More
    KreuIn memoriamMercedes Barcha, bashkëshortja dhe muza e Gabriel García Márquez-it, vdes në moshën...

    Mercedes Barcha, bashkëshortja dhe muza e Gabriel García Márquez-it, vdes në moshën 87-vjeçare

    nga Penelope Green

    Për gati 60 vjet ajo ishte bashkudhëtarja dhe frymëzuesja e romancierit fitues të çmimit Nobel, ndihmësja mendjemprehtë dhe “shefja e shtabit”.

    Mercedes Barcha, e veja, muza dhe kujdestarja e laureatit të Nobelit, Gabriel García Márquez, e cila luajti një rol vendimtar në botimin e romanit të tij të rëndësishëm, Njëqind vjet vetmi, vdiq më 15 gusht në shtëpinë e saj në Mexico City. Ishte 87 vjeçe. Vdekja e saj u konfirmua nga i biri, Rodrigo García, i cili tha se ajo kishte vuajtur për shumë vjet nga problemet në frymëmarrje.

    Mercedes dhe Gabo, siç njihej çifti, jetonin në Mexico City në vitin 1965, kur García Márquez-i filloi të shkruajë Njëqind vjet vetmi, rrëfenjën hipnotizuese për kohën, për fshatin mitik të Macondo-s, i cili mbështetej në zonën e Kolumbisë, ku ishin rritur të dy.

    Për më shumë se një dekadë García Márquez-i mezi kishte siguruar jetesën si gazetar-majtist i zellshëm, punoi një vit në zyrën e Prensa Latina-s, – agjencia e shtypit kuban në Nju-Jork, – ku shkruante me nxitim tregime dhe novela. Për 18 muaj shmangu këdo në zyrë dhe u mbyll në shtëpinë e tyre, ndërsa zonja Barcha mbante larg tij pronarin e banesës që kërkonte pagesën e qirasë dhe botën. Kur e përfundoi shkrimin e romanit, në fund të vitit 1966, ai më vonë kujtonte se ajo e kishte pyetur: “Vërtet e përfundove? Borxhi ka shkuar 12.000 dollarë.”

    Më pas ajo la peng tharësen e saj të flokëve dhe shtrydhësen e frutave të çiftit, në mënyrë që të mund të paguante tarifën postare për t’ia dërguar dorëshkrimin redaktorit të tij argjentinas. Libri – “zanafilla” e Amerikës së Jugut, siç do ta quanin, ose “një vorbull e madhe e të vërtetave dhe mirazheve”, siç shkroi García Márquez-i, ku priftërinjtë ngriheshin në ajër dhe nga qielli binte shi lulesh – do të shitej rreth 50 milionë kopje.

    Njëqind vjet vetmi dhe shumë prej romaneve dhe përmbledhjeve me tregime të García Márquez-it të botuara në dekadat në vijim do të ishin ndër veprat e rralla letrare që do të gëzonin si suksesin popullor ashtu edhe vlerësimin nga kritika letrare.

    Temat dhe personazhet që vërtiteshin në të gjithë librat e tij: dhuna e egër politike, pasionet, romantike e të tjera, fantazmat, sekretet familjare, të çmendur idealistë e kërkimtarë dhe, gjithmonë, gra praktike, por mistike, trualli ku ata mbështeteshin – femra, mishërim të hyjnores, për të cilat në një mënyrë apo në një tjetër u frymëzuan nga zonja Barcha, një grua e bukur me mendje të mprehtë pas së cilës ai u dashurua që kur ishin fëmijë.

    Gabriel García Márquez me Mercedes Barcha dhe djemtë e tyre, Rodrigo dhe Gonzalo në 1980.

    Nga fundi i Njëqind vjet vetmi, ndërsa fillon të zbulohet historia e Macondo-s, García Márquez-i shkroi: “Plaka që hapi derën me një llambë në dorë ndjeu keqardhje për përçartjen e tij dhe këmbënguli që jo, as s’kishte pasur ndonjëherë farmaci aty dhe as kishte njohur ndonjëherë ajo një grua me qafë të hollë dhe sy të përgjumur me emrin Mercedes.”

    “Mercedesi përshkon të gjithë librat e mi”, – u shpreh ai njëherë. – “Gjurmët e saj janë kudo”.

    “E quante menaxhere të departamentit të krizave, – tha i biri i tyre, Rodrigo García, – nganjëherë edhe kur ai vetë s’e dinte se cila ishte kriza”.

    Mercedes Barcha Pardo lindi më 6 nëntor 1932, në Magangué, Kolumbi. I ati, Demetrio Barcha, ishte farmacist, e ëma, Rachel Pardo, ishte shtëpiake. Më e madhja ndër shtatë fëmijë, Mercedes-i u rrit në Sucre dhe më pas në Barranquilla, në brigjet e Karaibeve të Kolumbisë, ku familja e saj u zhvendos për të shmangur dhunën politike që shpërtheu në rajon në mes të shekullit të kaluar.

    Atje, në shtëpi, gjatë pushimeve nga shkolla e manastirit, ajo u takua përsëri me García Márquez-in, i cili shkruante për një gazetë lokale. Siç dihet, ai tashmë i kishte propozuar për martesë që në çastin kur e pa sërish në Sucre, atëherë kur ajo ishte 9 vjeçe dhe ai 14 vjeç. Që në fillim Márquez-it iu duk e bukur dhe enigmatike, “me talentin e një iluzionisteje për t’iu shmangur pyetjeve”, siç shkroi në vitin 2003 në kujtimet “Jeto për ta treguar”.

    Kur García Márquez-i u dërgua në Europë si korrespondent i huaj, ai i shkroi rregullisht zonjës Barcha. Pasi gazeta ku punonte u mbyll, ai u gjend në Paris pa asnjë kacidhe, duke jetuar në një dhomë hoteli dhe duke punuar në një dorëshkrim. Fotoja e Mercedes-it në mur dhe një makinë shkrimi e kuqe Olivetti ishin ndër sendet e tij të vetme.

    Pas kthimit në Amerikën e Jugut në vitin 1957 ai i pagoi zonjës Barcha 500 pesos (barasvlerësi i rreth 130 dollarëve, ose afërsisht 1200 dollarëve sot) që t’ia kthente letrat e dërguara – ajo s’do t’ia kthente pa paguar një çmim – dhe pasi i mori, Márquez-i i asgjësoi menjëherë. “Ishte vite larg të qenit i famshëm, – tha Rodrigo García, – por i kushtonte jashtëzakonisht vëmendje jetës së tyre, e cila duhej të ishte private. S’donte të mbetej asnjë gjurmë e letrave”. 

    U martuan në vitin 1958. Ditën e dasmës zonja Barcha priti që njëherë të mbërrinte ai dhe pastaj veshi vellon e dasmës. “S’është se dyshoi tek ai, – shpjegoi i biri, – por ajo besonte në besëtytninë dhe pragmatizmin e njerëzve që vinin nga një botë e caktuar ku thuhej: Ekziston një në një milion mundësia dhëndri të mos shfaqet në ceremoninë e dasmës së vet. Kështu që në fillim priti, për çdo rast”.

    Gabriel García Márquez-i fitoi çmimin Nobel për letërsinë në vitin 1982 dhe fama iu shtua bashkë me kërkesat për të marrë nga koha e tij, kështu që u rrit edhe roli i së shoqes si menaxhere krizash dhe “shefe shtabi”.

    Miku i tyre, Jorge Eduardo Ritter, dikur ambasador i Panamasë në Kolumbi, e përshkroi rolin e zonjës Barcha të ngjashëm me të këshilltares së një presidenti. “Ajo e vinte në dijeni vetëm për ato që duhej të dinte”, – tha ai. – “Ishte më e informuar se ai, pasi i lexonte të gjitha gazetat çdo mëngjes, ndërsa ai punonte. Nëse ajo do të nënvlerësonte detajin e dhënies së parave me vete për drekë, – vazhdoi zoti Ritter-i, – ai thoshte: Mercedes-i s’më dha para me vete, prandaj do të duhet të paguash”.

    Kur romani Dashuria në kohërat e kolerës u botua në anglisht, në vitin 1988, García Márquez-i i tha Pete Hamill-it, i cili shkroi për të në Vanity Fair: “Shkruan më mirë ku i ke të gjitha problemet e zgjidhura. Shkruan më mirë kur gëzon shëndet. Shkruan më mirë pa shqetësime. Shkruan më mirë kur ke dashuri në jetën tënde. Ekziston një ide romantike që vuajtjet dhe fatkeqësitë janë shumë të mira, shumë të dobishme për shkrimtarin. S’jam aspak dakord.”

    Çifti kishte shtëpi në Mexico City dhe Cuernavaca, Meksikë; në Barcelonë dhe Paris; në Cartagena dhe Barranquilla, Kolumbi; dhe, deri diku në mënyrë problematike, në Havana, një të ashtuquajtur “Shtëpi protokolli” e dhënë hua për ta nga Fidel Kastro, të cilit García Márquez-i i mbeti mik besnik, duke i habitur gati të gjithë. Për shkak të miqësisë së tyre, qeveria e Shteteve të Bashkuara i mohoi García Márquez-it dhënien e vizës, derisa presidenti Bill Klinton, adhurues i shkrimtarit, e ftoi në ishullin Martha’s Vineyard, në vitin 1995.

    Zonja Barcha dhe García Márquez në Stokholm në vitin 1982, kur u vlerësua me çmimin Nobel për letërsinë. Foto: Ibl/ Shutterstock

    Edhe në atë miqësi, me sa duket, zonja Barcha kishte përparësi. Siç García Márquez-i i ka thënë Jon Lee Anderson-it të The New Yorker, ku ai i bëri një profil si shkrimtar në vitin 1999, “Fideli i beson Mercedes-it madje edhe më shumë se mua”.

    “Ishte një nga ato martesat epike”, – tha zoti Anderson në një intervistë telefonike. – “Mercedes-i menaxhoi anën praktike. E çliroi nga angazhimet e përditshme të jetës”. Ai kujtoi se secila prej shtëpive të tyre ishte mobiluar në mënyrë identike, me mobilie dhe qilima të bardhë, art modern, të njëjtat rroba në dollapë dhe i njëjti kompjuter Apple. “Është një frazë spanjolle: shtëpia do themele, në to ndërtohet shtëpia”, – tha zoti Anderson. – “Ajo ishte si themelet, lidhja e tij me tokën”.

    Ishte edhe kureshtare e pamatë për botën dhe çfarë ndodhte në të. “Të dy ishin ashtu, – shtoi ai, – dhe kishin aftësi të depërtonin brenda saj me syrin e tyre të brendshëm. Vinin nga një zonë e ngjashme e Kolumbisë, nga këto qytetthet e prapambetura ndanë lumenjve, ku dhuna ishte një fakt i jetës së përditshme”.

    Zoti García tha se prindërit e tij “e konceptonin martesën edhe si një lloj bashkëpunimi. S’ishte vetëm dashuria, por ato gjëra që janë vetëm midis të dyve”.

    “Njerëzit thonë se ajo ishte kujdestare”, – vazhdoi ai. – “Mendoj se është pak sipërfaqësore. Kujdestarja ruan dikë. Ajo ndihej mirë me rolin e tipit të rreptë, por nëse im atë s’e ngrinte telefonin, s’do të thoshte se po e pengonte ajo. Thjesht ai s’donte të fliste në telefon me ty atë ditë”.

    Përveç zotit García, shkrimtar, regjisor dhe producent, zonja Barcha ka edhe një djalë tjetër, Gonzalo García Barcha-n, artist dhe grafikograf; dhe një vëlla, Eduardo Barcha-n. Gabriel García Márquez-i, i cili vdiq në vitin 2014, shpesh thoshte: “Nëse Mercedes-i vdes e para, unë do të jetoj në një hotel.”

    “Çifti i njohur si Mercedes dhe Gabo, – tha i biri i tyre Rodrigo, – ishin kombinim zbavitës i privates dhe shoqërores”, me miq nga të gjithë brezat dhe shtresat shoqërore, dhe gjatë dekadave ata mbetën të palodhur në marrëdhëniet shoqërore. Me rastin e ditëlindjes së saj të tetëdhjetë zonja Barcha i bëri dhuratë vetes një palë këpucë kamoshi blu dhe kërceu gjithë natën.

    “U largova në dy të mëngjesit, – kujton zoti García, – kurse ajo vijonte festën”.

    The New York Times, 23 gusht 2020

    Përktheu: Granit Zela

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË