More
    KreuLetërsiShënime mbi libra“Letra e verdhë e murit” dhe shqetësimet e Charlotte Perkins Gilman-it

    “Letra e verdhë e murit” dhe shqetësimet e Charlotte Perkins Gilman-it

    Halle Butler, The Paris Review

    Kur e lexova për herë të parë “Letra e verdhë e murit” vite më parë, para se të dija ndonjë gjë për autoren Charlotte Perkins Gilman, më pëlqeu kaq shumë. Më pëlqeu toni shkurajues, sarkastik, fundi ngjethës, qartësia e kritikës ndaj “kurës së pushimit” kaq popullore në shekullin e nëntëmbëdhjetë, në thelb një pushim i zgjatur për gratë që binin në depresion. Historia kishte ironi, nxitje për reagim, zemërim. Në ditën e fundit të trajtimit mjekësor, rrëfimtarja është plotësisht e çmendur. Mendon se është një krijesë që ka dalë nga letra e murit. Kura e pushimit shkaktoi sëmundjen që mëtonte të zhdukte.

    Kaq bukur dhe qartë.

    Rrëfimtari i paemër në vetën e parë përjeton tronditje mendore që e njihja mirë – një trajektore rrethore dhe klaustrofobinë e një depresioni në rritje, ndiesinë e fundosjes ngaqë diçka nuk tregohej hapur. Leximi i “Letra e verdhë e murit” përjetohet si një përzierje e vuajërizmit me njohjen, që dalëngadalë shndërrohet në tmerr. Ishte vërtet tronditëse. Ndihesh i përhumbur.

    Historia mbështetet në përvojat e Gilmanit me doktor Silas Weir Mitchell, mjek i shekullit të nëntëmbëdhjetë, përherë në qendër të vëmendjes. Mitchell e rekomandonte kurën e pushimit me qëndrim të stërgjatur shtrirë në shtrat dhe me izolim për gratë e bardha intelektuale, aktive dhe me pozitë të lartë shoqërore. Virginia Woolf, Edith Wharton dhe Jane Addams, të gjitha e provuan këtë kurë, e cila mund të zgjaste me javë, ndonjëherë me muaj. Gilmanit duket qartë që ia kishte neveritur përvoja që kishte patur dhe neveritja e saj është e dukshme.

    “Letra e verdhë e murit” nuk ishte ikonike gjatë kohës së saj dhe fillimisht u refuzua, më 1892, nga redaktori i Atlantic Monthly, Horace Scudder, me këtë shënim: “S’mund t’ia fal vetes t’i bëj edhe të tjerët të ndihen po aq të mjerë sa jam ndier vetë [duke e lexuar]”. Gjatë jetës së saj, Gilman ishte e njohur për angazhimin në politikë  dhe fitoi popullaritet me shumë poezi satirike me kafshë. “Rastet e ngjashme” kaq e dashur për lexuesin përshkruan kafshë prehistorike që mburren se në çfarë kafshësh do të evoluojnë, ndërsa miqtë tallen me ta për arrogancën që tregojnë. Një tjetër, me titullin “Një Konservator”, e përshkruan Gilmanin si një lloj Darvinianeje të krisur në kopshtin e saj, duke i bërtitur në një fluture të hutuar që po qan. “Rastet e ngjashme” shihej si ndër “vargjet më të mira satirike të kohëve moderne” (autori amerikan Floyd Dell). Ka vargje si këto: Një herë e një kohë një kafshëz, /Sa një dhelpër, jo më e madhe se aq, /I mbathi me të katra për t’u arratisur/Nëpër shkëmbinj të thepisur. Dhe kështu me radhë.

    Gilman tani është më e njohur për “Letra e verdhë e murit”, për shkak të Elaine Ryan Hedges, studiueses dhe anëtares themeluese të Shoqatës Kombëtare të Studimeve për Gratë, e cila e nxori Gilmanin nga harrimi. Në vitin 1973, botuesi i shtëpisë Botuese Shtypi feminist nxori në treg librin e titulluar “Letra e verdhë e murit” me  pasthënie të Hedges, e cila e quajti “një kryevepër të vogël letrare” dhe Gilmanin “një nga feministet kryesore të kohës së saj” megjithëse Gilman kurrë s’e pa veten si feministe (në fakt, në një nga letrat e saj shkruante: “E urrej të quhem feministe”). Madje edhe veprën që shkruante se shihte si letërsi. Në hyrje të librit që mora, Gilman citohej të ketë thënë se ajo shkroi për të “predikuar…Nëse është letërsi, kjo thjesht ka ndodhur vetvetiu”. Ajo e shihte të shkruarin si një mjet për përhapjen e politikës që mbronte, dhe veten një makinë propagandistike që përbëhej prej vetëm një gruaje. Hedges thekson në pasthënie se Gilman shkroi “njëzet e një mijë fjalë në muaj” ndërsa punonte në revistën politike që botonte vetë, The Forerunner (Lajmëtari).

    Duke rilexuar “Letra e verdhë e murit” në pranverën e vitit 2020, kur më kërkuan të shkruaj këtë ese, më bëri përshtypje ndjesia e shqetësimit, humori dhe atmosfera e çuditshme dhe frikshme. Ishte më e thellë dhe më simbolike se sa kisha kujtuar, sikur të ishte më shumë se sa dukej. S’më kujtohej që dhoma e verdhë kishte qenë dikur çerdhe me hekura në dritare.

    Shumica e tregimeve të Gilman-it përqendrohet në çlirimin ekonomik të grave të bardha. Për personazhet e saj gra, mënyra kryesore për të qenë të sigurta ishte gjetja dhe mbajtja e një burri të mirë, pavarësisht nga sakrifica që duhej të bënin. Personazhet trashëgojnë borxhe nga bashkëshortët, sakrifikojnë ambiciet artistike për hir të fëmijëve, gati dëbohen nga shtëpia për të jetuar si vejusha, dhe gjithmonë rrezikohen nga turpërimi. Shoqëria, ashtu siç përshkruhet në këto fabula nuk ofron zgjidhje të mira për këto probleme, ato jetojnë me fëmijë mosmirënjohës, lënë shtëpinë, kthejnë dashnoren e burrit mbrapsht në rrugë për të shpëtuar pozitën shoqërore, etj. Është një botë mbytëse dhe Gilman i përshkruan efektet e saj me dhembshuri. Por ndryshe nga Edith Wharton, për shembull, (apo edhe ndryshe nga “Letra e verdhë e murit”), Gilman përpiqet të paraqes zgjidhje. Protagonistët punojnë së bashku për të siguruar kujdes ditor, hapin shtëpitë për klubet e grave, marrin aty onviktore, solidarizohen me njëra-tjetrën, zbulojnë jetët dhe rutinën në shtëpitë e tyre, fitojnë dhe kursejnë paratë e tyre dhe punojnë së bashku në harmoni. Rrëfehet një mënyrë e qetë, madje në mënyrë komike pa konflikte për zgjidhjen e problemeve sociale.

    Charlotte Perkins Gilman

    ***

    “Shtrihem në këtë shtrat të madh të paluajtshëm – besoj i mbërthyer në dysheme – dhe rri aty rreth një orë. Ka të njëjtin efekt si gjimnastika, ju siguroj. Filloj soditjen, le të themi, nga fundi, poshtë në qoshe, atje ku nuk është prekur, dhe vendos me mijëra herë që do të ndjek me sy atë model të pakuptimtë për të arritur në një lloj përfundimi”. Kjo është rrëfimtarja e “Letra e verdhë e murit”. Ajo po kërkon njollat në mur, duke kërkuar të arrijë në një përfundim, ndërsa  gjurmon pa pyshim me sy modelin e letrës së murit, e shtrirë në një shtrat të gozhduar në një banesë të braktisur. Çfarë do të thotë? Mos vallë thjesht dënon patriarkatin? Nëse historia është thellësisht simbolike dhe një përsiatje për modelet e fshehura, cilat janë ato? Ne e njohim këtë histori si një dënim të praktikës barbare të kurës së shërimit, por kur e skanojmë, çfarë tjetër lexojmë?

    Një përpjekje: Shtrati është gozhduar në dysheme – rrëfimtarja nuk e kontrollon dot rolin e saj në riprodhim. Shtëpia e stërgjyshërve, si simbol i trashëgimisë gjenetike (një temë që Gilman përdor edhe në ese ashtu edhe në shkrimet letrare), është në gjendje e keqe, për shkak të saj. Rrëfimtarja është e humbur sepse i shoqi nuk do ta dëgjojë – pa bashkëpunim midis burrave dhe grave, nëna humbet dhe cikli i gjendjes së keqe (ajo bëhet letra e verdhe e murit e grisur copa-copa) vazhdon. Po për sa i përket vetë letrës së verdhë të murit? Ajo do që letra të zbardhet.

    Është bërë e zakonshme ndarja e “Letra e verdhë e murit” nga pjesa tjetër e veprës së Gilman-it, për ta ndarë qartë këstë histori nga pikëpamjet e saj racore dhe pasioni për përmirësimin e racës njerëzore: e tillë ishte koha në të cilën jetoi. Po, në kohën në të cilën jetoi ishte trazuese të botoje një tregim të shkurtër kritik ndaj patriarkatit dhe publiku ishe i etur për të përqafuar një poezi të këndshme për racën njerëzore. Po tani? Ajo që na trazon është një studim i rëndësishëm.  

    “Letra e verdhë e murit” është rrëfim për hipokrizinë, shtypjen dhe trashëgiminë. Është histori rreth modeleve të fshehura nën modele. Letra e murit e shtyp rrëfimtaren derisa të filloj ta shohë veten te ajo, dhe të identifikohet me të. Ajo bëhet gruaja që është në letrën e murit, bëhet vetë letra e murit dhe pastaj shpëton, por e njollosur kudo dhe thellë brenda saj. Nëse mund të mësojmë nga ideja e qëndrueshme letrare e historisë (e cila sipas Gilmanit, historia është ajo që“sapo ka ndodhur”), atëherë një gjysmë e vërtetë nuk është përgjigje. Ajo që fshihet është e rrezikshme. Motivet janë të rëndësishme. Unë do të nxisja këdo që e ka parë Gilmanin si një heroinë të feminizmit të hershëm, ta shoh në një këndvështrim tjetër. Në një këndvështrim të ri do të gjeni modele të njerëzimit, por ato nuk do të jenë aq të thjeshta sa dukeshin.

    _____________

    Halle Butler është shkrimtare nga Midwest-i, SHBA. Romani i parë, Jillian, është rrëfim i shkurtër i gabimeve shoqërore të sekretares së alkoolizuar të një spitali dhe trajtimit të pashpirt nga kolegu i punës. Romani i dytë, Unë e rilindur (The New Me), është rrëfim i shkurtër i një punëtori zëvendësues në gjendje depresioni. Ajo ka fituar vlerësimin si Romancierja më e mirë amerikane për të rinj dhe një çmim nga Fondacion Kombëtar i Librit “5 nën 35”.

    Përktheu: Granit Zela

    NJË KOMENT

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË