More
    KreuLetërsiShënime mbi libraMinella Aleksi: Shija e leximit dhe gjykimi mbi atë

    Minella Aleksi: Shija e leximit dhe gjykimi mbi atë

    Pas leximit të librit “Blloku” njerëz të fushës së letrave mes të tjerave vunë në dukje sidomos faktin që libri lexohej me interes ngaqë ishte i shkruar mjaft bukur, pra të jepte një shije të mirë leximi. Për mua si mjek dhe ish student i pedagogut Isuf Kalo ky konstatim nuk ishte i papritur, e kundërta do përbënte befasi. Natyrisht e kam fjalën për stilin e të shkruarit, nuk bëj interpretim mbi këndvështrimet e autorit.

    Në ambjentin mjekësor si student kisha dëgjuar si nën zë për një libër në anglisht me titull: “Përse mjekët dhe juristët kanë një status të lartë në shoqëri”?. Kjo pyetje më nxiti më vonë që të konstatoj se ishin disa mjekë që dallonin prej shumicës në disa drejtime. Këta/o dalloheshin për mirësjellje të natyrshme, e ushqenin dhe e kultivonin veten rregullisht me lexime të një letërsie të mirë. Personaliteti i tyre mbështetej në nivelin e lartë profesional dhe në kulturën letrare cilësore ku forma dhe përmbajtja qëndronin në një raport harmonie të dallueshme. Këta gjeneronin individualitet, imponoheshin në shoqëri dhe para pacientëve me stilin e tyre të të ushtruarit të artit profesional. E gjithë përditshmëria e tyre për ne të rinjtë ishte një mësim mbi sjelljen me librin, sa me atë profesional po aq e ndoshta më shumë me letërsinë artistike. Por çfarë ndodhte në jetë më tej me ne mjekët e rinj? Vite më vonë me keqardhje vumë re se 90% e mjekëve/eve treguan indiferencë totale si ndaj librit profesional po aq ndaj letërsisë artistike. Mendoj se për fat të keq kjo situatë mbizotëron edhe në profesionet e tjera.

    “Me rastin e panairit të Librit 2019” ndaj të njëjtin mendim me ata që theksuan se në vendin tonë janë shumë pak njerëz që lexojnë letërsi artistike dhe po aq që lexojnë literaturë përkatëse profesionale. Kultivimi i shijes së leximit të librit në popujt anglo-saksonë, (kultura perëndimore) përbën një proçes shoqëror shumë interesant. Në familjet e klasës së mesme dhe të shtresës së pasur të shoqërisë këtë metodë edukuese e fillojnë që nga mosha 18 muaj e në vazhdim. Prindi rregullisht i lexon çdo natë fëmijës një libër me tregime në kohën e paragjumit. Madje pas një farë kohe është fëmija që zgjedh se cilin libër me tregime dëshiron që ta dëgjojë për së dyti e më shumë herë. Studimet krahasuese kanë treguar se kjo mënyrë edukuese i stimulon fëmijve dashurinë për librin, i ndihmon fëmijët për të qënë dëgjues të mirë, i nxit atyre qetësinë përkundër tensionit, i nxit të menduarit analitik, i ndihmon për të kuptuar strukturën e fjalisë, i zgjeron fjalorin dhe për pasojë i rrit besimin, stimulon te ata përdorimin e fjalëve që tashmë i di, i zhvillon kujtesën, i rrit atyre aftësinë komunikuese. Kjo praktikë edukuese familjare bën që fëmijët në vendet perëndimore dukshëm janë shumë më qartë artikulues të mirë dhe komunikues në ambjent shoqëror krahasuar më fëmijët shqiptarë të së njëjtës grup moshe, nga 3-7 vjeç. Shumica e të rinjve sot marrin informacion të pa sistemuar nëpërmjet internetit. Interneti është një oqean shumë shumë i madh, i dëmshëm për jetën e mendjes dhe të leximit real. Leximet në internet krijojnë një situatë ku çdo gjë përzjehet me çdo gjë tjetër, humbet cilësitë dalluese që gradualisht shkrihen drejt kombinimesh homogjenizuese ku format fillestare tashmë bëhen të padallueshme. Është një gjëndje shumë e vështirë në të cilën lexuesit e rinj mbi të gjitha nuk vendosin dot standarte leximi,, nuk gjejnë dot ato që quhen standarte estetike dhe intelektuale të gjykimit në mardhëniet me leximet. Përfundimisht interneti nuk i ndihmon të rinjtë që të kultivojnë shijen e leximit. Vetëm libri letrar, letërsia është ajo që kultivon shijen e leximit.

    Moda e intervistave me shkrimtarë e artistë në këto tridhjetë vitet e fundit kanë nxjerrë në shesh një dukuri..

    Poetë, shkrimtarë, kritikë letrarë e të muzikës, të pikturës, etj. ankohen vazhdimisht se në vendin tonë mungon kritika serioze. Mendoj se historia e letërsisë në botë por edhe ajo e jona ka dëshmuar se kritikët më të mirë në letërsi janë shkrimtarët, njëlloj piktorët, kompozitorët, d.m.th në përgjithësi krijuesit cilësor në fushat përkatëse. Një vlerësim apo një gjykim kritik në shumicën e rasteve ka qëllim që të pasurojë kuptimin dhe gjykimin e vlerave letrare, të qartësojë ndjesitë që provohen nga një event letrar. Kritika letrare ekziston sepse njerëzit e duan letërsinë. Mendoj se në terrenin shqiptar shënimet kritike letrare të viteve 30të kanë qënë mjaft cilësore ngaqë me objektivitet kanë pasur thellësinë dhe gjerësinë e gjykimit për të vendosur se si gjendja e njeriut përjetohet, se si përcillet dhe interpretohet “zgjidhja” e një misteri.

    Mendoj se kritika letrare tek ne për periudhën e realizmit socialist karakterizohet saktësisht me thënien e aktorit Tony Daly: “Një kritik është dikush që nuk shkon kurrë në betejë, por që më pas del duke qëlluar të plagosurit.” Ndërsa për periudhën e pas viteve 90të përkundër përmbytjeve tona të gazetarisë letrare gjykimet mbi shijet letrare, me përjashtime shumë të rralla nuk përcjellin apo nuk transmetojnë kritikë të mirëfilltë. Mbas ndryshime shoqërore të 90ës mendoj se kritika jonë letrare “u lirua nga zinxhirët” e realizmin socialist dhe u kap fort te litarët e mediokritetit. “Helmi i konformizmit” intoksikoi atmosferën e shijeve artistike. Kjo nga dëshira për të qënë brenda kornizës së një sjelljeje shoqërisht konformiste, intoksikoi veçanërisht shijen e leximit si element bazë i formimit botëkuptimor. Me sa duket “Helmi i konformizmit” e ka nxitur shkrimtarin dhe kritikun amerikan Edgar Allan Poe që përpara 160 vjetësh të shprehte idenë se një vepër letrare duhet të gjykohet për vlerën e vet, dhe se kriteret konformiste jo-letrare si prejardhja e një shkrimtari ose statusi shoqëror duhet të jenë të parëndësishme. Edgar Allan Poe përdori në vlerësimet kritike “të kafshuarit e dhënë në një mënyrë të këndshme” gjë që ndihmoi shumë në rritjen e qarkullimit të revistave për të cilat ai punoi, ndërsa kritikat e tij më të ashpra e bënë me armiq të cilët e quajtën atë “Njeriu me naxhake”, (sëpatë e vogël me bisht të shkurtër). Këtyre zërave Poe u përgjigjej: “Letërsia është për të gjithë, të shkruarit jo”. Ndërsa kritiku i filmit Pauline Kael mbronte idenë: “Në artet, kritiku objektiv, është i vetmi burim i pavarur informacioni.

    Në tridhjetë vitet e fundit në shumicën e rasteve njerëzit e letrave që shkruajnë shënime kritike për librat e rinjë sillen të dyzuar midis vlerësimit lavdërues të pamerituar për autorin dhe vetëdijshëm të pasinqertë në kurriz të shijes së lëximit.

    Atëhere kemi arsye të pyesim: përse kaq shkujdeshshëm shkruajnë opinione jo objektive, abuzojnë me të qënurit shkrimtarë apo kritikë dhe nga ana tjetër për mungesën e kritikës objektive ankohen majtas djathtas dhe në fund bëjnë përgjegjës institucionet shtetërore?

    Mendoj se një analizë dhe një vlerësim formal i një teksti është një iniciativë krejt individuale. Askush nuk të detyron. Përderia të pëlqen që të jesh konformist, i pasinqertë në mendimin që çfaq, lajkatues e servil për përfitime, i paguximshëm për të shkruajtur vlerësime objektive atëhere nuk ke të drejtë morale që të ankohesh apo të qahesh shëmtueshëm.

    Mbetet të themi se ata që ankohen janë shkaktarët e vërtetë të varfërisë së analizave objektive të krijimeve letrare. Ata më mirë se kushdo tjetër e dijnë mirë sesa mëkatarë janë në këtë punë.

    Në këtë rast vlen të përmendet thënia e kritikut amerikan Harold Bloom, “dinosaurit” të kritikës letrare amerikane në 50 vitet e fundit: E kundërta e guximtarit në shoqërinë tonë nuk është frikacaku, por është konformisti”.

    Krijimtaria letrare është një produkt tërësisht individual. Shtëpitë botuese nëpër botë nuk kërkojnë mendimin e ministrive të kulturës për të përkthyer njërin apo tjetrin shkrimtar. Mbi bazën e shijeve të leximit përcaktohen shkrimtarët e zgjedhur për botime. Institucioneve burokratike shtetërore mund ti ankohemi për më shumë mbështetje logjistike për iniciativa dhe evente kulturore gjithëshoqërore por jo për krijimtari individuale të të patalentuarve.

    Po sjell një shembull me shënime kritike të këtyre ditëve. Sapo është botuar romani i autorit Preç Zogaj, “Anjeza nuk u zgjua”. Poeti Rudolf Marku shkroi brenda javës një opinion vlerësues. Më ngjalli interesin për atë sesi një shkrimtar e vlerësonte romanin, aq më tepër koleg i autorit. Z. Marku është një poet ndër të vlerësuarit i cili të jep shije të mirë leximi edhe me një pjesë të eseve të tij.

    Në një të tretën e parë të artikullit z. Marku shpjegon merakun se mos këto shënime i merreshin si “punë qoke mikut të tij e kjo shprehje e shëmtuar i rrinte si karamanjollë mbi kokë.”.

    Në një të tretën e mesme të shënimeve z. Marku shkruan: “Poezia në fakt ndihet, se jo vetëm që nuk e ka penguar autorin të shkruajë një roman shumë të mirë, por në të kundërt, proza e shkruar e Preçit ka limfën poetike në atë masë sa i duhet limfa dhe një lisi për të qëndruar në këmbë që të mos rrëzohet nga erërat e kritikës…”. Mendoj se kjo mënyrë të shprehuri për një roman të sjell në mend atmosferën tonë rezistuese si “shkëmb graniti” në botë. Metaforë e pagjetur që e bën lexuesin të ndihet keq, si i nënçmuar me shije leximi të keqe. Në këtë linjë “taktike luftarake” Z. Marku vazhdon t’u bëjë të ditur “lexueve ushtarëve”: “Romani ka pasur vështirësitë dhe kurthet e veta, të cilat autori i ka kaluar me mjeshtërinë e një profesionisti të stërvitur për një kohë të gjatë me zejen e të shkruarit dhe sidomos i ka kaluar falë tërheqjes së ndjeshme ndaj letërsisë së mirë dhe talentit të padiskutueshëm për të shkruar një letërsi të mirë. Edhe këtu më duket se poeti Preç Zogaj e ka ndihmuar natyrshëm dhe me masën e duhur prozatorin Preç Zogaj!”.

    Me këtë shije leximi dekurajuese po mendoja se, ose romani është cilësisht i dobët dhe kjo është qoka e radhës për kolegun ose z. Marku ka mbetur në vorbullën e shënimeve kritike të këtyre tridhjetë viteve të fundit të cilat kanë dëshmuar se disa krijues, poetë, shkrimtarë, kritikë mendojnë se e njohin mirë skemën standarte të analizave e vlerësimeve kritike dhe për pasojë kanë një sens vet rëndësie disi të ekzagjeruar mbi gjykimin e shijes letrare. Shkujdesshëm ecin sipas këtij sistemi shabllonist të shprehjeve të përgjithëshme të cilat i luajnë të dy funksionet, përdoren sipas nevojës pa prishur punë por edhe pa thënë ndonjë gjë specifike.

    Nuk dyshoj se ka njerëz të letrave që, të kënaqur emocionalisht me vetvlerësim e vetsiguri marrin kurajon dhe shkruajnë gjëra të papërshtatëshme për një krijim letrar autori i të cilit është menduar gjatë dhe me shumë seriozitet i ka dedikuar intelektualisht shumë energji këtij produkti artistik. Sigurisht edhe pse këto shënime të z. Marku janë dekurajuese, interesimin e leximit të librit “Anjeza” nuk mund të ma zbehin ngaqë kam parasysh vlerën e krijimeve artistike të deritanishme të Z. Zogaj.

    Por le të jem pak më konkret se çfarë prisja dhe nuk e gjeta në vlerësimin kritik të shkrimtarit. Së pari nuk gjeta asnjë mendim analitik për stilin e autorit në këtë roman voluminoz. Nuk thuhet gjë se si qëndrojnë forma me përmbajtjen të cilat konsiderohen si elementi përcaktues i një vepre arti. Meqënëse shkrimtari ka marrë përsipër që ti prezantoj lexuesit, “një mik të shtrenjtë- një libër të ri” atëhere ka detyrimin që ta respektoj lexuesin njëlloj si veten. Pritshmëria nga shkrimtari në vlerësimin kritik të një vepre letrare është e madhe sepse, shkrimtari si artizan më mirë se të tjerët i njeh vështirësitë dhe teknikat e punës krijuese. Se lexuesit e mirë e dijnë po aq mirë sa shkrimtari se, ndërsa përmbajtja është ajo që thotë teksti, forma është mënyra e organizmit të tekstit. Përmbajtja gjen strehim brenda formës dhe që, kur dominon forma kuptimi është i paqartë, emocionalisht konfuz, ndërsa dominimi në roman i përmbajtjes bën që raporti shkak pasojë të zbehet, Forma është mënyra me të cilën organizohet apo rregullohet ajo që thuhet. Çdo gjë nga një kapitull në një paragraf në një shenjë pikësimi, është një mënyrë për të rregulluar përmbajtjen e një teksti, duke i dhënë formës një kualitet letrar. Të shkruarit nuk është një ushtrim seleksionues, ai është një udhëtim në tingullin e fjalës, elokuencën e saj, ligjëratën dhe ritmin e fjalisë. Prandaj thuhet që stili nuk është thjeshtë veshja në të cilën e vendosim trupin e tekstit, por është vetë trupi që po aq mirë ose jo i përshtatet si një dorashkë, ashtu si e imagjinojmë dhe e qepim për të arritur te harmonia estetike.

    Duhet mbajtur mirë parasysh se stili në roman nuk është ai që thjeshtë ju tërheq vëmendjen; qartësisht është ai që e komandon vëmendjen e atij që e lexon. Ju bëheni të humbur në të. Nuk mund ta heqësh nga duart. Edhe kur këtë e bën, në mënyrë të dëshirueshme kërkon të rikthehesh shpejt përsëri. Lexuesi ka nevojë të dijë prej shkrimtarit për praninë ose jo të këtyre kualiteteve që e bëjnë interesant romanin.

    Në shënimin e tij kritik Z. Marku nuk thotë gjë për dialogun në roman. Lexuesit e mirë për aq sa janë, e dijnë mire se dialogët në një roman janë goditjet, shfryrjet e shpirtit, impaktet e triumfit apo të humbjes, karremat e mashtrimeve dhe rikthimet e shpresës. Lexuesit gjithashtu e dinë mirë se një vlerësim kritik synon tekstin, jo autorin. “Nuk është ajo që themi, por sesi e themi atë që ka rëndësi”, thotë regjizori i njohur Federico Fellini. Stili është individual, është vula e origjinalitetit të shkrimtarit.

    Mendoj se këtu vlen të vihet në dukje diçka thelbësore në të shkruajturit letërsi. Megjithëse kanë gjëra të përbashkëta “shkrimi i mirë” dhe “shkrimi i talentuar” përbëjnë dy gjëra që ndryshojnë.

    I pari është kryesisht produkt i teknikës, tjetri është një çështje gjuhësore dhe sensitiviteti estetik. “Fjalët kanë qëndrueshmërinë e tyre,” shkruante Susan Sontag në ditarin e saj. “Përdorni fjalën e duhur dhe jo kushëririn e saj të dytë,” këshillonte i mirënjohuri Mark Twain.

    Shkrimi i mirë është i qartë, i shmang gabimet, krijon një histori të thjeshtë, logjike, por që akoma nuk do të jetë mirë. Qoftë në stil, qoftë në përmbajtje, në çështje subjekti ose në qasje retorike, mbetet një krijim imagjinativ, emocionalisht i dobët.. Një pjesë e mirë e atyre që e kuptojnë këtë qartë i largohen shkrimtarisë. Shkrimi i talentuar është energjik, përmban dinamik me emocione të forta, të papritura, bën që gjërat të ndodhin në mendjen e lexuesit – gjallërisht, dukshëm, me forcë, transformueshëm – gjëra që nuk i ka shkrimi i mirë i cili ndalet me qartësi dhe logjikë.

    Po sjell një shembull përgjegjëshmërie në vlerësimin kritik të një vepre arti.

    Krijimtaria e poetit Petrit Ruka këto dy dekadat e fundit ka tërhequr vëmendjen e lexuesve. Me interes e kam ndjekur dhe kam opinion shumë vlerësues. Të mbërthen me bukurinë e fjalës dhe thellësinë e mendimit. Mendoj se ka krijuar dhe ka gjeneruar individualitet stili origjinal që të bën ta dallosh menjëherë kur nuk e ka nënshkrimin. Kjo është ajo që të bën artist të vërtetë. Natyrisht si lexues ke nevojë që të ballafaqosh mendimin tënd vlerësues me opinione vlerësuese të shkrimtarëve, poetëve apo lexuesve me shije të mirë leximi. Në këtë rast më ndihmoi konfirmimi që gjeta te vlerësimi i bërë për këtë poet prej shkrimtarit dhe regjizorit të njohur Pëllumb Kulla. Të impresionon ndjenja e përgjegjësisë e Z. Kulla në parashtrimin e argumentave dhe vërtetësinë e tyre. Bindje dhe përgjegjësi që lexuesi e dëgjon si një zë të brendshëm që nga fillimi deri në fund të shkrimit.

    Te ky prezantim kupton qartë se poeti Ruka përbën një individualitet, ka gjeneruar stilin e tij ku forma, qualiteti emocional i fjalës që ngjall pikëllim, gëzim, zemërim, katarsis, dashuri, janë veçori që të shkaktojnë artistikisht emocione intensive. Kur e lexon, poezia e Petrit Rukës të përcjell elektricitet tronditës që të përshkon tërë kordonin vertebror.

    Mendoj se poezisë së Rukës i rri mirë shprehja e poetit anonim që thotë: “Poezia është një mendim i kapur në agun e mëngjesit”. Mendoj se ky rast përbën një shembull kur shija e mirë e leximit ecën parale me nivelin e mirë të gjykimit. Në vazhdim të shijes së leximit dhe të të qënurit të letërsisë e hapur për interpretime po bëj një interpretim në vija të përgjithëshme sa kam mundur të lexoj për disa nga titujt e këtyre viteve të fundit. Janë disa (“Kësulëkuqja vjen me trenin e dhjetës”, “Embriologji”, “Hana”, “Profeti nga Praga” , “Trans”, etj.) për të cilët mendoj se kanë diçka të përbashkët që vlen të theksohet.

    Këto krijime letrare në gjysmën e tyre të parë të librit lexohen me interes për arsye se raporti konflikt-tension është organik, zhvillohet mjaft mirë sipas parimit shkak-pasojë, ka energjinë e mjaftueshme për të mbajtur tensionin duke shmangur linearitetin e narracionit. Në këtë fazë të gjysmës së parë të librit konflikti e luan mirë rolin si agjenti kryesor i ndryshimit, si mitra në të cilën personazhet rriten dhe ndryshojnë. Tensioni mund të forcohet ose të zbutet ndërsa përparon në historinë që tregohet. Pra është arritur mënyra më efektive për të nxitur një përgjigje emocionale te lexuesi. Çfleton faqet më pas e instiktivisht fillon parafytyron vuajtjen e dikujt që ka marrë përsipër që të vazhdoj ngjitjen e një lartësie. Pasi dihet se sa më lart shkoni në një majë aq më e vështirë bëhet ngjitja në vetvete. Lexuesi fillon të ndiejë një çtensionim, një çvëmendje që e ka shkakun te konsumimi i pjesës më të madhe të energjisë shtytëse të raportit konflikt-tension. Nga organik konflikti fillon e bëhet i sforcuar. Autori e ndjen këtë efekt, kupton mungesën e energjisë shtytëse, fillon e përpiqet që ta zgjidhë këtë dilemë duke shtuar burime të reja konflikti. Burime të reja që shkaktojnë ndryshime kuptimore në konflikt dhe në tension. Autori shton konflikte të reja por harron se ato nuk bëhen bindëse ngaqë kanë të përbashkët fjalën “befas”. Ky është momenti kur lexuesi ka përpara akoma 40 përqind të sasisë së faqeve të librit ndërkohë që ka filluar që të pikasi zgjidhjen e konfliktit. Fillon që të lëshohet vëmendja ngaqë ai e ka të kuptuar tashmë fundin. D.m.th. tensioni bie sepse karburanti është në mbarim, akoma larg nga finishi. Tensionin në një roman e kanë krahasuar me një rymë elektrike që përshkon një histori. Sa më e dobët të jetë rryma elektrike, aq më pak tension transmeton një histori tek audienca. Sa më e madhe është rryma, aq më e madhe është përfshirja e lexuesit në efektet emocionale të veprës. Mënyra më efektive për të nxitur një reagim të fortë emocional te lexuesi është ajo përmes tensionit. Tensioni nuk është një forcë statike. Ama as nuk rritet vetvetiu. Kërkon një shkak të fortë.

    Parafytyroni një pasim të thellë në një lojë futbolli. Imagjinoni jehonën shpërthyese të pasthirrmës së përgjithëshme, disafishin e menjëhershëm të adrenalinës, gjenerimin e energjisë që ndjejnë spektatorët kur topi bën rrugën e tij deri në këmbën e lojtarit dhe zhgënjimin e masës së tifozëve nëse topi godet dikë dhe ndërron drejtim. Në roman ky është raporti konflikt-tension, shkak-pasojë.

    Mendoj se kjo dobësi ose kjo mungesë, jep shije leximi që e zbeh interesin e lexuesit. Mendoj dhe s’kam përse të mos e them se talenti i kufizuar i pengon autorët që të ndërtojnë në fantazinë e tyre qartazi ngrehinën e plotë të romanit që do të shkruajnë. Përgjatë punës së tyre përgatitore këta arrijnë që në mendje të përfshijnë në ndërtimin e strukturës dy të katërtat e thelbit konflikt-tension dhe pjesën tjetër e krijojnë në rrugë e sipër duke hedhur në letër çfarë u nxjerr rruga dhe jo çfarë ka gatuar fantazia në punën parapërgatitore.

    Mendoj se kur e ke në kokë tërësinë e strukturës së romanit, më pas të shkruajturit e tij rrëshket lehtë, latimin e fjalëve dhe të shprehjeve, detajet artistike etj, i zhvillon më me lehtësi në funksion të komandimit të vëmendjes së lexuesit. Talenti i madh përkundrazi i jep mundësinë një shkrimtari klasi që ta ndërtojë tërë ngrehinën e romanit në fantazinë e tij paraprakisht dhe më pas nis e e shkruan. Pra e ka të zgjidhur ekuacionin që në fazën përgatitore.

    Në mbyllje të këtyre shënimeve mbi shijen e leximit dua të përmend edhe rastin e para pak ditëve ku në të njëjtin numër gazete (Liberale) kemi dy autorë që në shkrimet e tyre qëndrojnë si dy të kundërta. Studjuesi Behar Gjoka ka bërë një analizë dhe vlerësim kritik të librit “Kësulëkuqja vjen me trenin e dhjetës” duke arritur në përfundimin që ky është një roman eksperimental. Mendoj se “Kësulkuqja” nuk mund të kategorizohet si roman eksperimental mbasi së pari këtu kemi të bëjmë me fiktion, të shkruar me gjuhë letrare për të zbavitur estetikisht lexuesin e përgjithshëm, është krijim – trillim, me hiperbola, metafora, personifikime, ambiguitete, që e influencon lexuesin emocionalisht. Ndërsa romani eksperimental karakterizohet nga stil shkrimi informues, nuk ka në bazë trillim fantazist, influencon logjikën e lexuesit me fjali të thjeshta pavetore, me ton objektiv, me karakter informues për nje kategori lexuesish. Madje dua tw vw nw dukje se te “Kësulkuqja” e Rudolf Marku ndjehet mirë influenca e stilit të Kadaresë.

    Kjo analizë mendoj se shërben të paktën për një qëllim, për modelin sesi nuk duhet shkruar një vlerësim kritik mbi një roman. Po e përmend ngaqë jam duke folur për shijen e leximit që në këtë rast përbën një shembull leximi me shije të papërcaktuar sepse mbi të gjitha nuk ka një bosht dhe është e mbushur me frazeologji boshe. Më vjen keq ta them por të krijohet përshtypja se edhe vet studjuesi nuk e ka të qartë se çfarë po thotë. Mendoj se autori ka prirjen që “të qëmtojë dhe evidentojë zbulime të rralla letrare) atje ku nuk ka premisa për të tilla gjëra.

    Si për një koinçidencë të kundërtash me studimin më sipër, lexova në gazetë një shkrim opinion-ese me titull “Lexuesit, të lumturit” me autor Preç Zogaj.

    Shkrimi më dha një shije leximi cilësisht shumë të mirë. Tema e shkrimit, përmbajtja dhe forma krijonin harmoni stilistike shumë integrale.

    Zgjedhja e fjalëve të qëndrueshme dhe të duhura i kanë dhënë kësaj eseje vlerën e një modeli “shkrimi të talentuar” që e pason një shije leximi elitar.

    Së fundi mund të them se nëpërmjet studimeve kritike zgjerohet mënyra se si ne e përjetojmë personalisht artin. Secili kemi kornizën tonë estetike që kemi ndërtuar që nga fëmijëria përmes ndërveprimeve tona të përditshme me natyrën dhe kulturën.

    Latinët thonë: “De gustibus non est disputandum”. (“Në çështjet e shijes, nuk mund të ketë mosmarrëveshje”).

    Lidhur me shijen letrare numri i dakordësimeve dominon mbi mosmarrveshjet. Karakteri personal shumë delikat i shijes për leximin apo edhe në çdo gjë tjetër na step, na bën të heshtur kur është fjala për të zhvilluar shijen e leximit te njerëzit e tjerë me anë të mësimdhënies. Konstatohet se edhe autoritetet përfaqësuese më të nderuara qëndrojnë në heshtje për këtë pyetje pedagogjike. Ata nuk guxojnë të mendojnë për mësimdhënie mbi shijen letrare. Ata nuk thonë se kjo gjë duhet bërë, por sillen me shumë kujdes mbi këtë pyetjeje shumë të veçantë.

    Këtë çështje e konsiderojnë si një gropë në mes të rrugës në pritje ndoshta për t’u mbushur ndonjëherë nga mësuesit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË