More
    KreuLetërsiShënime mbi libraLuan Topçiu: Poezia e burgut – frymë që këputi prangat

    Luan Topçiu: Poezia e burgut – frymë që këputi prangat

    Letërsia e sirtarit

    Si në çdo vend tjetër të Lindjes së Europës, pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri pati një pritshmëri dhe një kërshëri të shihej se çfarë ishte “letërsia e sirtarit”, siç është bërë zakon të quhet letërsia e ndaluar, e censuruar, e pabotuar dhe letërsia e burgjeve, megjithëse në Shqipëri kjo lloj letërsie dukej e pamundur, për shkak të diktaturës më të egër dhe të burgjeve më mizore.

    Pas shumë dëshmive, dorëshkrimeve, veprave të papërfunduara, memuaristikë, të shkruara nga ata autorë që vuajtën burgjeve, – në këtë atelie të ferrit njerëzor, – dolën në dritë poezi, tregime, romane, drama, letërsi që do t’i nënshtrohej kriterit estetik, ballafaqimit dhe konkurrencës me letërsinë e botuar. Autorët ishin të paktë, të njohur dikur e të ndaluar më vonë, vepra të ndaluara, autorë të ndaluar, autorë që nuk ishin aspak të njohur për publikun, sepse nuk kishin pasur kurrë mundësinë të botonin. 

    Shqiptarët nuk kanë letërsi sirtari! Kjo gjë dëgjohej menjëherë pas vitit 1990, thirrja triumfale e disa shkrimtarëve të shqetësuar nga reagimet kundër komunizmit dhe diktaturës. Preferonin të thuhej që elitat kulturore janë të kompromentuara tërësisht dhe përfundimisht në vendin tonë. Miti i mungesës së librave të “sirtarit” ishte miti që promovonin ata që kishin rënë në ujdi me Regjimin Komunist, mendonin dhe shkruanin siç donte regjimi dhe që nuk kishin pasur guximin të ishin ndryshe, qoftë dhe për sirtarin e tyre. Këta autorë, jo të paktë, ishin jashtëzakonisht të motivuar për të përhapur këtë mit që i lante nga mëkatet, domethënë që askush nuk kishte mundur të shkruante fshehurazi letërsi, për pasojë Shqipëria nuk ka pasur elita antikomuniste dhe letërsia shqipe ishte ajo që ishte botuar deri më atëherë. Kështu, përmes këtij miti, duhet të ndodhte një nivelim në rënie, që do të thoshte se nuk kishte pritshmëri për autorë të rinj e të panjohur që mund të kërkonin rishikimin e hierarkisë letrare të deriatëhershme dhe as libra të rinj për t’u zbuluar. Renditja duhej të mbetej e njëjtë, box-office-i identik. Shumë prej tyre kanë luftuar gjatë 30 viteve të fundit për të forcuar këtë klishe për arsye të qarta.

    “Letërsia e sirtarit” ekzistonte dhe disa nga autorët dëshmuan të jenë të jashtëzakonshëm si në të gjithë Europën Lindore, edhe në Shqipëri.

    Në veprat që ishin shkruar fshehur nën ciklopizmin e Sigurimit dhe Censurës, ka më shumë të vërtetë sesa në gjithçka që u shfaq në botimet shtetërore midis 1945-1990. Letërsia ishte e shtetit, e Partisë sunduese.

    Kjo situatë gjeneroi pas rënies së sistemit komunist letërsinë e të ashtuquajturve “shkrimtarë të guximshëm” – të cilët denoncuan regjimin komunist shumë vjet pasi ai u shemb. Shumë syresh e denoncuan komunizmin disa dekada pas zhdukjes së tij. Ata marrin çmime letrare dhe vlerësime morale për vlera që nuk i kanë pasur kurrë.

    Të ashtuquajturit autorë “trima pas lufte”, shkrimtarë oportunistë, janë një blof dhe mashtrim. Guxim është kur shkruan kundër regjimit, kur e di se je i përndjekur. Guxim është kur botuesit refuzojnë dorëshkrimet e tua për arsye politike, kur librat e tu ndalohen dhe je i përgjuar. Guxim është të vazhdosh të shkruash edhe pse je i ndaluar nga Censura. Ata që rishkruajnë biografitë e tyre letrare pas rënies së komunizmit dhe krijojnë mite të rreme janë raste të trishta morale, etike dhe njerëzore.

    Ndërgjegjja e vrarë kombëtare dhe Visar Zhiti

    Një nga shkrimtarët më të talentuar që kaloi nëpër ferrin komunist do të ishte Visar Zhiti, vepra e të cilit pasuron letërsinë shqipe me një përvojë të panjohur, me një zë të vërtetë, të cilin poezia e tejngopur dhe e tepërlumtur komuniste nuk e njihte. Visar Zhiti solli në poezinë shqipe ndjesi dhe pamje nga ferri komunist dhe me prozën e tij do të na tregonte burgjet e populluara me intelektualë, shkrimtarë, politikanë, përkthyes të shquar, dëshmi rrëqethëse që do t’i përjetonte vetë si viktimë e komunizmit.

    Poezia e tij ishte bashkëmoshatarja e poezisë së realiz-mit socialist, e shkruar si në kor e komandë plot me opti-mizëm, pothuaj pa e njohur fare trishtimin. Çfarë mund të shënonte një poezi kombëtare që nuk e njihte trishtimin, – këtë gjenerator themelor të poezisë, – që nuk e njihte humbjen, që nuk e njihte pendimin, brengën, melankolinë, nostalgjinë, mallin, vetminë, që nuk e njihte praninë e frikën ndaj vdekjes dhe Zotit?

    Poezia e Visar Zhitit është pjesë nga e vërteta tragjike, nga e pathëna dhe e papranuara, është një letërsi që gatuhej në errësirën ku komunizmi u përpoq të mbyllë intelektualët, zëdhënësit e lirisë.

    Letërsia e burgjeve ishte një radiografi e shoqërisë shqiptare të kohës, e shkruar në pjesën më të dhimbshme e më të turpshme të shoqërisë, nga vendi ku shqiptari shtypte shqiptarin që mendonte ndryshe.

    Me daljen në dritë të kësaj letërsie do të kryhej një akt drejtësie në ndërgjegjen kombëtare dhe letërsia shqiptare, aq deficitare ndaj së vërtetës, do të fitonte një përmasë që i mungonte. Ndërgjegjja e vrarë kombëtare do të rifitonte diçka që e kishte humbur për gjysmë shekulli. Zëri që vinte nga kjo “heshtje” ishte tronditës, kumbues, i rëndë, tragjik – ishte zëri i thellë i ndërgjegjes së lënduar, të shtypur. Ndërgjegjja kombëtare kryente një akt pajtimi me vetveten, duke botuar atë pjesë të krijimtarisë kombëtare që ishte mohuar të shihte dritën e botimit.

    Visar Zhiti, poet që u burgos në moshën 27-vjeçare, pa mundur të afirmohet plotësisht si poet, burgoset për disa poezi të pafajshme dhe detyrohet të kalojë disa nga vitet më të bukura të jetës në burgjet famëkeqe të Spaçit, Qafë Barit etj.

    Umberto Eco, një nga shtatë mendimtarët më të mëdhenj të kohëve tona, do të shprehet kësisoj në para-thënien e një botimi antologjik në vendin e tij në Itali, për nocionin moral, juridik dhe etik të pafajësisë së poetëve të dënuar për shkak të letërsisë, duke e ilustruar argu-mentin e tij me poetin shqiptar Visar Zhiti: “Sa e gabuar ishte… duke thënë… që u burgosën padrejtësisht gjatë këtyre shtatëdhjetë e pesë vjetëve. Pse ‘padrejtësisht’? Me të drejtë, do të thosha unë, të paktën nga pikëpamja e regjimeve që i arrestuan dhe i dënuan ata. Për të justifikuar nevojën e dënimit, nuk është e nevojshme që një shkrimtar të veprojë si subjekt politik, por ashtu si Zenone, ai komploton në mënyrë aktive kundër tiranit. Shihet qartë në këtë libër rasti i Visar Zhitit: mjaftoi të shkruante poezi të konsideruara nga redaktorët e një shtëpie botuese ‘të trishtuara dhe hermetike’ e pra, kundër regjimit. Pastaj, praktika i kaloi automatikisht Komitetit Qendror të Partisë Komuniste shqiptare e Ministrisë së Brendshme dhe Zhiti fitoi drejtësisht dhjetë vjet burg. Kjo poezi u shkakton frikë regjimeve autoritare e diktatoriale edhe nëse flet, si në rastin e Zhitit, edhe për trëndafila.”[1]

    Por koncepti “letërsia e sirtarit” nuk është i vlefshëm për poezinë e Visar Zhitit, sepse krijimi i saj bëhej në rrethana tejet të jashtëzakonshme, në burg, ku ishte e ndaluar të shkruante, ashtu siç do të dëshmonte vetë poeti: “Në fillim nuk i shkrova, por i krijova me mend, mes mureve ciklopike të qelisë, në vetmi e ankth, i thosha dhe i thosha me vete që të sfidoja absurdin dhe tmerrin, hetuesinë dhe boshin.”

    Poezia do t’i bëhet e njohur publikut shqiptar pas viteve ’90. Visar Zhiti boton librin e parë poetik më 1993, “Kujtesa e ajrit”, ku kishte edhe poezi nga burgu, pastaj do të vazhdonte me përmbledhjen “Hedh një kafkë te këmbët tuaja” (1994), e gjitha me poezi burgu, por jo të gjitha që kishte shkruar në burg. Më pas botohen vëllimet “Mbjellja e vetëtimave’’ (1994), “Dyert e gjalla” (1995), “Kohë e vrarë në sy”(1996), që del në Prishtinë, në Kosovën e paçliruar ende dhe ndërkaq poezia e Visarit do të kalojë kufijtë e vendit, do të botohet në Itali –  “Croce di Carne” (Kryqi prej mishi) 1997 dhe, po këtë vit, në Rumani do të dilte libri “Psalm”, një vëllim poezish dygjuhësh, shqip dhe rumanisht; do të botohej dhe do të ribotohej “Si shkohet në Kosovë” (1999), “Thesaret e frikës” (2005) dhe poezia e tij do të kalonte oqeanin, për t’u botuar në SHBA, shqip dhe anglisht përmbledhja me poezi “The condemned apple” (2005) etj. Kështu, poezia e Zhitit do të dilte në të gjitha gjuhët e Ballkanit dhe në gjuhë të tjera në Europë dhe së voni, më 2018, në Itali botohet një tjetër përmbledhje në dy gjuhë  “La note é la mia patria” (Nata është atdheu im), po kështu dhe në Rumani “Aripa Franta” (Flatra e mundur) etj.

    Poezia si dëshmi, dorëshkrimi si dokument

    Poezia e Visar Zhitit është ajo që krijohet kur njeriu ndodhet në zgrip të jetës, i gjendur atje ku është vështirë të shohësh një pikë dritë (në kuptim të figurshëm dhe të drejtpërdrejtë), në pikën-limit, ku vdekja është e pranishme, më afër se kurrë, po kështu dhe ankthi. Poezia shndërrohet në mbrojtësen e tij – mbrojtësja e njeriut të pambrojtur. Nga kjo posturë e skajshme, poezia është shpëtim mendor dhe ekzistencial. Njeriu Visar Zhiti do të ndihej i lidhur ontologjikisht me poezinë, shkaktaren e burgosjes së tij, por që do të shndërrohej në dashuri shpëtimtare.

    E krijuar si një krijesë e ndaluar, e rrezikshme, kanosëse, e paparashikueshme, joshëse deri në aventurë, mikluese deri në mëkat, poezia e Visar Zhitit, e krijuar në burg, afërmendsh që nuk ishte një produkt komod profesional, por një përpjekje e mbinatyrshme, një akt guximtar, një kapërcim, një hop mbi kufijtë e dhënë dhe të njohur.

    Poezia përfaqëson krijimin “origjinal të letërsisë së burgjeve”, që me Visarin kap një habi. Fillimisht nisi të krijohej mendërisht në mes të persekutimit, mizorisë dhe vuajtjeve, pa mundësi shkrimi, ndërsa proza e tij u shkrua më vonë, në kushte lirie, në mënyrë retrospektive.

    Poezia ruan në një mënyrë më të gjallë intensitetin e ndjenjave, çastin, ditët, vitet e burgut. Ajo përfaqëson reagimin e menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë ndaj sfidave dhe shtrëngimeve të asaj kohe (mishërimi i asaj që Mircea Eliade e quajti “terrori i historisë”); sot zotëron forcën e madhe rrëfyese dhe dëshmuese, por dje, kur u shkrua në mes të torturave, poshtërimeve dhe qëndresës, kishte një funksion të madh “pastrues/ purifikues” dhe “shpëtues” për autorin dhe për ata pak lexues të fshehtë. Nuk është aspak e ekzagjeruar të thuhet se kjo poezi ishte në kohën e saj ushqim dhe kungim, por edhe “hakmarrja” e menjëhershme e shpirtit kundër atyre që kërkuan ta shkatërronin ose ta mbytnin, sepse qëllimi i “trajtimit” në burgjet komuniste ishte shpëlarja e trurit me të ashtuquajturin “riedukim”.

    Ndër metodat e shumta të torturave dhe dehumanizimit të zbatuara në burgjet komuniste ishte ndalimi i të gjitha veprimtarive intelektuale, për të krijuar një mjedis idiotizimi të ngadaltë, por të sigurt, të “armiqve të popullit”. Kështu, letra dhe lapsi ishin plotësisht të ndaluara për krijimtari, por dhe leximi i librave që do të doje. Komanda e burgut lejonte vetëm botime të diktatorit Enver Hoxha dhe të Realizmit Socialist. Aq sa lejonte koha dhe rrethanat. Sepse në burgjet ku mbyllën poetin Visar Zhiti me shokë punohej deri në sfilitje, natë e ditë në miniera, si skllevër, ku zakonisht nuk dilnin të gjallë aq sa hynin. 

    Autoritetet komuniste donin të ndalonin plotësisht çdo prirje krijuese të të burgosurve, çdo përçapje që do t’ua bënte më të lehtë ferrin e urisë, keqtrajtimin, shkatërrimin fizik dhe psikik. Në të njëjtën kohë, shmangiet nga këto rregulla drakoniane ndëshkoheshin ashpër, veçanërisht me izolim në qelitë e ftohta, të pista, të llahtarshme apo deri me ekzekutim me vdekje.

    Sidoqoftë, metodat dhe mënyrat e diktaturës së kuqe provuan se nuk ia dolën dot deri në fund. Krijim-taria njerëzore ka gjetur gjithmonë një mënyrë tjetër, një alternativë për të përballuar telat me gjemba, prangat dhe hekurat, edhe pa i thyer ata. Nëse të gjitha mjetet tradicionale të komunikimit dhe krijimit do të konfiskoheshin, krijimi i parë origjinal i të burgosurve politikë ishte të krijonin mjete origjinale të komunikimit nga pothuajse hiçi.

    Me Visar Zhitin dhe me bashkëvuajtësit si ai provohet se vetë mendja ishte një univers i pashtershëm i krijimit letrar, duke dëshmuar në të njëjtën kohë se ishte dhe një depozitë e madhe e kujtesës. Kështu, me gjithë kushtet çnjerëzore të jetesës, ose, ndoshta, sidomos për shkak të tyre, burgjet komuniste patën, si të thuash, edhe qelitë e fshehta të krijimit, që do t’i quaja qendra të letërsisë, që i zbuluam pas rënies së komunizmit.

    Është një fakt i konstatuar gjatë gjithë historisë njerëzore se vuajtjet janë gjendje e favorshme dhe për krijimin, sepse gjeneza e poezisë është e njëjtë me atë të lutjes, prandaj ferri i birucave komuniste provoi të ishte vendi ku u krijuan vepra të thella njerëzore: nga sulmi më i egër poshtërues, përbuzës, i njeriut; një ndjeshmëri e thellë dhe dëshirë për të bukurën e jetës u ruajt dhe u rilind, edhe pse e rrallë.

    Nga gënjeshtra lind dëshira për të mbrojtur e për të demonstruar të vërtetën, madje dhe me koston e jetës. Kur balta dhe helmi më vdekjeprurës u hodh mbi shpirtrat e tyre të pastër, rezultati ishte shfaqja e një plejade poetësh. Hyjnia çoi në shndërrimin e vuajtjeve në krijim. Brezi i sakrificës! Epos i shkruar me gjak.

    Prandaj shumica e atyre që shkruan burgjeve nuk ishin ata me interesa letrarë të praktikuar nga liria, por ata që zbuluan vokacionin e tyre në burg, ose, më saktë, iu ofrua dhurata e krijimit në mes të vuajtjeve.

    Visari Zhiti u dënua për poezinë dhe e vazhdoi këtë dënim, të shkruante dhe në burg.

    Poezia shpesh ka lindur nga uria që kafshon pa mëshirë trupin, sëmundjet që zaptojnë trupin, kur zemra është mbushur me dëshpërim, hidhërim dhe frikë dhe shpirti i ngrënë nga malli.

    Kështu duhet të jetë krijuar poezia në burgje në fillimet e veta dhe ne themi “e krijuar” dhe jo “e shkruar”, sepse procesi i krijimit nuk përkonte më mënyrën e natyrshme të shkrimit, duke pasur parasysh kushtet çnjerëzore të burgimit. Poezia u përpunua pothuajse tërësisht në mendje dhe u transmetua gojarisht, duheshin vite për t’u hedhur në letër. Pra, poezia e burgut duhet të ketë qenë një poezi gojore, e vetmja formë që mund t’i mbijetonte luftës sistematike, së cilës iu nënshtrua ajo, si dhe veçanërisht krijuesit e saj.

    Këtë na e dëshmon dhe drama e poezisë së Visar Zhitit, e dënuar me burg dhe harrim, ku u bë më e lirë dhe plot kujtesë të rrezikshme dhe sot nuk është vetëm një krijim letrar, por edhe një dokument historik që mbështet të Vërtetën. Dhjetëra, qindra vargje, një kronikë dhe epos për të gjitha aspektet e jetës në burg, duke filluar me arrestimin, duke vazhduar me hetimet, jetën në qeli, mbi lirinë e munguar, marrëdhëniet ndërnjerëzore, të burgosurit si tjetërsim, uria, vdekjet, puna nën tokë, qëndresa, klithmat, ankthi, angështia, pikëllimi, qëndresa, dashuritë e munguara, motivimet e veprimeve antikomuniste, të gjitha me një sfond historik, në të cilin regjistrohen ngjarje, me rimat si telat me gjemba, jehonë e gjallë e zërave të vdekur.

    Por më tepër se kaq, e ardhur nga Ferri, teksti ka incizuar dhe ruajtur të gjitha dridhjet dhe drithërimat e frikës dhe ankthit si dhe të aktit të guximshëm njëkohë-sisht, tensionin, por dhe ndjenjën e ngadhënjimit të pabesueshëm. Fletoret e mbushura me poezi kanë erën e vendit ku janë fshehur, që të mos gjendeshin nga kon-trollet periodike të gardianëve. Fletoret kanë pamjen e së pazakonshmes dhe së jashtëzakonshmes.

    * * *

    Poezitë e Visar Zhitit u shndërruan më vonë në libra. Këto fletore, të mbushura plot me vargje dhe dashuri, arritën të zënë vend në majat e poezisë shqipe, të përkthehen në gjuhë të huaja, të mëdha dhe të vogla. Sot kanë admirues në të gjithë kontinentin dhe jo vetëm. Historia më e hershme e librave, në të vërtetë, fillon me ato që, në mënyrë konvencionale, në të ardhmen do të quheshin “libra” duke nisur me tableta dylli, rrotulla dhe fletë papirusi. Pastaj u shfaqën dorëshkrimet e lidhura, të shtrenjta dhe të stolisura plot shenja e vizatime, me dekore të shkruara e të stolisura nga murgjit nëpër manastire. Këto u dhanë rrugë vëllimeve të shtypura me makineri, gjë që, përfundimisht, ndikoi në shumëfishimin e vëllimeve të shtypura në masë e që mbizotërojnë edhe sot.

    Në burgjet komuniste, shkrimi ishte një mënyrë arratie dhe strehimi. Shkrimi ishte një formë e rezistencës ndaj dhunës së shumëfishtë dhe poshtërimit fizik dhe moral. Me shkrimin e atyre që ia dilnin të shkruanin, me përkthimin e atyre librave që s’dihej si kishin hyrë në burg, me ç’mister, me punën me fjalën, të burgosurit bashkë fitonin ndjesinë e rezistencës dhe mbijetesës, po aq sa të humbjes, ndjenjën e ngadhënjimtarëve të ardhshëm, ndjenjën se ishin më të fortë seç besonin, jo ashtu si i konsideronin organet e diktaturës komuniste. Po dhe kritika më pas.

    Ky botim ngërthen dhe këtë histori shkrimi dhe na bën të zbulojmë se ata që kishin dhe zhvillonin një jetë të brendshme të thellë, rezistonin më mirë dhe ndihmuan dhe të tjerët: ata luteshin, medituan, shkruan poezi, vizatuan, mësuan dhe recituan poezi, mësuan gjuhë të huaja. Nën terror dhe punë shkatërruese.

    Letërsia shqipe, e ndaluar, e shkruar nga Fishta, Konica, Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli etj., siç na dëshmohet, përflitej në burg, mbahej gjallë, edhe pse nuk qarkullonin librat e tyre. Ato tregoheshin si rrëfime shpëtimtare.

    Poeti në burgjet komuniste shkruan, para së gjithash, për të shpëtuar veten e tij, shpirtin e ndaluar, shumë më pas duke i shndërruar instinktivisht ato në një akt letrar e kulturor.

    Kjo poezi nuk është një poezi ludike, e krijuar për të kënaqur e për të luajtur me fjalët dhe kombinimet e tyre, por poeti do të kryejë këtë lojë të rrezikshme dhe ekzistenciale njëherazi në emër të një qëllimi më të epërm. Poeti nuk mund të jetonte pa poezinë e tij, e cila e çonte më shumë se gjithçka tjetër drejt vdekjes. Po dhe përtej saj, në një jetë të tejme.

    Krijimi është një problem i rëndë ontologjik, ekzis-tencial. Poezia e Visar Zhitit, kjo parajsë-ferr, kjo liri-robëri, ky tmerr-dhe gëzim i zi, dënim dyfish, është një bëmë e epërme.

    Poeti ka vendosur të flasë, sepse është i dënuar të shprehet, jo të mos shprehet, madje dhe për ata që s’mundin, ka misionin të kuvendojë. Duke komunikuar do të thotë të kalosh përtej, – në hapësirën imagjinare, – të jesh një çlirues i kohës shkatërruese. Liria duhet të jetë çlirimi nga rreziku i vdekjes dhe dhunës, shpëtuesja ndaj mizorisë. Por dhe krijimi. Poezia, shkaktarja e burgosjes, poezia shtati i vetëm i lirisë, flatra e mundur dhe e vetmja e arratisë. Krijimi – ky mohim i vdekjes – shpëton mentalen dhe shpirtëroren te njeriu-poet.

    Visar Zhiti, ndonëse pikturon pa e heroizuar gjendjen e tij dhe kozmetizuar poezinë e tij, e sposton lirinë në një terren të papushtueshëm prej askujt, sepse kjo zonë është e dominuar nga subjektiviteti tërësisht i pakontrollueshëm: Duhet shpëtuar fjala/ Duhet shpëtuar kënga derisa gropat e ditëve të mbillen me mollë/ Le të na i pushkatojnë ballet, gjaku im do të hedhë rrënjë/ Dhe do të lulëzojë. (“Molla e dënimit”)

    Poezia është liria e paburgosshme. Poeti dëshmon se pikërisht këto zona të imagjinatës janë të papushtueshme, ato prodhojnë liri dhe janë vetë liri. As gardianët, as policia sekrete, sundimtarët, realizmi socialist, nuk mund të burgosin shpirtin e poetit, për fatin e tyre të keq, shpirti i poetit nuk mund të burgoset.

    Tekstet e këtij botimi unikal, duke qenë se janë të endura (të radhitura, sepse sipas pohimeve të autorit dhe dëshmive të bashkëvuajtësve të tij kanë origjinë orale, si vetë gjeneza e vërtetë e letërsisë) në rrethana të skajshme ekzistenciale, nuk kanë shenja artificesh, kërkimesh formale, trukesh, por burojnë natyrshëm, plot plasticitet, por dhe forma, madje të ndaluara sipër, domethënë jashtë burgut, ku të përmbyste entuziazmi i rremë socialist, ndërsa metaforat e nëndheshme rrekeshin të thoshin të vërteta të mëdha dhe përfundimtare.

    Nuk është as rastësi e as vetëm trill e formë që Visar Zhiti ka poezi në formën e hartës së Shqipërisë – dhembja e tij.

    Kjo lloj poezie nuk ka kohë për qëndrime sfiduese, modë, trille, gjeste të mistershme e tejet elegante. Impaktin ajo e krijon me guximin për të shkruar fshehurazi, për të dhënë dëshmitë rrëqethëse, mesazhet nga “shtëpia e vdekjes”. Të tilla mesazhe do të dërgonin që herët Dante dhe  Dostojevski, Lorka, Sollzhenicini, Shallamos, Man-delshtam, Stainhard, Radu Gyr, Ion Caraion, Musine Kokalari, Vinçenc Prennushi, Arshi Pipa, Petro Marko, Zef Zorba, Frederik Rreshpja, At Zef Pllumi etj., klithma e të pushkatuarve tanë, Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi, Genc Leka, dhe e poetit të fundit të varur nga diktatura komuniste, Havzi Nela. Përpjekja për të thënë gjëra përfundimtare, të formuluara në kushte të skajshme jetësore – dëshmon energjinë e fshehtë e mbinatyrore të poetit. Poezia do të jetë rruga e komunikimit me botën – komunikim i ndaluar, poezia do të jetë dashuria – dashuri e ndaluar, poezia do të jetë bota – bota e ndaluar. 

    Poeti niset nga ndjesia e formës së mbyllur, qeli-strofë, dhe shpërthen te ndjenja, ndjenjë dhe liri. Struktura e tij introvertite, subtile, e trishtuar zhvillohet përmes një impulsi rrëfyes, si një protestë dhe një thirrje implicite për ndihmë, me një aspekt emocional bruto, duke u gjendur më pranë rrënjëve të lirizmit. Poeti është i joshur të njohë, të përshkruajë me rigorozitet, shumë nga zhgënjimet, iluzionet, ëndrrat e veta, vuajtjet e zymtësinë – për të mos i lënë të vdesin. Zëri i poetit është i thellë, tragjik, i rëndë, tronditës për atë çka dëshmon. Goethe fliste për poezinë se është rregullator i imazheve. Përmes këtyre pamjeve të tmerrshme, përmes sintaksës së imazheve rrëqethëse, shokante, poeti krijon poezi, art – ashtu siç do të shprehej Majakovski se poezia zëvendëson bukurinë e thjeshtë të vdekjes në një tjetër bukuri.

    Duke marrë këtë libër ndër duar, marrim këtë peshë e porosi dhe histori.

    Botimi anastatik që shtëpia botuese “Onufri” sjell para lëçitësit të poezisë është “sui generis”, i pari i këtij lloji. Fletoret autentike të Visar Zhitit, të shkruara në kushte terrori, risjellin me vete atmosferën e burgut komunist,  guximin e çartur që mund ta paguaje me jetën. Formati i zgjedhur është dyfish i vlerë: së pari, rëndësia dokumentare e historike e poezive të shkruara në rrethana të jashtëzakonshme dhe, së dyti, vlera e patjetërsueshme e dorëshkrimit. Shkrimi origjinal i poetit është një autograf-poemë. 

    Njëkohësisht, libri përcjell ngrohtësinë dhe besimin e autorit ndaj një miku, të afron me intimitetin e aktit të shkrimit, përmes kaligrafisë, ndreqjeve, përmirësimet e vargjeve, shenjave, konfigurimit të tekstit etj. Me atë besë si në burg. E gjitha të është besuar për t’u lexuar dhe, në mënyrë të pashmangshme, të përçon dhe rrezikun imanent nga organet e diktaturës. Kësisoj, libri shndërrohet në një dhuratë vetëm për ty. Sepse shkrimi në fletore i poezive në burg nuk mund të mendohej se do të ishte një libër poetik i shtypur, por një dorëshkrim që mund t’i jepej fshehurazi një bashkëvuajtësi-mik. Kështu dhe vuajmë së bashku. Por dhe ngazëllehemi estetikisht… poezia këtu qenka e vërtetë. Ajo i kaloi provat si asnjë poezi tjetër, kryqëzimin dhe ringjalljen. Dhe meritonte ta kishim dhe ashtu, në formën e saj parake. Gjersa doli e gjallë dhe po udhëton nëpër botë…


    [1] Umberto Eco, https://ricerca.repubblica.it/repubblica/archivio/republica/2010/11/09/la-letteratura-dietro-le-sbarre.html.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË