KreuMuzikëAkademik Vasil S. Tole: Sali Vranishti, njeriu-këngë

Akademik Vasil S. Tole: Sali Vranishti, njeriu-këngë

Për kapedan Sali Vranishtin është folur dhe shkruar shumë. Ai tashmë është pjesë e historisë së Shqipërisë dhe ky libër është një tjetër dëshmi e prekshme e jetës dhe e aktivitetit të tij patriotik për Shqipërinë. Sali Vranishti kishte shume epitete, ndër to astrit, bir i maleve të sertë, kapedan i kapedanëve etj, dhe më i bukuri ndër ta është ai i “njeriut këngë”[1].

Po çfarë është kategoria e “njeriut-këngë”?

Është një klasifikim popullor që lidhet me meritat e njeriut parë nga sytë, mendja dhe zemra e popullit. Zakonisht jemi mësuar me ndarjen dhe klasifikimet e rëndësisë së njerëzve sipas shtresave shoqërore dhe titujve aristokratikë që mbajnë, si p.sh.: baron, dukë, kont, princ, mbret etj. apo me klasifikimet e titujve dhe gradave akademike, ushtarake apo fetare. Po ka edhe një ndarje tjetër, të pashkruar dhe pa vendime e shkresa, kjo e popullit që flet për “njerëz me këngë”. Për popullin këta janë kategoria e njerëzve të shquar dhe është e kuptueshme që derisa ka njerëz me këngë, ka edhe njerëz pa këngë, madje shumica nuk ka këngë.

Siç me të drejtë thyhet në libër “kënga nuk është thjesht kujtesë, ajo është monumenti i parë i pavdekësisë”[2] dhe për Sali Vranishtin janë ngritur shumë të tilla si “Sali Murati, i thonë”, “Nëntëqind e tetë viti”, “Bashkë me Sali Muranë”, “Ç’janë ata komita malit”, “Ju dogj xhani për vatanë”, “Te ura Saliu thirri”, “Në Vlorë foli tellalli”, “Hapsanat kush i prishi” etj. Për më tepër, si askush më parë, Sali Vranishtit ju këndua: Kudo ku të shkeli këmba/ Të ndoqi nga pas kënga! Këto vargje pohojnë më mire se çdo argument tjetër se jeta dhe veprimtaria e tij ish e denjë për këngën e popullit.

Ismail Kadare e konstaton këtë dukuri, pra “njeriun me këngë” si një diçka jo të rrallë në hapësirën shqiptare, pasi vetë ambienti i lindte, krijonte njerëzit me këngë. Sipas tij ata ishin të gjallë, por edhe të vdekur, pra që kënga u ishte ngritur nga pas.

Në realitetin fizik e njerëzor të Shqipërisë, gjejmë këngë të ngritura nga populli për figura të shquara historike e për dëshmorë të atdheut, si për “Heroin Kombëtar” – Skënderbeun, “Babain e kombit” –  Ismail Qemalin, Selam Musanë, “Këngë për Ali Pashanë”[3], trimat[4] “Gjolekë Mandileziu”, “ Kush e njih Dervish Alinë”, “I shkreti Hadër Kaninë”, “Mete Jazua gjakëtuar”, “O Hodo, Hodo Nivica”, “Zek Prevata nji trejm i rrallë”, “Haxhi Zeka në shall të bardhë”, “Idriz Seferi ça ka thone”, dëshmorët Mujo Ulqinaku, Qemal Stafa e Vojo Kushi etj.

Në thelb “njerëzit këngë” janë ata që ushqejnë dhe kanë ushqyer krijimtarinë artistike njerëzore me të jashtëzakonshme, me unike, me të përjetshme duke tërhequr vëmendjen edhe të shkrimtarëve tanë, ndër ta edhe të Kadaresë. Në veprën e tij janë disa “njerëz këngë” që ai i përmend, ndër ta Gjon Mokrari, kapedani Çelo Karafil Plaku, Babë Vuçiterni – kryetar kuvendi burrash, stërnipi i Balshajve, Shpend Shendëllia, hero popullor, me tri këngë, njëra prej të cilave kërcehej, Nik Martini etj. Këngët për “njerëzit këngë” janë si një gjerdan vlerash që ka nisur të formohet prej qindra vitesh, nga krijues anonimë ose jo. E ritheksojmë se këtij realiteti metafizik letrar i ka paraprirë kjo krijimtari popullore që ka lartësuar me këngë figurat e heronjve. Të tilla janë edhe këngët kushtuar Sali Vranishtit, “njeriut këngë” të Labërisë dhe Shqipërisë (një këngë për të gjendet edhe në arkivin e Institutit të Antropologjisë, ish Instituti i Folklorit), atij që populli i këndoi:

Kush njihte Sali Muranë

Atë komitin me famë

Korb të zezë e kish fustanë,

Ju dogj xhani për vatanë.

E përgëzoj përgatitësin e librit, Arbenin për punën e madhe që ka bërë në grumbullimin dhe sistemimin e gjithë asaj lënde dokumentare, studimore dhe foklorike që lartëson dhe përjetëson figurën dhe kontributin e madh patriotik të Sali Muratit për Shqipërinë! Ju faleminderit!


[1]  Shih: Ismail Kadare, Autobiografia e popullit në vargje, Tiranë, 1980, f. 32–33.

[2]  Tek “Sali Vranishti, kapedani që nuk i mbyll sytë as në bronz”, Tiranë, 2026, f. 189. Libër i cituar.

[3]  Botuar nga Spiro Dine, Sofje, 1908. Te: Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar (1635–1912), vëllimi 3, Tiranë, 1962, f. 13–15.

[4]  Shih: Epika historike 2, Tiranë, 1981, f. 98, f. 106, f. 115, f. 118, f. 418, f. 215, f. 266, f. 154.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË