-it ka aromë bajamesh të hidhura. Ishte e pashmangshme: aroma e bajameve të hidhura i kujtonte përherë fatin e dashurive të penguara… Gruaja që dashurohet është po ajo, me sytë si bajame të blerta dhe ( kësaj here) me të ecurën prej sorkadheje. Sidoqoftë, ky është edhe romani i shpresës, – burri i dashuruar jeton për dashurinë e tij të pavdekshme dhe nuk dorëzohet.

    Porse kurthin e vërtetë dhe shëronjës për të, si një lloj yshtjeje kundër mosdashurisë, shkrimtari gjenial ia ngriti të dashurës së tij refuzuese vetëm pas pothuaj 40 vjetësh vjetësh, më 2004, atëherë kur, me sa duket, kish humbur çdo shpresë se do ta kishte në jetën reale, kur pat shprehur me klithma anembanë globit dashurinë e tij për të dhe nuk pat marrë përgjigje, – duke luajtur me të gjithë format e metamorfozave mitologjike, me tërë simbolet që ka njohur letërsia që nga koha e Homerit, si njeri, si gjymëperëndi a demiurg, ai kthehet në një plak nëntëdhjetëveçar që nuk e ka njohur kurrë dashurinë, por vetëm aventurat e panumërta të seksit dhe rindërton fillin e lakut të tij, duke e marrë atje ku e pat lënë: te soditja e gjumit të bukuroshes së fjetur në avionin e linjës Paris-New York. Kësaj radhe ama, ai është tamam një plak japonez i Kyoto-s dhe ka vendosur ta shijojë gjer në fund krijesën e zgjedhur (të krijuar prej tij sipas shëmbëlltyrës së asaj që dashuron ende dhe të kthyer në një vajzuke, që të mund ta drejtojë më lehtë): adoleshenten e virgjër katërmbëdhjetë vjeçare, të lakuriqtë e të fjetur, në shtrat me të, në bordellon e fshatit piktoresk të romanit të tij të fundit “Kujtim kurvash të trishta”, ditën e nëntëdhjetëvjetorit të tij. Nuk e ka të lehtë domosdo (rrëfimi është sërish në vetë të parë), laku është ngritur mirë, ajo është përherë bri tij, kur ai e kërkon, por në gjumë dhe pa ndërgjegjegje: ai e lë të paprekur dhe natë pas nate rreh ta zbusë, t’i fitojë besimin, duke i lexuar përralla, duke i blerë dhurata, çokollata… Në fund ndodh mrekullia, adoleshentja e virgjër (vajza që ai dashuron prej më shumë se 40 vjetësh) e bordellos së fshatit piktoresk bie në dashuri me të: Ishte më në fund jeta e vërtetë, e kisha shpëtuar zemrën dhe isha dënuar të vdisja nga dashuria e vërtetë, në agoninë e lumtur të çfarëdolloj dite, pas njëqind vjetëve të mi.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË