More
    KreuLetërsiShënime mbi libraLili Sula: Kujtesa në strukturën romanore të I. Kadaresë: “Dosja H.” ...

    Lili Sula: Kujtesa në strukturën romanore të I. Kadaresë: “Dosja H.” dhe “Përbindëshi”

    Rrezatimi kuptimor i kujtesës, si element sendërtues i artit, përfshin të gjitha rrafshet e organizimit të tekstit dhe është i një natyre krejt të ndryshme nga kujtesa e bartur nga ligjërimi historik. Siç dihet, ky i fundit funksionon vetëm falë raporteve me kontekste të tjera shkrimi, me synim qartësimin: të shkruarit në vargje, na mëson Aristoteli, nuk e bën më pak historian dhe më shumë letrar Herodotin.

    Kujtesa është kreative, ajo përfaqëson aftësinë “për të lexuar” historinë si e shkuar dhe si bashkëkohësi në veprën letrare falë kuptimeve shtesë që kon/teksti organik i veprës rrezaton dhe artikulon kujtesën vetjake të pavullnetshme si kondensim të përvojës; kujtesën si “citim” të vullnetshëm dhe të pavullnetshëm të letërsisë pararendëse; kujtesën si numër (përsëritje e leksikut, fjalive, mendimeve, koncepteve etj.), që sendërtojnë të vërtedukshmen e strukturës formale të veprës; si dhe kujtesën si kategori logjike kyç e ndërtimit të figurës (mjafton të përmendet analogjia në themel të metaforës).

    Kujtesa si koncept ngushtësisht i lidhur me procesin e krijimit artistik dhe të receptimit të veprës letrare përfaqëson një proces dinamik; nëse harresa është lodhja, gjendja statike, ndërprerja e interaktivitetit, kujtesa është ndryshueshmëri, lëvizje energji, që përfshin jo vetëm “kujtimin e fytyrës së paraardhësve, po dhe vazhdimësinë e fillit ku e kanë lanë ata.1 Sa më funksionale dhe logjike të ndërkallen figurat në strukturën tekstore, aq më fort e godasin “kujtesën” e lexuesit dhe aq më të rëndësishme bëhen si çelësa të leximit të historisë si bashkëkohësi. Arti elitar i ndërlidh organikisht këto elemente dhe ngjall kujtesën e lexuesit, duke zgjeruar ndjeshmërinë e tij intelektuale për të kuptuar më mirë bashkëkohësinë dhe të shkuarën.

    Teksti letrar përfaqëson kështu një palimpsest ku shtresohen plot figura, imazhe, ide e botëpërjetime që përcillen e gjejnë vend në palimpsestin e leximeve e përjetimeve të receptuesit, tek i cili leximi më i ri ushtron forcë për t’i zënë vend të mëparshmit, “të vjetrit”, edhe pse ka vend për të gjithë. “Palimpsesti i kujtesës është i pashkatërrueshëm, “po lexues, shkruan Bodler, të pafund janë poemat e gëzimit apo dhimbjes që janë ngulitur dalëngadalë në trurin tuaj.”2 Kujtesa trashëgohet brez pas brezi për të mos lënë në harresë shpirtin njerëzor, por për ta jetësuar e kujtuar atë në shpirtin artistik. 

    Shkrimtarët karakterizohen nga mënyra leximesh artistike të veçanta, që bashkojnë e shtresojnë kënaqësinë e receptimit të veprës me atë të krijuesit të artit duke artikuluar e trajtësuar shenja ligjërimore të dallueshme. Ismail Kadare shpalos në veprën e tij të gjithë dinamikën e frytshme të morfologjisë së kujtesës që dallon artin e madh.

    Në rrafsh të gjurmëve që retorika e Aristotelit quan héuresis dhe ajo latine “inventio”, analiza dhe interpretimi i kujtesës ka të bëjë me kërkimin dhe gjetjen e çelësave strukturorë që ndërtojnë veprën; sterna e kujtesës kadareane përmban, në radhë të parë elemente të leximit të autorëve antikë grekë, si: Homeri, Eskili etj., si dhe atyre latinë. Ata lanë gjurmë në botëperceptimin kadarean, duke u bërë vendimtare në procesin krijues të shkrimtarit, nga ku do të buronin rrëfime shumë komplekse. Marrëdhëniet e veprës së I. Kadaresë me antikitetin grek janë të njohura e përbëjnë një nga boshtet artistike të prozës së tij aq sa është thuajse e pamundur të analizosh e të interpretosh vepra si Dosja H. e Përbindëshi, pa marrë parasysh shtratin e letërsisë antike greke. “Kombinimi i dhuntisë narrative me intuitën e një lexuesi të jashtëzakonshëm siç është Kadare …, shënon M. Mandalá, … na bën të shqyrtojmë te rrëfimet e Kadaresë shenja të kujtesës së pavullnetshme” dhe të kujtesës së vullnetshme të “leximeve vetjake”.3

    Romanet Dosja H. e Përbindëshi bartin e transmetojnë te lexuesi gjurmë të qarta kujtese leximesh vetjake që përvijojnë profilin krijues të I. Kadare si shkrimtar. Dosja H., u botua fillimisht si novelë, në të përmuajshmen “Nëndori”, më 1965, ndërsa Përbindëshi po ashtu te “Nëntori”, më 1982, në periudhën e lulëzimit të letërsisë së socrealizmit.

    Të dyja veprat, Dosja H. dhe Përbindëshi janë komplementare dhe në tension të kundërt mes tyre: Përbindëshi është simbol i dhunës dhe censurës, kundrejt Dosjes H., manifestim i lirisë shpirtërore, trashëguar nga epika popullore, gojore. Përmasa shtesë ky synon analiza e dy veprave ka të bëjë me treguesin identitar, artistik e nacional që ajo përcjell për të shkuar te liria natyrore e kombit, që nuk i bindet ligjeve diktatoriale të Përbindëshit antik/modern.

     Në qasje binare, po veçojmë dy plane rrëfimtare: ai fiksional  dhe  studimor.

    Plani i fiksionit bartet shpesh në atë të studiuesit shkencëtar: ai i doktorantit Gent Ruvina (Përbindëshi ) dhe dy studiuesve irlandezë Vili e Ruth (Dosja H. ). Në të dyja këto plane ka rimarrje të letërsisë antike greke, përmes dy elementeve çelës të retorikës së tekstit: kujtesës si citim dhe kujtesës si veshje alegorike e simbolit (Kali, Dosja).

    Botimi i parë i Përbindëshit (1965), bart një element paratekstual  të antikitetit latin, që nuk u ruajt edhe në botimin e romanit si libër më vete. Shmangia e paratekstit, në botimin e romanit, zgjeron shtegun artistik të rrëfimit e të receptimit sa thellon penetrimin në qytetërime e kultura të lashta për t’i dhënë përmasë universale ligjërimit: “Mos i besoni kalit/  Në qetësinë e natës vini veshin,/ A nuk dëgjoni një trok të largët, të shurdhët?/  Nga thellësitë e errëta të kohërave drejt/  Qyteteve tona/ Po trokon një kalë:/ Kali i Trojës; Virgjili, viti 25, p.e.s.

    Trokëllima e Kalit të Trojës hap portën e receptimit të lexuesit dhe vendos shenjën e barazimit midis Kalit e Përbindëshit e për të shtuar më pas në këtë barazim edhe Furgonin, pra duke ndërfutur forcën e diktatit në tre mekanizma kujtese letrare kohësisht të largëta, që artikulojnë e përshkallëzojnë nën trysni të vazhdueshme shoqëritë e mbyllura diktatoriale.

    Të dy romanet sjellin në bashkëkohësi “enigmën homerike” përmes shenjave tekstore të kujtesës së vullnetshme në rrafsh të letraritetit dhe në rrafsh të profilit kritik të autorit. Misteri i homerizimit të eposit të Dosjes H. dhe mëdyshja për praninë e Kalit bashkëshoqërohet me çështjen e kujtesës, me atë trashëgimi brezash njerëzorë e kryeveprash artistike që bashkëlidhin rrëfimet e dy romaneve në një tërësi shtresimesh në trajtë palimpsesti. Kujtesa, si mekanizmi më i rëndësishëm, që formëson dhe ruan identitetin kulturor e nacional të shoqërisë sonë moderne, është përvijuar në trajtën e kujtesës kolektive, të artit të veshit, kujtesës orale të eposit popullor, monumentit të kulturës sonë artistike, te Dosja H., kundrejt kujtesës për të mos harruar, atë “vjetërsi të botës”, Kalin e Trojës, që transmeton forcën e gjithkohshme të diktatit ndaj individit dhe shoqërisë, te Përbindëshi.4 “Në mendjen e tij thirrjet e kalamajve të provincës: Helenë e Trojës, ashtu siç ia kishte treguar ajo vetë, së bashku me idenë e bukuroshes së fjetur që zgjohet pas tri mijë vjetësh (natyrisht, e ftohtë tashmë), përpiqeshin të mbrunin një mendim… (Përbindëshi, f. 60).

    Dosja H.5 (asocion me një palimpsest) përmbledh një tërësi regjistrimesh të epikës sonë popullore, si dhe hulumtimet e dy “homeristëve” irlandezë, doktorantit Maks Roth e Vili Norton mbi çështjen homerike, e cila ndërthuret me gjykime për “platformën e një parauniversi të përbashkët greko-iliro-shqiptar. Kombësia irlandeze6 e studiuesve jo rastësisht përkon me nacionalitetin e autorit të Uliksit, si për të përligjur gravitetin dhe rrezatimin e mitit dhe kulturës europiane, të bindjes autoriale për vlerën e eurocentrizmit në larushinë e kulturës botërore. Ngjarjet e Dosjes H. morën shkas nga një takim i shkurtër, në Ankara, në fund të viteve `70, të shkrimtarit I. Kadare me dy amerikanë Milman Parry e Albert Lord, të cilët kishin qenë në Shqipëri për të studiuar gjurmët e eposit homerik. Misioni i dy studiuesve Maks Roth e Vili Norton, që “u ngjan dy donkishotëve të trishtë”, pikëtakon, kryqëzon, shtreson e shtegton nga njëra mitologji tek tjetra përmes Homerit, Virgjilit, Aligerit, Shekspirit, Apolinerit, gjermanëve, irlandezëve/Xhojsit etj., kujtesën e vullnetshme për ta institucionalizuar në rrafshin akademik prestigjioz kërkimor të Harvardit, duke e trajtësuar në një “epevent të ri”, (dedikuar dy studiuesve)7 ndoshta i fundit në globin tokësor, që prodhonte ende një lëndë të tillë poetike si ajo e Homerit; ishin shkëndijat e fundit të flakës së dikurshme. “Këndo o muzë, zemërimin e Harvardit, e International Center of Homeric Resaerches (f. 57).

    Jo rastësisht vargu i parë i Ciklit të Kreshnikëve kujtohet e ndërfutet tri herë në rrëfim si një formulë e përhershme: “Shum’ po shndrit nj’ai diell e pak po nxeh” duke risjellë klishenë e eposit tonë, të një prej epëve të vjetra që gjendet “në të gjitha antologjitë e leximit letrar”, siç përsëriste me vete Dezi, si dhe procesin e “homerizimit” të ngjarjeve, materialin e gjallë jetësor që hyn në makinën e eposit, por duke u bërë bashkëshoqërues e lajtmotiv metaforik i hulumtimeve të studiuesve në dritësimin e enigmës homerike. Vullneti për të cituar në greqisht dhe në shqip vargun e parë të Iliadës: “Menin aeide thes Peleiadeos Ahilaios/ Mëninë këndo hyjneshë të Akil Peleut,” grish e provokon te studiuesit e huaj argumente për të motivuar, që me vargun e parë të kryeveprës homerike e në vijim, truallin e përbashkët greko-ilir. (Dosja, f. 106)

    Përmes autorësh të antikitetit greko-latin (Homeri, Vrigjili, e personazheve njerëzorë e hyjnorë të veprave të tyre Priami, Helena, Menelau, Akili, Agamemnoni, Penelopa, Patrokli, Laokonti, Zeusi etj.) te Përbindëshi, referenca nga kënga IV e Odisesë: “Në kalin e drunjtë ne prijësit rrinim strukur/ kur ti erdhe Helenë…” (f. 37), si dhe vargjet: “Përse i le gërmadhat e Ilionit, ç’kërkon/ që midis kohërave të tjera endesh si/ somnambul? / S’të mjaftuan zjarret, tempujt, klithmat e Trojës?/ Përbindësh! Me mish qytetesh u mësove (f. 81) vijnë si dilemë kujtese; nëse vargjet ishin lexuar diku apo ishin krijuar vetvetiu “si shtresa e myshkut në faqen e një muri?”. E këtu, kujtesa, kujtesa kreative, lejon që teksti letrar të evokojë etërit, jehona e të cilëve nuk vjen si “tabula rasa”,por si rikrijim (shtresë myshku) që prish karakterin e mbyllur të veprës dhe e hap e gjallëron atë me polifoni zërash e jehonash të fshehura në thellësinë e kohës.

    Mekanizmi i kujtesës kreative8 te Dosja H., nga njëra anë, provohet në terren nga regjistrimet e kohëpaskohëshme të rapsodëve, prej të cilave rezultonte se nga rreth një mijë vargje mungonin vetëm dy, kurse te skena e Mujsit të lidhur, vargu: “Shkrumb i pishës n’mjekër t’Mujsit nxinte”, ishte bërë: “Shkrumb i zi pishës n’jargë përzihej”; pikërisht këtu qëndronte “thembra e Akilit” për çështjen homerike, studiuesit kishin kapur ingranazhin kryesor të mekanizmit të kujtesës, njësinë më të vogël të ndryshimit (të harresës), atë që ndodhte tek i njëjti lahutar brenda dy javësh për t’u shtuar (krijuar) me diçka të re, më pas (Dosja H., 126); nga ana tjetër, te Përbindëshi, Kadareja i është rikthyer rrethimit të Trojës “që të shqyrtojë historinë e ‘ta korrigjojë’ atë në hapësirën e imagjinatës sonë”9 duke mbështetur bindjen se rënia e Ilionit ishte një nga krimet e para të mëdha të njerëzimit. Nën optikën e kujtesë-harresës, mjegulluar në kaos, prej shekujsh, Gent Ruvina shihte qartë praninë e hijes së Kalit dhe në tezën e tij të doktoraturës shtronte çështjen nëse Kali i drunjtë: së pari, nuk ka ekzistuar fare; së dyti, ka ekzistuar diçka e ngjashme me të në parim, gjë që do të na drejtonte te zbërthimi i simbolit; dhe, së treti, Kali i drunjtë ka ekzistuar, por vetëm si mbulim për të vërtetën. E rëndësishme mbetet se Fantazma e Kalit ka ndjekur gjithherë njerëzinë, madje na ndjek edhe sot e kësaj dite, troku i tij ndjehet kudo (Përbindëshi, f. 36). Dyshimi i studiuesit mbështetet nga prania e një Furgoni të madh të braktisur, disa kilometra larg qytetit, pjesët metalike të të cilit “ia kishin shkulur prej kohësh dhe tani s’i kishte mbetur veç karroceria e mbyllur prej druri”.10 Rapsodia e Zukut Flamurtar: “Un’, do t’marr, eh, sot një gjak të vjetër./ Kurr’ ksi gjaku kujt s’i ra me marrë” (f. 122), nyjëton kujtesën cituese të vullnetshme me kujtesën orale, si dhe evokon shtresa të thella të antikitetit grek. Jo më kot, gjermanët e kishin cilësuar “Orestiada” shqiptare, aty gjendeshin të gjitha “si dikur: edhe tradhtia e së ëmës së Zukut, edhe motra që e shtyn vëllanë në mëmëvrasje, edhe furitë edhe ndëshkimi” (f. 122).

    Epika orale ka qenë dhe mbetet art i veshit, struktura ritmike e këngëve popullore lehtëson memorizimin e tyre, ndërkohë që të kënduarit me instrument muzikor e përcillte ndër breza; veshi (të dëgjuarit) është shqisa, mekanizmi, institucioni i vetëm i kujtesës rapsodike, pa ia pasur nevojën syrit (të lexuarit), pa të cilin s’mund të kuptohet arti i sotëm: “Jo më kot Homeri ashtu edhe përfytyrohej, pa sy (Dosja H., f. 138). Nëse shpikja e shkrimit përbën kufirin ndarës midis fazave të qytetërimit, për rapsodët, shkrimi përbënte një nga tragjeditë më të mëdha të njeriut, sepse pikërisht mendimin e tij të lirë e nguroste me prangat e shkronjave; për aedët ajo shpikje ishte shumëfish vrastare: “E kishin më të lehtë të mendonin fundin e botës sesa këngët e tyre të ngulura në pllaka, të kryqëzuara me kanxhat e shkronjave, si të dënuarit me vdekje” (Përbindëshi, f. 44). Kujtesa e veshit është sipërane ndaj asaj të syrit të nënprefektit (kujtesë administrative, mekanike dhe e ngurtë), i cili nuk i shton e nuk i heq asgjë raporteve të përgjuesit. Kështu, Dosja H.dukshëmështërrëfim për kujtesën kolektive, kujtesën e trashëguar, si një përmendore kushtuar monumentit të gjallë të epikës, që transmetohet prej rapsodëve. Rrëfimi bazohet në mekanizmin e kujtesës e të harresës si elemente themelore të eposit gojor, si një mekanizëm i gjallë e jetik që bartet e përcillet nga rapsodët, këta “hamej të këngës, gjersa një ditë të zhdukeshin, siç zhduken vërtet hamejtë prej konkurrimit të makinave” (Dosja H., f. 147). Rrjeti ndërlidhës i marrëdhënieve tekstore Dosja H./Përbindëshi karakterizohet nga një tension ndërmjet lirisë së eposit popullor për të gjalluar në formën e vet natyrale të pafiksuar nga njeriu dhe, nga ana tjetër, instalimit të diktatit te Kali i drunjtë/Përbindëshi që në kohë-hapësira të ndryshme ngurtësohet e sofistikohet në mjete moderne, të cilat shumëfishojnë dhunën dhe trysninë në shoqërinë njerëzore. Liria si thelb e funksion i artit popullor të cilën vështirë se gjendet Dosje ta përmbledhë, kryqëzohet me kontrollin e diktatin që ushtron TotalKali përmes ligjërimit që luan në kohë-hapësirën e kujtesë-harresës. Nëse Dosja H. është himn për lirinë e krijimit dhe qarkullin e vlerave njerëzore, Përbindëshi, përkundrazi, përfaqëson cenimin, kufizimin, ngurtësimin e lirisë në shoqëritë diktatoriale aq sa dhe angazhimin autorial për të rishkruar historinë.

    Në të dyja veprat, kujtesa përmes harresa/ve (Dosja H.) dhe golleve/zbrazëtive (Përbindëshi), bëhet shenjë identiteti nacional; ajo është dinamike dhe e larmishme, nga njëri rapsod tek tjetri, mes motërzimesh të ndryshme te Dosja H. dhe konservuese, e patjetërsueshme, e ngrirë dhe e frikshme te Përbindëshi. Në rastin e eposit, harresa/t nuk është e kundërta me kujtesën/at, “gjoja harresa e gjoja shtesa”, ato nuk kanë të bëjnë me mundësitë e kufizuara të kujtesës njerëzore, por janë pjesë përbërëse e laboratorit krijues popullor si “në procesin e metabolizmit të qenieve të gjalla, ajo është një vdekje që siguron vazhdimësinë e jetës” (Dosja H., f. 135). Por, kujtesa ngrin për ngjarje dhe data të rëndësishme historike, si për 1913-n, vitin e mbrapshtë të copëtimit të Shqipërisë, për të cilin eposi sikur nuk ishte gjallë, ai me shumë mund nxori 4–5 vargje, ndërkohë që do të duhej të sokëllinte, ose kur me zor prodhoi 12 vargje për Kongresin e Berlinit  (Dosja H.). Këto ngjarje nuk këndoheshin, nuk epizoheshin, nuk homerizoheshin, nuk ishte e rëndësishme të kujtoheshin, pra më mirë të harroheshin. Epi dinte fort mirë çfarë të prodhonte e të memorizonte – çfarë i duhej kujtesës kolektive. Edhe Helena e Përbindëshit “ngrin” kur flitet për Kalin e Drunjtë; ajo gjithnjë sheh anët e këndshme e të bukura të ngjarjeve të vjetra, veç kur dëgjon për Kalin e Drunjtë, ajo ngrin e gjitha, siç është i ngrirë dhe ai vetë, sepse atje mbaron çdo dritë dhe nis terri e tmerri.

    Rrëfimet për Përbindëshin dhe Dosjen H. ngërthejnë një rrjet të ngjeshur përkimesh e asocimesh; nga faqja e parë e librit e në vijim, receptuesi vë në diskutim aktin e leximit, fundin e faqes; ai penetron ngadalë te paraardhësit e tij bashkë me ndikimet e mundshme kulturore, duke ndërtuar një sërë marrëdhëniesh reciproke mikroskopike e makroskopike.

    Eposi vdes në kohët moderne; regjistrimi në magnetofon, “në arkën ku mblidhet zëri i njeriut si litari në çikrik për ta lëshuar prapë” e ngurtëson memorien popullore. Magnetofoni përfaqëson kujtesën moderne, një “vegël ogurzezë” (Dosja H., 177), harresën e eposit në gjendjen orale, harresën e plotë të tij, verbërinë e këngës popullore që futet në “sënduk të skëterrës”, në një “arkëmort” e “kosë të mortjes”, për t’u shndërruar në forma të kujtesës moderne. Rrethi vicioz i njëjtësimit: verbëri = kujtesë = kujtesë dëgjimore = kujtesë e veshit = epos-art popullor, si art i kënaqësisë së dëgjimit (Homeri kishte qenë i verbër, Demokrati u verbua me dashje, ngaqë sytë e pengonin të thellohej në përsiatjet e tij, për çudi edhe Vilit po i dobësohej gjithnjë e më shumë shikimi), është në presion e rrudhje të vazhdueshme me kujtesën e syrit (leximin dhe shkrimin) dhe me atë moderne, të shënuar nga aparatet përgjuese – që do të vijnë nga kryeqyteti, për të zëvendësuar përgjuesin/Dullë Buxhanë11 dhe nga magnetofoni i irlandezëve. Autonominë dhe lirinë e epit dhe të kujtesës popullore në gjendje të lirë, narratori e jep në analogji me “telat e shqyer dhe të këputur” të magnetofonit, që nuk mund të jenë tjetër, veçse gjallimi i epit përmes motërzimeve të shumta, e njëherësh pamundësia për ta mbledhur/regjistruar, si një trup/vepër të vetëm/e: “Ne u përpoqëm ta mbledhim atë, por… ai na u thërrmua, ja kështu si nga një katastrofë…”.

    Imazhi dhe vizioni artistik, që përftohen përmes kujtesës, përbëjnë një mekanizëm të ndërlikuar e njëherësh efikas, me anë të të cilit shkrimtarët modernë i kundërvihen epokës bashkëkohëse, thënë ndryshe, Ismail Kadare me Dosjen H. i ngre përmendore kujtesës kolektive, të kënduar në epikën tonë, në kundërvënie me epokën industriale, të ashpër e të shurdhët, që modifikon e “vdes” kujtesën dëgjimore; ndërkaq te Përbindëshi, si shënon É. Faye në parathënie, Kadareja kërkon “domethënien bashkëkohore të një ‘monumenti’ të famshëm të kujtesës kolektive botërore”,12 forcën e shoqërive të diktatit për të ndërtuar qysh në embrion mekanizmin e vetëfunksionimit, shtypjen e dhunën me rrezatim horizontal e vertikal, që ushtron trysni në shoqëritë njerëzore. 

    Tensioni artistik mes kujtesës së përmendores së trashëgimisë sonë të përbashkët orale dhe bindjes së gjallimit të saj në gjendje natyrale e të lirë, të një Dosjeje H…, që kurrë nuk do të mund të përfshinte/ndriçonte gjithçka, kundrejt makinerisë së frikës dhe dhunës së Përbindëshit ndërkallur në një rrejt të ngjeshur imazhesh-simbolesh: Kalë, TotalKalë, Furgon, Përbindësh, Muze, Muri Kinez; Dosje, Magnetofon, Shtjefni, Bujtina “Rrashti i Buallit” etj.); kohëra të largëta që rivijnë e përmbysen te ne për të dëshmuar forcën e antikitetit, si gjiganti që shtreson palë-palë në supe kohërat. Kujtesa e oralitetit “si rishfaqja e qenieve në metempsikozë” (Dosja H., f. 59), me të cilën lidhen të dyja veprat, trajtëson alegorinë e shpëtimit në diktaturë, të shpëtimit të trashëgimisë sonë kulturore identitare nacionale përmes artit të fjalës.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË