VJETI 1968
Ndjenjat e mia janë farë maranxhash
e plasin nën diellin e fortë
mbi rrasë.
E vetmja dashuni ime,
pse m’i len ndjenjat
të plasin nën diellin e fortë
mbi rrasë?
Ndjenjat e mia janë farë cipresash
e plasin nën diellin e fortë
mbi rrasë.
Dashunia shkon e më len
pa dheun e pranverës
e mbes i vetëm në kohën e pa ngjyrë,
e mbes i vetëm pa stinë
në vjetin njimij nandqind
e gjashtëdhetë e tetë.
HERA
(Ai mal akulli kishte nji emën
e s’mund ta thom,
ai mal akulli kishte nji emën tabú.)
Para se mbylleshin sytë në gjumë, Hera,
pashë malin e akullit të bardhë
te kambët e mia.
Hera e fortë, shkrije akullin
te kambët e mia
me diell, Hera!
e qitni nji bimë të blerë
aty te kambët e mia.
Mos e le akullin të rritet
ndër netët e ftofta e të preki
kambët e mia.
Në kohën e hijeve më merr në gji
deri në dritë, Hera!
Me zemër të flakët e me diell,
me trup të blerë, Hera,
deri në dritë me mue.
(Ai mal akulli kishte nji emën
e s’mund ta thom,
ai mal akulli kishte nji emën tabú.)
München, 1968
LUMTUNIA
Pranë meje rrjedh lumi
i qytetit të madh.
Nga uji del fryma e pishave
të ngime me rrëshinë
dhe dej pëllumbat e fjetun
nën diellin e verës së vonë.
Dritat e syve tu të mbyllun
dy molla të tejpashme
me bërthamë të kuqe në mes
përshkojnë rrezet e diellit
nalt në qiell.
Dhe rrezet e diellit zbresin
përsëri shkallave
npër rrembat e ajrit
deri nër tokë
dhe në ujin e lumit
dhe në botën time të lashtë.
Prandaj dhe lumtunia në mue
asht nji rrotull e bardhë.
München, verë 1968
LIDHJA
Ngrite dorën e këputi rranjët e shlira
që të lidhin me dheun tand, e Mbara,
para se me vlue mushti ndër degë.
Njeriu, që i thonë Uliks, po vien
me trajtën e re tue pru me vete
ullij të zez nga Jugu.
Hapësia asht jeta: a e ndien?
Njeriu, që i thonë Uliks, njeh
rrahjet e zemrës sate kur ti pushon
me fëtyrë të sjellun, pa e pa.
Ti nisesh e njeriu, që i thonë Uliks,
njeh hapat tu në hapësinë
me fëtyrë të sjellun, pa të pa,
e të ndien.
25.5.68
PESHA
Pesha e skamnisë
po më ndrydh, Hera.
Pranë meje lumej grunoresh
e unë jam i unshëm.
E jam sytrishtë, Hera,
kur shoh mes grunoreve
ty, tue ecë si frymë
me bukë në krah.
München 16.6.68
ME TY
Jam si jam, thëngjill
që digjet në gji, dy, tri herë
e mandej bie në letargun
e mendimeve, Hera,
dhe hini mbulon qenjen time.
Mbrenda në gjallninë e jetës
jam me ty.
Dhe jam me tokën
nën peshën e bimëve gjithfare
në këtë verë.
Në takim me ty
hini bie prej zemrës sime
e nuk jam i zi e shëndris.
München, 29.6.68
FATI
Shikoje fatin, Hera, ndër yj
që duken në largësi.
Andej dhe lumtunia u nis
kah na, yll i shkëputun,
e rrokulliset prej agimi
në agim.
Magjypja vren dorën tande
e flet e flet
për yllin e largët n’udhëtim.
Besimi rritet në tokën e butë
mes pemëve tjera
te bregu i lumit
nën diellin e fortë qershor.
Besimi rritet n’atë tokë.
KËSHTJELLI MBI UJË
Nuk kemi shtëpi askund, Hera,
e ajri sillet rreth nesh
në fushën e gjanë
e ajrin’a ndan.
Nuk kemi shtëpi askund
dhe rrezet e hanës këpusin
gishtat e duerve tona në rrugë.
Me gurët e banesës sonë
losin fëmija e rritun
brigjeve mbi ranë.
Ndigjo këtu, Hera!
Larg mbi ujë në det e kam
nji kështjell të msheftë
punue me hala peshku e alga
e shëndrit si ar gjithnatën.
Kur të lodhesh prej njerëzve
që shtrydhin gjurmën tande në kalim,
eja atje natën, mbi ujë e rri
në kështjellin tim.
Edhe nën mëngjes ti ke me gëdhi
në nji kullë guri mbi dhe.
GAZI I NDALUN
Gazi i ndalun shëndrit sytë tu
e ledhatimi i tyne zbulon
nji anë të shpirtit tim.
A i sheh ti retë?
Ato s’e kqyrin tokën
tue u nxi nga hijet e fundit
të ditës e kthejnë në liqej
e bahen ujë.
Hera, gazi i ballit tand
po humb në mue
e bahet zjarr.
PO S’ERDHE TI
Po s’erdhe ti,
vien nata.
Më kujtohet dita jonë
– rreze mes gjetheve në pyllë.
Hera, kthe përsëri aty
ku na zuni nata.
Po s’erdhe ti,
vien nata.
Kur të zbardhen majet e alpeve
pres zanin tand
te dita jonë.
Po s’erdhe ti,
vien nata.
NGRITJA
zâ brini ndër alpe
ulet muzgu, Hera, e pushon
në ne.
Malli im lëshon rranjë në ty
dhe ndiej si rritet gjelbrimi
në patalogjet e blera.
dhe rritet zemra ime
e flurim ngjitet përpjetë
ka maja gurore
në kapin e qiellës, në re,
ke lumtunia ime.
Sonte atje nalt do të shoh
andrrën e pakufi të ngjyrave:
zi, gjelbër, blerë,
ngjyra si grunë e si qiell
tue u derdhun në ty.
AGIMI I DITËS SË RE
Jam i lumtun, Hera,
që zjarri bie zjarr
e bebëzat e synit tand
shëndrisin
n agimin e ditës sonë.
Ngjyra e sendeve ndrroi
n’agimin e ditës sonë.
A ndien? Vera jonë
leviz n’ajrin e kullutë
n’agimin e ditës sonë
e ka me na zanë vjeshta
me pemë të pjekuna ndër duer.
E VETMJA DRITARE
E vetmja dritare mbeti e çelun
në banesën time vorri:
shoh nji yll, nji zog rrëmbyes
tue qindrue në ajr.
Hera, due luftën e zogut
kundra yllit,
luftën e yllit kundra zogut.
Due sosjen e shpendit
due ramjen e yllit
në shplakën e dorës sime,
në trajtën e gurit
të paçmueshëm,
rrezen e diellit në te
për nji jetë, Hera.
Poqese këta nuk ndodh
e mbylla dritaren vetë.
TI QË KALON
Me kohë u rrxue nji gur
nga mali im
dhe shkeli vetëm filizat e ahave
e mandej pushoi, i randë, në mue
dhe shtresat e ndjenjave e banë
themel qindrese së tyne në botë.
Ti që kalon para meje
mos vre me kureshtje
ndërtesën e ndjenjave të mia,
por ndiej gurin që pushon në mue
dhe merre me mend peshën e tij
në parzmin tand
pse çdo stinë e vjetit tim
të pakryem
ka rranjët e veta në ty.
PASHË NJI QYTET TË VJETËR
Pashë nji qytet të vjetër
mesjetar
se si lulëzon në blerim.
Mandej erdhe ti
dhe harrova qytetin
e blerimin dhe u ula
me ngranë
qershiza të zeza
pranë gjive tu,
qershizat e rrituna
rranxë mureve të qytetit
mesjetar,
atje ku tash bie shi
i qetë, i qetë.
Sy tu e qartë si qiella
më shikojnë e bashkë
i ndiejmë piklat e shiut
mbrenda nesh dhe jashtë.
Kokrra qershizash, zi, zi
mbrenda nesh
e në kupën përpara nesh
e në gji.
ANDËRRTARI
Ecte udhës shtegëtari përpjetë
kalin tue mbajtë për kripi.
Kishte kambët e përgjakuna:
dy ditë rrugë kish bâ zdathë
me kalë për dore
e asnji dhimbë s’kish ndie,
i tretun në mendimet e veta.
E qeshë kishte me vete
tue kujtue kalesën
dhe sende tjera, si për shembull:
si mbruhet buka në magje
e si rritet brumi, tue u ajë.
Ashtu rriten edhe vashat
dhe parzmin me dëshira
nuk iau nxuni as shtëpia e atit
e duelën nji nga nji nuse.
Dhe qeshte me vete
për shijen e vashave të katundit
që muerën për burra
djelm të hajshëm, të zbehtë
me sy grizhle të zvogluem
si nejt e zez të tryezave,
si nej të zez në drrasa.
Mandej vrente trishtueshëm
udhën e gjatë, pa pasë kohë
të mendojë
se a mbaron ndokund.
KAM SHIKIMIN TAND NË SHPIRT
Kam shikimin tand në shpirt
dhe melodinë e pavdekshme
të gjakut në pasion.
Freskia mëngjesore
dhe bari i lagun fryjnë
zemrën time të zgjueme
nga prania jote në te.
Kam shikimin tand në shpirt.
Filli i zanit tand
depërton gjymtyrët e mija
dhe trajtat tua rrijnë
të pashlyeme
në bebzat e syve të mij,
që lahen për të parën herë
në jetë
në këtë mëngjes me diell.
Kam shikimin tand në shpirt.
MJEDJES
Erandja e makthit të katundares
të Nënshkodrës mbas vargjeve
të duhanit herë hera
ta ndjeva ndër vargje të dlirta
në kohën e parë. Në kohën e parë
më tërhoq vetmia e mbramjeve
tua të qeta
dhe në zemrën tande idhnake
s’besova kurr.
Shum vonë zbulova mbas fjalëve
të kristalta
drojen e zbërthimit të bulzave
para ngrijes dimnore, në fillim,
dhe para diellit të fortë, mâ vonë.
Shum vonë për ty, Poet.
Zemrat njerzore i mbylle
me druj çeliku para vehtes.
Vetmitar mes njerëzve tu
shujtoheshe me frytet e heshtjes
e na solle shpinën ftoftas
mue me shokë, pa kend tonin
në nji leteraturë.
KULLOSHTRA
Fijet e para të barit dhe kingjat
prej barqeve të ngrofta të dhenve vijshin
bashkë. Kulloshtra e re e fijet e para
të barit përziheshin bashkë e u zijshin gjatë.
E kur mâ të rijt pyetshin: pse kjo gja?
Gjegja ishte e thjeshtë: pse âsht mirë.
Breznitë e reja skeptike pyesin për së dyti:
e pse âsht mirë? Zani i etënve – jehonë
kumbon: pse âsht mirë!
E vrajnë të vjetrit pse donë me vra
në shpirt kujtimin e të njomit të bukës
mbas nji dimnit të gjatë të fëminisë.
Bari i njomë kulloshtra në zjarm
e dielli tue u ulë në luginë
âsht e vetmja lirikë e tatgjyshit
e s’don ta ndrrojë me vargjet
që shkruejmë ndër letra, na.
RELIKET E KOHËS
E kujtoj fëmi endè para kandilit
ftyrën tande mâ të ndritun se flaka.
Dhe e dijsha se ke me u bâ e hijshme
kur pijshe ujë etshëm mbas shujte.
E dijsha se vjeshta ka me mbushë pusat
me pika shiut plot e për maje.
Tash del hana e re çdo muej
e më bjen me vehte jehonën
e vonueme të kohës sate.
E pyes vehten: si mundet ajo
me kthye buzë pusave të ngimë
ku tash janë mure punue me gur
të latuem dhe ndoshta ndrisin dhe kandila të ri
ngarkue me tym.
Dhe dashunoj mâ tepër ate grue
pse endè merr pranverën e jetës
në atë trup të mbuluem me tesha
të ashpra zhguni
pse ajo âsht nji rreth në vargonin
e jetës seme që e due të tanësishme.
DHE PLOTNI TË PËRSOSUN
Vapa e mbasdites ngjitet prej gropave
e shenanve të thatë në kodrina te era.
Ti zemër, e era bashkë përzieni
rrezet e diellit njanën me tjetrën
e të gjithë bashkë gatoni gëzimin
per darkë.
Asht vapë e pushoni në prehnin e saj
e në parzëm, ti dhe era, zemër.
Ajo quhet Mena dhe e dashunoj
për zytë e zez që ka: ata shkëlqejnë
nën hijen e vetullave e ballit
të mrekullueshëm dhe gëzohen
për njimij kënaqsina të vogla.
Ajo, zemra eme dhe era përftojnë
lumtuninë në vapën e thyemjes së ditës
dhe timtat e orës e ora
përbâjnë nji tansi të pandame sendesh
dhe plotni të përsosun.
XXX
E ndjej frymën tande në buzë
e drue se jet afsh vere
e digjet në re.
E dora në sup
ndoshta bahet flutur
e tret në livadhe.
Zani yt do tëbesë
i gjatë, i gjatë, në mue.
FORTUNA
Prej gjinint të ujit ngriten
mija sende e rroken me vala.
Nata e errët
mbulon turbullimin e detrit.
Kush harroj mbramë
barkat në breg
nesër nuk i gjen mâ atje.
Andrrat e mija të shqetësueme
ikun në terr.
Agimi tash vien
e zbardh andrrat e mija
mes detit të qetë
mbi barkat e humbuna natën.