More
    KreuLetërsiBibliotekëMiniatura nga Shazim Mehmeti

    Miniatura nga Shazim Mehmeti

    PA FRIKË

    Pa frikë. Pa fare frikë.

    Ç’prej se e ka hedhur hapin në jetë, ai bën përpara. Siç bën përpara çdo krijesë e gjallë e mangët. Siç bën përpara çdo krijesë e gjallë e mangët sa një njeri. Mangësia e bën të lumtur. Mangësia e bën të shohë larg, larg përpara tij, pa i shkuar mendja aty afër, një hap përpara vetes, aty ku e ka fundin.

    S’e shihni, ë? Ai ecën pa frikë, pa fare frikë! Sepse është i mangët dhe i lumtur, sepse nuk e di se jeta është një varr lëvizës që gjithëherë të rri një hap përpara këmbësh.

    1995


    ZËRI I JETËS

    Ai sapo ndjeu prapa vetes një zë. Ktheu kokën prapa, por kot. S’pa gjë, përveç hijes së vet që i nisej nga thembrat dhe i mbaronte tutje.

    Teksa ndërdyshej për këtë, prapa vetes një tjetër zë i erdhi. I njëjtë me atë të parin, si i dalë nga e njëjta gojë. Ai ktheu kokën prapa, lëvizi dhe këmbët për një çast, u ndal. S’pa gjë, përveç hijes së vet që i nisej nga këmbët dhe i mbaronte tutje.

    Ai akoma ndërdyshet, por s’mund të mbarojë. Zëri i jetës gjithandej e përplas me shpejtësi maramendëse, pa e lënë të kuptojë për hiçësinë që i ndodh.

    Unë e di: ky njeri, një ditë do të vdesë i pikëlluar. Dhe zëra e zëra do t’i vihen prapa për t’i thënë, se sa me fat qëlloi që jetoi i paditur. Por, do të jetë vonë: Ai, as do t’i dëgjojë…

    1995


    PASQYRAT

    Nuk di si, por atë mëngjes qëndrova pak më gjatë para pasqyrës. Kisha fytyrë të bukur. Kisha fytyrë çuditërisht të bukur, dhe e prekja me gisht. Vetullat si dy harqe, më binin përposhtë ballit pa asnjë defekt. Sytë e mbushur me një masë të përzjarrtë, më shikonin si asnjëherë më parë. Faqet, veshët, hunda, me një gjallëri të përpiktë ma stolisnin fytyrën. Buzët, goja… Goja?…Goja u hap për një çast, ma këputi gishtin!

    Pa masë ndjeva dhembje, por kjo lojë për mua qe joshëse çuditërisht, sa ngrita gishtin tjetër dhe e vura mbi ballë. Preka vetullat, që si dy harqe më binin përposhtë ballit pa asnjë defekt. Preka sytë e përmbushur me një masë të përzjarrtë që më shikonin si asnjë herë më parë. Preka faqet, veshët, hundën, që me një gjallëri të përpiktë ma stolisnin fytyrën. Preka buzët, gojën… Gojën?… Goja që për një çast u hap, ma këputi gishtin tjetër.

    Si i humba dy gishta u zjarrmova edhe më.

    Preka fytyrën me gishtin e tretë dhe e humba!

    Preka fytyrën me gishtin e katërt dhe e humba!

    Preka fytyrën me gishtin e pestë dhe e humba!

    Preka fytyrën me të pesë gishtat e dorës tjetër dhe i humba!

    Gjaku më rrodhi curril.

    Tashti që ora ra, unë ngris kokën ta rishoh fytyrën time në pasqyrë. Por, shoh një fytyrë tjetër që largohet prapa saj, kurse qelqi shfaqet përballë meje i vdekur dhe i akullt. E kam të qartë se është vonë, se është tepër vonë, ndaj kot së koti vetëveten e pyes: Kush i shpikë këto pasqyra që na hanë?!…

    1995


    QENKËLYSH

    Këtë krijesë, për herë të parë e takova te varret. Një pasdite janari, kuptohet, derisa rregulloja ca gurë mbi varrin e tim gjyshi. Më erdhi prapa veshi si një zë, ose më mirë të them, si një cingëllimë. Ishte një cingëllimë që pushoi, kur ktheva kokën dhe e pashë. Rrinte ulur mbi këmbët e mbrame dhe më shikonte drejt në sy, pa asfarë ngurimi.

    U përkula, mora një guralec mbi varr dhe provova ta qëlloj. Por, çuditërisht, dora m’u ndal dhe kafsha buzëqeshi.

    Ka ca vite që më ndjek ajo krijesë, ashtu butë dhe sjellshëm, ndaj ka filluar të më pëlqejë. Është krijuar një si harmoni mes nesh, që na bën ta kërkojmë njëri tjetrin. Nuk është qen, nuk është këlysh. Është i verdhë, i hequr dhe i hollë. Është përherë i urritur. Ka tri këmbë të shëndosha dhe një të thyer që e tërheq zvarrë. Ka bisht të gjatë të bardhë, që e mban lëvarur përtokë, si një përtokëzim që e shpëton nga përqiellzimet e mundshme. Është as qen as këlysh.

    Është qenkëlysh, dhe banon te varret.

    1996


    QENÇE

    Ka rënë një mjegull e dendur dhe e rëndë. Qielli që është i trishtë, e kullon atë pak shpirti të mbetur përmes një shiu të imët dhe të ftohtë. Natë është, asfarë zëri s’dëgjohet. Dëgjohet vetëm rapëllima e çizmeve të mia, teksa shkeli pamëshirshëm mbi qentë e vrarë që kanë mbushur rrugët. Tashmë gjithçka është e qartë, beteja ka mbaruar. Qyteti ka fituar mbi qentë e vet. E dëshmojnë këtë edhe fotografitë e shumta të heronjve të gjallë që më buzëqeshin nga vitrinat e dyqaneve. Kuptohet, u buzëqeshem edhe unë, por, se si trishtohem më një çast teksa hetoj se më buzëqeshin qençe!…

    «Mjerë qyteti», them dhe bëj një të vjellë në mjegull. Seç më vjen që më shumë t’i nderoj qentë e ngordhur se heronjtë e gjallë!…


    MANÌ

    Jam bërë si kasapët. Gjithnjë mbaj ndër duar ndonjë mjet që është i përshtatshëm për vrasje. Ky trekëndësh, për shembull, që më shërben për të bërë projektimet, por që ka ca maje të mprehta spic. Ky kompas, i dedikuar për rrathë koncentrikë, por që është kaq i përshtatshëm për një vrasje. Kjo thikë, që ditën e mbaj në xhep, e natën nën jastëk.

    Por ama, nga të gjitha këto mjete, kam përdorur vetëm një laps. Me te, sa herë më rrotullohet ndonjë merimangë, e godas. E godas për vdekje, dhe si një maniak, e marr ndër duar, e vë në pjatën mbi tavolinë. Pjata ime është prej letre, dhe merr sa të duash merimanga. Prandaj, godas edhe një tjetër, edhe një tjetër, derisa pjata  mbushet përplot.

    Kah mesnata, kur lodhem së gjuajturi e uritem si një kafshë, i marr të tërat dhe i ha. Sado i hollë qoftë një krah merimange, nuk e lë pa ngrënë. Çuditërisht, bëhem rehat vetëm pasi i ha të gjithat. Nuk ka përmasë që më dekoncentron nga kënaqësia e ngrënies. Merimangat janë ushqimi im i preferuar i mesnatës…

    1996


    MAJAT

    Ta themi qysh tani. Tri lloje njerëzish ka:

    – njerëz torollakë, që janë të shumtë;

    – njerëz më pak torollakë, që janë mesatarisht të shumtë;

    – dhe njerëz të paktë, që s’janë aspak torollakë.

    Të parët, për të cilët që në fillim thamë se janë torollakë dhe s’u bie ndër mend për majat, janë të prirë të hanë e të pinë, të flasin e të qeshin, të mos ankohen fare, madje as të mos qajnë edhe atëherë kur rëndohen nga një gravitacion i çuditshëm shpirtëror.

    Të dytët, që janë më pak torollakë e mendja u pjell për majat, por që çuditërisht, përpara u del një pengesë që s’mund ta përballojnë, dhe, sipas një gravitacioni të çuditshëm shpirtëror, bien e ngriten të këputur, pa arritur kurrë të prekin një majë.

    Të tretët, që s’janë aspak torollakë, fare lehtë arrinë tek majat, por e kanë të vështirë të qëndrojnë më gjatë, sepse, sërish sipas një gravitacioni të çuditshëm shpirtëror, trupat u rëndohen përposhtë dhe të zinjtë e ullirit heqin për t’u mbajtur atje lart.

    Kur e bëri këtë lloj klasifikimi, zoti bëri mëkat, sepse siç e shihni edhe vetë, vetëm të parët janë të lumtur.

    1995


    BOSH

    Një natë janari, në njërën nga dhomat e fjetjes së shtëpisë së tij mondane, mbase në ëndërr,  iu fut në shtrat  AJO: e re, e ngrohtë, e dashur, e këndshme, gjithë aromë…

    «Oh, zemër», bëlbëzoi në gjumë ai, dhe  zgjatoi trupin ta përqafë. Por duart i mbetën bosh, aq sa u ngrit në këmbë dhe filloi të thërriste si i çartur nëpër dhomë… «zemër!,… zemër!,… zemër…!», ndërkohë që boshësia e dhomës s’i përgjigjej, po vazhdonte të heshtte si ngaherë: e errët, e lagësht, e ftohtë,… e vdekur si vetë AJO!

    1998


    DILEMË

    Dal i menduar. Në një kënd rruge, sytë sikur më zënë një njeri të shëmtuar. E në po atë kënd rruge më fiksohet një vajzë, e bukur pa masë, e veshur me një robë mëndafshi paksa të shkurtër dhe të bukur mrekullisht. Mban në dorë një tufë lulesh, që janë me gjasë, karanfila të kuq. Është si e magjepsur pas atij njeriu të shëmtuar (sytë e saj të ndezur flasin për këtë), zgjat duart e bardha e mundohet t’i japë një karafil, në çastin që ai i vë duart mbi supet dhe e shtyn me forcë, e flak me përbuzje si një leckë në trotuar. Vajzës i përgjaken gjunjët, qan me lotë, ngritet, i hidhet në qafë me gjithë trup, dhe si e çartur klith: të dua, të dua, të dua!.., ndërkohë që unë tmerrohem, kthej kokën në tjetër anë,  i shkoj prapa hapit tim dhe vras e vras  mendjen duke u munduar të kuptoj, nëse vërtet e pashë këtë pamje makabre, apo vetëm isha i menduar si ngaherë ?!…

    1998

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË