Nga Majlinda Nana Rama
Kim Mehmeti është një nga ata autorë i cili e ka krijuar staturën e një prej prozatorëve më në zë të letrave shqipe përmes kolanës së veprës së tij gati gjysmëshekullore. Duke u ndalur në librin e tij të fundit “Lutjet e mesnatës” (Botimet “Agora”, 2019), natyrshëm lind pyetja: “Ç’janë lutjet e mesnatës dhe pse pikërisht në mesnatë?” Lutjet e mesnatës janë emblemë dhe identikit i njeriut të ditës-heroit-unit autorial, që i shqetësohet shpirti dhe indi i tij për botën e ndërtuar mbrapsht, atë të sotmen. Dhe mesnata shënon orën dhe kufirin zero, mes asaj që mbetet pas dhe të mëpastajshmes që do të vijë. Ja pse lutje në mesnatë. Për të mos qenë si një e djeshme e sekondëkaluar, atje ku është caku ndarës: dje-sot-nesër; e mirë-e keqe. Pse në mesnatë? Sepse shpirti i trazuar i shkrimtarit nuk gjen paqe; nuk anatemon të keqen, “i fal ngaqë nuk dinë ç’bëjnë”, por vazhdon të mos gjejë prehje nëse e nesërmja do të ketë të njëjtën shëmbëlltyrë si e sotmja. Lutja është thelbi i humanes që na dikton qysh në titull Kim Mehmeti, madje lutja e mesnatës është kufiri i ndarjes nga një e djeshme e padëshirueshme, e thënë me eufemizëm. Dhe këtu është momenti që “të nxjerrë krye” lexuesi: sa dhe si ndihet i pak-gjithë-a tejpërfshirë në heroin dhe unin autorial. Kjo është sfida për lexuesin – jo e vështirë dhe që kërkon një çikëz përqendrim. Ngjarjet në tregimet e Kimit vërtiten rreth jetës së përditshme, me zhvillimet, të papriturat, urtësitë, shpirtin human e njerëzor, dalldisjen dhe heshtjen, të bukurën dhe të shëmtuarën, mes reales dhe ëndrrës, dëshirës dhe refuzimit.
Ato përsillen rreth dashurisë, urrejtjes, teprisë dhe së munguarës. Autori ka gjetur një shteg në veprën e vet, duke e përsosur çdo hapësirë narrative me përshkrime e mendime që lëvizin nëpër kohë e hapësirë. Imagjinata e tij nuk njeh status quo, ajo lëviz duke sjellë me vete kombinime ngjarjesh reale me ato nga më magjiket. Kimi bëhet mjeshtër i pleksjes së imtësive, grimcave, gjërave të vogla në përmbushje të ideve të mëdha. Pasi lexojmë nëpër margjina, ne shohim se si shpalos, pa sforco, një mori sjelljesh e ndjesish, që shpesh nuk vërehen ose vërehen veç nga syri survejues dhe i vëmendshëm. Brenda kësaj perspektive autori bën analizë të jetës shoqërore në përgjithësi. “Lutjet e mesnatës” vjen me personazhe nga jeta e përditshme.
Me veset e dëshirat e përhershme. Disa me paragjykime, disa të mbushur me pasion, të tjerët me ndjenja të veçanta që lidhen me botën materiale e shpirtërore. Në këtë përmbledhje i gjen pothuajse të gjitha tipat njerëzorë. Edhe pse në disa tregime personazhet rimerren si emra, ato vishen me petk tjetër. Filozofia që e shoqëron mendimin kreativ të Kimit vihet re tek flladit përherë, herë dukshëm e herë në mënyrë diskrete, personalitetin dhe karakterin e personazheve të tij. Kimi vendos në qendër ngjarje-personazh dhe rreth këtyre dy shtyllave nis të ravijëzojë një mori të tërë rrugësh, alternativa e vizione. Ato dalin natyrshëm, sepse rrjedhat e shkrimit tregimtar ecin ashtu, lirshëm e pa ngërç improvizues. Duke iu referuar subjekteve të paraqitura në secilin tregim (pa u ndalur këtu në tregime të veçanta), vëmë re se kemi të bëjmë me prozë tregimtare gati të një realizmi magjik, ku personazhet paraqesin problemet jetësore e shoqërore, që ndërtojnë e shkatërrojnë deri në zhbërje ndjenjën njerëzore dhe nga ana tjetër, aspiratën e përhershme për zbulimin e më të mirës së njeriut. Për ta detajuar, në tregimet e librit “Lutjet e mesnatës” shohim: tipare realiste, në paraqitjen e personazheve nga shtresa të ndryshme shoqërore; elemente realiste, që pasqyrojnë zhvillimet e ditës; vendi i zhvillimit të ngjarjeve është ai që autori e prek çdo ditë, e njeh, ka ecur në të dhe e mban tërë kohës me vete, nëpër hapa narrativë. Krahë për krahë me këtë bosht real autori sfidon me surrealen, në papërcaktimin e kohës dhe hapësirës, komunikimin e personazheve të gjalla e të vdekura, vendosjen pranë e pranë të historive të qenësishme dhe imagjinare. Në pikëpamje historike, proza e shkurtër e Kimit paraqet në detaje jetën e gjallë të shekullit që jeton, ndërsa sa i takon një pikëpamjeje tjetër, asaj shoqërore, Kimi sjell tjetërsimin, transformimin e thelbit të njeriut, kërkesat për njohjen ndaj vetes, mundimin për të mbërritur te kuptimi në tërësi i qenies dhe materies. Gjithë ky arsenal dhënie-marrjesh e zhvillimesh na çon në kurmin psikologjik të veprës, përkatësisht të tregimit të Kimit, ku gjejmë vlerën materiale e atë shpirtërore përballë njëra-tjetrës me njeriun në mes, në rastin e autorit me njeriun që, sidoqoftë, kërkon të përsoset përmes një lufte të heshtur.
Rrëfenjat e Kim Mehmetit përqasen me rrëfenjat e Mitrush Kutelit, ku shohim dendurisht rrëfime mbi ngjarje të treguara; magjizmin markezian në ndërtimin e subjektit dhe intrigës. Dhe për të hedhur edhe një ide tjetër: rimarrja dhe risjellja e personazheve në situata të ndryshme, në tregime të ndryshme, na përsjell “Komedinë njerëzore” të Balzakut, por bash me origjinalitet të Kim Mehmetit. Individualiteti autorial i tij vihet re edhe në strukturën e veçantë e boheme. Proza, përkatësisht, tregimi i Kim Mehmetit, ecën nëpër teknika origjinale, pa ndjekur forma narrative të mëhershme. Kjo i bën tregimet e këtij libri dinamike dhe rrezatuese në aureolën e letrave shqipe në kapërcyell të dy shekujve letërsi.