Me rastin e botimit në dy gjuhë të librit “Ëndërr e falur” të Resul Shabanit
Përzgjedhjen e poezisë së Resul Shabanit Ëndërr e falur, botuar në përkthim të bukur maqedonisht nga Fatbardha Shehu, Xhevat Gega dhe autori – edhe në gjuhën e origjinalit, shqip, – në kuadër të iniciativës së rëndësishme të botuesit “Dialog”, bashkë me autorin, sot e nderojmë me mirënjohjen “Dialog midis kulturash”, dialog aq i nevojshëm për kohën që e jetojmë. Këtë na e dëshmon, edhe kësaj radhe, kolegu dhe miku ynë Resuli i cili, sipas nesh, është ndër poetët më të njohur shqiptarë në Maqedoni dhe i çmuar në mbarë letërsinë shqipe. Përveç opusit krijues të veçantë si poet, prozator dhe autor dramash, ne na mahnit, siç është theksuar, misioni krijues dhe kulturor fisnik i tij si përkthyes, botues, ndërmjetësues në mes letërsisë maqedonase dhe asaj shqiptare. Po them mision, meqë me dhjetëra veprat e përkthyera dje, sot e nesër, me përkushtim, edhe me kolegë të tjerë maqedonas e shqiptarë, ai e ka zgjeruar fushën civilizuese në këto hapësira.
Frymëzimi poetik i Resul Shabanit, sado personal të jetë dhe shprehje e intimes së tij të ëndrrës dhe ëndërrimit, duke shtegtuar midis ëndrrës dhe zhgjëndrrës, e zbulon kohën e poetit të jetuar dhe atë që e jeton, si dhe ambientin ku është krijuar, është formuar dhe është qartësuar qenia dhe përmbajtësimi, ndjeshmëria për to dhe ideja e tij e përfshirë në ligjëratën e tij si poet dhe si njeri.
Lirika e Resul Shabanit lind dhe shfaqet në këtë përzgjedhje, dhe jo vetëm në të, në Liqen, prej burimeve nënujore të tij dhe prej atij uji të madh që e spërkat bregun e jetës së tij, duke vazhduar me ujin e fisnikëruar të Drinit nëpër botë. Gjithçka ëndërrohet dhe shihet në këtë rreth, që në mënyrë të vazhdueshme zgjerohet në imagjinatën e tij dhe në gjuhën e tij, të cilën e modelojnë vetja njerëzore dhe poetike e tij. Në këtë mënyrë ai i bashkëngjitet këngëtimit të poetëve të ujit, frymëzimit të tyre të pashtershëm ndër shekuj, duke ofruar zërin e tij autentik në përjetimin estetik dhe ideor.
Resul Shabani pi prej ujërave të liqeneve, por pi dhe këndon në mënyrën e tij personale, duke i ndarë prej tyre ato drithërima, ato nuanca dhe ato ide imanente të intimes së tij, të sensibilitetit dhe gjuhës së tij. Prej tyre çohen dallgë të pandërprera që e zgjojnë shqetësimin e fëmijërisë, të gjithë jetës, duke thurur qasjen polikromie të pjesës së njohjes integrale të pandashmërisë së njeriut dhe natyrës.
Liriku në të, në një vjershërim romantik të frenuar, ia afron lexuesit bregun e tij, shtëpinë e tij, me fshatin, me liqenin dhe Drinin, nëpër të cilin rrjedhin ëndrrat dhe ëndërrimet e ekzistencës. Janë mallëngjyese kumritë e tij, gjelat e tij, shpresat dhe tragjizmi i punës dhe kurbetit, të gjitha të gërshetuara te poezia programatike Poeti në vizitë.
Motivet e dashurisë dhe lidhshmëria me shtëpinë, babën, motrën etj., e zgjerojnë vjershërimin e tij edhe në frymëzimin e amshueshëm – të dashurisë ndaj së dashurës. Ka në këtë dashuri edhe dalldi dhe ngazëllim me bukurinë e femrës, por ka, si edhe te vargjet e tjera, edhe një melankoli të lehtë elegjiake dhe reflektim të lënduar. Kjo elegji e prajshme endet te sugjerimi i vargjeve për kalimtaren, sidomos te poezia Përsiatje tri ditë para vjeshte. Shpërthimi i bukurisë së dashurisë dhe dalldisë i bën hije njohjes dhe lidhshmërisë pas asaj që e mbjell luleborën, nëshpirtin e tij të shkretëruar, në vjeshtën e tij të vonuar.
Resul Shabani ëndërron syhapur. Ai i jeton dhe përjeton në kujtesë edhe dhembjen edhe realitetin, edhe helmin e punës dhe kurbetit. Ai përditshmërinë shumështresore e sheh edhe përmes ndjeshmërisë së poetit, edhe përmes përvojës së dramatistit, për të cilin në skenë derdhet edhe loja edhe kodrat e jetës në aluzione të qarta përmes ambivalencës së përllogaritur dhe ironisë. Kundrimi i tij është prekës dhe kritik, por njëkohësisht edhe mjekues. Për këtë arsye ka plotësisht të drejtë miku dhe kolegu ynë – kritiku Ali Aliu, – kur, duke shkruar për poezinë e Resul Shabanit, flet edhe për ironinë si terapi. Kjo është ironi karshi vetes, karshi ëndrrave, karshi botës siç është. Kjo e pasuron, e aktualizon dhe e fisnikëron një pjesë të vjershërimit të tij.
Lirika e Resul Shabanit me ndjeshmërinë e saj për traditën, në këtë përzgjedhje, e iluminon vëmendjen dhe shqetësimin tonë me triptikun e baladave të habitshme, të mahnitshme, të mrekullueshme: Buzëmbrëmja në liqen, Mesnata në liqen, Agu në liqen. I orkestruar si një poemë simfonike me tri akte, ky triptik është këngë dasme, ngjyer me shqetësimin dhe ngazëllimin jetësor, me drithërimën dhe dramën, si dhe me ekstazën mahnitëse të gëzimit. Të tria pjesët – shkuarja e krushqve për ta marrë nusen; kthimi i tyre me nusen dhe nata e dasmës, bashkë me natën e parë, me finalen e zbardhjes së agimit të pastërtisë dhe ndershmërisë, – shndërrohen në oden e bukurisë dhe pjellshmërisë në ripërtëritjen permanente të jetës. Realiteti i ndodhur që del nga përralla dhe nga folklori i gjallë dhe jetëkrijues, por edhe nga libri i fshehtë dhe gjallërues i poetit, me çurkën e pasthirrmave, ritmeve dhe ngjyrave, prej pasazheve dhe metaforave, përmban në vete diçka të moçme, sa shqiptare, aq edhe tonën, ballkanike, mediterane dhe universale në kremtimin e ekzistimit të mitit, ritualit dhe realitetit. Gjithë luhatjen e përjetimit dhe urtësinë e kohëve, njëkohësisht e kanë ndjesinë e diçkaje të pakapshme, jashtë logjikës, të pathënë deri në fund, duke lënë hapësirë për imagjinatën e poezisë dhe lumit përtëritës të jetës. Në këtë poezi është derdhur gjithçka me gjuhën e ritit dhe zakonit në lumin e gjuhës bashkëkohore të këngës. Nuk e njoh aq mirë poezinë e Resul Shabanit, por këtë triptik e përjetoj si kurorë të dhuntisë së tij dhe poezisë.
Përktheu: Gr. Sh.

FLOKËT E MEDUZËS
Si të bie në shtrat me Ty,
Kaq e hijshme me hije;
Me hojet e ëmbëlsisë së zbrazët?
Si të zgjohem nga shtrati yt
I pahelmuar
Kafshimesh të helmëta?
Po e kuptove shtratin e vdekjes
Si dashuri,
Ku do ta gjejmë amullinë
Që s’i ngjanë as vdekjes,
As gjumit?
Po vjen si figurë porcelani,
E bukur për t’u parë,
E ftohtë për t’u prekur!
Dashuri e butë, e lëngshme,
Gjumë që ëndrrën e këndell
Me erën e flokut tënd.
Ata që mendojnë se është helm,
Helmi dashuri se është;
Do të këndellen në eufori
Tri çaste para se t’u zihet fryma
Në sternën e trupit limfë.
Si të bie në shtrat me Ty,
Meduzë?
Frika pret gjunjët
E tremb gjumin
Dhe vdekjen e bën gjellë
Të shijshme.
Si të zgjohem prej gjumi
I përqafuar me helmin,
Meduzë?
Do zgjohem të pi një gllënjkë ujë
Se në trupin tim të kafshuar
Nga dashuria –
Një mijë e një vdekje brenda natës,
Kanë ndodhur.
Si të bie në shtrat me Ty,
E në gjumin tim zgjimet
Janë vetëm ylber ngjyrash!
Po munde ta kafshosh helmët
Fjalën që s’është thënë,
Do të zgjohem i kafshuar
Me thimthat plot helm.
Para se të takohemi në rrugën
Që pret hapin tonë,
Në trupin tim,
Bimët helmuese
Mëlçinë ma copëtojnë.
Po vdiqa nga sëmundja,
Vdes si gjithë anonimiteti:
A predhë.
A helm –
Njësoj –
Dashuri!

PRITJA
Sikur ta dije se ende të pres
me gazin e stinës
që del me mua
rrugëve nga ike ti!
Ty të pres
e vijnë gëzimet pa emër
kohë të vonuar me frymën e gjallë
gur a mur
jam
ti lumë i thellë që zdirgjesh tatëpjetës
nëpër reliefin e dashurive
të pakënaqura.

PRANVERA IME
Nëse ke vendosur
në kopshtin tim vjeshtor
të vish pa Atë
mos eja fare.
Dimri paska qenë
fati i shpirtit tim.
21.03.2018

KËNDON KUMRIA
A është vonë që njerëzit
I kanë fikur dritat e syve?
Marr të pi – vetëm s’më pihet,
Marr të vritem, s’më del gjak;
Dru e gur zhur o valë
Vetëm ngjyrë dhe vetëm pikturë.
Zgjuar eci, mbi vete mjegull;
A është vërtet vonë,
Apo ende s’jam zgjuar i tëri?
Në cilat vite po hynë vitet e mia,
Në cilat rrudha, në cilat valë?
A është vërtet kohë e ftohtë,
Apo fryn një fllad pranvere?
Ǜpo ngjet me shqisat e mia?
Marr të marr rrugë e shtrati
Vjen pas meje si anija që fundoset.
Me katërqind duart e mia
Mezi i shtrëngoj gishtërinjtë e mi.
Këmbët vetë përpara më shpijnë.
Do të arrij sidoqoftë.

SHËN NAUMI
S’ka guxim të më dalë ta shoh
Se do më magjepsë me bukurinë
E trupit që ka, zemër mbi zemra,
Dhe me tik-takun e amshimit
Si ritmi i jetës sonë
Dhe si rrjedha e Drinit
Që ndanë më dysh liqenin.
Një gur, arkivol, fron, lavdi, bukuri;
E vë veshin dhe dëgjoj.
Të gjitha rrëfimet më të larta të kohës
Rrjedhin në këtë legjendë.
Shën Naumi rri ngrysur me mjekër të gjatë
Dhe më lut ta përfytyroj.
Balsami që askush formulën s’ia di
E bën të më flasë me gojë,
Kurse unë këto vargje t’i shtroj
Mureve të bardha të ëndrrave
Dhe ditëve
Që vijnë.
Perëndia aty rri këmbëkryq
Dhe merr namin e vet
Të ftohtë dhe të bardhë, si mëngjesi.

MANASTIRI
Gjaku në afreskun e njomë,
Një mijë vjet më fjeti
Në pamjen e Onufrit
Dhe zografëve të tjerë,
Në faqen e fëmijës,
Me lotin e pelikanit,
Si ngjyra e mjeshtërimit të fshehtë,
Në këndin e zi të territ
Mes mureve,
Ku drita nuk prek.
Strugë, 18.09.’12