More
    KreuLetërsiBibliotekëLetrat e Herman Hesse-s me Romain Rolland-in për librin “Siddharta”

    Letrat e Herman Hesse-s me Romain Rolland-in për librin “Siddharta”

    Montagnola, 10 gusht, 1922

    Ju kini mirësinë të pyesni në letrën tuaj nëse jam akoma në Lugano. Epo, nuk ka një përgjigje të lehtë për këtë pyetje. Ajo që mund të them është se ende jetoj në Montagnola, por ka më shumë se një vit që nuk kam shkelur në Lugano, edhe pse nuk është më larg se një orë prej këtu. Pra, mund ta përfytyrosh çfarë jete po bëj: Shën Jeronim në kasollen e tij të vogël.

    Shumë faleminderit për informacionin e dobishëm. Nëse konferenca mbahet, do të përpiqem të marr pjesë, dhe do të isha i lumtur të njihem me miqtë tuaj indian.

    Më në fund e mbarova romanin Siddharta. Do të botohet si libër dimrin e ardhshëm, gati tre vjet pasi fillova ta shkruaj dhe ju do ta merrni menjëherë një kopje. Pjesa e parë ka një kushtim për ju, pjesën e dytë ia kam kushtuar një kushëririt tim, i cili ka jetuar në Japoni për dekada të tëra, dhe është i dhënë pas qytetërimit lindor, jemi kaq të afërt me njëri-tjetrin.

    Më vjen mirë të dëgjoj që je përsëri në Zvicër. Dhe shpresoj se të arrijmë të takohemi. Disa muaj më parë, humba një mik të dashur, politikanin gjerman Conrad Haussmann. Klima intelektuale në Gjermani është plot anarki dhe fanatizëm fetar, klima e një apokalipsi ose e Rajhut të afërt mijëravjeçar.

    Përshëndetje të përzemërta nga një admirues i juaji, i cili ju uron të gjitha më të mirat.

    Herman Hesse, nga Fabrizio Cassetta

    Montagnola, 6 prill, 1923

    Miku im i dashur Rolland,

    Miqtë e mi asnjëherë nuk më kanë lënë kaq jashtë vëmendjes, se sa në rastin e Siddhartha-s, vështirë se njëri prej tyre ka marrë mundimin të më shkruante një rresht për të thënë se e ka marrë librin. Prandaj ndjeva kaq shumë kënaqësi këtë mëngjes gjatë leximit të letrës suaj të mrekullueshme. Keni të drejtë: kam jashtëzakonisht pak kolegë që mund ta vlerësojnë dhe kuptojnë Siddhartha-n. Recensionet që kam lexuar shprehin një lloj respekti prej zori. Nga ana tjetër, ka pak njerëz që janë plotësisht të hapur ndaj Siddhartha-s, elementëve indian dhe njerëzor, ashtu si dhe ndaj mitologjisë time krejtësisht vetjake, e cila merr frymë në të si ajri nga atdheu. Një nga më të mirët është personi që ndan përkushtimin e librit me ju, kushëriri im në Japoni. Ai ka përvetësuar të gjitha llojet e gjërave, duke jetuar pesëmbëdhjetë vjetëve në Azinë Lindore kohë gjatë të cilës ka patur marrëdhënie të ngushta me persona të njohur atje.

    Faleminderit për shprehjen e interesit për librin. Dhe gjithashtu për idenë për ta rekomanduar për botim në Paris. Do të ishte kënaqësi e pazakontë. Meqenëse ky libër nuk është i parcaktuar për turmën, do të doja që të ishte i gjendshëm për grupin e vogël të individëve për të cilët është menduar të shkruhet.

    Ndjehem pak ngushtë t’i përgjigjem pyetjes tuaj për librin tim për Indinë. Por, sigurisht që do t’u jap informacionin që ju nevojitet. Nuk ka ilustrime, vetëm tekst. Përfshin një histori të vogël të çuditshme, të marrë nga bota e Indisë britanike, e cila më pëlqeu asohere (1911) dhe ende më duket e mirë. Por, për fat të keq, nuk ka shumë vlerë të zërë pjesën më të madhe të librit, i cili përbëhet prej shënimesh nga udhëtimet e mia në Malacca, Sumatra dhe Ceylon. Libri është i kursyer, dhe udhëtimi në të vërtetë ishte mjaft zhgënjyes në atë kohë, por prej atëherë ka prodhuar disa fruta shumë të ëmbël. Asokohe, pasi u lodha nga Evropa ika në Indi ku gjeta joshjen e ekzotikes. Ai ekzotizëm materialist nuk më çoi drejt frymës së Indisë, të cilën tashmë e kisha hasur më parë dhe po kërkoja përsëri por më ndau nga ajo. Epo, tani kam arritur të paguaj një pjesë të borxhit ndaj Indisë me Siddhartha-n, dhe besoj se kurrë s’do të kem nevojë të kërkoj përsëri strehë tek kjo maskë e lindjes.

    Sa mirë jemi në thelb si shkrimtarë! Kushdo që përpiqet, si artist, të portretizojë se si ndihet në këtë botë të larmishme, shumëpërmasore, ka shumë më shumë alternativa se ai që përpiqet ta bëjë në mënyrë thjesht intelektuale. Në ditët e sotme kjo mund të shihet mjaft qartë në rastin e Count Keyserling-it, mënyra e të cilit për të formuluar gjërat i bën banale idetë e tij të bukura dhe domethënëse. E njëjta gjë mund të thuhet për shkrimet gazetareske të Tagore-s. Por as Keyserling dhe Spengler-i megjjithatë nuk janë bërë shumë të rëndësishëm për mua. Të dy kanë një prirje për ta tepruar dhe të duken arrogant të pranueshëm, gjë e zakonshme tek studiuesit, sidomos tek më të rinjtë në Gjermani. Ata ndjehen të kërcënuar nga vetë ekzistenca e kolegëve dhe besojnë se janë duke u futur në një epokë krejt të re. Kjo është e vërtetë vetëm në sipërfaqe. Të dy kanë një thelb jashtëzakonisht ushqyes, nga e cila mund të përfitohet shumë.

    Të falat e mia për motrën tuaj të dashur. Edhe unë sikur jam nostalgjik për Lugano-n, dhe vizitën tuaj në Montagnola. Por në Lugano nuk ndihem si në shtëpi. Atje jam gati po aq i huaj sa në Berlin. Vetëm këtu ndihem gjallë, në qelën time, e cila është një mjedis primitiv, i qetë, fshatar, por ka poashtu të gjithë stërhollimin e një strehe oshënarësh për mjeshtra verërash dhe ushqimesh.


    Romain Rolland

    Zurich, 30 janar, 1926

    I dashur Romain Rolland, miku dhe kolegu im i dashur,

    E vlerësoj shumë që ia dërguat materialin e shtypur Nagit dhe shkruat dy rreshta edhe mua. Nuk e dija që Siddhartha ishte botuar në frëngjisht, sapo e kam gjetur në një librari këtu dhe bleva një kopje. Ke shumë të drejtë: kushtimi im për ty është hequr! Ndiej vërtet keqardhje. Për fat të mirë, përkthyesi të paktën e përmend në hyrje që ta kam kushutar ty librin.

    Sigurisht mund ta kuptoj qëndrimin tuaj ndaj shumicës së madhe të francezëve. Gjatë luftës kam pasur një lidhje shumë të ngjashme me Gjermaninë zyrtare. Por isha mjaft me fat në kuptimin që atdheu im e humbi luftën. Si rrjedhojë jam duke u lexuar pikërisht nga ata njerëz që do të më kishin vënë për muri dhe do të më qëllonin nëse përfundimi do të kishte qenë i kundërt.

    Është shumë e trishtueshme që është kështu. Por këto kushte nuk meritojnë të merren në Lugano krejt seriozisht. Nuk është karakteristikë e Francës, apo në të vërtetë e epokës sonë, është fenomen i vjetër, dhe karakteristikë vetëm në kuptimin që është një tipar njerëzor.

    Po bashkangjit edhe një ese të shkurtër, e cila do t’ju lejojë të njiheni me jetën time të tanishme. Po kaloj një periudhë të vështirë dhe e filloj ditën vetëm dhe me jo pak ngurrim. Por ka raste kur edhe unë mund të qesh, momente kur zotëroj pak mençuri dhe humor. Parathënia e përkthyesit në Siddhartha është menduar mirë, por të dhënat dhe faktet nuk janë krejtësisht të besueshme, dhe shumica e saj thjesht është sajuar. Sidoqoftë, desha t’ju shkruaja për këtë.

    Botimi i parë i “Siddharta’

    Për Romain Rolland-in

    Ne e dimë rolin që luajti Leon Tolstoi në fillimet e Romain Rolland-it. Letra e djaloshit drejtuar plakut u lexua seriozisht dhe mori përgjigje. Shkrimtari i famshëm u përgjigj me sinqeritet dhe dashuri pyetjeve të nxënësit të shkollës, duke iu përgjigjur si babai dhe vëllai shpërthimit të vrullshëm të fëmijës së trazuar. Duke vepruar kështu, i urti i përnderuar kreu një veprim të shenjtë dhe magjik, aktin e përcjelljes së një thirrjeje. Dhe gjatë jetës së tij të pasur dhe të frytshme, Rolland-i duhej ta kryente po këtë veprim disa herë. Si një burrë më i moshuar që kishte gjetur rrugën e tij, ai nxiste më të rinjtë që ishin në kërkim, pasi të bindej për vullnetin e tyre të mirë, ua përcillte thirrjen atyre. Si një udhërrëfyes, këshilltar, shok përpjekjesh, ai ishte i dobishëm për kërkuesit me zell të brezit të tij dhe dy brezat pasardhës. Ai ruante një flakë që nuk është shuar akoma, madje as në Gjermani, ku gjatë ditëve të terrorit librat e tij të ndaluar mprehën shikimin dhe ndërgjegjen dhe ruajtën zemrat e një pakice besnike. Ende ma përmendin Rolland-in nga Gjermania, ku më pyesin për kujtimet e mia vetjake për të dhe për librat e tij. 

    Të shpërndarë në të gjithë botën, ka shumë besimtarë të devotshëm jashtë kishave dhe institucioneve, burra me vullnet të mirë, të cilët shqetësohen fort për rënien e shpirtit njerëzor, humbjen e paqes dhe besimit në botë. Këta burra nuk kanë priftërinj, nuk gjejnë ngushëllim kishtar, por edhe ata kanë zërat e tyre që bërtasin në shkretëtirë, shenjtorët e tyre dhe dëshmorët. Midis tyre ishin Romain Rolland; Leon Tolstoi, udhërrëfyesi, dhe Mahatma Gandhi, miku dhe shoku i tij. Këta tre ngushëllues të mëdhenj kanë vdekur, por ata jetojnë në mijëra zemra, ata ndihmojnë mijëra për ta ruajtur besimin dhe për ta mbajtur ndriçuese dritën e tyre në botën e amullt dhe të paarsyeshme.

    1948

    Shkëputur nga “Shpirti i epokës: letra të përzgjedhura të Herman Hesse (1891-1962)

    Përktheu: Granit Zela

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË