More
    KreuOpinionMehmet Gëzhilli: Lefteri edhe gurët e sokakëve i bëri të tregonin histori

    Mehmet Gëzhilli: Lefteri edhe gurët e sokakëve i bëri të tregonin histori

    Këtu e mëse 45 vjet më parë, më 1965, kur isha djalë i ri, m’u dha rasti të vizitoj Gjirokastrën, ku u sorollata nëpër sokakët e saj misteriozë për dy ditë të plota.

    Ishim një grup korçarësh që për sdhjetë ditë do të vizitonim Shqipërinë e Jugut.

    Kot nuk thonë, se sa më shumë të udhëtosh, aq më shumë do të mësosh, por edhe aq më shumë do ta duash vendin tënd.

    Midis shumë vizitave, pa e diskutuar vizitën në Kalanë – anije gjigande majë kodrës, nuk mund të lihej pa vizituar edhe shtëpia ku kishte lindur Enver Hoxha, muze që s’kishte një vit që ishte inauguruar.

    Aty njoha për herë të parë Lefter Dilon, një burrë tepër i tërhequr, veshur me shumë sqimë, dhe çdo gjë dukej sikur i ndriste.

    Dukëe na përshëndetur miqësisht dhe na uruar mirëseardhjen, menjëherë shtruar-shtruar por si i thonë fjalës, filloi të fliste me shpirt për historinë, duke u përqendruar te pavioni i Rilindjes Kombëtare.

    Duke soditur portretet e rilindasve të mëdhenj, vendosur njëri pas tjetrit, Lefteri e ndali shkopin e ciceronit te disa kopertina gazetash. Ato titulloheshin “Shkopi”, “Sopata”, “Rrufeja”.

    -A i shikoni këto gazeta? – na u drejtua Lefteri me një pyetje sugjestionuese dhe aty për aty na e dha vetë përgjigjen: – Këto gazeta i ka botuar larg në Egjipt Jani Vruho, i ndihmuar nga Athanas Tashko. Dhe e dini se çfarë kishte krijuar me këto tre tituj? Një shprehje proverbiale: “Armiqtë e kombit tonë më “Shkop” t’i rrahim, me “Sopatë” t’i presim, me “Rrufe” t’i shfarosim!”

    Dhe pastaj duke na kaluar nga pavioni në pavion, na shpjegoi me aq zgjuarsi e pasion, sa dhe buza sikur iu përcëllua nga të folurit. Kjo fjalë “përcëllim” apo “përvëlim” na u kujtua aty për aty, nga që Lefteri tha për Rilindasit një shprehje frazeologjike: “Rilindasit e deshën aq shumë Shqipërinë, sa punuan, shkruan, luftuan dhe folën aq shumë për Shqipërinë, “sa edhe peshku mund t’u piqej në buzë”.

    Kaluan vite por ato fjalë herë pas here më kujtoheshin, se më dukeshin sikur më qernë ngulitur si gozhdë në ndërgjegjen dhe ato sikur fshehur e në mënyrë të mistershme si udhëtim rinor nëpër Shqipëri na kishin shtuar edhe më shumë dashurinë për Atdheun, por që ne sipas Çajupit, i themi edhe “Mëmëdhe”.

    Nuk kaloi shumë, veçse një dhjetë vjeçar, që do të bëhesha edhe unë banor i qytetit të gurtë, Gjirokastrës, për t’u kalitur si revolucionar, fillimisht i rekomanduar për tre vjet, por se sa do të zgjatej, nuk dihej.

    Dhe ashtu ndodhi vërtet. Nga tre vjet, zgjati për plot pesëmbëdhjetë vjet në jug të mëmëdheut. Të transferoheshe nga Tirana, ku sapo e kisha filluar karrierën e gazetarit të ri, plot ëndrra, e të transferohesha në Gjirokastër, e të stacionoheshe në në krye të Lazaratit, në grykën e malit të Sopotit, duke stërvitur dymbëdhjetë ushtarë, pa pasur asnjë ditë shkollë ushtarake, nuk është gjë e paktë.

    Dhe me një valixhe të madhe, me plaçka dhe dorëshkrime, duke marrë rrugën për Gjirokastër, duke lënë pas familjen, me djalin një vit, një copë shtëpi që kisha gjashtë muaj që e kisha marrë me sa e sa peripeci, duke udhëtuar gjithë ditën, sa me tren, dhe me autobuz, në ato rrugë që s’i harrojmë kurrë për vështirësitë dhe peripecitë, njeriu kërkon një ngushëllim për të lehtësuar sado pak brengën që e bren.

    Dhe unë përpiqesha t’i gjeja një ngushëllim vetvetes: “Vërtet po shkon në Gjirokastër, por atje do të gjej atë drejtorin e muzeve dhe do të kem çfarë të mësoj. Po do të gjej edhe atë librarin e veçantë që s’të linte të dilje nga libraria, pa të të futur me dashje apo pa dashje edhe një libër në xhep. 

    Më vonë, mësova që ai librari që s’e kishte shokun, e thërrisnin “Alizoti”.

    Kur vajta në Gjirokastër, atje mësova se kur vinin nga fshatrat e kërkonin ndonjë libër për bujqësinë, ai u shiste “Fijet e barit” të Uitmanit për libër bujqësor dhe siç i thonë fjalës, “e hanin sapunin për djathë”.

    Por të ndalerm pak më gjatë për t’u përqendruar te Lefteri. Sa mbaroja stërvitjen apo shërbimet njëzetë e katër orëshe në krye të Lazaratit, frymën e mbaja o në Muze te Lefteri, o te Kafe “Çajupi”, për ta pirë përherë kafen me të. Dhe kështu u bëmë miq të përhershëm. Dhe historitë e pasioni i tij për historinë, kulturën, muzeumet, për t’i kthyer edhe gurët e sokakëve që të flisnin, nuk kishin kufi. Më kujtohet se në muzeun e shkollës “Liria”, atje ku ngrihet Obelisku i Arsimit për Gjirojkastrën, në një pllakë guri të zakonshme kishte gdhendur vargje të Koto Hoxhit, të cilat i kishte shkruar në burgun e Turqisë, ku me sa mbaj mend, këtu e vite të shkuara, kishte shkruar fjalët:

    Ju, o djem, do më kujtoni

    Se do bëhet Shqipëria,

    Por ç’e do, se unë s’do shoh

    Se u sosën ditët e mija…

    Dhe këto vargje i kishte parë të gdhendura në murin e qelisë mësuesja e ardhshme e shkollave shqipe, Sevasti Qiriazi, e cila, e maskuar si djalë, i krijoi vetes mundësinë të vizitonte Koto Hoxhin në qelitë e tmerrshme të burgjeve të Turqisë.

    Lefteri projektoi, krijoi, e mbushi Gjirokastrën me muze. Kalaja, Muzeu i Armëve, Muzeu i Luftës Nacionalçlirimtare, Muzeu Etnografik, Muzeu i Mërgimit në Goranxi, muze historikë në sa e sa fshatra, Muze Historik në shtëpinë e vëllezërve Topulli, Bajo dhe Çerçiz, Heronj të Popullit. Dhe mbi të gjitha, ngritur nga themelet, zbulimi, pastrimi dhe rindërtimi i Kompleksit Arsimor, ishte një nga veprat më suyrprizuese, e zbuluar, e frymëzuar dhe ndërtuar nga mendja dhe duart e Lefterit.

    Por Lefteri ishte dhe një autor librash. Shumë vite, që më 1943 botoi “Ligjëron Fan Noli”, botoi monografitë për Avni Rustemin, ku me njohjen e gjerë që kishte me personalitetet, bëri të mundur të sillte në Shqipëri dokumentet e procesit gjyqësor të Avni Rustemit nga Franca. Ai zbuloi, nëpërmjet Nexhip Alpanit nga Stambolli,  autobiografinë e Ismail Qemalit, për të cilin shkroi edhe një libër. Shkroi studime për Idriz Gurin, për “Drita çan errësirën” dhe çdo ngjarje që kishte ndodhur dhe përkujtohej, Lefteri do ta shoqëronte me broshura, me fletë-palosje, ose me shkrime në gazetën e qytetit “Pararoja” ku Lefteri kishte rubrikën e përhershme “Ditari gjirokastrit” dhe “Gjirokastra në shekuj”. Këto dy vepra tepër madhore, të derdhura në qindra faqe, është një pasuri e madhe historike dhe kulturore që mjerisht kanë mbetur të shpërndara nëpër gazeta, në revista e arkiva, dhe s’kanë parë dritën e botimit në libra të plota.

    Vetë shtëpia e Lefterit ishte një arkivë e muze, e pasuruar me pasion, por edhe jo pa stres e stërmundim. Dhe ajo shtëpi që duhej ruasjtur me polici e me zjarrfikës te dera, një natë të kobshme u përvëlua. Se si e qysh u përvëlua, mbeti mister dhe enigmë! Por atje u përvëlua një histori e tërë.

    Mbas kësaj tragjedie mora vesh se Lefteri qe shtruar në një spital në Tiranë. Vrapova për ta parë. Sa hyra në derë, e mbyti ngashërimi. Lotët nuk i binin pika-pika, por, siç thotë populli, i binin çurk nëpër faqet e zbehta.

    Nuk kaloi kohë me brengën që s’ia shëronte kush, shkoi të pushonte, pas një pune, sa pasionante e të gëzueshme, me një dhimbje farmak, për çfarë i ndodhi.

    Do thënë se ca zyrtarë të kojhës, të qytetit, nuk u sollën mirë me Lefterin, në prag të pensionit, kur ai deshi të punonte me muzeumet sa të kishte frymqën gjallë. Po kështu, kur vdiq Lefteri, kishin kaluar më se tre muaj dhe shtypi i kohës nuk kishte thënë dy fjalë për të.

    I miri njeri, poeti dhe vlerësuesi i çdo pune të mirë, Dritëro Agolli, më dërgon redaktorin e gazetës “Drita”, novelistin e shquar Vito Koçi, që më thotë: “Me porosi të Dritëro Agollit do të bësh një shkrim për Lefter Dilon”. Atëhere isha transferuar pas pesëmbëdhjetë vjet “kalitje revolucionare”, në Tiranë.

    Shkrimi u botua në gazetën “Drita”. Kolegët e mi gjirokastritë, me të cilët kisha mbaruar fakultetin, më thanë jo për falenderim, që: “atë që s’e bëmë ne gjirokastritët, e bëre ti, korçari, për Lefterin”.

    Dhe unë me dashamirësi iu ktheva përgjigje: “S’ka rëndësi kush e bëri, rëndësi ka që e kujtuam Lefterin, këtë njeri, të kompletuar me shumë virtyte, por që mbeti e do mbetet emblema e muzeologjisë shqiptare”.

    Po tani ndalemi pak te “Kandili i Kuq” i Faik Konicës. Faik Konica që më 1910 kishte deklaruar që do të botonte “Kandilin e kuq”, por se ç’do të përfshinte në të, nuk e dimë.

    Prof. Jup Kastrati, që ka botuar monografinë e jetës së tij, e deklaron këtë dhe mendon se Faiku do të botonte shkrimet e publikuara deri atëherë në “Albania” dhe në “Dielli”. Se sa e vërtetë është kjo, nuk e dimë, për sa nuk e thotë Faiku vetë. Por dimë me saktësi se Lefteri mblodhi shkrimet e Faikut, i daktilografoi një pjesë, një pjesë të madhe i ka kopjuar me dorë, dhe më 1939, me gjalljen e tij, ia dërgoi librin Faikut në SHBA. Faiku ia ktheu përgjigjen, me përgëzimet më të veçanta. Filloi lufta. Më 1942 Faiku vdiq. Dhimbjen për mikun e tij Lefteri e zbuti duke e përfunduar librin e Faikut dhe e bëri gati për shtyp. ai sapo kishte botuar librin “Ligjëron Fan Noli”.

    Mbas lufte filloi anatemimi për Faikun, “i poshtër”, “tradhëtar”, “ka bërë këtë e ka bërë atë”, dhe kush guxonte të botonte gjësendi për Faikun, s’merrte veç se të shara e kritika.

    Shtëpia e Lefterit u dogj dhe nga gjithë ajo pasuri, se si shpëtoi nuk e dimë, se si u ruajt, por shpëtoi i vetmi dorëshkrim, “Kandili i kuq” i Faik Konicës, dorëshkrim, natyrisht, i dëmtuar rëndë.

    Pas shumë vitesh, djali i Lefterit, Llambi Dilo na i besoi si miqtë e tij, që ky dorëshkrim të botohet.

    Dhe ne i kushtuam tërë kujdesin e duhur, dhe vende-vende duke e deshifruar edhe me lupë, mundëm ta përgatitim, dhe ashtu si libri i Faikut i shpëtoi zjarrit, mundi t’i shpëtojë edhe harrimit.

    Viti që po hyjmë, në 110-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë dhe 80-vjetorin e ndarjes nga jeta të Faikut, këtë vepër dhe vepra të tjera të Faikut do t’i botojmë duke shpallur vitin 2022, si vit i Faik Konicës, Fan Nolit, Ndre Mjedës, Asdrenit, Nonda Bulkës, viti i përvjetorëve të mëdhenj.

    Për sa i përket Lefterit, do të mjaftonin fjalët: “E ndjejmë si detyrë falenderimin e veçantë për Llambin, djalin e përkushtuar për të atin, që ky dorëshkrim të përjetësohej dhe duke botuar këtë vepër të veçantë, kreva ndoshta një detyrim, sado të vogël për Lefterin dhe për Gjirokastrën, në të cilën shijova bukën e saj, shova etjen me ujin e saj, thitha ajrin e pastër të Sopotit, mora njerëzinë dhe fisnikërinë gjirokastrite.

    Me këtë rast, dua të kujtoj të tjerët dhe vetveten, vepra e Faik Konicës, por edhe e Leftëer Dilos duhet të botohet tërësisht e plotë, e saktë dhe sa më bukur.

    Atëhere do të jemi të qetë dhe s’do të justifikohemi me ngushëllime.

    Mbarësi e botime në vitin 2022, për këtë vend të etur për dije dhe kulturë.”

    Në fund po lë edhe një thënie të kryetarit të  Akademisë Rumune lënë në librin e përshtypjeve të Muzeut shumë vite më parë.:

    “Lefter Dilo meriton një statujë me mbishkrimin: “Mbret i pakurorëzuar i muzeologjisë ballkanike”.

    Tiranë, 20 dhjetor 2021

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË