More
    KreuArte pamoreMendimi krijues - Auguste Rodin dhe “Mendimtari”

    Mendimi krijues – Auguste Rodin dhe “Mendimtari”

    Nga Joe McGasco

    Në çdo epokë të artit, gjenden punime të cilat i tejkalojnë sferat e koleksionuesve të artit dhe të frekuentuesve të muzeve, duke kapur imagjinatën e publikut. Vepra si Mona Lisa e Da Vinci-t, Britma e Edvard Munch, ose Nata me yje e Van Gogh, kapërcejnë kohën dhe vendndodhjen duke u kthyer në standarde kulturore, kaq të afërta me konceptet tona të artit, saqë me kalimin e kohës, bëhen objekt i parodive dhe komercializimit (a dëshiron ndokush një qese me Van Gogh-un?). Numri i veprave të artit që kanë këtë lloj ndikimi është i pakët, por, një nga më të mirënjohurat dhe më të vlerësuarat, është një skulpturë e një francezi me emrin Auguste Rodin, i cili, në fund të shekullit të 19-të, krijoi një ikonë, të cilën e quajti Le Penseur. Këtë e njohim me emrin Mendimtari dhe shumë prej nesh, mund të krijojnë një imazh në mendje, pa parë asnjë foto të tij.

    Ndryshe nga shumica e skulpturave që njihen menjëherë nga publiku, Mendimtari nuk është një statujë e madhe patriotike si Statuja e Lirisë në New York, ose statuja e Krishtit Shpëtimtar që qëndron mbi Rio de Janeiro. Krijuar me një madhësi modeste dhe bazuar mbi një temë reflektimi, në vend të një ngjarje të shënuar apo përkujtimi, Mendimtari përçon një ide të cilën mund ta rrokin të gjithë – nevojën për analizë të heshtur – por e paraqet në një mënyrë aq të qartë, saqë e bën këtë proces të brendshëm të duket fizikisht i prekshëm. Portretizimi i fortë i aktit të thjeshtë të të menduarit, e ka bërë po aq të njohur sa veprat e tjera të mëdha publike dhe qëndron (më saktë, ulet) si një vepër e denjë në radhët e kryeveprave nga Da Vinci, Munch dhe Van Gogh që u përmendën më sipër.

    Po si u krijua kjo skulpturë me famë botërore? Biografitë e sotme trajtojnë historinë pas krijimit të Mendimtarit, një vepër e cila, me thjeshtësinë e paraqitjes, forcën e krijimit dhe hijen e misterit, vazhdon të ketë ndikim te njerëzit, edhe 100 vjet pas krijimit.

    Krijimi i emrit të tij

    Duke marrë parasysh famën që arriti në fund, ditët e hershme të François Auguste René Rodin si artist, kanë qenë të paqëndrueshme dhe të vështira. Ndërsa iu refuzua tri herë pranimi në shkollën më të mirënjohur të artit, École des Beaux-Arts, Rodin ushtroi talentet e tij artistike duke bërë punë dekorative për shtëpi dhe ndërtesa publike. I pakënaqur nga ana artistike prej kësaj pune me pagesë, për të pasuruar biografinë e tij, ai punoi si asistent i skulptorit Albert-Ernest Carrier-Belleuse, duke ndjekur njëkohësisht, leksione mbi skulpturën. 

    Një udhëtim në Itali, në mesin e viteve 1870 (kur ishte në të tridhjetat) forcoi vendosmërinë e Rodin për t’u bërë skulptor, ndërsa shihte për herë të parë nga afër, veprat e Michelangelo-s. Puna e tij e parë serioze, Epoka e bronzit (I mposhturi), u përfundua shpejt, pas këtij udhëtimi. Një bronz kaq real, saqë kritikët e akuzuan Rodin se thjesht i kishte dhënë formën një bronzi të vërtetë. Kjo vepër tregoi provën e parë të një stili të përparuar. Një vepër realiste, themelore dhe paksa e paqartë në qëllimin e saj.

    Në fund të viteve 1870, ndërsa punonte për Carrier-Belleuse në fabrikën e porcelanit Sèvres në Belgjikë, Rodin u prezantua me disa zyrtarë të lartë të qeverisë franceze, të cilët, e njihnin reputacionin e tij për punë të shkëlqyera dekorative. Edhe pse më përpara nuk pati sukses për të siguruar punë nga qeveria, Rodin nisi të merrte dhe të pranonte punë për monumente dhe skulptura publike. Më e rëndësishmja prej tyre, iu dha në vitin 1880: një portë e madhe për një muze të propozuar të arteve dekorative në Paris. Musée des Arts Décoratifs nuk do të ndërtohej kurrë (aty tani qëndron Musée d’Orsay), por kjo vepër do të nxiste krijimin e shumë veprave të mëpasshme nga Rodin, të cilat, jo vetëm do të çonin në krijimin e Mendimtarit, por do të përcaktonin rrugën e gjithë karrierës së tij.

    Portat e Ferrit

    Idenë për portën e tij të re, Rodin e bazoi në Komedinë Hyjnore të Dantes, e cila, në fund të shekullit të 19-të, kishte rifituar popullaritetin. Rodin interesohej të përshtaste personazhe nga libri i parë i Komedisë Hyjnore, Ferri, në mënyrë që të kishte një kontrast karshi dyerve të famshme prej bronzi të Pagëzimores së Firences, të krijuara nga Lorenzo Ghiberti, të cilave, Michelangelo, u referohej si Portat e Parajsës. Krijimin e tij, Rodin e quajti Portat e Ferrit. Plani i Rodin përmbante vendosjen e një figure qendrore e cila të përfaqësonte Danten, mbi portën 6 metra të lartë.

    Kjo figurë do të dominonte ndodhitë nga libri, të ilustruara përreth kornizës së portës. Për këtë arsye, skulptura e cila në fund do të bëhej Mendimtari, u quajt fillimisht Le Poète (Poeti), për t’iu referuar Dantes.

    Rodin e mori projektin me entuziazëm të madh dhe versionet e hershme të shumë skulpturave, të cilat u krijuan për të qenë pjesë e Portave të Ferrit, lanë mbresa si te kritikët, ashtu dhe te koleksionistët. Nuk kaloi shumë kohë para se pjesë individuale të projektit, të hiqeshin me kërkesën e blerësve të interesuar. Le Poète ishte nga të parat. Në vitin 1884, Rodin gdhendi për një koleksionues nga Anglia, një version më të hershëm të statujës, duke i vendosur një kapele të stilit të Firences, një ndryshim ky, nga konceptimi origjinal i personazhit si Dante. Megjithatë, Rodin tashmë kishte vendosur se kthimi i këtij poeti në një person tjetër, nuk ishte drejtimi që dëshironte të ndiqte. Prandaj, ai vendosi t’ia hiqte rrobat, përfshi kapelën, ndërsa vazhdonte ta gdhendte dhe të krijonte personazhe të tjerë. “Thatanik, asketik e me mantelin e tij, Dantja im, i ndarë nga ansambli, nuk do të kishte asnjë kuptim,” deklaroi ai. Si rrjedhojë, Le Poète u bë Le Penseur. “Konceptova një tjetër mendimtar, një burrë lakuriq të kërrusur mbi një shkëmb, me gishtat e këmbëve të mbledhura e të vendosura pas tij. Me grushtin të ngjeshur pas dhëmbëve, ai mendon. Mendimi kreativ zhvillohet dalëngadalë në trurin e tij. Ai nuk është më një ëndërrimtar, por një krijues.”

    I përfunduar plotësisht

    Versionet e hershme të statujës nuk u shfaqën asnjëherë. Më në fund, në vitin 1888 në Kopenhagen, Rodin vendosi ta shfaqte punën e tij përpara publikut, në formën që përfaqësonte më së miri, idenë universale që tashmë ai përfytyronte. Statuja prej allçie, më pak se një metër e lartë, tregonte një burrë të panjohur, të zhytur në mendime, një njeri të zakonshëm, fiziku i fuqishëm i të cilit, shërbente për të shprehur një ndjenjë gjithë përfshirëse. “Ajo çfarë e bën mendimtarin tim të mendojë, është se ai nuk mendon vetëm me trurin, vetullat e rrudhura, flegrat e zgjeruara dhe buzët e mbledhura,” thekson Rodin, “por me çdo muskul në krahët e tij, kurrizin dhe këmbët, me grushtin dhe gishtat e mbledhura të këmbëve.” Statuja nuk tregonte më qëndrimin e një poeti mbi një grumbull trillimesh letrare; ajo shprehte një moment analize të vetvetes të çdo qenie njerëzore – një poeti, udhëheqësi, akademiku, punëtori të zakonshëm, ose edhe të vetë artistit.

    Me shfaqjen në Paris në Galerie Georges Petit, Mendimtari u prit kaq mirë në këtë formë të zvogëluar, saqë Rodin vendosi të krijonte një version më monumental. Duke përdorur një proces të zhvilluar në vitet 1830, i cili gjurmonte punën e një artisti në shkallë më të vogël për të krijuar një kopje më të madhe, ai dhe asistenti i tij, Henri LeBossé, me ndërrimin e shekullit, krijuan gradualisht, statujën 1.8 metra të lartë, prej allçie dhe të lyer në ngjyrë bronzi, e cila është bërë e njohur si versioni më i arrirë. Ky version qëllimthi më i ashpër e më madhështor, u shfaq në vitin 1904 në Sallonin e Pranverës në Paris. Në këtë madhësi, skulptura rrezatonte padyshim më shumë pushtet dhe forcë sesa në versionin më të vogël, sikur problemet që rëndonin mbi këtë burrë të ishin më të thella, ose, sikur sapo të përfundonte së menduari, do të ngrihej e të përballej me to.

    Një reagim shpërthyes

    Reagimi ndaj Mendimtarit ishte kaq i fortë, saqë ideja e shitjes te një blerës privat, trazoi kritikun francez të artit, Gabriel Mourey. Ai nisi një fushatë të suksesshme për blerjen e statujës për popullin francez, kështu që i gjithë kombi ta zotëronte. Në vitin 1904, kur u shfaq edhe versioni i bronztë në Panairin Botëror Shën Luis, Mendimtari u vendos përpara Panteonit në Paris, mauzoleu ku qëndrojnë eshtrat e qytetarëve të mëdhenj francezë dhe një nga ndërtesat me rëndësinë më të madhe simbolike në qytet. Megjithatë, për herë të parë nga disa raste gjatë viteve, statuja do të provokonte një reagim të papritur. Kishte vetëm një muaj e gjysmë që ishte ekspozuar, kur një burrë me të meta mendore, i quajtur Poitron, në 16 janar 1905, e shkatërroi statujën, duke shpjeguar pas arrestimit, se i dukej sikur kjo statujë po e tallte.

    I paprekur nga ky incident i një kritike ekstreme ndaj artit, Rodin dhe stafi i tij, krijuan një model tjetër të statujës, këtë herë prej bronzi, e cila u vendos përpara Panteonit në vitin 1906. Këtë herë, perceptimi i Rodin për këtë vepër kishte evoluar. Ai e shihte tani si një nderim për popullin francez, një monument publik me një funksion publik: “Lartëson mendimin e atyre njerëzve modestë të kombit që janë sidoqoftë, krijues energjish të fuqishme. Është në vetvete një simbol shoqëror.” Mendimtari do të qëndronte përpara Panteonit deri në vitin 1922, kur perceptimi i tij si një simbol socialist, nisi të rëndonte mbi elementët më konservativë të Francës dhe solli si rrjedhojë, zhvendosjen e tij. (Ky version i statujës u zhvendos te Musée Rodin, një muze, i krijuar nga punishtja e Rodin, pak kohë pas vdekjes së tij.)

    Një numër i madh mendimtarësh

    Mendimtari, së bashku me pjesë të tjera të marra nga Portat e Ferrit, si statuja e famshme që quhet Puthja, e kthyen Rodin në një yll të artit. Një statujë e mëparshme dhe e papërsosur e poetit Balzac, u zëvendësua me aprovimin e gjerë që mori Mendimtari. Dëshira për këtë statujë gjatë jetës së tij ishte kaq e madhe, saqë Rodin aprovoi 10 modele të skulpturës prej bronzi, për institucione të ndryshme. Përveç versioneve që u shfaqën në Panairin Botëror të Shën Luisit, të tjera statuja prej bronzi u shfaqën në Londër, Laipzig, Berlin, Dresden, Kopenhagen, Stokholm, Venecia dhe Poznan, Poloni. Një statujë monumentale e Mendimtarit mbërriti në Amerikë për t’u mbajtur aty, kur Legjioni i Nderit në San Francisco, bleu njërën nga kopjet europiane në vitin 1915.

    Një nga skulpturat e fundit monumentale të Mendimtarit, të aprovuara nga Rodin, u ble nga Muzeu i Artit në Cleveland, në vitin 1916. Si një jehonë e fatit të statujës origjinale në vitin 1905 në Paris, ky version i skulpturës u shpërthye me dinamit në vitin 1970, siç supozohet, prej anëtarëve të grupit revolucionar radikal The Weather Underground (asnjë nuk u arrestua në lidhje me këtë krim). Pjesa e poshtme e këmbëve dhe bazamenti i statujës u dëmtuan tej mase, por në një përpjekje për të ruajtuar sa më mirë gjendjen e mëparshme (dhe, në fakt, për të reflektuar ndjenjat e Rodin se si aksidentet mund të cilësojnë artin), statuja u rivendos në gjendjen e dëmtuar dhe qëndron edhe sot, aty. Është një version mbresëlënës i statujës, shkëmbi poshtë këtij burri, i përhapur si petale të përthyera, ndërsa mendimet e tij qëndrojnë të patrazuara. Statuja duket njëkohësisht më moderne dhe në mënyrë klasike, më e copëtuar.

    Një ikonë e pavdekshme

    Auguste Rodin vdiq në vitin 1917. Popullariteti i Mendimtarit, gjatë jetës së tij, ishte një burim kënaqësie për të dhe rëndësia që kishte për të personalisht, u konfirmua nga fakti që kërkoi një kopje të kësaj statuje, të vendosej mbi varrin e tij dhe varrin e gruas, Rose Beuret, në shtëpinë e tyre në Meudon. Gruaja e tij vdiq në shkurt të vitit 1917 dhe pas saj në nëntor, në moshën 77 vjeçare, edhe Rodin. Le Penseur qëndron i menduar mbi varret e tyre, ndoshta tani, për çështje që lidhen më shumë me parajsën, sesa me botën. Në fakt, ndryshe nga çdo kopje tjetër e statujës, në piedestalen e vendosur në Meudon, është gdhendur emri “RODIN”, duke e bërë të qartë lidhjen ndërmjet burrit në skulpturë dhe krijuesit të tij. Statuja shërben si përmendore dhe si komentar.

    Kohët ndryshojnë dhe për një periudhë gjatë shekullit të 20-të, pas vdekjes së tij, veprat e Rodin e humbën popullaritetin; megjithatë, Mendimtari, nuk e humbi asnjëherë. Në 100 vitet që kanë kaluar nga vdekja e Rodin, kjo statujë është krijuar gati njëzetë herë dhe tani mund të shihet në shumë vende të botës. Vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, versione të kësaj statuje gjenden në Baltimore (në dy vende), New York (edhe këtu në dy vende), Cleveland, Denver, Detroit, Louisville, Pasadena, Kansas City, Houston dhe Philadelphia (si pjesë e një muzeu që i kushtohet posaçërisht veprave të Rodin). Këto vepra monumentale, siç Rodin synonte, qëndrojnë zakonisht në ambjente të hapura, në mënyrë që skulptura të bëhet pjesë e ambjentit, e ekspozuar ndaj elementëve të jashtëm, por njëkohësisht e mbyllur në vetvete.

    Sigurisht, popullariteti i Mendimtarit shkon përtej shfaqjeve fizike; me kalimin e kohës, është bërë një emblemë në kulturën pop. Është satirizuar në filmat vizatimorë (seria e karikaturave komike Kikirikët e paraqiste në mënyrë të paharrueshme), është parodizuar në skenë, në filma dhe në emisione televizive, madje, edhe është përdorur nga një kompani sigurimesh për t’i shtuar një hije serioziteti, broçkullave të policave të sigurimit. Ndërsa të gjithë këto tallen me natyrën serioze të veprës, asnjë prej tyre nuk sfidon frymën thelbësore të saj, e cila, duket e paprekshme nga satira. Kjo vepër është një ikonë sepse është e fuqishme dhe kjo fuqi, që nga momenti i krijimit, nuk i është dobësuar asnjëherë. Ruan një hije misteri të cilën asnjë satirë nga kultura pop nuk mund ta penetrojë. Edhe tani, ne ende e shohim këtë kryevepër të Rodin dhe pyesim veten se ç’po mendon ky Mendimtar.

    Përktheu David Hudhri

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË