More
    KreuLetërsiShënime mbi libraMatteo Mandalà: Kodiku i Kieutit (1736), vepër themelore e letërsisë arbëreshe

    Matteo Mandalà: Kodiku i Kieutit (1736), vepër themelore e letërsisë arbëreshe

    1

    Vepra me të cilën Nikollë Filja, prift i ritit bizantin nga Munxifsi (it. Mezzojuso), ngulim i hershëm arbëresh në provincën e Palermos[1], e ka lidhur emrin e tij me historinë kulturore dhe letrare shqiptare është dorëshkrimi i njohur si Kodiku i Kieutit. Ky dokument, që u zbulua nga Michele Marchianò në vitet e para të shek. XX në fshatin arbëresh Kieuti në krahinën e Kapitanatës[2], ka tërhequr prej kohësh vëmendjen e albanologëve për interesat e shumëfishtë që paraqet (gjuhësorë, letrarë, folkloristikë, historiko-kulturorë) të cilët jo vetëm kanë nxjerrë në pah rëndësinë e tij, sikurse dëshmohet nga botimet e pjesshme që pasuan zbulimin e dorëshkrimit[3], por kanë theksuar edhe meritat e Autorit, figura e të cilit jo më kot është vënë në qendër të kërkimeve të kryera gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve të fundit.

    Nicola Figlia: Nikollë Filja (1693-1763)

    Ato kërkime kanë sjellë si rezultat gjetjen e shumë dokumenteve, disa prej të cilave na lejojnë sot të përcaktojmë aspekte të rëndësishme të jetës së Filjes, si edhe të rindërtojmë kontekstin historiko-kulturor që ushqeu veprimtarinë e tij intelektuale; materialet e tjera përmbajnë tekstet në dorëshkrim të veprave të Filjes, të shpërndara në arkiva të ndryshëm publikë dhe privatë, që kishin mbetur të pabotuara për një kohë të gjatë. Mes këtyre, përveç teksteve autogafe me dy traktate të shkurtra, njëri historik dhe tjetri liturgjik, gjendet edhe dorëshkrimi me tekstin e veprës Vajtim’ i Zonjësë Shën Mërī Virgjërë mbi Malt Kalvarie, e cila, me sa dimë deri më sot, është e dyta vepër në arbërisht e shkruar nga kryeprifti i Munxifsit[4].

    Ky vëllim përmban botimet kritike të dy dokumenteve, pajisur me riprodhimet fotografike të dorëshkrimeve origjinale dhe me riprodhimin diplomatik të teksteve përkatëse dhe synon të vërë në dispozicion të lexuesit shqiptar vepra me vlerë të jashtëzakonshme letrare. Me këtë botim dëshirojmë të nderojmë kujtimin e Nikollë Filjes, njërit prej protagonistëve të ringjalljes kulturore të shek. XVIII, që tashmë konsiderohet nga shumë studiues si “shekulli i artë” i letërsisë arbëreshe dhe njëhohësisht t’i japim publikut shqiptar një vepër me vlera të padiskutueshme letrare e cila hodhi rrënjët e asaj lëvizjeje kulturore që parapriu, përgatiti dhe frymëzoi Rilindjen Kombëtare Shqiptare.

    Nikollë Filja, I krishteu i Arbresh (Kodiku i Kieutit), f. 1r. Biblioteka Apostolike e Vatikanit.

    2

    Botimi i parë i plotë i Kodikut të Kieutit pa dritën në vitin 1995. Arsyet që na nxitën asokohe të përgatitnim atë botim janë ende sot po aq aktuale sa të përligjin këtë botim të ri. Disa syresh janë ngushtësisht filologjike, të tjerat kanë karakter historiko-kulturor: ndër të parat përmendim disa të dhëna të reja dokumentare që kërkojnë një vizion të ri ekdotik në mënyrë që të hidhet dritë në vendin që zënë këto tekste në historinë e shkrimeve shqipe të shek. XVIII. Për më tepër që sot disponojmë dorëshkrimet origjinale autografe të Filjes.

    Në fakt botimet e mëparshme të Kodikut, qoftë ato të pjesshme të përgatitura nga Michele Marchianò, qoftë ato që u përgatitën mbi bazën e të parave pa shqyrtuar drejtpërdrejt dorëshkrimin origjinal, përfshirë aty edhe botimi ynë i vitit 1995 që u krye mbi një fotokopje të keqe të dorëshkrimit, janë të pamjaftueshme nga pikëpamja e rreptësisë filologjike dhe gjithsesi të paplota, madje ato vetë hapin ndonjëherë probleme, pasi vështirësojnë përcaktimin e saktë të burimeve dhe rindërtimin e marrëdhënieve mes versioneve të ndryshme që kemi në dorë, disa prej të cilave nuk janë origjinale.

    Nga pikëpamja ekdotike botimet e Marchianò-it paraqesin pasaktësi dhe kufizime qoftë metodologjike, qoftë filologjike (pa folur për kufizimet që burojnë nga mosnjohja e të folmeve arbëreshe të Sicilisë), të cilat kanë komprometuar rëndë rezultatet e punës së këtij studiuesi. Me gjithë meritat e padiskutueshme të Marchianò-it në zbulimin dhe botimin e disa veprave të panjohura më parë, duhet thënë se pikërisht të metat ekdotike të botimeve të pjesshme të Kodikut e bënë të nevojshëm botimin tonë të vitit 1995, botim i cili sot është i kapërcyer pasi tashmë disponojmë jo vetëm dorëshkrimin origjinal autograf të Kodikut, por edhe tekstin e veprës Vajtim, që asokohe nuk njihej dhe që përmban të dhëna të vyera për zgjidhjen e shumë problemeve tekstore.

    Mes arsyeve të rendit historiko-kulturor nuk mund të mos përmendim rrjetin e dendur ndërtekstor që lidh, nga njëra anë, tekstet e Filjes me ato të veprave të tjera bashkëkohëse ose të mëvonshme, nga ana tjetër, përhapjen e gjerë që ato kanë pasur në kohë dhe në hapësirë, qoftë kur janë rimarrë me përkthime dhe parafrazime, qoftë kur janë përshtatur në gjuhën e komuniteteve arbëreshe, që përbënin objektin e vërtetë të punës së Filjes dhe të kolegëve të tij, duke krijuar kështu një qark virtuoz dhe pjellor të komunkimit letrar. Jo rastësisht sot mund të pohojmë se këto tekste përbëjnë bazën e letërsisë që u zhvillua nga fundi i shek. XVIII, prej së cilës do të merrte jetë letërsia romantike e shek. XIX. Pikërisht në këtë perspektivë vendoset synimi tjetër i këtij botimi të plotë kritik të veprave të Filjes: t’u vërë në dispozicion albanologëve një mjet për të vlerësuar drejt procesin historik të letërsisë arbëreshe gjatë një faze kyçe të zhvillimit të saj.

    Nikollë Filja, Vajtim’ i Zonjësë Shën Mërī Virgjërë mbi Malt Kalvarie, f. 1r. Arkivi i Laboratorit Albanologjik „Antonino Guzzetta“, Katedra e gjuhës dhe e letërsisë shqipe, Università di Palermo.

    3

    Një arsye tjetër e rëndësishme për këtë botim kritik ka të bëjë me realizimin e projektit Beta (Biblioteka Elektronike e Teksteve Arbëreshe)5, që mbështetet mbi regjistrimin e plotë digjital të veprave letrare arbëreshe të shek. XVI-XIX i cili, veç së tjerash, parashikon vjeljen sistematike të thesarit leksikor arbëresh të dëshmuar me shkrim dhe krijimin e një baze të dhënash në formë fjalori historik[5]. Nuk është vendi këtu të ndalemi te dobia e realizimit të këtij projekti. Po mjaftohemi vetëm të theksojmë se me këtë projekt leksikografik ndërthuren studime kritiko-letrare dhe gjuhësore, të cilat falë projekteve të tilla mund të bëhen më të konsultueshme për publikun e gjerë.

    Projekti Beta nis me transkriptimin në alfabetin e sotëm të shqipes dhe botimin kritik të të gjitha veprave që qysh nga viti 1592 deri në fund të shek. XIX përbëjnë traditën letrare arbëreshe. Është fjala për vepra që jo gjithmonë janë vlerësuar siç duhet nga kritika letrare edhe për shkak të faktit që na kanë mbërritur në një numër të kufizuar kopjesh, çka e ka vështirësuar konsultimin dhe studimin e tyre të drejtpërdrejtë: disa nga këto vepra që ruhen në dorëshkrim, janë ende të pabotuara dhe thuajse krejt të panjohura. Në të vërtetë gjatë shekullit të shkuar dhe sidomos gjatë pesëdhjetë vjetëve të fundit ka pasur përpjekje për t’i kapërcyer këto vështirësi përmes një veprimtarie të dendur ekdotike dhe botuese të shumë veprave të autorëve arbëreshë. Mirëpo kësaj veprimtarie i ka mungur një impostim homogjen që duhej të përballonte në mënyrë organike disa aspekte kyçe të përgatitjes ekdotike të teksteve, sidomos ato që kanë të bëjnë me kriteret dhe metodologjinë filologjike në transkriptimin dhe botimin kritik të tyre.

    Me këtë aspekt të fundit mjaft kompleks, për shkak të larmisë dialektore dhe të sistemeve të ndryshme alfabetike që hasen në vepra të ndryshme, u mor posaçërisht Eqrem Çabej[6], jo vetëm duke paralajmëruar studiuesit për rrezikun e metodave sipërfaqësore të përdorura deri asokohe, por sidomos duke i kushtuar çështjes së transkriptimeve studime të veçanta, që sot shërbëjnë si manuale të kritikës tekstore, ndër të cilat kujtojmë botimin kritik të Mesharit të Gjon Buzukut[7], hyrja e të cilit na ka shërbyer si një udhëzues metodologjik për botimin kritik që po i paraqesim lexuesit.

    Nikollë Filja, Osservanza prattica del Rituale orientale, f. 1r. Arkivi historik i Horës së Arbëreshëve. Fondi II – “Seminario italo-albanese”, seria 6, nr. 3, dosja n. 216, fash. 3.

    4

    Nëse libri do të arrijë rezultatet e shpresuara, dua ta ndaj meritën me miqtë dhe kolegët që më kanë mbështetur dhe inkurajuar në këtë ndërmarrje. Në veçanti me bashkëpunëtorin, mikun dhe përkthyesin në shqipe të hyrjes së librit, Gëzim Gurga, i cili më nxiti të rishikoja botimet e mëparshme kritike dhe t’i bashkoja në këtë vëllim për lexuesin shqiptar.

    Një falënderim të veçantë dua t’i rezervoj mikut të dashur dhe Mjeshtrit të pazëvendësueshëm Francesco Altimari, i cili në vitin e largët 1991 më ofroi mundësinë të merresha me Kodikun e Kieutit duke më vënë në dispozicion fotokopjen që Giuseppe Gangale nxori nga origjinali dhe që sot ruhet në Bibliotekën e Universitetit të Kalabrisë. 

    Së fundi, nuk mund të harroj këshillat dhe sugjerimet e vlefshme të mësuesve të mi të mëdhenj: prof. Riccardo Ambrosini, me të cilin pata nderin të punoja gjatë viteve që kalova si kërkues shkencor në Univeritetin e Pizës, si edhe dy albanologë të shquar, prof. Antonino Guzzetta dhe prof. Francesco Solano, që ndoqën nga afër hapat e mi të parë në lëmin e filologjisë shqiptare. Kujtimit të tyre ia kushtoj këto fjalë falënderimi për mbështetjen dhe këshillat bujare që më dhanë gjatë periudhës së studimeve të mia.

    Last but not least, falënderoj shtëpinë botuese Ombra GVG dhe dy miqtë e dashur, Vasilika dhe Gëzim Tafa, jo vetëm se vendosën të mbështetin një gjerdan botimesh me veprat e klasikëve të letërsisë arbëreshe, pjesë e të cilit është ky libër, por edhe sepse për nga cilësia editoriale ky gjerdan nuk mbetet prapa traditës më të mirë editoriale perëndimore: kontributi i tyre i veçantë qëndron në punën artistike që kurorëzon historinë e një libri.

    Komuniteti i Munxifsit që prej kohësh nuk e flet më arbërishten[8], sot ruan ende shumë tipare të tjera të identitetit historik, etnik dhe kulturor. Ky botim i ri i Kodikut një çerek shekulli pas botimit të parë integral, nuk përbën vetëm një homazh për këtë ngulim që dikur quhej si “Athina e arbëreshëve të Sicilisë”, por edhe një urim të sinqertë që të rifitojë së shpejti rolin që ka pasur dikur në promovimin e kulturës arbëreshe.

     Hora e Arbëreshëvet, janar 2023

    Nikollë Filja, Breve ragguaglio, f. 1r. Arkivi historik i Horës së Arbëreshëve. Fondi II – “Seminario italo-albanese”, seria 6, nr. 3, dosja n. 216, fash. 3.

    [1]  Mbi historinë e Munxifsit shih Giuseppe La Mantia, I capitoli delle colonie greco-albanesi di Sicilia nei secoli XV e XVI, Palermo, 1904; Onofrio Buccola, La Colonia Greco-Albanese di Mezzojuso. Origine, vicende e progresso, Palermo, 1909; Salvatore Raccuglia, Sull’origine di Mezzojuso, ricerche storico-topografiche, Acireale, 1911; Luigi Genuardi, “Sulla questione delle origini di Mezzojuso,” botuar në Archivio Storico Siciliano, n.s., XXXVIII, fash. I-II, Scuola Tipografica “Boccone del Povero”, Palermo, 1913; Giuseppe Schirò, Canti tradizionali ed altri saggi delle colonie albanesi di Sicilia, Napoli, 1923 (r. a., Palermo-Piana degli Albanesi, 1986); Carmelo Bisulca, Il Casale dei Greci di Mezzojuso (1450-1550), Palermo, 1970; Henri Bresc, “Pour une histoire des Albanais en Sicile, XIV e XV siècles”, në Archivio Storico per la Sicilia Orientale, LXVIII, Catania, 1972; Ignazio Gattuso, Manzil Yûsuf, Palermo, 1972; Ignazio Gattuso, La popolazione della Terra di Mezzojuso nei secoli XVI, XVII e XVIII, Palermo, 1973; Francesco Giunta, Albanesi in Sicilia, a cura di Antonino Guzzetta, Palermo, 1984.

    [2]  Shih Michele Marchianò, Canti popolari albanesi delle colonie d’Italia pubblicati da un manoscritto della prima metà del secolo XVIII con traduzione iuxtalineare, Foggia, 1908 (r. a. A. Forni, 1986), f. VII.

    [3]  Botimet e pjesshme të disa fragmenteve të Kodikut të Kieutit u përgatitën nga Michele Marchianò: përveç vëllimit të lartpërmendur Canti popolari albanesi, shih Michele Marchianò, Poesie sacre albanesi con parafrasi italiana o dialettale la più parte inedite pubblicate da un codice manoscritto della I metà del sec. XVIII, parte prima, Napoli, 1908 dhe Michele Marchianò, “Il Cristiano albanese. (Da un codice manoscritto del XVIII secolo)”, në Bessarione, gennaio-marzo 1911, fasc. 115, serie III, vol. VIII, 1911, f. 187-217. Mbi këtë botim të fundit shih Gaetano Petrotta, “A proposito di un Catechismo Albanese del secolo XVIII pubblicato per cura del Prof. Michele Marchianò”, në Roma e l’Oriente, anno II, n. 16, febbraio 1912, Roma, 1912, f. 246-259 dhe n. 17, Marzo 1912, f. 303-320. Botimi i plotë i kodikut doli në vitin 1995: shih Nicolò Figlia, Il Codice chieutino, Edizione critica e concordanza a cura di Matteo Mandalà, Palermo-Mezzojuso, 1995.

    [4]  Kemi përgatitur dy botime të kësaj vepre në vitin 2004: Shih Matteo Mandalà, “Mbi Nicolò Figlia-n dhe mbi një vepër të tij të pabotuar: Vajtim’ i Zonjësë Shën Mërī Virgjërë mbi Malt Kalvarie (1755)”, në Alberto Basciani e Angela Tarantino (a cura di), Romania Orientale. Contributi italiani al IX Congresso Internazionale dell’Association Internationale d’Études du Sud-Est Européennes, Tirana, 30 gusht – 3 shtator 2004, vol. XVII, Roma, 2004, f. 181-205. Shih Matteo Mandalà, “Vajtim’ i Zonjësë Shën Mërī Virgjërë mbi Malt Kalvarie: vepër e pabotuar (1755) e Nicolò Figlia-s”, në Studime Filologjike, vol. 3-4, Tiranë, 2004, f. 109-150.

    [5]  Për këtë projekt shih Francesco Altimari, Un progetto di concordanze elettroniche di testi letterari albanesi. Origini di una ricerca, në Lingua, mito, storia, religione, cultura tradizionale nella letteratura albanese della Rilindja: il contributo degli Albanesi d’Italia, Atti del XVII Congresso Internazionale di Studi Albanesi (a cura di Antonino Guzzetta), Palermo, 1995, f. 79-82.

    [6]  Shih Eqrem Çabej, “Tekstet e vjetra shqip dhe disa kritere rreth botimit të tyre”, në Buletini i Shkencave Shoqërore, nr. 2, Tiranë, 1959, ribotuar në, Studime gjuhësore, vëll. i VI-të, Prishtinë, 1977, f. 334-336; Po ai, Mbi disa çështje të traditës së shkrimit dhe të drejtshkrimit të shqipes, në Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1974, f. 119-128, ribotuar në, Studime gjuhësore, vëll. i V-të, Prishtinë, 1988, f. 220-227. Shih edhe studimin tonë “Porosia e papërmbushur e Eqrem Çabejt dhe filologjia shqiptare në mjedisin arbëresh”, në Matteo Mandalà, Studime albanologjike filologjkiko-letrare dhe historiko-kulturore, “Naimi” Studio letrare dhe Shtëpi botuese, Tiranë, 2018, f. 259-272.

    [7]  Shih Eqrem Çabej, «Meshari» i Gjon Buzukut (1555). Botim kritik: Pjesa e parë – Hyrje dhe Transliterim; Pjesa e dytë – Faksimile dhe transkribim fonetik, Tiranë, 1968.

    [8]  Sipas papasit Onofrio Buccola, studiues i historisë së Munxifsit, ky ngulim arbëresh i Sicilisë e humbi krejt të folmen e vet në vitin 1837 (shih Onofrio Buccola, La cultura greco-albanese di Mezzojuso, Palermo, 1909, f. 53). Edhe pse na duket e vështirë të përcaktohet një datë kaq e saktë për një dukuri që do të jetë shtrirë në disa dekada, mund të themi se rreth mesit të shek. XVIII arbëreshët e Munxifsit e kishin humbur të folmen e tyre arbëreshe, fakt që na e dëshmon edhe Nikollë Keta: shih Nicolò Chetta, Tesoro di Notizie su de’ Macedoni, Introduzione di Matteo Mandalà, Trascrizione di Giuseppa Fucarino, Helix Media Editore, Palermo-Contessa Entellina, 2002, f. 500.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË