(Për tim nip dhe veten time)
Tërë ditën gugat si pëllumb. Qesh e loz
Thërret mamin, babin, gjyshërit, dajat, hallën Elonë
Borën e Lean, Rinin e Lirin rend,
ani se larg, në tjetër kontinent…
Sa çel e mëshel sytë i bën bashkë Tiranën dhe Prishtinën,
Komunën e Parisit dhe Ulpianën,
Hasan Prishtinën e Selam Salarinë
Nol kapedani.
Nga të gjithë librat më së shumti e do atë me portretin e Heroit në ballë
Shtypur më Një Mijë e Nëntëqind e Gjashtëdhjetë e Tetë.
Vit historik për ne të harruarit e historisë.
Njëzet muaj i ka, njëzet e pak, ky picirruk.
Nuk i njeh ditët, muajt, vitet, shalon shekujt,
Thërret Skënderbeun të vijë në Krujë të shpëtojë Mëmëdhenë.
Në mbrëmje, para gjumit, hyn në dhomën e gjyshit
dhe saluton si trim: “Baj, Gjyshi!; Baj, Kënderbeu!”.
Rituali vazhdon për çdo natë, baj-baj, i bekuar, u rritsh!
Teksa fle si qengj në dhomën pranë, në atë ngjitur nuk ka gjumë.
Librat rrinë zgjuar në raft. Gjyshi punon me e pa laps.
Tërë ditën gugat si pëllumb e kërcen si ketër
s’lë vend e send pa trazuar e prekur.
Dy pëllëmbë shtat e s’e zë shtëpia,
Kërkon të dalë jashtë, te lodrat në park
Të luajë me qen e mace, me zogj e flutura, thnegla e bletë.
E do qengjin e vogël që bën “be-be” trishtueshëm (në ekran)
Dhe përrallat fantastike me gjyshe e ujqër, me Kësulkuqe e Piter Pan…
Kërkon librin e humbur e s’e gjen dot…
(Ku humbi, vallë, ku treti ai portret që është fytyra jonë?!)
Njëzet muaj i ka, njëzet e pak. Dy pëllëmbë shtat…
Ecën, vrapon, rrëzohet, ngrihet, qesh e qan
Thotë emrin e vet Nol dhe përplas duart si gaztor.
Çka s’bën, çka s’bën, ky vogëlush pitilush!
Me një gisht e përmbys universin
Dhe e ribën sërish në lojën e tij pa kufij.
Zgjat duart nga ballkoni sipër Dritares së tetës Rudinë
Dhe ia fal Hënën Mamit.
Babin e ka Yll!
Dhe fluturon sakaq në Prishtinë te Lili, që e do shumë
dhe e bën të qeshë edhe në gjumë…
Rrokaqiejt qëndrojnë pip në këmbë si roja
E lodrat flenë dhe presin ditën e nesërme…
Është mëngjes. Ditë feste.
Edhe pak do të zgjohet dhe do ta zgjojë tërë lagjen
Me zërin e tij… Me gugatjet e tij… rrugët, sheshet, qytetet, planetët.. .
Zgjohu, shpirti i gjyshit dhe jepi pak shpirt ditës së re,
Jepi dritë nga sytë e tu plot dritë!…
Mirëmëngjes, shpirt! Trokit, trokit!…
Zgjoje të lashtën botë, që po lëkundet si somnambul
Në rrugën drejt së ardhmes… Jepi pak gaz e shpresë! Pak zemër…
Dhe mua, Gjyshit tënd poet, me dy shtatëshe në shpinë
Më fal pakëz forcë e durim
Ta sfidoj shtrigën plakë pleqërinë
Sëmundjen dhimbjen mallin vetminë…
Ta kaloj Thirrën e lumin Drin
Edhe ndoj mot edhe ndoj stinë
Amin, o Zot, Amin!
(Prishtinë, 1 maj 2024)
Një poezi e mbushur plot me jetë ku shpresa, dëshirat, përditshmëria, besimi, brezi më i ri dhe mosha e tretë ballafaqohen në distanca kontinentale me gjithçka bota sot përjeton si një qytet/fshat apo një familje e madhe. Një familje si një metaforë globale me probleme jetësore, gëzime dhe halle. Të gjitha këto në një lutje mëngjesore për ditë më të mira, për besim e optimizëm rinor ndaj sfidave të jetës dhe kohëve që përjetojmë. Të lumtë penda mik i shtrenjtë poet Agim Vinca për këtë stil e ripërtëritje krijuese jetësore e tingëllore!