More
    KreuLetërsiBibliotekëMaryse Condé: Portret Familjar

    Maryse Condé: Portret Familjar

    Nëse dikush do t’i kishte pyetur prindërit e mi se cili ishte mendimi i tyre për Luftën e Dytë Botërore, ata pa dyshim, do të përgjigjeshin se ajo ishte periudha më e errët që ata kishin njohur. Jo për atë që Franca u nda në dy pjesë, apo për shkak të kampeve të përqendrimit në Drancy dhe në Auschwitz, shfarosjes së gjashtë milion izraelitëve dhe të gjitha atyre krimeve kundër njerëzimit që po paguhen edhe sot, por sepse për shtatë vite të gjatë ata u privuan nga ajo që ishte më e rëndësishmja për ta: udhëtimet në Francë. Meqenëse babai ishte një ish punonjës shtetëror dhe mamaja punonte akoma si mësuese, atyre rregullisht iu jepej e drejta të merrnin pushime me pagesë, bashkë me fëmijët, nga vendlindja e tyre në Guadeloupe në métropole. Franca për ta nuk ishte kurrsesi qendra e pushtetit kolonial. Në të vërtetë, ajo ishte Mëmëdheu, ndërsa Paris-i, Qyteti i Dritës që ndriçonte jetën e tyre. Mamaja na mbushte kokën me përshkrimet e mrekullive të Carreau du Temple dhe të tregut Saint-Pierre, për të vazhduar më pas në formë mbishtese me Sainte-Chapelle-n dhe Versailles. Babai preferonte Louvre-n dhe sallën e vallëzimit Cigale, ku si beqar, kishte shkuar për të ardhur në formë. Kështu, nga mesi i vitit 1946, me një ngazëllim të plotë, ata nisën lundrimin me avulloren që do t’i bartte në Le Havre, ndalesa e parë në rrugën e kthimit drejt vendit të adoptuar.

    Unë isha fëmija më e vogël. Një nga historitë mitike të familjes sime kishte të bënte me rrethanat e lindjes sime. Në moshën gjashtëdhjetë e tre vjeçare babai ishte akoma shumë i fortë. Mamaja sapo kishte festuar ditëlindjen e saj të dyzetë e tretë. Kur nuk i erdhën periodat, ajo mendoi se i ishin shfaqur shenjat e para të menopauzës, ndaj dhe nxitimthi u turr te mjeku gjinekolog, Dr. Mélas, i cili e kishte pasur paciente në të shtatë lindjet e fëmijëve të saj. Pasi e vizitoi, ai shpërtheu në të qeshura.

    ‘Kisha aq shumë turp,’ i thoshte mamaja shoqeve, ‘saqë gjatë muajve të parë, shëtisja lart e poshtë si një grua e pamartuar dhe përpiqesha të mbulohesha.’

    Pavarësisht se ajo më mbulonte me të puthura, tek thoshte se ‘vogëlushja e vonuar’ ishte bërë bastuni i saj në moshë të madhe, unë, sa herë që e dëgjoja këtë histori, kisha të njëjtën përshtypje: nuk kisha qenë e dëshiruar.

    Sot, jam në gjendje që, në një farë mënyre, ta përfytyroj pamjen e pazakontë që ne formonim tek rrinim ulur jashtë kafeneve në Latin Quartier, në Paris-in e zymtë të pas luftës: im atë, një ish Don Zhuan, goxha në formë për moshën që kishte, mamaja e mbuluar me stoli të tepruara të tipit kreol, tetë fëmijët e tyre, motrat, me sytë e ulur përtokë, të veshura si altarë, vëllezërit adoleshentë, njëri prej tyre tashmë student në shkollën mjekësore, dhe unë, një çapkëne e vogël me një zhvillim të parakohshëm. Ata, garçons de café, me tabakatë të mbështetura në ijët e tyre, na silleshin rrotull gjithë admirim si bletë mjalti. Tek vendosnin mbi tavolinë porosinë diablos menthe, kurrë nuk harronin të na thonin: ‘E dini çfarë, ju e flisni frëngjishten shkëlqyeshëm!’

    Prindërit e mi e prisnin komplimentin pa buzëqeshje dhe pa lëvizjen e asnjë qime floku; ata, thjesht, tundnin kokën në shenjë aprovimi. Në momentin që garçon-i largohej, ata ktheheshin nga ne si të ishin dy dëshmitarë: ‘Megjithatë, ju jeni aq francezë saç janë dhe ata,’ thoshte babai duke psherëtirë.

    ‘Madje, diçka më shumë,’ vazhdonte mamaja me furi duke shtuar më pas edhe shpjegimin, ‘Ne jemi më të arsimuar. Sjellja jonë është më e mirë. Ne lexojmë më shumë. Disa prej tyre nuk kanë dalë asnjëherë nga Parisi, ndërsa ne, kemi vizituar Mont Saint-Michel, Riviera-n dhe bregdetin Basque.’

              Në këtë bisedë kishte diçka patetike, gjë që, edhe pse isha shumë e re, më trazonte. Prindërit ankoheshin për një padrejtësi të madhe. Pa kurrfarë arsye rolet përmbyseshin. Kamerierët me përparëse të bardha dhe uniforma të zeza që nxitonin t’i vinin duart mbi bakshishet e konsideroni veten superiorë ndaj klientëve të tyre bujarë. Unë, për veten time, nuk arrija ta kuptoja përse njerëz të këtillë, kaq krenarë dhe të kënaqur me veten, pjesë e Establishment-it në vendlindjen e tyre, garonin me disa garçons de café të cilët po iu shërbenin.

    Një ditë vendosa t’i jap drejtim situatës. Sa herë që isha në mëdyshje, i drejtohesha për ndihmë vëllait tim Alexandre, i cili e kishte ri-quajtur veten Sandrino, ‘për të tingëlluar më amerikan.’ Si nxënësi më i mirë i klasës, me xhepat të mbushur me letra dashurie që i dërgoheshin nga mikeshat e tij, Sandrino ishte një dritë dielli në jetën time. Ai ishte një vëlla i dashur që të dilte në mbrojtje. Unë do të kisha pasur dëshirë që të kisha qenë më shumë se, thjesht, motra e vogël – e cila harrohej sapo ai kalonte pranë fundit të një vajze, apo sapo fillonte një ndeshje futbolli. A ishte ai në gjendje ta shpjegonte sjelljen e prindërve? Përse ata i kishin zili njerëzit, të cilët, sipas fjalëve të tyre, nuk ngriheshin dot në lartësinë e tyre?

    Ne jetonim në një apartament në katin përdhes të një rruge të qetë në Arrondissement-in e shtatë. Jeta nuk ishte si në La Pointe të Guadeloupe-s, ku mbaheshim të mbyllur me kyç në shtëpi. Në Paris, prindërit na lejonin të dilnim lirshëm dhe madje të luanim me fëmijë të tjerë. Atëherë, habitesha me qëndrimin e tyre. Më vonë, kuptova se në Paris, prindërit tanë nuk kishin arsye të trembeshin se ne do të flisnim në gjuhën creole apo se do të na pëlqenin daullet gwoka, siç u pëlqenin rreckamanëve në la Pointe. Mbaj mend se ishte dita kur po luanim mos-më-prek me fëmijët flokëverdhë në katin e tretë, tek ndanim çaj frutash të thata, në një Paris të sfilitur nga mangësia e ushqimeve. Errësira filloi ta shndërrojë qiellin në një sitë të mbushur me yje. Në çastin kur po bëheshim gati të ktheheshim në shtëpi, një nga motrat nxori kokën në dritare dhe thirri: ‘Fëmijë, Babai dhe Mamaja thonë se ka ardhur ora që të ktheheni në shtëpi!’

    Përpara se të më jepte përgjigje, Sandrino mbështeti kurrizin te porta e një automjeti. Një hije e errët ra mbi fytyrën e tij gazmore që ruante akoma faqet topolake të fëmijërisë. Zëri i tij u shndërrua në një zë serioz. ‘As mos e vrit mendjen për këtë,’ buçiti ai. ‘Babai dhe Mamaja janë një çift individësh të tjetërsuar.’

    Të tjetërsuar? Ç’kuptim kishin këto fjalë? Unë nuk guxoja ta pyesja. Nuk ishte hera e parë që Sandrino vinte në lojë prindërit. Me anën e një gjilpëre me kokë, mamaja kishte mbërthyer një fotografi, të prerë nga revista Ebony, sipër kokës së krevatit. Një familje afro-amerikane me tetë fëmijë, ashtu si familja jonë, kishte pozuar në një mënyrë të admirueshme. Ishin të gjithë mjekë, avokatë, inxhinierë, dhe arkitektë. Me pak fjalë, ata ishin krenaria e prindërve. Kjo fotografi e bëri Sandrino-n të shkulmojë në përqeshje, i bindur se ai do të bëhej një shkrimtar i famshëm, pa e ditur aspak se do të largohej nga kjo jetë në pamundësi për ta përqafuar atë. Ai asnjëherë nuk m’i tregoi faqet e para të romanit të tij, por ngaherë m’i recitonte poemat, të cilat më vinin në mendime; sipas tij, ky ishte dhe roli që poezia duhet të luajë. Natën e kalova duke u përpëlitur në shtrat me rrezikun që motrën time Thérèse-n, e cila flinte mbi mua në krevatin e marinarit, ta zgjoja nga gjumi. Unë i adhuroj prindërit e mi, i thashë vetes. Ishte e vërtetë se flokët e thinjur dhe rrudhat e fytyrës nuk më pëlqenin aspak. Do të preferoja që prindërit e mi të ishin më të rinj. Që mamanë time ta ngatërronin me motrën time të madhe, siç ndodhte me mamanë e shoqes sime të ngushtë, Yvelise-s, sa herë që ajo e merrte me vete në katekizëm. Ishte gjithashtu e vërtetë se më kapte një ankth kur babai e ngarkonte bisedën me shprehje latine, të cilat siç zbulova më vonë, gjendeshin në fjalorin Petit Larousse Illustré. Verba volent. Scripta manent. Carpe diem. Pater familias. Deus ex machina. Vuaja jashtëzakonisht shumë kur shikoja mamanë që vishte, në mes të vapës, çorape tepër të bardha për lëkurën e saj të zezë. Dashurinë, të cilën prindërit e mi fshihnin në thellësi të zemrës së tyre, unë e njihja mirë, ashtu siç isha e vetëdijshme edhe për përpjekjet e tyre për të na përgatitur drejt asaj që ata besonin se ishte një jetë e mrekullueshme.

    Në të njëjtën kohë, besimi im te vëllai ishte aq i madh sa gjykimin e tij nuk mund ta vija në dyshim. Duke u nisur nga mënyra e të shprehurit dhe toni i zërit të tij, unë nuhata se fjala misterioze të tjetërsuar dëftonte tipin e një lëngate të turpshme si gonorrhea, dhe ndoshta një sëmundje fatale si tifo e zorrëve që një vit më parë kishte rrëmbyer jetën e shumë njerëzve në La Pointe. Në mesnatë, pasi i mblodha të gjitha faktet së bashku, dola me një teori disi të turbullt. Një njeri i tjetërsuar është dikush që përpiqet të jetë diçka që nuk mund të jetë, sepse nuk është i kënaqur me atë çka është. Në orën dy të mëngjesit, pikërisht kur po kapitja sytë, në një farë pështjellimi mendor, u betova se kurrë nuk do ta lejoja veten të bëhesha një person i tjetërsuar.

    Për rrjedhojë, në mëngjes u zgjova një vajzë e mitur që ishte shndërruar rrënjësisht. Nga një fëmijë model, u ktheva në një fëmijë që ta kthente fjalën dhe që grindej me fjalë. Meqë synimet e mia nuk ishin shumë të qarta, thjesht kundërshtoja gjithçka që prindërit ma sugjeronin: një mbrëmje në opera për të dëgjuar sinjalet e borive te Aida apo këmbanat te Lakmé; një vizitë në Orangerie për ta admiruar Nymphéas-in e Monet-it; ose thjesht një fustan, një palë këpucë, apo kordele për flokët e mi. Mamaja, virtyti i së cilës nuk ishte durimi, nuk i kursente shuplakat që shpërndante. Njëzetë herë në dite ajo ulërinte: ‘O Zot i Madh! Ç’dreqin i ka hyrë në kokë kësaj vajze?’

    Një fotografi e nxjerrë nga fundi i një vizite të veçantë në Francë, na tregon të gjithëve së bashku në Kopshtet e Luksemburgut. Të gjithë vëllezërit dhe motrat janë të vendosur në radhë. Babai, me mustaqe, ka veshur një pallto të madhe me jakë të gëzoftë. Mamaja, me dhëmbët e saj të bardhë si margaritarë, buzëqesh; sytë e saj si bajame kapsallitin nën kapelën e shndritshme prej lëkure të tipit fedora. Pranë këmbëve të saj qëndroj unë, e dobët dhe e shfytyruar nga pamja e dëshpëruar dhe nursëze, të cilën do ta kultivoja te vetja deri në fund të adoleshencës, deri sa dora e fatit, e cila i ndëshkon rëndë fëmijët mosmirënjohës, më bëri fëmijë jetim shumë herët, në moshën njëzetvjeçare.

    Që atëherë, e kam pasur në dispozicion kohën e nevojshme për ta kuptuar fjalën tjetërsuar, dhe sidomos për ta pyetur veten nëse Sandrino kishte të drejtë. A ishin prindërit e mi të tjetërsuar? Për të qenë të sigurt, ata kurrë nuk u mburrën me prejardhjen e tyre afrikane. Në lidhje me të, ata nuk dinin asgjë. Dhe ky është fakt! Gjatë vizitave të tyre në Francë, babait asnjëherë nuk i shkeli këmba në Rue des Écoles, ku kishte lindur revista Presénce Africaine, një ide origjinale e Alioune Diop-it. Ashtu si edhe nëna, ai preferonte bindshëm kulturën perëndimore, ndaj dhe i ishte mirënjohës përgjithmonë Francës që ia kishte dhënë rastin të dyve për ta përfituar atë kulturë. Në të njëjtën kohë, asnjëri prej tyre nuk vuante asnjë grimë nga kompleksi i inferioritetit që mund të vinte për shkak të ngjyrës së tyre. Ata besonin se ishin njerëzit më mendjemprehtë dhe inteligjentë në botë, një dëshmi pozitive kjo e përparimit të arritur nga të zinjtë.

    A ishte ky kuptimi i ‘të tjetërsuar’?

    Përktheu nga origjinali Aristidh Shqevi

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË