Mbi librin “Enciklopedia e mërgimit” të autorëve Entela Tabaku dhe Shqiptar Oseku
Nuk e kam të thjeshtë të shkruaj për libra të tjerë. Për libra që unë lexoj. Jam një shkrimtar i thjeshtë, egoist dhe i vështirë për të komunikuar diçka tjetër mbi një libër të lexuar.
Por të shkruaj për Enciklopedinë e Mërgimit është një shtysë po aq e fortë sa të shkruaj një tregim apo një pjesë romani.
Enciklopedia e Mërgimit më thërret. E dua të them dy fjalë mbi një libër në vetvete double. Të munguar, e të arritur, një libër plot me dualitete.
Do doja të krenohesha që miqtë e mi të zgjedhur shkruajnë poezi të mrekullueshme që të transportojnë në udhëtime e fluturime magjike.
Por, e vërteta është se poezia na bëri miqtë e sotëm, edhe para gotës. E para ishte poezia.
Autorët e Enciklopedisë i kam njohur fillimthi prej vargjeve e metaforave të tyre. Shtizat e Shqiptarit, e retë e valët e Entelës, dhe jam mahnitur me poezinë e tyre. Të dy janë shkrimtarë që i kam njohur në rrjet, dhe ata të dy, si dhe disa të tjerë endeshin rrjetit duke krijuar, postuar, ushqyer ngadalë audiencën me poezinë e tyre, e cila na lidhi, na bëri të njohur, e sot miq të mirë. Sepse poezia e Entelës, Shqiptarit, dhe disa të tjerëve që pak janë botuar, e enden ende rrjetit, është pjesë thelbësore, zemër e mozaikut të poezisë së brezit tonë. Një poezi krejt e re.
Dëshira ime më e madhe, pasi kam udhëtuar me vargjet e lira të Shqiptarit e ritmet e Entelës, ka qenë t’i shihja këta dy autorë të botuar në libra të prekshëm, që u bëjnë nder cilësive të dy autorëve, të botuar para publikut të gjerë poezidashës. Këta poetë duhet të zinin vendin e tyre në letrat shqipe e më gjerë. Por, kurrë nuk e kisha imagjinuar që dy poetet do kishin çmendurinë krijuese të të botuarit një libër të dy bashkë. Dhe këtu lind Libri-koncept. Libri me dy krena. Enciklopedia është një libër me dy gjuhë. Titujt anglisht, e poezitë në shqip.
Titujt janë thelbësisht prozaikë, shpjegime fjalori termash që kanë të bëjnë me migrimin. Poezitë që janë përputhur sipas temës të secilës poshtë titujve, janë një gurrë lirike magjikë, në raporte perfekte midis metaforave poetike dhe nervit të mendimit.
Poezitë është zgjedhur të jenë pa emër autori. Ato janë një vallëzim fantastik midis dy gjuhëve, gegnishtes gurgullitëse të Gjakovës, e asaj fluturuese të Shkodrës. Një vallëzim midis një mashkulli e një femre. Një burrë e një grua të lidhur filli nga vargjet. Një dualitet vallëzues midis temave të dashurisë së atdheut, dhe arratisjes nga atdheu.
Një dualitet e vallëzim midis Shqipërisë e Kosovës.
Një dualitet katodë anodë midis botës Shqiptare, dhe asaj Suedeze.
Një duel midis frikës për të lënë atdheun, e dyshimit të arratisjes në një dhe të ri, me ngjarje të reja e jetë të re që të pret. E një duel midis frikës për të ndenjur në atdhe, e ngazëllimit të njohjes e mbjelljes së farave të tua në një tokë të re.
Enciklopedia e Mërgimit është një koncept që mban e përkund brenda mërgimin, si arratisje brenda vetes, e atë mërgimin nëpër botë. Një libër mbushur me duele, vallëzime, dualitete, paradokse, e dashuri.
Jam shumë i kënaqur që sot jam përballë faktit, materializimit të dëshirave të mia për një libër të miqve të mi, e poetëve fantastikë të brezit tonë, e kjo kënaqësi më shtyu të shkruaj dy fjalë mbi librin e tyre, poezine e tyre, se çdo krijues meriton të dëgjojë fjalët lëvduese mbi punën e tij kur këto fjalë rrjedhin natyrshëm e vërtetë. Dhe se e quaj ogur të mirë të një rilindjeje të poezisë shqipe, e cila me vite nuk e ka pasur dritën e skenës sipër. E quaj një hapje dyersh të botimeve të poetëve të kësaj kohe, të ditëve ku jetojmë, me mendimin se vetëm poezia e vërtetë dhe shkrimtarët e artistët do e shpëtojnë këtë vendin tonë të vogël të madh, të mjerë e ndriçues, me dy krena.
29.02.2020