Kreu Muzikë Llava sonore e Vaçes...

Llava sonore e Vaçes…

Nga Aleksandër Peçi

Më 7 prill u mbushën 80 vjet nga lindja e artistes së këngës, më e madhja e të gjitha kohërave në Shqipëri, Vaçe Zela. Cilat ishin arsyet që e bënë Vaçe Zelën artisten më të madhe të të gjitha kohërave në zhanrin e këngës, të dominojë këngën shqiptare për një gjysmë shekulli? Llava sonore e Vaçes shkrinte e drithëronte shpirtrat e shqiptarëve dhe do të vazhdojë ta bëjë. Argumentet do t’i ndaj në dy grupe.
Së pari, ato lidhen me aparatin vokal, fizik e gjenetik, ndër të cilat do të përmendja:

  1. Aftësitë e veçanta vokale që lidhen me kordat, gojën e madhe, timbrikën dhe ngjyrën e zërit, i cili kalonte nga nuancat më të brishta e poetike, një shkëlqim të brilanttë të vokalit, deri në shpërthimin vokal, për të cilat mbetet e papërsëritshme dhe e paimitueshme.
  2. Supertalenti i cili i kapërceu kufijtë e shkollave, u bë vetë shkollë dhe krijoi me kompozitorët dhe poetët profesionistë modelet më të mira të këngës shqiptare, të cilat kurrkush nuk e pati aftësinë t’i arrinte, jo më t’i kapërcente.
  3. Aparati fizik: ekspresioni, forca interpretative, sharmi, gjestikulacioni i duarve, gjatësia e trupit, qëndrimi me dy këmbë të hapura e të mbështetura fort në tokë si të ishte një Ante femër dhe kombinimi i tyre me dy duar të hapura e kokën lart nga qielli. Ajo gojë e madhe të cilën muskulatura dhe emocioni e zmadhonte edhe më shumë, duke i dhënë maksimumin akustik, e cila e bënte ta shpërthente si vullkan llavën sonore që i dilte nga shpirti.
  4. Aftësia e rrallë që Vaçja kishte për të kulmuar në këngë, me kulminacione që rrëqethnin cilindo që e dëgjonte.
  5. Hiperemocioni që ajo kish në skenë sa herë dilte para publikut. Vaçja s’pranonte që, për arsye të mungesës së publikut, të regjistronte në studio. Vetëm dy këngët e filmave të mi i ka regjistruar në studio, “Në shtëpinë tonë” dhe “Fillim i vështirë”.
    Së dyti, arsyet lidhen me aparatin intelektual e kulturor.

Informacioni kulturor i saj ishte i gjithanshëm. Ajo lexonte letërsi, poezi, por veç tyre do të veçoja se Vaçja ndërthuri në një kohezion unikal disa kultura: a. këngën fshatare, myzeqare kryesisht, por edhe më gjerë; b. këngën qytetare; c. këngën europiane, spanjolle, italiane, franceze. Ishte koha kur Vaçja 20 vjeçe e çmendte publikun me kitarën e saj duke kënduar “Esperanca” e të tjera këngë. Kohë e cila, në fund të viteve 50-të dhe në fillim të viteve 60-të, shoqërohej edhe me një lloj liberalizmi, ku perla të kulturës europiane ishin oksigjen kulturor për publikun.

Inteligjenca dhe intuita e fortë e saj për të çmuar e për të kërkuar arin e tingujve që krijonin kompozitorët: Gaci, Prodani, Dizdari, Krajka, Daija, Laro, Ibrahimi, Kushta, Zoraqi, Peçi, Kodra, Grimci, dhe arin poetik që krijonin poetët Agolli, Arapi, Spahiu, Beci, Lako, Jorganxhi, Blushi etj., sqima dhe gustoja e saj absolute dhe absolutisht profesionale në përzgjedhjen e materies kompozicionale e poetike. Vaçja ishte si ajo bleta që shkonte e thithte pikërisht atë nektar muzikor dhe atë nektar poetik. Duke e përpunuar në aparatin e saj vokal e mental la modele që jo vetëm sot, jo vetëm këta 60 vjet, por edhe 100 vjet të kalojnë, ajo do të mbetet mbretëresha e këngës shqiptare.
3.Vizioni i saj për ta tërhequr publikun drejt modeleve që ajo krijonte së bashku me kompozitorin profesionist dhe poetin profesionist. Sot në Amerikë nuk quhet kompozitor ai që shkruan këngë, por quhet songwriter. Kompozitor është fjalë e madhe që peshon shumë. Duhet të kesh marrë titull, diplomë të shquar, të kesh një katalog shumë të pasur veprash. Vaçja nuk binte kurrë në nivelet e shijeve të tregut a të komercit, nuk binte në nivelet e songwriter-it. Ajo ishte ithtare e këngës jetëgjatë, këngës profesionale dhe këngës vizionare që hapte shtigje të reja e sillte modele të reja. Dhe koha tregoi se këngët e saj i rezistuan dhe do t’i rezistojnë jetëgjatësisht kohës. Koha që Vaçja jetoi ishte një kohë, një Epokë, ku ajo ndërtoi vizionin e saj për këngën. Nuk ishte koha e këngëve fastfude apo këngëve patatina që i ha dhe i hedh poshtë pas pak çastesh, siç është mbushur panorama e këngës sot.

Inteligjenca e çoi Vaçen te këngët me të cilat lidhej shpirtërisht jeta e shqiptarit, jeta e kombit, ngjyra e flamurit, kjo lidhje midis Vaçes, shpirtit të saj dhe ngjyrës së flamurit, drithërimës së kombit, shqiptarizmës dhe fakti që tekstit të këngës Vaçja, si rrallëkush tjetër, dinte t’i nxirrte përmbajtjen, janë një arsye madhore e dominimit të saj për një gjysmë shekulli.

Vaçja kish një aftësi të rrallë për të aktruar. Liceun e mbaroi për kanto, ndërsa të lartën për aktore, çka do të thotë se me inteligjencë e talent të gjithanshëm krijoi karaktere si askush tjetër. Vaçja si një aktore e vërtetë dinte të bëhej një vajzë e vogël në timbër kur i këndonte gjyshes, lozonjare te “Lemza” apo “Djaloshi dhe shiu”, nostalgjike te “Ylli partizan” (të katërta këto këngë te Krajka), me zërin plot shkëlqim e dritë kur këndonte këngët e mia “Në shtëpinë tonë”, “Rritim jetën tonë” dhe këngën e filmit “Fillim i vështirë”. Me një atdhedashuri të jashtëzakonshme këndonte këngët e Feim Ibrahimit “O zambak i bardhë mbi gur” dhe “Rrjedh në këngë e ligjërime”, tepër moderne kur këndonte “Natën vonë” dhe “Flakë e borë” të Daijës, vullkanike kur këndonte këngët e Laros, me një romantikë dashurie kur këndonte “Mesnatë” të Kushtës apo “Nëno moj do pres gërshetin” dhe “Moj e bukur Arbëri”, apo te “Vals i lumturisë” të Avni Mulës ose këngët Dizdarit e Prodanit etj., ku Vaçja krijonte karaktere dhe nuk e përsëriste kurrë vetveten. Vaçja iku me një peng. Njëherë më thoshte: “Më shumë duhej të kisha kënduar këngë për dashurinë.” Koha qe e tillë që mbi vokalin e saj do të mbështeteshin këngë të dimensioneve të mëdha e të problematikave të mëdha.
Personalisht, kam qenë i privilegjuar që Vaçja u ka dhënë shpirtin e saj gjashtë këngëve të mia. Do të përsëris Niçen i cili thoshte: “Vlerat e mëdha duan interpretë të mëdhenj.” Dhe ato u bënë njësh me emrin e artistes së madhe Vaçe Zela.
Duke e përmbyllur këtë homazh në këtë 80-vjetor të lindjes, siç e kish çdo gjë të paimitueshme e origjinale artistja e madhe, Nderi i Kombit, edhe emrin e kish të tillë. Vaçe, nuk e kam dëgjuar që asnjë person tjetër ta mbajë këtë emër. Është emri i përveçëm, i papërsëritshëm dhe zëri i Artistes së Madhe që do ta shoqërojnë shqiptarin edhe për shumë e shumë dhjetëvjeçarë të tjerë, zëri i Mbretëreshës së këngës Vaçe Zela. I kërkoj Bashkisë Tiranë që shtëpinë e Vaçe Zelës ta kthejnë në shtëpi-muze. Kjo është më e pakta gjë që mund t’i bëhet si shpërblim për gjithçka që Vaçja i dhuroi kombit të shqiptarëve.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Durs Grünbein: Fjalët, çfarë janë ato, miq apo armiq?

Intervistoi Arno Widmann(botuar më 30.10.2020, në Frankfurter Rundschau) Përktheu nga gjermanishtja Valon Veliqi Z. Grünbein, cila...

“E verdhë mbi të zezë”, cikël poetik nga Nafije Zogaj

GJETHE TË GJELBËRTA FILLUAN TË BININ dielli u shkëput nga yjetqë i rrinin larg zërit të zi të natësu...

“Kush ma gjen lisin e moçëm?” tregim nga Mehmet elezi

1. Qyteti dhe vetë kalaja mbi lumë u mpakën prej tute. Çka po u shihnin sytë, nuk ishte parë...

“Paris mon amour”, tregim nga Roland Gjoza

Nuk e di a beson në Krisht e, nëse beson në Krisht, beson dhe te Viktor Hygoi, i cili ta dëgjon fjalën...

KATEGORITË