More
    KreuOpinionMbrëmja në Paris kur Samuel Beckett-i u sulmua me thikë gati për...

    Mbrëmja në Paris kur Samuel Beckett-i u sulmua me thikë gati për vdekje

    Martin Chilton
    Chief Book Critic, The Independent

    Përktheu nga origjinali David Hudhri

    Nuk ka asnjë kurë për ekzistencën në tokë, bënte shaka Samuel Beckett. Në vitin 1938, një ngjarje nga jeta e tij pati të gjithë elementet e absurdit, komedisë së zezë dhe fatalizmit, të cilat ia mbushin veprat më të mira, si për shembull Duke pritur Godonë, ose Krapp’s last tape. Ndodhi në një rrugë të Parisit, ku pas një debati shkrimtari u godit me thikë nga një tutor i rëndomtë. Ai i shpëtoi për një fije vdekjes prej plagëve.

    Në artikujt e gazetave për sulmin, ndihej edhe një lloj farse, me Le Figaro që shkruante se “Samuel Peckett” (peckett: frëngjisht për mëkat) ishte goditur me thikë në Paris. Beckett i mbijetoi sulmit, fitoi Çmimin Nobel për Letërsi në vitin 1969 dhe derisa ndërroi jetë, në 22 dhjetor 1989, në moshën 83 vjeçare, vazhdoi të shkonte në të njëjtën zonë të kryeqytetit francez.

    Në kohën kur ndodhi, Beckett-i i lindur në Dublin, ishte 31 vjeç. Ai u shpërngul në Paris për të ndërtuar karrierën letrare, e cila ishte në rrugë të mbarë pas vëllimit të tij të parë me tregime të shkurtra. Artikujt e tjerë për sulmin ishin të paqarta. Reuters shpërndau një lajm me titullin “SULMOHET ME THIKË SHKRIMTARI NGA DUBLINI”, në të cilin shkruhej se: “Z. Beckett po shoqëronte disa miq për në shtëpi kur u ngacmua nga një endacak”. Agjencia tha se ai u godit me thikë pas një “sherri”.

    Në fakt, Beckett u sulmua në orët e para të mëngjesit të 7 janarit 1938, pasi u përball me një tutor në L’avenue de la Porte-d’Orléans, që kishte një emër krejtësisht të pagjasë si Prudent (nga anglishtja: i matur). Beckett, i cili po punonte me draftet e fundit të romanit Murphy, kishte shkuar në kinema me miqtë Alan dhe Belinda Duncan. Ata po ecnin drejt shtëpisë kur shkrimtari u ndal prej Prudent-it, i cili i kërkoi para me forcë. Në librin Samuel Beckett: një biografi, autorja Deidre Bair përshkruan se ç’ndodhi më pas. “Beckett, i nervozuar, ia flaku thikën tutje dhe e rrëzoi Prudent-in në tokë. Tutori u ngrit, nxori një biçak dhe ia nguli Beckett-it mu në gjoks, duke i prekur për pak mushkërinë e majtë dhe zemrën”.

    Beckett ra përdhe, me gjakun që i vërshonte. Thika nuk ia kapi zemrën vetëm sepse e ndali palltoja e rëndë që mbante veshur. Anthony Cronin, një biograf tjetër, tregon në librin Samuel Beckett: modernisti i fundit, se tutori njihej me shkrimtarin e ri, ku “në një rast e kishte rregulluar Beckett-in me një vajzë”. Kjo lidhje nuk përputhet me përshkrimin që Beckett-i i dha biografit James Knowlson, gati një gjysmë shekulli më vonë. Në librin I mallkuar drejt famës: jeta e Samuel Beckett-it, shkrimtari citohet se ka thënë që: “Ky tutor na doli përpara dhe nisi të këmbëngulte që ta ndiqnim. Nuk e dinim nëse ishte tutor apo jo. Kjo u përcaktua më vonë, kur e identifikova nga fotografitë në spital. Nejse, ai më goditi me thikë. Fatmirësisht, nuk ma preku zemrën. Isha shtrirë i gjakosur mbi trotuar. Nuk mbaj mend shumë se ç’ndodhi më pas”.

    Beckett u dërgua nxitimthi drejt spitalit të afërt Broussais, ku për pak humbi jetën. Miqtë i qëndruan pranë. Ai e njihte shkrimtarin irlandez, James Joyce, prej mbi një dekade, edhe pse miqësia e tyre ishte ftohur pas marrëdhënies problematike që pati me vajzën e Joyce-it, Lucia-n. Autori i Uliksit pagoi një dhomë private në spital për Beckett-in, madje çoi edhe dritën e tij të leximit, që t’ia lehtësonte përqendrimin në korrigjimin e bocave të romanit Murphy.

    Mamaja e Beckett-it, Maria, mësoi për sulmin nga një i afërm që kishte parë një stendë në Dublin ku ishte afishuar titulli kryesor: “Një poet irlandez sulmohet me thikë në Paris, herët në mëngjes”. Ish-infermierja, e cila ishte e ve që prej vitit 1933, erdhi ta takonte bashkë me vëllain e madh të Beckett-it, Frank-un. “Ndjeva një shpërthim afeksioni, vlerësimi e dhembshurie për atë kur erdhi të më takonte… çfarë marrëdhënieje”, i shprehet Beckett-i më vonë Knowlson-it.

    Beckett e adhuronte jetesën në Paris. Fillimisht ai punoi si pedagog tek Ecole Normale Supérieure, dhe më pas qëndroi atje për të ndërtuar karrierën si shkrimtar. Ai nuk kishte dëshirë të kthehej në Irlandë, një vend të cilin e la pasi u mësonte studentëve drejtshkrimin në Trinity College, Dublin. Kur dha kërkesën për dorëheqje pas katër semestrash, një koleg u tregua mosbesues dhe i tha: “Por këtu po i jep mësim ajkës së shoqërisë irlandeze”. Kjo solli përgjigjen e paharrueshme të Beckett-it: “Ajka e Irlandës… e pasur dhe e trashë”. 

    Beckett ishte i vendosur për të qëndruar në Paris, pavarësisht shpresës së mamasë së tij se do të kthehej. Ai doli nga spitali në 23 janar 1938 dhe më pas mori pjesë në gjyqin e Prudent-it. Beckett takoi sulmuesin e tij në gjykatë dhe i kërkoi arsyen. “Je ne sais pas, monsieur. Je m’excuse” (“Nuk e di, zotëri. Më vjen keq”), ishte përgjigja pa kurrfarë emocioni e tutorit.

    Përgjigja irracionale dhe e papërgjegjshme mund të kishte ardhur fare lehtë nga një prej personazheve të Beckett-it. Më shumë se goditja me thikë në vetvete, kjo përgjigje e cila theksonte rastësinë e jetës, për Beckett-in tregonte se ç’shaka absurde e fatit ishte pjekja e tij me vdekjen. Beckett i shkroi mikut të tij, Thomas McGreevy, për t’i thënë se sulmuesi iu duk “budalla, më tepër, sesa i lig”.

    Beckett edhe mund të jetë argëtuar nga përgjigja e sulmuesit. Ai zgjodhi të mos ngrinte akuza. Prudent u burgos, dhe kur shkrimtari e mori vesh këtë, i ngacmoi kureshtjen. “Nuk ka të burgosur më të famshëm në burgun Sante”, i shkroi Beckett-i një miku. “Kutia e tij postare është gjigande. Prostitutat e tij e mbushin me dhurata. Kur të sulmojë dikë tjetër me thikë, do t’i japin titullin Legjioni i Nderit. Qëndrimi im në Paris nuk paska qenë i pavlerë”.

    Edhe pse Beckett-i tallej me incidentin e dhunshëm, ai i la shenja psikologjike dhe emocionale, e sigurisht ia pasuroi imagjinatën. Në librin Kujtesë dhe rrëfim: thurja e shkrimeve për jetën, James Olney, pedagog anglishteje në Louisiana State University, argumenton se goditja me thikë ishte “një pikë kthese me rëndësi” në të shkruarën e Beckett-it, në vepra si Duke pritur Godonë dhe E paemërtueshmja. “Nuk ishte afërsia me vdekjen ajo çfarë e bëri domethënëse përvojën”, thotë Olney, “por përgjigja pa ndjenjë përgjegjësie për arsyen e sulmit… nga ky moment e tutje, ‘nuk e di’ ose shprehje të ngjashme, gjenden gjithandej nëpër shkrimet e Beckett-it”.

    Koha në spital shënoi gjithashtu një pikë kthese në jetën personale të Beckett-it. Në dyjavëshin përpara sulmit, Beckett pati një lidhje pasionante me pasaniken Peggy Guggenheim. Kur ishte në spital, atë e takoi Suzanne Déchevaux-Dumesnil, një ish-infermiere dhe muzikante 38-vjeçare të cilën e njohu për herë të parë tek Ecole Normale Supérieure në vitet ’20. Ata ishin bërë miq të ngushtë, luanin tenis bashkë dhe bënin plot gjëra të tjera. Ajo lexoi për sulmin dhe nxitoi për te spitali. “Natyra dhe botëkuptimi i Beckett-it kishin të metat e tyre”, vëren Cronin. “Megjithatë, prirja e tij për t’iu gëzuar fatkeqësive kur ndodhnin, mund të shihet si një bekim”.

    Miqësia e tij me Déchevaux-Dumesnil u ndez sërish. Ajo i ofroi që të shërohej në shtëpi. “Unë bëja skena, kurse ajo bënte perde”, ishte konkluzioni sarkastik i Guggenheim-it se përse Beckett-i zgjodhi një rivale në dukje më shtëpiake kundrejt saj. Cilado të ishte arsyeja, Déchevaux-Dumesnil u bë partnerja e tij për 50 vitet e ardhshme. Me të Beckett-i iu arratis Gestapos (policia sekrete e nazistëve), duke ecur në këmbë natën dhe duke fjetur ditën. Çifti u martua në Folkestone në vitin 1960.

    Beckett nuk mund të konsiderohej kurrsesi një optimist. Ekziston një anekdotë që tregohet shpesh kur ai po ecte me një mik përmes një parku në Londër, gjatë një dite të mrekullueshme me diell. “Është ajo lloj dite që të bën të lumtur që je gjallë”, tha shoqëruesi i tij. “Nuk do të shkoja aq larg”, iu përgjigj Beckett-i.

    Mbijetesa prej goditjes me thikë e bëri shkrimtarin të reflektonte për obsesionin e tij me shëndetin vetjak. Katër vite përpara sulmit të Prudent-it, ai kishte ndjekur një trajtim psikoterapie te Klinika Tavistock në Londër, me Wilfred Ruprecht Bion. Në atë kohë 27 vjeç, Beckett ankohej për “simptoma të rënda të ankthit” dhe përshkruante me hollësi djersitjet natën, dridhjet, ndjenjat e panikut dhe vështirësinë në frymëmarrje. Kur gjendej në më të keqen e tij, ai tha se provonte një “paralizë totale”. Në letrat e kësaj periudhe, Beckett përshkruan një seri mjekimesh, që nga “cistet e gjëndrave dhjamore” dhe “gungat në ijë”, te “rrahjet e shpejta të zemrës”.

    Është e paqartë nëse iu shkaktua nga dy vite analizë apo nga goditja me thikë prej tutorit, por Beckett-i duket se nuk vuajti shumë nga hipokondria (ankth për shëndetin vetjak) në moshë të mesme. Ai qëndroi në formë dhe i shëndetshëm deri në pleqëri kur iu desh të përballej me zakonet e këqija të hershme. Studenti i ri që kishte qenë i zoti në tenis dhe në kriket – po ashtu mjeshtër në bilardo – në moshë të thyer mezi ecte dhe vuante nga emfizema (sëmundje në mushkëri), një gjendje e përkeqësuar nga tymosja e cigareve të lira për vite me radhë nëpër kafenetë e Parisit. Beckett vuante nga psoriaza dhe ekzema (sëmundje të lëkurës), e ashtu si personazhet në dramat e tij, kishte çrregullime të këmbëve dhe probleme me nyjat.

    Dr. John Wallace shkroi në vitin 2010 një artikull për shëndetin në rënie të Beckett-it, në gazetën Irish Medical Times. Wallace tregonte përse doktori francez i shkrimtarit, e vendosi 80-vjeçarin në një azil shtetëror të quajtur Le Tiers Temps, në distriktin e 14-të e të shkatërruar të Parisit. “Në vitin 1986, shëndeti i Beckett-it ishte tejet i rënduar”, shkruan shkurtimisht Wallace. “Beckett kishte ca kohë që vuante nga dispnea (mungesë frymëmarrjeje) dhe nisi të përdorte më shpesh oksigjen. Ai gjithashtu ishte rrëzuar disa herë dhe miqtë dyshonin se nuk po ushqehej siç duhej kur qëndronte në shtëpi”.

    Megjithëse disa vizitorë u ankuan se akomodimi i thjeshtë i azilit ishte i ‘papërshtatshëm’, dhoma në kat të parë dhe me pak mobilje e Beckett-it, me pamje nga një oborr, kishte një atmosferë të thjeshtë e i përngjante një manastiri, diçka që shkrimtarit i pëlqente. E vetmja gjë për të cilën ai ankohej, ishte letra e murit. Atij i pëlqente rutina e shtëpisë dhe bënte shaka se banorët e tjerë ishin “pleq çuditërisht gazmorë që shihnin televizor”. Ai nuk mbante telefon dhe rezidentët e tjerë çalonin dhe me mirësjellje thërrisnin Beckett-in që të shkonte te recepsioni nëse kishte telefonatë për të.

    Beckett shijonte rregullisht uiskin irlandez – Bushmills, Jameson dhe Tullamore Dew ishin disa nga të parapëlqyerat e tij – dhe me raste pinte një gotë birrë Guinness. Ai shihte në televizor kriket, futboll, skuadrën irlandeze të ragbisë dhe kampionatin e tenisit French Open. Vazhdonte të lexonte me kërshëri dhe mbante biografi të Oscar Wilde-it e Nora Joyce-it nëpër raftet e tij, së bashku me një kopje të Komedia hyjnore e Dantes. Pavarësisht vështirësisë në frymëmarrje, ai vazhdoi të pinte puro Havanitos Planteros, e tymoste i lumtur ndërsa dëgjonte Schubert-in e tij të dashur në një radio të vogël. Kur miqtë poetë, John Montague dhe Derek Mahon i shkuan për vizitë, Beckett kujtoi me kënaqësi shëtitjet në rini në Kodrat e Dublinit.

    Në 17 korrik 1989, Déchevaux-Dumesnil ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare. Beckett shkoi i vetëm në varrim dhe nuk ishte më i njëjti kur u kthye në azil. Në 6 dhjetor, Beckett u gjet i pavetëdijshëm nga një infermiere dhe u dërgua në spital. Dy javë më vonë ai ra në koma dhe ndërroi jetë mëngjesin e 22 dhjetorit, prej dështimit në frymëmarrje.

    Shkrimtari i cili njëherë tha se “Nuk mund të kaloja përmes rrëmujës së mjerueshme të jetës pa lënë gjurmë mbi heshtjen”, u varros në fshehtësi pas Krishtlindjeve në vitin 1989. Më vonë u varros bashkë me gruan e tij në varrezat Montparnasse të Parisit. Nuk pati asnjë klerik, asnjë shërbim fetar dhe asnjë fjalim në funeralin e Beckett-it.

    Kjo heshtje do ta kishte argëtuar Beckett-in. Pak përpara se të ndërronte jetë, ndërsa jetonte në azil, Beckett krijoi poemën e tij të fundit me titull Cila është fjala. E shkroi për Joe Chaikin, një mik që kishte pësuar infarkt. Krijimi i fundit i Beckett-it reflekton mbi marrëzinë e shtrëngimit të kotë për të gjetur fjalët e duhura.

    Beckett, i moshuar dhe i sëmurë, ishte ende një mjeshtër i gjuhës. Sa mirë që ajo pallto e trashë e shpëtoi prej tehut të Prudent-it atë mbrëmje vendimtare në vitin 1938. Bota u bekua me kryeveprat që ai ndërtoi.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË