More
    KreuLetërsiBibliotekë"Lisat e Apolonisë", poemë nga Anton Papleka

    “Lisat e Apolonisë”, poemë nga Anton Papleka

    (Verson i ripunuar)

    …dhe qytete të mëdha që rrojtën mijëra vjet
    dhe pastaj u katandisën në kullota për buajt,
    në ara të mbjella me panxhar e me misër.
    Jorgos Seferis, Poema, 137

    1

    Një ditë shtatori
    Kur në vreshta vileshin bistakë të praruar e të zinj
    Kur retë e hirta lajmëronin afrimin e vjeshtës
    Mbërrita në qytetin e lashtë të Apolonisë

    Unë u çudita dhe u pikëllova
    Ngaqë nuk e pashë gjëkundi perëndinë Apolon
    Të më priste në hyrje të qytetit të tij të lashtë
    Të më hapte derën
    Dhe të më uronte mirëseardhjen

    E kuptova se koha nuk kishte qenë përdëllimtare
    As ndaj perëndisë së dritës
    I detyruar të endej në qytetin e tij si hije
    I detyruar t’i nënshtrohej ligjit të pamëshirshëm të kohës
    Të mungonte në qytetin që mbante emrin e tij

    Në vend të një sportelisti a të një ciceroni
    Unë takova një polic me një uniformë të dalë boje
    Që më lejoi të hyja në këtë qendër arkeologjike
    Në shkëmbim të një kartëmonedhe pesëdhjetëlekëshe

    Ky polic gjysmë analfabet
    Nuk mund të merrte me mend sesa qesharak ishte
    Ai bakshish prej pesëdhjetëlekësh
    -Një kartëmonedhë e zhubrosur dhe e lerosur-
    Për të fituar të drejtën për të vizituar
    Perëndi dhe perandorë
    Për të kapërcyer pragun e një kohe
    Të humbur në labirintin e Përjetësisë

    Për t’i bërë ballë mërzisë
    Që e rrethonte si një sarkofag i gurtë
    Ose në shenjë mirënjohjeje ndaj blatimit tim
    Polici me uniformë emblematike
    Që ngjante sikur kishte zbritur nga një afresk i vjetër
    Mori përsipër rolin e ciceronit
    Në këtë magna urbs e gravis
    Me sheshe dhe rrugë
    Ku kishin shkelur sandale lëkure dhe ari
    Ku kishte kaluar studenti që do të bëhej Oktavian Augusti


    2

    Kudo që vështroja
    Kishte kolona të përmbysura të gjymtuara të cunguara
    Gurë ciklopikë të rrokullisur të shkulur nga ledhet
    Të thyer të thërmuar
    Nga dhëmballët mizore të Kohës
    Këto mokra diamanti që bluajnë edhe gurët

    I stepur para rrënojave të qytetit
    Unë mendova se gurët ishin gruri i Kohës
    I mullisit të pavdekshëm që bluan miell
    Për dasmën e kobshme të Hiçit…

    Pashë perëndi dhe perandorë kokëprerë 

    Kokat e tyre qenë shkëputur nga ikonoklastët
    Ose qenë përdorur si gjyle guri
    Nga topçinjtë osmanë
    Ose qenë djegur në furrat e gëlqeres
    Për të ndërtuar saraje
    Ose qenë shitur në tregje të huaja
    Nga trafikantët

    Statujat kokëprera të qytetit të Apolonisë
    Nuk kishin gojë për të nxjerrë klithma të llahtarshme

    Unë përfytyroja sikur nga qafat e prera të këtyre statujave
    Befas do të gulfonin currila gjaku !

    Statujat pa kokë të Apolonisë
    Të prera nga gijotina e shekujve
    Ishin një mijë herë më të lemerishme
    Sesa trupi pa kokë i Luigjit XVI
    Kokëprerja e të cilit nuk kishte zgjatur më shumë
    Sesa një rrahje qepallash

    Duke vështuar këto statuja kokëprera
    Instinktivisht e çova dorën
    Te qafa ime prej të gjalli
    Ku papritmas mund të binte tehu i padukshëm
    I Kostares shpritkazmë


    3

    Si ca pleq kujtesëhumbur
    Dhe memecë
    Që nuk e dinë në ç’vend
    Dhe në ç’epokë ndodhen
    Statujat e Apolonisë
    Rrinin të nemitura përballë kohës sonë

    Ato nuk e dinin
    Se dielli që përshkonte qiellin
    Dhe ua prekte konturet
    Me gishtat e ngrohtë të rrezeve të tij
    Ishte i njëjti yll i zjarrtë
    Që i kishte parë kur kishin lindur

    Vështrimi im i dhembshur
    Që i prekte ato statuja
    Të çmësuara prej kohësh
    Nga prania
    Dhe nga vëmendja e njerëzve
    Ndoshta i bezdiste
    U shkaktonte të ngjethura

    Më tepër sesa cepat e mprehtë
    Të trupave të tyre të gjymtuar
    E ndjeja veten të plagosur nga shtiza e padukshme
    E vështrimit të syve të gurtë
    Të statujave të paprishura
    Që ishin mbushur herë pas here
    Nga lot të rremë shirash


    4

    Në mes të asaj heshtjeje varri që rëndonte mbi qytet
    Para meje u shfaqën disa drurë oshënarë
    Të kurorëzuar me degë të mbushura me gjethe

    Ato ishin të vetmet krijesa të tij të gjalla

    Gjethnajat frushullitëse të atyre lisave
    Dridheshin si kordat e lirës së Apolonit
    Të prekur nga gishtat e një sitaredi të verbër
    Tingujt e tyre ngjallnin jehonat e brirëve e të boblave
    Që dikur kishin njoftuar afrimin e ushtrive armike
    Sulmet e piratëve të detit
    Përse murmuritnin me aq ankth
    Lisat e Apolonisë ?

    A mos ishin një kor pleqsh
    I dalë nga një tragjedi e Eskilit ?
    A mos ishin profetë pa ithtarë e pa besimtarë?
    A mos ishin poetë të vdekur apo poetë gjuhëprerë?
    A mos ishin vajtojca
    Të mbledhur në një cermoni funebre
    Të metamorfozuar në drurë nga ndonjë mallkim hyjnor
    Për të recituar elegjinë e këtij qyteti memec
    Të katandisur në rrënoja?

    Lisa të Apolonisë
    Duke dëgjuar frushullimat tuaja
    Më erdhi ndër mend
    Poema „Zhurma e drurëve „
    E poetit Robert Frost-i që ka shkruar:
    Ata flasin për nisje
    Dhe kurrë nuk nisen për udhë…

    Nëse një ditë prej ditësh
    Rrënjët tuaja do të shndërroheshin në këmbë
    Për të udhëtuar drejt tropikëve ose drejt poleve
    Ju do t’ju merrte malli për këto rrënoja të trishta
    Do t’ju mungonte
    Qyteti që mban emrin e të ndritshmit Apolon

    Lisa të Apolonisë
    Murmurima juaj drithëruese
    Më ngjallte dëshirën për të pasur rrënjë
    Për të parë degë të më rriteshin në trup
    Për të murmuritur bashkë me ju midis erërave !


    5

    Në afërsi të ledheve të qytetit
    Një bari plak i përkulur mbi kërrabën e tij
    Ruante një tufë dhensh
    Që nuk kishte asnjë lidhje me Kopenë e shenjtë të Diellit
    Të përmendur nga Herodoti
    Në librin IX të Anketës së tij…

    Çfarë i kishte ndodhur Kopesë së shenjtë të Diellit?

    A mos e kishte sulmuar ujkonja e Romës
    A mos e kishte plaçkitur ushtria e Kantakuzenit
    Apo më në fund e kishin shfarosur
    Ujqit mongolë që kishin kapëcyer Bosforin?

    Pyetjet e mia mbetën pa përgjigje
    Sepse shortari Deifon dhe babai i tij Even heshtën
    Heshti edhe Apoloni i ndritshëm

    Duke vështruar dhentë
    Të shpërndara në livadh
    Më dukej
    Sikur në vend të fijeve të barit të fishkur
    Ato kullotnin fragmente orakujsh

    Bariu plak
    Me vështrim të humbur në largësi
    I mbështetur në kërrabën e zbukuruar me motive mitike
    Më kujtoi Evenin fatzi
    Të verbuar me urdhër të pushtetarëve të qytetit

    Unë pata dëshirë ta takoja dhe t’i përgjërohesha Apolonit
    Duke u përkulur para tij :
    Apolon muzazhet, mbroji të pafajshmit e të pafuqishmit
    Mos i lërë të jenë përherë
    Viktima të pushtetarëve të padrejtë e mizorë!


    6

    Mbi ledhet e qytetit
    Kishte rënë një shtresë bloze dhe hiri :
    Ajo i shtrëngonte me një shirit të zi gurët e moçëm
    Si në kohën e Pal Emilit
    Dhe të pashallarëve që kishin ardhur me pishë në dorë

    Një pronar i sotëm
    I babëzitur të zgjeronte kullotat e kopeve të tij
    U kishte vënë zjarrin ferrave dhe shkurreve të thata
    Rreth qytetit që mbante emrin e Apolonit
    Pa menduar se mund të digjte lisat dhe ullinjtë
    Të vriste banorët e tij të vetëm të gjallë
    Hyjnitë e tij të gjelbra

    Gurët e ledheve i kishin shtrënguar nofullat
    Ishin ngjethur nga dhimbja e lemerishme
    Dhe buzët e tyre të përvëluara kishin pëshpëritur
    Emrin e konsullit Pal Emili


    7

    Në zgavrën e një ulliri
    Të nxirë nga bloza
    Një breshkë e vogël e shpëtuar nga zjarri
    Sfidonte pronarin që kishte imituar perandorin Neron

    Me rrashtën e saj të ashpër
    -Mburoja e parë e shfaqur në rruzull-
    Ajo u kishte bërë ballë
    Shigjetave të flakëve vdekjeprurëse

    Ajo ishte simbol i jetës së butë e të brishtë
    I jetës së paepur
    Që ka sajuar guaska ledhe strehime antiatomike
    Për t’u mbrojtur nga kërcënimet e vdekjes

    Luftëra dhe zjarre të panumërta
    Kanë lënë pas tyre shtresa bloze dhe hiri
    Por jeta e brishta e buta
    U ka bërë ballë të gjitha fatkeqësive

    Pas Trojës Kartagjenës Guernica-s
    Pas Auschwitz-it Hiroshimas Nagasakit
    Pas Çernobilit e Fukushimas
    Jeta e ka yshtur hirin me gjelbërim lastarësh

    Mbahu fort breshkë e vogël
    Nën zhguallin me të cilin të ka mbështjellë natyra
    Ti je shëmbëlltyra e planetit tonë
    Ku jeta është më ngulmuese sesa të gjitha mynxyrat


    8

    Manastiri i Shën Mërisë në këtë qytet
    I ngjante një tumori të stërmadh
    Që kishte gllabëruar gjymtyrë statujash
    Kolona dhe friza tempujsh të lashtë

    Me urdhër të priftërinjve ikonoklastë të fesë së re
    Ndërtuesit e kishës
    Kishin shkatërruar veprën e pakthyeshme të Kohës
    Por e përshpirtshmja Shën Mëri
    Nuk mund të kërkonte
    Zhdukjen e Afroditës së hirshme
    Sepse bota jonë
    Nuk do të ishte as më e dëlirë as më e bukur
    Pa hiret e perëndeshës së lindur nga shkuma…


    9

    Në këtë qytet
    Dikur njerëzit kishin shtyrë shoku-shokun
    Para tezgave me mallra
    Të ardhura nga Apolonia nga Bylisi nga Dimali nga Amantia
    Ng Korinti nga Korfuzi
    Para amforave të mbushura me verë Rodosi
    Kioje dhe Kampanie…

    Në këtë qytet kishin kaluar pranë e pranë ushtarë e detarë
    Artistë matrona konkubina skllevër
    Kishin jehuar pyetjet e blerësve
    Përgjigjet e tregtarëve
    Por mbi të gjitha këto jehona
    Kishte kumbuar zhurma metalike e monedhave
    Në të cilat ishin gdhendur figurat e Apolonit
    Të Dionisit të Augustit të Hadrianit të Mark Aurelit…

    Edhe në ditët tona është zhurma e monedhave
    Ajo që marros bursën e Nju-Jorkut
    Bursat e Frankfurtit të Londrës të Parisit
    Të Shangait të Tokios

    Nëse figurat e gdhendura në monedha kanë ndryshuar
    Nuk kanë ndryshuar metalet
    Me të cilat janë prerë monedhat
    Dhe sigurisht nuk është pakësuar asnjë grimë
    Roli i monedhave në fatet e njerëzve

    Bashkëkohës naivë
    Të dalldisur pas horoskopëve
    Që jua servirin në tabaka masmediat
    Jeta juaj nuk varet nga yjtë dhe nga yjësitë :
    Ai varet nga metali dhe nga figurat
    E gdhendura në të dy anët e monedhave


    10

    I ndalur para pjesëve të mbetura nga Odeoni
    Thashë me vete :
    Ku janë poetët e qëmotshëm ?
    Ku janë poemat e tye kozmogonike
    Heroike lirike jambike
    Të ruajtura vetëm në kujtesën e erës?
    Ku janë tragjeditë komeditë
    Dhe aktorët me kothurna druri?
    Ku janë korezhët
    Ku janë spektatorët e dhënë pas shfaqjeve
    Të ulur në shkallinat e gurta?

    Ai Odeon i rroposur
    Ku sundonin zbrazëtia dhe heshtja
    U ngjante korridoreve të Hadit
    Ku buçitnin lehjet shurdhuese
    Të Cerberit trikrerësh

    Nën qiellin e vrenjtur të asaj dite shtatori
    I shtangur para një shkretimi të tillë
    Pata dëshirë të lutesha:
    Febus Apolon shpëtoje botën tonë
    Mos lejo që ajo të mbulohet nga heshtja
    Si gërmadhat e këtij Odeoni!

    Atëherë një zë i brendshëm më tha
    Të mos e shqetësoja më kot të gjorin Apolon:
    Ai që nuk kishte mundur të shpëtonte qytetin e tij
    Si mund
    Të shpëtonte
    Botën tonë?


    11

    Apoloniatët e adhuronin si hyjni
    Lumin e tyre të shenjtë Aoos
    Ata i kishin kushtuar një statujë mermeri
    Me një mjekër prej ujërash që gurgullonin
    Ata e kishin zgjedhur kryekomandant të ushtrisë së tyre
    Në betejën kundër Thronionit

    Ata nuk dyshonin se pas një mijë vjetësh
    Qyteti i tyre i lindur nga porti
    Që ndodhej buzë lumit të thellë
    Do të kishte fatin e fëmijëve të Kronosit
    Të vrarë nga babai që i kishte sjellë në jetë

    I goditur nga një mallkim qiellor
    Ose viktimë e një zemërimi të dheut
    Lumi i shenjtë dhe i lundrueshëm Aoos
    E kishte braktisur portin e Apolonisë
    Duke prerë kështu
    Kërthizën e këtij Civitas libera e immunis
    Duke pushuar së qeni aorta
    Që e lidhte me detin jetëdhënës
    Dhe me ardhmërinë…


    12

    Të shkreta – rrugët
    Sheshet – të zbrazëta si zero të stërmëdha

    Në këtë qytet të gurtë
    Nuk banonte më populli i fjalëve

    Në vend të zërit të pritanit
    Në vend të zërit të kryepriftit
    Në vend të zhurmës së zërave të kalimtarëve
    Murmurima elegjiake e erës që përçikte rrenojat
    Jehonte nën kubenë e hirtë të asaj dite shtatori

    I pyeste lisat
    Pitia e lashtë e erës
    Dhe gjethet frushullitëse
    I përgjigjeshin në gjuhën e tyre të gjelbër

    Murmurima e lisave të Apolonisë
    E mbytur e trishtë monotone
    Ndoshta kishte në vetvete
    Diçka ngë ligjërimi orakullor
    I lisave mitikë të Dodonës

    Kjo murmurimë ngjethëse
    Më ndoqi pas si zëri i një fantazme
    I shoqëruar nga vajtimi i erës…


    13

    Në një cep të këtij qyteti
    Ku vazhdonin gërmimet
    Pashë një arkeolog dhe ndihmësit e tij
    Të përkulur mbi një statujë të sapozbuluar
    Sikur zhvarrosnin një njeri të sapovdekur
    Duke e nxjerrë nga dheu
    Për ta kthyer në jetë
    Duke e shkulur nga nofullat e hapura të Vdekjes

    Ata që gërmonin
    Të fundosur deri në brez në gropat e hapura
    Ngjanin nga larg
    Sikur po i përpinte të gjallë
    Goja e zezë e errësirës së nëndheshme
    E babëzitur të zhdukë gjithçka në angrrat e saj
    Ashtu si kufomën e gurtë
    Të këtij qyteti të lashtë…


    14

    Në mëkresat funerare të Apolonisë
    Vdekja simbolizohej
    Nga dy vetë që ndaheshin
    Dhe poshtë tyre kishin
    Fjalën Haire (lamtumirë)

    A mos vallë nga gjithçka që kemi dëgjuar
    Nga gjithçka që kemi thënë apo kemi shkruar në libra
    Do të mbetet fjalë Haire
    E gdhendur në mëkresat funerare të Apolonisë?

    Në fund të fundit jeta e çdo njeriu
    Çfarëdo që të ketë qenë dhe çfarëdo që të ketë bërë
    Do të ketë si epilog
    Fjalën e thjesht: Haire
    Me të cilën i lashë lamtumirën
    Këtij qyteti të vdekur

    Në çastin e ndarjes
    Edhe lisat e Aolonisë
    Që murmuritnin në erë
    Më përshëndetën me fjalën lapidare:
    Haire!…

    Apoloni, 2011

    NJË KOMENT

    1. Nje dite Anton Papleka do ta marre nje Cmim te madh. Por une e Dua Tani , per se gjalli.
      Respekte frymes dhe ajrit ku kullot gjindja juaj e pavdekshme , Profesor !!!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË