More
    KreuIntervistaMaša Kolanović: Është më e lehtë të përfytyrosh fundin e botës sesa...

    Maša Kolanović: Është më e lehtë të përfytyrosh fundin e botës sesa fundin e kapitalizmit

    Telefoni celular është shndërruar në zgjatim të trupit tonë, nëse mbetemi dy sekonda pa atë, të gjithëve na zë paniku dhe e kërkojmë, sikurse po kërkojmë gishtin ose hundën që na zhduket nga ndonjë çudi. Është drithëruese kur e mendon sesa aparati celular është bërë pjesë e jona, vazhdim i trupit tonë. Që të mos keqkuptohemi, edhe unë e përdor celularin, më lehtëson shumë në disa gjëra në jetë, por shpesh edhe më ngarkon. Nuk jam tip i rrjeteve shoqërore. Ia ngulim sytë atyre ekraneve dhe nuk vështrojmë më fytyrat që na rrethojnë.

    Vëllimi me tregime “Pafundësi” vitin e kaluar fitoi çmimin e kritikës dhe atë të publikut, gjithashtu kjo prozë ngjethësisht reale u nderua edhe me çmimin e publikut në Panairin e librit në Pula. Me këtë rast për librin, por edhe në përgjithësi për situatën në shoqëri, biseduam me këtë autore të cilën e vendosin në majën e letërsisë bashkëkohore.

    Gjithçka në këtë libër, nëse ndokush nuk është njohur ende me opusin tuaj, sugjeron se bëhet fjalë për një përzierje të Lovencraftit dhe Tim Burtonit duke iu shtuar Kafkën. Por përbrenda, në formën e 12 tregimeve, na pret një ngjethje e veçantë– ajo për të cilën përditë mbyllim sytë dhe e cila nuk gjendet nën krevat apo në dollap. Këta janë brumbujt, gjë që është këtu ngjethëse?  Ku arritën, si puna e kockave në titull, te gjejnë edhe Konsum-in?

    Brumbujt në librin tim janë metaforë e brishtësisë, tjetërsimit dhe thyeshmërisë së ndërtuar në gjurmët e Kafkës, në mënyrë të veçantë të “Metamorfozës” së tij e cila mund të lexohet edhe si metaforë ekzistenciale e të qënit njeri në kapitalizëm. Gregor Samsi është tregtar shëtitës, lexojmë mbi refleksin e stresit dhe stërlodhjes që ndjek punën e tij, ndërsa për familjen e tij, pasiqë shndërrohet në brumbull, ai bëhet i  tepërt. Padobia ekonomike e Gregorit asgjëson kuptimin e ekzistencës së tij.  Ai vetë është pasiv dhe nuk ka mundësinë e artikulimit të të folurit. Personazhet rreth tij nuk kanë empati, janë të ashpër me pragmatizmin e  tyre, por njëkohësisht edhe ëndërrimtarë pjellorë për jetën më të mirë dhe më të bukur dhe, nga ana tjetër, kanë vetëm “synime të mira”. Gjithçka që përbën pjesën fantastike te Kafka më është bërë e afërt nëpërmjet përjetimit të realitetit tonë në të cilin kapitalizmi i shndërron njerëzit në brumbuj që mund  të shtypen sapo të shfaqet rasti për një gjë të këtillë. Nga qytetari, punëtori, fshatari dhe inteligjenca e ndershme ose thjesht nga njerëz, kemi rënë në nivelin e blerësve dhe konsumatorëve, sikurse edhe neve na drejtohen  në mënyrë dominuese në të folmen publike. Në tregime konsumi shfaqet si lejtmotiv i tmerrshëm i cili “strukturës së ndjesive” të përgjithshme i jep një notë të lehtë. Nga fjala kroate për supermarketin sikurse shpallet nëpër reklama për këtë zinxhir tregtar aferash korruptive, deri te  dëshpërimi dhe rrënimi, pasojat e të cilëve goditën  më shumë punëtorët e brishtë dhe të pambrojtur, më së shpeshti punëtoret.

    Sa e vështirë është të ndërgje-gjësohesh se kapitalizmi dhe dëshira për materialen na ushqen dhe njëkohësisht na gërryen nga brenda? A ka mundësi që vetëdija për këtë të lidhet përshembull me të gjithë ngjarjet për vetëdijen mbi ndryshimet klimatike? A po shkojmë drejt asaj  që ta kuptojmë se e kemi tepruar me konsumizmin apo jemi një rast i pashpresë?

    Është e njohur dhe  cituar shpesh fraza e teoricionit marksist Frederik Xhejmson se është më e lehtë ta përfy-tyrosh fundin e botës sesa fundin e kapitalizmit. Kapitalizmi, madje edhe në kuptimin kulturor, është koncept kompleks dhe shumështresor për të cilin janë shkruar rafte të tërë me libra. Kapitalizmit është e vështirë t’i kundërvihesh ose t’i “largohesh” sepse ai na shkatërron si njerëz ndërsa njëkohësisht i kënaq instinktet tona më të ulëta. Ka gjithashtu prirjen  që bashkësinë, solidaritetin dhe “masën kritike” ta shpërbëjë në atome individësh pragmatikë dhe të palidhur me njëri-tjetrin. Për disa kapitalizmi është konsumizmi gjithëpërfshirës pa gërryerje të ndërgjegjes, për disa të tjerë ai është jetë në kufinjtë e ekzistencës. Përkundër gjithë këtyre, besoj te refleksioni kritik që ndërtohet me  themel dhe dinjitet. Besoj se shumë individë të këtillë mund të bashkohen në atë masën kritike me efektshmëri politike. Ndryshimet klimatike në fund të fundit u përkasin  të gjithëve.

    Për çfarë arsyeje në librin “Pafundësi” është shfaqur edhe amësia, kjo kategori e “shenjtë” mbi problemet reale të së cilës flitet, nëse në përgjithësi flitet, sikur të jetë një temë tabù? Përse nuk është diçka dinjitoze të flitet për këtë temë? Përse fëmijët në libër paraqiten sikur janë viruse ose parazitë nga të cilët është e vështirë të largohesh?

    Për këtë tregim kam vendosur sepse shoqëria shumë rrallë njeh dhe pranon tërë barrën e amësisë, për këtë nuk është dinjitoze të flitet publikisht, mbështetet vetëm versioni i ideales. Nga ana tjetër, gratë flasin mes tyre për gjëra të këtilla, e kuptojnë njëra-tjetrën në lidhje me problemin e lodhjes dhe superngarkesës në punën e stërmadhe emocionale dhe fizike e cila, edhe për-kundër gjithë parullave për barazinë, megjithatë bie mbi shpatullat e grave ose sëpaku shumicës prej tyre. Me këtë tregim desha të ndërpres qarkun e vetëmjaftueshëm të komunikimit. Ndoshta figurat e fëmijëve këtu duken si njëfarë “dëmi kolateral”, por ata duhen kontekstualizuar në naracionin  e vetë tregimit në mënyrë që të shihet se ata jo rrallë dalin nga perspektiva e heroinave të tregimit të cilat janë tejet të lodhura dhe jo rrallë nuk kuptohen sa duhet si “fuqia punëtore e papaguar dhe më e ngarkuar me punë” në këtë botë.

    Edhe përkundër faktit se shumë veta thonë se aparatet celularë po na tëhuajsojnë, ju, në një mënyrë specifike dhe rrënqethëse, i ngjitni me thelbin e individit, dhe me të cilët lidhemi kaq shumë dhe në mënyrë të pashëndetshme saqë duhen marrë me vete edhe në varr. Si i konsideroni këto pajisje kur shihni sesa është dehumanizuar shoqëria, a mos aparati celular, mjeti më i madh kapitalist që arriti të ndryshojë karakterin tonë, të “dounludohet” sëbashku me identitetin tonë? A vjen në ndihmë ndonjëfarë “detoksifikimi” për të cilin dëshirojmë  të flasim të gjithë?

    Në gjurmët e metaforës së shndërrimeve që na kanë ndodhur me hipjen në fron të kapitalizmit, aparatin celular e konsideroj si pjesë e këtij shndërrimi në shoqërinë e konsumit. Telefoni celular është shndërruar në zgjatim të trupit tonë, nëse mbetemi dy sekonda pa atë të gjithëve na zë paniku dhe e kërkojmë, sikurse po kërkojmë gishtin ose hundën që na zhduket nga ndonjë çudi. Është drithëruese kur e mendon sesa aparati celular është bërë pjesë e jona, vazhdim i trupit tonë. Që të mos keqkuptohemi, edhe unë e përdor celularin, më lehtëson shumë në disa gjëra në jetë, por shpesh edhe më ngarkon. Nuk jam tip i rrjeteve shoqërore. Ia ngulim sytë  atyre ekraneve dhe nuk vështrojmë më fytyrat që na rrethojnë. Me aparatin celular komunikojmë në mënyrë më të pranueshme me të tjerët, por ka ndodhur inflacioni i komunikimit  dhe kemi humbur ndjesinë e tjetrit nëpërmjet kontaktit direkt. Në këtë kuptim jam skeptike dhe ndaj idesë se detoksifikimit. Detoksifikimi qëndron te vetëdijësimi, dhe jo t’i kthehemi rutinës së vjetër të vartësisë. E kemi lënë veten të biem robër dhe kjo në njëfarë kuptimi na pëlqen, për këtë, edhe për shumë të tjera, themi se është më e lehtë ta mendosh fundin e botës sesa fundin e kapitalizmit.

    Kur flasim për detoksifikuesit, kohët e fundit shumë këshillojnë “vëzhgimin përreth vetvetes”, shkëputjen nga gjërat materiale dhe natyrisht, orientimin për blerjen e mallrave gluten free, paraben free, alkool free. A është ndjesia që të ndahemi nga vartësia prej kapitalizmit dhe uljes së çmimeve pikërisht një truk tjetër kapitalist? A bëjnë pjesë këtu edhe orvatjet, shpresat e pashpresë për “një të nesërme më të mirë”, elementët e së cilës shihen edhe në librin tuaj?

    Më shumë i shoh këto si një truk kapitalist, prirje që po shitet mjaft mirë. Mendoj se ndryshimi autentik nuk do të vijë vetëm nëpërmjet ndryshimin të zakoneve të konsumit. Duhet shumë më tepër se kaq.

    Keni prekur edhe temën e ustashizmit, ose si të thuash, ajo të bie në sy në tregimet tuaja. Duke patur parasysh se “e dimë” se fashizmi si i tillë është rrënqethës, në ndryshim  nga disa motive të tjera që keni prekur, a mund të na shpjegoni përse ai thjesht u dashka të gjendej, dhe në këtë mënyrë, në përditëshmërinë e personazheve?

    Tregimet janë vendosur (në kohë) në të përditshmen recente kroate, në të cilën problemi i ustashizmit është larg të zgjidhurit. Ustashizmi na është bërë deridiku i  zbutur dhe i pranuar në heshtje. Është ngjethës fakti sesa simbolet ustashe (e famshmja germa

    “” në tregimin “Jetë më e mirë”-shën.im Xh.F.) janë bërë triviale dhe të përditshme. Në to shihet tipikisht ajo “e keqja banale” kroate. Njerëzit as që i shokon fakti se fëmijët e tyre gjithë gëzim lëshohen teposhtë në rrëshqitëset ku janë gdhendur kryqi i thyer dhe germa “”. Ngjethja shpërthen pikërisht nga pranimi shpirtvogël dhe jokonfliktual dhe sëbashku me këtë edhe minorizimi i krimeve të tmerrshme që fshihen pas këtyre simboleve.

    Në një intervistë keni thënë se për të shkruar këtë vepër ju ka animuar nipi juaj pasiqë dëgjoi dhe përceptoi në mënyrë të gabuar lajmin në qendrën tregtare. Po ashtu, te “Liria e Barbit” (Slloboshtina Barbie)-Barbi nga bota e saj “plastike fantastike” krijon këndin e saj të vogël, me prapaskenë tingujt e lajmeve nga fusha e betejës. Si e konsideroni botën e fëmijëve brenda botën ngjethëse të insekteve?

    Po, nipi im, atëbotë me kulturë konsumiste me fantazi të paprishur, me rastin e një vizite në një shopping center në atë lajmërimin për të gjithë që emetohet nga altoparlantët me zë të këndshëm në vend të frazës “blerës të nderuar” (në kroatisht: “poshtovani kupci”) dëgjoi “brumbuj të nderuar” (në kroatisht: “poshtovani kukci”), gjë që për mua ishte një moment epifanik me të cilin m’u hap ajo e çara me shikimin mbi botën siç është formësuar në libër. Nipit tim ia detyroj këtë asociacion. Fëmijët në përgjithësi me shikimin e tyre vërtetë të sinqertë mbi botën janë frymëzim i madh për mua, as ata vetë nuk janë të vetëdijshëm sesa i ndriçojnë të çarat e të rriturve. Por gjithashtu vëzhgoj sesi fantazia e tyre madhështore shumë shpejt kolonizohet dhe thahet nga sistemi, konsumizmi dhe forma të tjera të hegjemonisë. Fëmijët, sipas statisatikave, konsiderohen si konsumatorë dhe për këtë shumë të brishtë dhe pothuajse aktorë të pandihmë në arenën e egër të konsumizmit, gjë që aludohet edhe në titullin e këtij tregimi.

    Nga “Jamerika”, deri te “Liria e Barbit”, e më tej deri te “Brumbuj të nderuar”, stili juaj pak a shumë ndryshon, arranzhimi  i tekstit pasurohet, madje herë herë shtoni edhe vizatime. Si ju duket procesi i “lëmimit” të stilit, sa ndikon në qëndisjen e tekstit puna juaj e përditëshme në Departamentin për kroatistikë dhe diploma për letërsi komparative?

    Zakonisht shkruaj në pushimin mes dy punimeve shkencore ose gjysëm kohëshet administrative të punës me të cilën merrem, shkruaj margjinat që hapen në këtë ndërhapësirë. Letërsia dhe të marrurit shkencërisht me letërsinë janë ngushtësisht të lidhura te unë dhe, pa shikimin që kam ndër “të dyja anët”, as letërsia ime dhe as puna ime shkencore nuk do të ishin të njëjtat. Te unë  gjërat lindin zakonisht në njëfarë gjendje ethesh fillestare, ku më përndjek dëshira dhe nevoja për t’i dhënë formë diçkaje, hedh ndonjë ide në letër në formë lënde të parë, skicoj ilustrime në vija të baqarta. Kur e ashtuquajtura temperaturë bie, atëherë i futem punës delikate të lëmimit dhe luçidimit.

    A ekziston ideja mbi ndonjë libër të ri, mbi ndonjëfarë “shikimi” të ri mbi botën, apo ideja varet nga cili këndvështrim shikoni? Dhe në fund, mendoj se gjithsesi këtë duhet ta shkruani, por diku kam lexuar se Miljenko Jergoviçi në recensionin e tij ka shkruar se ju “jeni e detyruar” të shkruani. A jeni dakord me të dhe cili është qëndrimi juaj në lidhje me dëshirën për të shkruar?

    Për momentin jam në sferën e shkencës e kësisoj personi im letrar është në hibernim. Mendoj se të shkruarit ka kuptim vetëm nëse pikërisht vjen nga dëshira e cila, me kalimin e kohës, bëhet imponim, dhe jo nga mbajtja e njëfarë “forme fizike” të imazhit publik të shkrimtarit. Shkrimtari bëhet përsëri nga fillimi i tillë me shkrimin e çdo teksti të ri.

    Përktheu Xhelal Fejza

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË