More
    KreuOpinionLetërsia e vjetër shqipe dhe ekzemplarët librorë si vlerë identitare

    Letërsia e vjetër shqipe dhe ekzemplarët librorë si vlerë identitare

    Nga Evalda Paci

    E përfaqësuar nga një sërë veprash që i bashkon tematika dhe destinacioni pikënisës, letërsia e vjetër shqipe mbetet një prej periudhave më interesante në pikëpamje të ekzemplarëve librorë me të cilët përfaqësohet. Periudha në fjalë përbën një ndarje kohore që përcaktohet edhe nga vetë realizimet që panë dritën e shtypit në një hark kohor që kapërcen më se dy shekuj, kryesisht vepra që karakterizohen nga plotësia përmbajtësore dhe të qenët një tërësi në pikëpamje të brendisë që reflektohet në to. Modeli ndërtimor që qëndron në secilën prej këtyre veprave, bën të mundur edhe sot e kësaj dite të mund të qëmtojmë veçori, elemente tekstore të një interesi të veçantë, tipare që përkojnë me një periudhë të rëndësishme të zhvillimit të shkrimit shqip e të vetë nënsistemeve gjuhësore të shqipes, e çka është më e rëndësishme, mund të gjykojmë mbi një vizion vërtet real dhe objektiv në pikëpamje të realizimit të veprave sa unike, aq dhe të veçanta në këndvështrim strukturor, përmbajtësor dhe ndërtimor. Duke marrë gjithsecilën në një vështrim që ka parasysh kryesisht përmbajtjen, ndërtimin dhe artikulimin në pjesë përbërëse që u qëndrojnë më së miri edhe modeleve tekstologjike të kohës në të cilën ato u përpiluan dhe panë dritën e shtypit, duhet thënë që tradita shkrimore që zuri fill që me të parën vepër që ne njohim dhe sot e kësaj dite, gjeti një vijimësi fatlume që u konkretizua edhe më tej, në vepra që dhe mund të distancojnë në kohë nga viti a shekulli të cilit tradicionalisht i referohemi kur ndërmendim të parin libër që vijojmë të konsiderojmë të shkruar në gjuhën shqipe. Konsiderimi i vlerave përmbajtësore, tekstologjike dhe i një serie elementesh që mëtojnë të pasqyrojnë veçori jo vetëm të ndërtimit, por edhe të operimeve teknike dhe grafike që bënë të mundur daljen në dritë të shtypit të këtyre veprave, na kujton përherë sa me rëndësi mbetet studimi tërësor dhe sistemik i një periudhe kohore që ka si thesar të vetin edhe realizimin e disa botimeve që vijojnë të na ofrojnë të dhëna, indice të sa përpjekjeve për të reflektuar me anë të kulturës së shkrimit një tërësi vlerash identitare dhe një regjistër të pasur emërtesash që pikërisht në atë kohë për vetë zhvillimet në një areal të gjerë historik e gjeografik do të merrte përvijim dhe do të pësonte konsolidim përmbajtësor. Studimi i këtyre veprave me të drejtë është parë në mënyrë të pandarë dhe në qëmtimin e elementeve të mundshme për t’u zbuluar e thelluar mbi autorët dhe individualitetin e secilit, sidomos në pikëpamje shkrimtarie, por edhe të të dhënave të tjera që do të ndihmonin për të kuptuar më mirë arsyen e konsolidimit të përdorimeve të caktuara që çonin pa dyshim në treva të afërta që mund të kishin qenë edhe për viset tona referenca të konsiderueshme në kuptimin e shfrytëzimit të visareve leksikore, por edhe burimeve tipografike që gjendeshin në to.
    Me gjithë mospërkimet në pikëpamje idesh mbi publikimin më të qartë në lidhje me vende konkrete ku mund të jetë realizuar botimi e dalja në dritë të shtypit e librit të Gjon Buzukut, mendimet e propozuara dhe argumentet e diskutuara kanë bërë të mundur të profilizohej dhe një lloj gjeografie kulturore dhe bibliofilie që nuk mbeti pa grishur interesin dhe kureshtjen shkencore të brezave të mëvonë të studiuesve, që pa dyshim e kanë më se të qartë që në këto rrethana të domosdoshmërisë së saktësimit shkencor të elementeve më qenësore që duhet të përfaqësojë paraqitja fizike e një libri, duhen shfrytëzuar edhe elemente të dijes jashtëgjuhësore, në mënyrë që indice që kanë të bëjnë me aspektin ikonografik dhe të paraqitjes së tij të jashtme të na çojnë në saktësimin e një të vërtete që kërkohet prej shumë kohësh. Veçantitë në lidhje me trajtimin tërësor të argumenteve që lidhen me librin e Gjon Buzukut nuk shterojnë në nënvizimin e një vështirësie gjithsesi objektive që persiston prej kohësh në lidhje me brendinë e pjesës së parë të tij që shfaqet e dëmtuar në mënyrë të konsiderueshme. Përmbajtja e këtij libri përbën një prej argumenteve më komplekse, por dhe ndër më të pashterurat në pikëpamje eksplorimi dhe kurioziteti, ndërkohë që nuk janë të pakta modelet referenciale që të çojnë herë te njëra pjesë, herë te tjetra pjesë e këtij libri. Ndërkohë, vëzhgimi në drejtim të teksteve himnodike në këtë libër e që në variante më specifike, por të lidhura gjithmonë me figura themelore në liturgji, mund t’i gjurmojmë dhe në Doktrinën e Pjetër Budit, rikujton faktin se të tilla tekste kishin një formë prej kohësh të konsoliduar në traditën kishtare dhe të besimit në viset tona, duke mbetur tashmë si një element dëshmie identitare dhe i një kujtese që ekzistonte prej kohësh në vendin tonë. Mund të pohohet me plot gojën që vlera të pamohueshme në pikëpamje të arritjes së shprehësisë poetike dhe stilistike gjurmohen në të tilla tekste, edhe pse në variantet më të hershme të tyre dallohen jo pak elemente të një ndikimi gjuhësor nga tradita të afërta, që dëshmohen me praninë e fjalëve me origjinë kryesisht latino-romane. Sidoqoftë, një fakt i tillë nuk zbeh brendinë e qartë poetike dhe përpjekjen për të siguruar dhe në gjuhën tonë disponimin e teksteve specifike që është e mundur të celebrohen në ambiente të lidhura me besimin dhe praktikimin e tij në popull.
    Ashtu si për vepra të tjera të letërsisë së vjetër shqipe, edhe te Meshari do të gjurmohen elemente që pa dyshim evokojnë një shqetësim të qartë e të ndjeshëm në lidhje me lëvrimin e të shkruarit në gjuhën amtare, që nuk paraqitet aspak pa vështirësi kur objekt i këtij lëvrimi janë tekste të një përmbajtjeje specifike e që kanë të bëjnë me liturgjinë e përditshme, me kulturën kishtare, me tekste biblike dhe me tekste përmbyllëse siç është rasti i pasthënies apo i kolofonit, i quajtur i tillë në ligjërimin teknik e specialistik të dijes së filologjisë.
    Në pikëpamje të përpjesëtimit dhe të gjurmimit të elementeve tekstologjike në veprat e kësaj periudhe, në gjithsecilën do të gjurmohet pa dyshim një tërësi vlerash që të grishin të mendosh se të gjithë këta autorë kanë shkrirë e simbiotizuar dëshirën për dijen dhe kulturën shkrimore me dashurinë për gjuhën amtare dhe për dheun amë. Pjesët introduktive apo përmbyllëse të këtyre veprave nuk bëjnë tjetër veç rikonfirmojnë një fakt të tillë, edhe pse në pikëpamje të një vështrimi të kujdesshëm dhe të vëmendshëm nuk lënë pa u vënë në dukje diferencime në të konceptuarit e këtyre pjesëve, hollësi që ndeshen te njëra vepër, por nuk gjenden tek të tjerat etj. Shkrimtaria e secilit prej autorëve të letërsisë së vjetër shqipe ka gjetur fushë e hapësirë të duhur shprehjeje dhe lëvrimi, pavarësisht natyrës së ndryshme të veprave që çdonjëri ndërmori të përpilonte dhe përshtaste në ndonjë rast më të veçantë. Në këtë pikëpamje, përzgjedhja e një argumenti qendror siç është gjeneza në tërësi dhe ajo e komponentëve aq me rëndësi, si konceptimi i qenësisë së Hyjit, i ekzistencës së njeriut dhe elementeve që bëjnë të mundur jetën e tij tokësore bashkë me relacionimin e tij ndaj një qenësie hyjnore dhe eprore (njëkohësisht të misticizuar), përbën një prej tematikave më të ndërlikuara që ka vijuar të jetë e tillë edhe në ditët tona. Ky fakt dallon si më të veçantat veprën e Pjetër Bogdanit, të përpiluar dhe përfunduar në një kontekst thellësisht favorizues për dijen dhe lëvrimin e saj, që bëri të mundur dhe daljen në dritë të shtypit të saj në vitin 1685. Cuneus prophetarum (Patavii, 1685) përbën gjithashtu një prej veprave më të pajisura edhe në pikëpamje të elementeve ikonografike e teknike, në pikëpamje edhe të dedikimeve të shumta që përbëjnë një prej disa indiceve që bëjnë të mundur dhe qasjen e modelit tekstor të kësaj vepre me të tjera realizime të kohës në të cilën jetoi autori i saj. Autori i saj ndërmori pa dyshim të shpjegonte e shtjellonte argumente që nuk kapërcejnë as me kohën një shkallë krejt të kuptueshme vështirësie, por dhe misteri të qenësishëm, që mendimet e ndryshme jo vetëm të asaj kohe, por edhe të mëvona, gjithashtu edhe prirjet e vazhdueshme në fushë të zhvillimit të mendimit filozofik vijojnë t’i bëjnë ato bashkë me displinat përkatëse që janë marrë me trajtimin e tyre një burim të pashtershëm vëzhgimesh dhe kërshërie për studiuesit. Strukturimi i kësaj vepre, ndër të tjera, dallon për praninë e ndarjeve të arsyetuara që bëjnë të mundur të gjejnë hapësirë Besëlidhja e Vjetër dhe ajo e Re, tekste biblike që evokojnë në të vërtetë lidhje të natyrshme mes të dyjave, përshkrime personazhesh të rëndësishme të cilave dhe u kushtohen pjesë të konsiderueshme nga vepra. Në pikëpamje të brendësimit kuptimor të pjesëve dhe kapitujve të saj, ajo përbën pa dyshim më të ndërlikuarën dhe në pikëpamje të interpretimit të ndërmarrjes nga ana e autorit të mjaft çështjeve që kërkonin dhe në atë kohë shtjellime me kompetencë nga këndvështrimi i disa disiplinave, kryesisht filozofike, teozofike, por dhe të shkencave të natyrës që gjurmoheshin asokohe në raport me kërkimet ndaj zhvillimit të trajtimit të nocioneve dogmatike fetare.
    Ndikimi i modeleve ekzistuese europiane dhe i një kulture të gjerë të kohës pasqyrohet në secilën prej veprave të letërsisë së vjetër shqipe. Ndërkohë, qëmtimi i disa elementeve që dëshmojnë unicitet dhe origjinalitet sidomos në të pasqyruarit e qëllimit të përpilimit të këtyre veprave i bën pa dyshim të jenë përfaqësuese të një periudhe që thotë shumë dhe në ditët e sotme për dëshirën e progresit kombëtar dhe individual përmes kulturës së shkrimit dhe lëvrimit të gjuhës amtare.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË