nga Ali Aliu
Që në fillim duhet thënë se ky shkrimtar rishtazi, me secilën vepër të radhës, dëshmon, pos fuqisë krijuese të madhe, se është familjarizuar me shkollat e mëdha tregimtare, sidomos të frymës klasike prusiane dhe ato latino-amerikane, – borhesiane, markeziane, – brenda të cilave ndihet mirë dhe i sigurt. Vetëm dy muaj më parë, shtëpia botuese “Agora” në Tiranë do të hidhte në treg një libër tejet interesant, për një emër po aq interesant. Përmbledhja me tregime të zgjedhura të shkrimtarit të njohur Kim Mehmeti ishte një ngjarje në letërsinë shqipe, këtej e andej kufijve. “Lutjet e mesnatës” janë lutjet e shpirtit njerëzor për më shumë dritë qiellore, prandaj proza e Kim Mehmetit duhet lexuar ndryshe nga ajo e traditës klasike realiste – në këtë libër, lëvizjet e jashtme janë vetëm pretekst, forma alternative që trokasin, që mëtojnë të shpalosin shtresime thellësive të botës së njeriut… Edhe më herët e kam thënë se arti tregimtar i Kim Mehmetit tingëllon ndonjëherë si i parakohshëm e ndonjëherë tjetër si i vonuar. Edhe kur duket i pasistemuar, edhe kur lë përshtypjen e një spontaniteti jo të kontrolluar mirë, shpejt krijohet bindja për praninë e një kërkese dhe sistemi të qëndrueshëm, të brendshëm (jo të kërkuar), për rend logjik. Bredhja e çlirshme e imagjinatës së begatë dhe të zotëruar vjen si frymëzim i nxitur kujtimesh nga ambienti i lindjes, kryesisht nga një vend – metaforë makondiane ku fshihen mistere nga më të ndryshmet… Pikërisht ky korridor i gjallë, vërshuar nga impulse dhe sinjale, shndërrohet në perspektivë të pashtershme krijuese, vatër nga thith duke zbuluar rishtazi e çuditërisht lëndë të re frymëzimi. Nisur nga kjo poetikë, proza tregimtare e K. Mehmetit profilizohet e nuancuar rreth dy shtyllave: rrëfimi që ushqehet nga ambienti përreth, e sidomos vatrat që nxisin kohën e shkuar, kujtimet, emocionet dhe plagët që i lë pas koha, dhe ai i korpusit – thënë kushtimisht, të narracionit magjik… Duke i lexuar tregimet e Kimit, përballesh me dekor karakteristik për ëndrrat dhe magjitë, me premisa bullgakofiane, ku çdo gjë është e mundshme dhe ku fluturohet me ndihmën e qilimave magjikë. Në këtë varg renditen pamje somnabulike, sajohen bëma, pamje dhe veprime të çuditshme duke kaluar nga bota e ëndrrave në atë reale dhe anasjelltas, e që, në këtë ecejake të pandërprerë, për asnjë çast të mos humbë fija që i lidh dhe i bën tok ato… Klasifikimi i tillë është kushtimisht i qëndrueshëm: në tërë opusin krijues të Kim Mehmetit, pra edhe si romansier edhe si tregimtar, kufiri mes reales dhe imagjinares dikur arrin një pikë shkrirjeje… Për më shumë, këto dy sonda përthithëse dhe artikuluese sikur përplotësohen deri në atë shkallë sa s’mund të qëndrojnë ndaras. Rruga e narracionit horizontal, që mëton ecje më të gjatë, në teknikën rrëfimtare të K. Mehmetit shkurtohet. Në kombinim maestral të të dyja sondave, tiparet e theksuara si ecje në sipërfaqe dhe ecje në thellësi, rrëfimi arrin shkrepje të befta që e ndriçojnë hapësirën që synon shkrimtari. Në krahët e rrëfimit të tillë, fjalitë vijnë të ngarkuara duke ushtruar trysni ndërmjet tyre se cila të dalë më parë në sipërfaqe. Ngjeshja dhe shpejtësia e ritmit në këtë vërshim impulsesh, në çaste sikur rrezikon të shndërrohet në pështjellim dhe kaos, që nuk ndodh. Autori nuk druan t’i japë udhë të lirë tërë atij zgjoi impulsesh duke e pasur nën kontroll të sigurt. Forma e tillë e rrëfimit dhe teknika narrative, impulsimi i tillë i imagjinatës, mbulon dhe arsyeton, shndërron në art edhe rebelimet më të paimagjinueshme të imagjinatës… Përmendim këtu: Gjarpri i shtëpisë, Pëllumbat e bardhë, Lulet qiellore, Rruga etj.
Kim Mehmeti arrin sintezë të natyrshme të dy prirjeve narrative, të zëna ngoje më sipër: rrëfimin e nxitur dhe të ngjizur ngasjesh të afërta, të përditshme, që të vënë para sprovës të pozicionohesh perspektivash të qarta ndaj botës, jetës, njeriut, fenomeneve, me ç’rast, sado i fshehtë dhe artistikisht i asimiluar, pozicionimi, si jehonë e largët mesazhi, artikulohet i pashmangshëm dhe tipin tjetër narrativ, që lind si ngasje universale, si ngasje filozofike, metafizike, ndaj jetës dhe universit njerëzor. Tipi i parë i rrëfimit sjell aromën e reflekseve të përafërta, është i ngarkuar me impulse asociative, paralelizma aludivë dhe metaforikë, konkretë dhe të prekshëm, ndërsa lloji i dytë narrativ impulson reflekse ligjërimesh universale. Tipi i parë parapëlqehet, sidomos, nga lexuesi që artin e të rrëfyerit e preferon në funksion të pozicionimit konkret ndaj jetës dhe njerëzve, ndërsa i dyti, nga lexuesi me kërkesa më të rafinuara, të artit të të rrëfyerit fin që të shkakton kënaqësinë e të rrëfyerit mjeshtëror, të ngarkuar përsiatjesh filozofike në krahët e imagjinatës që shpalos mistere, bukuri rrëfimi, që nxit ndriçim sferash pa anë e pa fund.
Kjo vihet re në tregimet Te shtëpia e Fakit, Pëllumbat e bardhë, Fshati i palmave të larta, Lutjet e mesnatës etj.Kimi rrëfen, nën magjinë e ngasjes së mjeshtrit, artistit të të rrëfyerit, nga cytjet e të kuptuarit, përkatësisht të të moskuptuarit të botës, jetës… Në këtë lloj tregimi, autori lëshohet krahëve të një dehjeje frymëzimi, duke bredhur shtigjeve të një realiteti fiktiv dhe të prin duke shpalosur hapësira të çuditshme të shpirtit dhe të universit njerëzor…
Kjo karakteristikë dhe ky refleks shfaqet formash dhe trajtash të ndryshme, nga vepra në vepër e këtij autori, herë si dashuri dhe magjepsje pas së bukurës, ndaj harmonisë dhe përsosmërisë në botë dhe gjithësi, herë si dashuri dhe si magjepsje pas vashës që meta-morfozohet dhe shndërrohet në trajta dhe forma të pakapshme, flurore dhe ëndërrore, herë shfaqet si një fanar i paarritshëm diku në thellësitë e detit të pafund apo lumit kristalor, herë si lule me prejardhje alkimike të parealizueshme po tmerrësisht të dëshiruar, herë si peshk realo-ireal… Në kontekste të ndryshme narrative, këto dritëhije të brendshme, përherë të gatshme për të thumbuar njëra-tjetrën plot hidhërim trishtues, shpesh marrin karakter sfidash përplasëse mes së mirës dhe së keqes, mes së bukurës dhe shëmtimit, që janë sfond i përhershëm në botën letrare të këtij prozatori të shquar të letërsisë shqiptare…
Kim Mehmeti e ka thënë edhe vetë se nuk u takon shkrimtarëve asketë që do të flijonin çdo gjë për krijimtari, e as atyre që nuk lënë ditë pa shkruar të paktën nga një rresht. Pra, filozofia e tij jetësore është që në jetën e njeriut asgjë nuk është gjithaq e rëndësishme sa t’i zhvlerësosh gjithë të tjerat e të të çojë të heqësh dorë nga gjellët e shumta që të ofron jeta. Prandaj edhe ritmi i veprave të shkruara dhe të botuara të tij i ngjajnë një diagrami me rënie dhe ngritje.
Thënë shkurt, poetika tregimtare e Kim Mehmetit është e veçantë: lexuesi i kujdesshëm i prozës bashkë-kohore shqipe, besoj se e vëren lehtë teknikën, natyrën, filozofinë e prozës së tij dhe poetikës narrative. Me këtë rast do të veçojmë ndonjë nga karakteristikat e kësaj poetike, në të cilën rol vendimtar ka lëvizja e imagjinatës në kohë dhe në hapësirë; ngjarja e rrëfyer, e thurur vërshim ngjyrash, ku edhe pse në plan të parë mbetet shtrati kryesor, përreth dhe anash shfaqen në ecje spektër rrjedhash – ndërhyrje dhe digresione në margjina që vihen në veprim dhe secila sjell ngarkesë dhe rrjedha të pleksura me shtratin qendror. Kur narratori e nis rrëfimin, teksti fillimisht e artikulon objektin globalisht, ofron konturet e përgjithshme të tij që, në hapin e dytë, shpejt zgjat dorën majtas e djathtas, para dhe mbrapa, poshtë dhe lart për të marrë grimca detajesh të hedhura dhe të shpërndara në kohë dhe hapësirë, në dukje pa një sistem e radhë, gjithë për t’i inkuadruar në korpusin e tij narrativ. Kështu duket fillimisht shtrirja e tij epike, e fuqishme, e ngarkuar me lindën e parë, kryesoren, e cila, nga ana e vet, sa më shumë bën rrugë për aq e shton ngarkesën e tërheqjes së vet me copëza anësore të shpërndara hapësirës epike… E tillë duket rrjedha e rrëfimit në prozën e Kimit edhe brenda një pasusi të vetëm, sidomos kur ai si një e vetme fjali shtrihet brenda sipërfaqes që përkap dhjeta faqe. Në këto raste, rrjedha narrative kryesore ndërpritet për një çast për t’u kthyer e për të marrë çfarë ka lënë pas e anash, me lëvizje të përllogaritura në hapësirë dhe kohë. Brenda hapësirave të tilla gërshetohen e pleksen, marrin frymë e plotësohen fragmente, detaje të cilat, si ishuj të shpërndarë në kohë, ndodh edhe gjatë tërë një shekulli, komunikojnë dhe e përplotësojnë, e kuptimësojnë njëra-tjetrën, i përcjellin sinjale, ndriçim të ri, mesazhe të reja, filozofi të re jetësore…
Në tregun tonë të përditshëm, të ligjshëm, ku shitet e blihet çdo gjë, në prozën tregimtare të Kimit ke përshtypjen se mall tregu është bërë edhe shpirti… Pikërisht në hapësirën e kontaminuar që zotëron përditë e më shumë mbi ne, me parashenjat e para si paaftësi për të reaguar natyrshëm, për të qenë krah së mirës, vlerës, shprishja e integritetit moral, intelektual; nënshtrimi ndaj dhunës dhe prirja për dhunë, regjistrohen në tregimet që sjell vëllimi më i ri i Kim Mehmetit.