Në ditët e qershorit 2023, kur kryeqendra e Kosovës mbante panairin e rregullt të librit, shkrimtari Gëzim Aliu solli romanin e katërt me radhë “Sëmundje dhe Perëndi”, botuar nga Shtëpia Botuese “Dukagjini”. Që nga viti 2009, kur romani i tij i parë “Në klubin e të shëmtuarve” pa dritën e botimit e deri në romanin e tij më të ri, nga një matje matematikore rezulton të jenë katërmbëdhjetë vjet. Ai, ashtu siç e ka thënë në emisionet televizive, dorëshkrimet i lë një kohë të gjatë të pushojnë, i përpunon vazhdimisht, për të marrë një formë më meritore për lexuesin dhe krejt në fund të jenë të gatshme për botim.
Shikuar në aspektin kronologjik, nga e kaluara e tre romanëve të tjerë, rrjedha e ngjarjeve përmban diksione të ndryshme, por me një emërues të përbashkët: kryepersonazhet e Aliut kanë personin intelektual në qendër të shtjellimit.
‘’Sëmundje dhe Perëndi’’ është i ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë fillon me vargjet biblike të Ligjit të përtërirë, 32: 39 (f.5) ku dora e perëndisë është aq e fuqishme sa mund të vrasë dhe të ngjallë. Nëse do të këtë formësim sikur në trajta gramatikore, autori e personifikon këtë me një nisje interesante të jetës së personazhit A.Ibrahimi. Një djalosh apo burrë i ri, i cili pasi përpiqet të ikë nga familja, e yshtur nga besimi fetar mysliman, mundohet të krijojë një personalitet të veçantë që beson në provat reale. Mirëpo, gjatë këtij rrugëtimi personazhi ngatërrohet me kulturën familjare dhe tendencën për të shfaqur një personalitet më ndryshe, që do të kenë pasoja për shëndetin e tij mendor.
Pakënaqësia e A.Ibrahimit është manifestim i veprimeve që ndikohen nga familja, gjegjësisht nga ngjarje familjare, por edhe rrethi më i gjerë shoqëror, që nxisin kundërshtimin e normave, por duke mos ofruar zgjidhje që do të ndikonte individualitetin në formim e sipër. Nëse kundërshtimet fillojnë me mospajtimet për të praktikuar ritet fetare, shkalla e kundërshtimit e rrit intensitetin e A.Ibrahimit për ta arsimuar veten përballë një koherence të bashkësisë që e sfidon atë në çdo skutë. Duke mos pasur përkrahjen e familjes për bindjet e tij të reja që krijohen ngadalë, në disa etapa, atij i lindin mëdyshje e kontradikta në masë të skajshme, deri në atë nivel sa që mund të quhen edhe blasfemi, jo vetëm ndaj fesë.
Pa dyshim, autori e krijon gjithmonë elementin e befasisë për të ngjallur kureshtjen e lexuesit se çfarë do të ndodhë tutje me një personazh të tillë, të ngatërruar. Në vështrim të parë, personazhi duket se ngjan me “Mbinjeriun” e Niçes, por në rrugëtimin e tij ai është i pafuqishëm, një intelektual i ri, në formim, i cili mund të mendojë se di shumë për natyrën, shoqërinë, njeriun e kohës, dashurinë, urrejtjen dhe Zotin, por ka mungesa, pikëshikimin e ka ende të ngurtë, rrethohet me kundërthënie shoqërore që e bëjnë të përplaset me të gjithë. Shihet se ky personazh është në kërkim të udhës së vet…
Romani nis me mendime e gjuhë që shprehin gjendjen e karakterit të A.Ibrahimit, si një tip që flet për prishjen e raporteve të dashurisë me Dianën dhe këtë e forcon edhe rrëkëllimi i gotave të rakisë, që e pi për të “çlodhur” vetëdijen me plot dyshime. Dalëngadalë, nga një student i mirë i shkencave humane e pastaj asistent i ri me perspektivë, ai e humb toruan nga xhelozia, duke u ndier shumë posesiv ndaj grave të pranishme në jetën e tij. Autori e paraqet tërthorazi një fakt shoqëror që ka zanafillë kanunore e që mbin edhe në rrethet shoqërore urbane. Duket sikur një mendësi e tillë posesive infekton edhe gjeneratat e reja, që harrojnë se rendi i ri shoqëror ka dispozita më të avancuara të barazisë shoqërore. Ky personazh, padyshim inteligjent e që bën pyetje të rënda dhe ka mendime shumë të veçanta për botën e jetën, që në fillim të romanit shprehet se është dyshues i madh, dhe e ngreh gishtin drejt qiellit e thotë se Nuk ka gjë më të pamoralshme se të krijosh diçka, të krijosh yje, jetë, kafshë, njerëz (f.11) apo kur ngreh paralelet e dyshimit për Jezusin e Nazaretit, i cili gozhdohet për të marrë dhembjet e mëkatet e njerëzimit, apo kur shprehet për profetin Muhamed që nuk dinte të lexonte, por të cilit Gabrieli i drejtohet duke e urdhëruar me fjalën: lexo (ibid).
Gjendja individuale e A.Ibrahimit do të pësojë ndryshime në vazhdimësi kur e takon Sarën, një katolike e devotshme, e dhënë me mish e me shpirt pas Krishtit. Aliu i bën një vëzhgim të hollë kësaj kategorie shoqërore që në sfondin tjetër përmbajnë sëmundje që vështirë gjejnë shërim, e tëra kjo nisur nga të menduarit se mbajnë njohuritë e përgjithshme, por në fakt kanë kufizime dhe pikënisje metafizike. Nisur nga një praktikë kur qytetërimet kanë një përplasje sado të vogël, këto pikënisje çjerrin maskën e injorantëve. Këtu sikur fillon dhe mbaron dija individuale e mashtrimit, kryepersonazhi i Aliut pranon të konvertohet për të fituar dashurinë e Sarës, por me kohë ai do të fillojë të shfaqë prapë karakterin e tij zanafillor. Ai ndihet posesiv ndaj Sarës, ashtu si ndaj Dianës më herët. Një dozë e tepruar e pesimizmit e shkaktuar sa nga mosbindja ndaj Allahut dhe Krishtit, do të shkaktohet edhe më tepër nga egoja e ngjizur nga xhelozia. Në një situatë të caktuar pas lindjes së djalit, Lorencit, kur ai është në një moshë të vogël dhe nuk i ngjan atij, sipas bindjes së ngatërruar dhe plot dyshime, ai është gati të kryejë një ritual të vjetër fetar, kurbanin, por jo si Abrahami mitik të cilit Zoti ia kërkon flijimin e djalit si dëshmi besimi, por nga kokëçarjet psikike se djali nuk i ngjan atij.
Pjesa e dytë e romanit fillon me një narracion më ndryshe, ndoshta edhe më ndryshe nga letërsia shqipe që jemi mësuar të lexojmë deri tani: kapitujve u paraprin kësaj radhe një ajet i Kuranit, i sures El-En’Am 6: 125: Allahu ia hap zemrën… atij që dëshiron ta udhëzojë, ndërsa atij që dëshiron ta lërë në humbje, ia mbyll… (f.91). Ky është një ajet tepër hutues, që ka trazuar edhe mendjet e dijetarëve, sepse nëse Zoti mbyll zemra, atëherë pse kërkon besim e nënshtrim?! …
Pjesa e dytë përmban narracion të ngjeshur, vetëm se zgjerohet të menduarit filozofik. Autori tani duket sikur e ironizon Perëndinë, duke ia dhënë primatin e drejtimit të rrëfimit, tashmë është perëndi që bëhet rrëfimtar, që nuk lejon “çmendurinë” e kryepersonazhit të mbisundojë, por edhe i jep një kah krejt tjetër narracionit metafizik të A.Ibrahimit. Pjesa e dytë e romanit është pjesa e historisë para se A.Ibrahimi të takohej me Sarën. Në këtë pjesë kemi rrëfimin për lidhjen me Dianën që përmendet në fillim të romanit, lidhje që shkakton shumë tronditje në shpirtin e tij. Kur duket se ngjarja po merr tatëpjetën, në roman futet edhe vetë autori, me të cilin takohet A.Ibrahimi. Biseda e tyre sillet rreth çështjeve që gjithmonë i kanë interesuar personazhit.
Shikuar në aspektin e ndërtimit, romani ka një mënyrë narracioni vërtet të rrallë e të veçantë në letërsinë shqipe. Romani zë fill dhe akordim të rrëfimit duke mos krijuar mjegulla të panevojshme. Gjuha është e lartësive artistike.
Gëzim Aliu sjell një roman që trajton tema shumë të rëndësishme si në aspektin psikologjik, filozofik, edhe social, por edhe të një rendi se kah janë duke shkuar individi e shoqëria tani.