More
    KreuLetërsiBibliotekë"Legjenda për artistët dhe ministrin", tregim nga Adil Olluri

    “Legjenda për artistët dhe ministrin”, tregim nga Adil Olluri

    Ministri i kulturës në vendin tonë nuk ishte njeri i sertë. Ishte i dashur, i butë dhe i afërt me mjeshtrit e artit, aktorët, piktorët, shkrimtarët, muzikantët e të tjerët, edhe pse thënë të drejtën, pak, fare pak, për të mos thënë aspak, e kuptonte artin e tyre. Megjithatë, i donte, i vlerësonte dhe përpiqej t’iu ndihmonte aq sa kishte në thesarin e ministrisë që ai drejtonte.

    Siç e donte rendi dhe detyra, por edhe ngritja e një imazhi prej dashuruesi të artit, ministri merrte pjesë në shfaqje teatri, ekspozita e promovime librash të shkrimtarëve të njohur. Në të tilla ngjarje, artistët dhe krijuesit e rrethonin ministrin, ishin sy e vesh përballë tij. Secili përpiqej të ishte sa më pranë ministrit, t’i fliste e ta ftonte në një kafe, drekë apo të merrte pjesë në shfaqjen, ekspozitën a përurimin e veprës së tij. Thuhej se njëri nga shkrimtarët tanë më të njohur, që shquhej për afërsinë me secilin ministër që vinte dhe e shante secilin ministër në prag të përfundimit të mandatit, kishte vuajtur dy javë ditë rresht që ministri i tashëm nuk kishte pasur mundësi të vinte në përurimin e veprës së tij të radhës. Nuk kishte dalë nga shtëpia me ditë të tëra, nuk kishte pirë kafe me miqtë për dy javë ditë rresht. Thjesht, ishte ndier i braktisur nga ledhatimi i përhershëm ministror. Kishte bindjen se kur te dilte në kafene, miqtë do t’ia përmendnin mosardhjen e ministrit, do ta ngushëllonin dhe do t’i thoshin se ti vlen më shumë e fjalë të tjera miradije, që mund të rridhnin nga një bisedë ngushëllimtare. Pikërisht këtë gjë nuk e honepste shkrimtari ynë. Të qenit i ngushëlluar se po braktisej ose mund të braktisej nga pushteti i tanishëm ishte diçka që nuk do ta pëlqente në asnjë rast. Në këtë rast, më shumë se kurrë, shkrimtar ynë e urrente ngushëllimin dhe të gjitha fjalët dashamirëse që mund të rridhnin prej tij.

    ***

    Njëri nga aktorët tanë më të njohur nuk linte rast pa qenë afër ministrit, qoftë para fillimit, qoftë pas përfundimit të premierave të shfaqjeve teatrore. Shfaqej sa hap e mbyll sytë në kokteje rastesh në teatrin kryesor të Prishtinës dhe bëhej sy e vesh për t’i dëgjuar fjalët e ministrit për shfaqjen e sapopërfunduar, pa marrë parasysh në do të këtë luajtur apo jo në të. Më shumë i interesonte dhe e bënte kureshtar mendimi i ministrit për një krijim artistik, se sa i kolegëve të tij të zanatit, aktorëve e regjisorëve, si dhe i kritikëve të teatrit, që lëviznin sa djathtas e sa majtas në foajenë e teatrit. Ata i bënin këto lëvizje për t’i parë dikush atypari, gjithsesi edhe për t’i pyetur rreth shfaqjes së dhënë. Por, aktori ynë i madh nuk e qante kokën për kritikët dhe njerëzit e teatrit, ai e kishte hallin se si ta merrte vlerësimin dhe miratimin e ministrit. Asgjë nuk e gëzonte më shumë se sa fjalët e thëna nga goja ministrore.

    Je artist i madh! Je nderi i atdheut! Kombi ynë është krenar me ty!- ishin fjalët e zakonshme, të njëjtat me pikë e presje, dhe të çdohershme të ministrit, që nuk harronte t’ia thoshte pas secilës shfaqje aktorit tonë të madh. Ia thoshte të njëjtat, pa ndryshuar gjë, madje as radhitjen e fjalive. Nuk kishte aspak gjasa dhe asnjëherë nuk ndodhte që ministri ynë ndonjëherë të fillonte me “Je nderi i atdheut! Je artist i madh! Kombi ynë është krenar me ty!” ose me “Kombi ynë është krenar me ty!” dhe të vazhdonte me pjesën tjetër të frazës lëvduese. Por, ministri assesi dhe në asnjë rast nuk e harronte renditjen e përhershme të fjalive. Aktori ynë i madh ende pa e përfunduar mirë pyetjen: “I dashuri ministër, si t’u duk…?,  përfaqësuesi i pushtetit, pa një pa dy, ia priste me përgjigjen majegjuhe: “Je artist i madh! Je nderi i atdheut! Kombi ynë është krenar me ty! Dorën në zemër, edhe aktori ynë i madh e shtronte pyetjen e njëjtë, të zakonshme, pa e ndryshuar as më të voglën presje, dhe kishte dëshirë ta dëgjonte përgjigjen e njëjtë e të përhershme sa më shumë, sa më shpesh dhe sa më kumbueshëm. Dorën në zemër, kishte një pakt të pashkruar mirëkuptimi në mes të aktorit të madh dhe pushtetarit, sepse nuk mund të ndodhnin krejt rastësisht pyetjet dhe përgjigjet e sinkronizuara. Dyshimet për një pakt të tillë shtoheshin edhe më shumë kur pyetjet dhe përgjigjet e tilla, të njëjta e të njëpasnjëshme, bëheshin pikërisht kur rreth shtetarit kryesor të kulturës mblidheshin ajka e njerëzve të teatrit. Pikërisht për këtë e përmbushnin dhe e përplotësonin shpirtërisht aktorin tonë përgjigjet e ministrit, veçmas kur ato ishin të kumbueshme. Kumbimi e kënaqte jashtëzakonshme, sepse zëri i lëvdatës ministrore kishte gjasa të mëdha të arrinte te dyshimtarët e artit të tij skenik. Sa herë që ministri i thoshte këto fjalë, aktori ynë i madh i shikonte në sy kritikët për t’iu dhënë mesazhin e dukshëm: “E shihni vogëlsira, unë e kam miratimin dhe mbështetjen e hierarkisë së lartë shtetërore. Kush iu pyet më juve?!  Dyshimet për një kod mirëkuptimi mes aktorit tonë të madh dhe ministrit binin poshtë m’u në çastin kur pushtetari në fjalë të njëjtat fjalë, pa ndryshuar pikë as presje, ua thoshte edhe aktorëve të tjerë të teatrit kryesor të Prishtinës. Ministri ynë brenda një mbrëmje të koktejit i shpallte gjysmën e aktorëve tanë “artistë të mëdhenj që e nderojnë atdheun, me të cilët krenohej i tërë kombi.”

    ***

    Piktori ynë i madh rrallëherë shkonte në ekspozita pikturash. Gjithmonë gjente arsye për të mos shkuar në ekspozitat e kolegëve të tij të zanatit, qofshin ata moshatarë të tij, më të rinj apo më të moshuar. Përjashtim bënin vetëm ekspozitat ku njoftohej se do të vinin ministri dhe ajka e politikanëve të vendit. Në këtë rast, piktori ynë i madh ngrihej vetëtimthi dhe shfaqej i tëri dhe i bëri në të tilla ngjarje. Jo vetëm që ngrihej vetëtimthi, por piktori ynë fluturonte për të arritur sa më parë aty, përkundër gjashtëdhjetë e shtatë vjetëve të tij. Hapi-hapin nuk ia zinte për të qenë sa më parë në këto ndodhi artistike, në të cilat pushtetarët nuk ishin aty vetëm në cilësinë e shikuesit dhe dashamirësve të artit, por edhe në atë të folësit dhe promovuesit të artistëve të caktuar. Kështu që, piktorit tonë të madh nuk mund t’i ikte ekspozita e një kolegu të tij më të ri në moshë, i cili sapo ishte anëtarësuar faqe botës në partinë që ishte në pushtet. Andaj, në ekspozitën e veprave të tij nuk kishte si të mos merrte pjesë ministri dhe fytyra të njohura pushtetarësh. Nuk e humbte dot këtë rast piktori ynë. Të ulurit në karriget e pushtetit, përkundër që shaheshin kafeneve nga artistët, dorën në zemër, ishin fytyrat më të dashura për ta. Mund të thuhet pa hamendje se çdo i dyti artistë synonte t’i kishte në mbledhinë e tij, sepse pushtetarët i jepnin gazmend ndejës dhe tërhiqnin pas vetes mjetet e informimit dhe kureshtarë të ndryshëm, që bënin kinse vinin për vepra arti, por realisht vinin për t’u parë nga politikanët, për të dhënë tungjatjeta dhe për të marrë tungjatjeta nga gojët e politikës, për të shtrënguar dorë politikani gjatë përshëndetjeve e shumëçka tjetër, pos për art jo.

    Piktori ynë i madh gjatë përshëndetjes së përzemërt e të zakonshme, natyrisht me fjalë të njëjta, siç edhe mund ta dimë, i erdhi një teshtitje që nuk mund ta ndalte, nuk mund ta kontrollonte. Ai teshtiu para ministrit të tij të dashur, të stërlavdëruar shumë e shumë herë, dhe qurrat e artistit gati sa s’ranë mbi këpucët e zeza të ministrit. Piktori ynë u përpoq ta nxirrte faculetën, por teshtima ishte më e shpejtë dhe nuk i dha as kohë e as mundësi ta fuste dorën në xhep. Kështu që, ai provoi ta kontrollonte teshtimën me duar, por nuk arriti dot, duke u mposhtur kështu nga vullneti i organizmit, i padëshirueshëm për njerëzit, për t’i nxjerrë jashtë sekrecionet. Pështyma dhe qurrat e verdha të artistit vezullonin pranë këpucëve elegante të ministrit. Ky i fundit u bë se nuk pa gjë dhe pa një pa dy shkeli pikërisht mbi to, duke i mbuluar me këpucët për të mos i parë askush nga të pranishmit. Ministri këtë e bëri për ta ruajtur piktorin tonë të madh nga talljet e mundshme të komunitetit, në rast se dikush tjetër do ta shihte atë pamje qurrash, që nuk ishte më e madhe se dy pika ujë, por që do të mjaftonte të bëhej kryefjalë e gazit për javë të tëra e atyre që jetonin vetëm për t’i përqeshur të tjerët. Por, fatmirësisht askush nuk pa gjë dhe për këtë gjest gjithsesi se duhet lavdëruar ministrin.

    Më fal, ministri im i mirë! Më fal, për besë! Isha i ftohur, siç e sheh, por nuk mund të mos vija, t’iu shihja e t’iu përshëndesja. – fliste e përgjërohej në kërkimfaljen e pandërprerë piktori ynë i madh. Ai ishte i zbehur dhe i zverdhur në fytyrë, si një meit, që pa fije gjaku e vullneti qëndronte në këmbë para ministrit.

    Mos e vrit mendjen për këtë punë! Ti je artist i madh! Ti je nderi i kombit! Pikturat e çunit tonë më pëlqyen shumë. Si t’u duken ty, mjeshtër?- ministri ynë me një buzëqeshje të lehtë e me fjalë dashamirëse përpiqej t’i jepte kah tjetër bisedës dhe ta shpërqendronte piktorin e madh nga ndjesia e fajit, por ishte veprim i kot. Mjeshtri i pikturës sa vinte e skuqej. Nuk i zihej vendi-vend, ndihej i turpëruar përballë pushtetarit të rëndësishëm, që i kishte premtuar se do ta mbështeste në ekspozimin e pikturave të tij në një qytet të rëndësishëm europian.

    – Më fal, ministri im i mirë! Nuk e bëra me qëllim. Ka dy ditë që më mundon ky grip i përdreqtë dhe nuk mund ta ndalja veten. Siç të thash, erdha vetëm të të shihja e të përshëndesja ty, sepse nuk isha në terezi.- piktori ynë i madh i përsëriste për të dytën e të treten herë kërkimfaljet dhe sqarimet e njëjta dhe ministri provonte që ta shmangte shfajësimin e mjeshtrit, që thënë të drejtën edhe e çmonte.

    – O mjeshtër i madh, edhe po të bëje me qëllim, nuk më ngelet hatri mua. Unë e adhuroj punën tënde dhe nuk mund të flas ndryshe me ju, përpos nga këndi i një adhurimtari të zakonshëm. –ministri ynë duke u munduar ta pajtonte dhe ta qetësonte piktorin e njohur, e shqetësojë edhe më shumë. “Edhe po ta bëje me qëllim” e ministrit e vuri në dyshime mendjen e tij lëndimtare. Ai tash ishte në hamendje se mos ministri mund të dyshonte se do të mund ta bënte me qëllim. Këtë gjë e ziu në kokën e tij me ditë të tëra.

    – Një ndihmëtar i madh i artit nuk e meriton një sjellje të tillë, një pakujdesi të tillë të pafalshme nga ana ime. – kërkimfaljet, arsyetimet, sqarimet e njëjta vazhduan derisa pranë ministrit erdhën piktorë të tjerë të njohur e riosh për ta marrë përshëndetjen e duarshtrëngimin e ngrohtë ministror. Piktori ynë i madh, i thyer dhe i lënduar sa më s’ka, iku në shtëpinë e tij. Nuk u përshëndet thuajse me asnjë të pranishëm në ekspozitë dhe mori taksinë që priste afër galerisë së madhe të Prishtinës dhe iku duke e vrarë mendjen se si do ta trajtonte ministri tash e tutje.

    Piktori ynë i madh pas dy ditësh mori zemër dhe u nis drejt zyrës së ministrit.

    Nuk ka kënaqësi më të madhe se kur këtë zyre shteti e viziton një njeri i madh, një mjeshtër arti.- ministrit tonë të kulturës nuk ia shkonte kush në shpërndarjen e fjalëve të bukura. Ishte tejet i zhdërvjellët në gjetjen e fjalëve sa më madhështuese për njerëz të artit që e mbështesnin punën e tij apo për ata që përpiqej t’i joshte për ta mbështetur dhe për të mos kundërshtuar më rreth gjërave që synonte t’i bënte. – Kam biseduar me këshilltarët e mi dhe zyrtarët e tjerë dhe do ta bëjmë një ekspozitë europiane për pikturat e juaja, jo në një, por në dy kryeqendra europiane, sa që edhe piktorët e famshëm europianë do ta kenë lakmi.

    Ministri im i mirë, nuk erdha sot për ekspozitën, por erdha të të kërkoj sërish falje për atë që ndodhi në galeri. Ndihem jashtëzakonisht i turpëruar. Nuk di se si të shprehëm. Nuk e di a mjaftojnë fjalët e ndjesës sime.- duke folur dhe duke u përgjëruar gati sa nuk ia krisi vajit piktori ynë i madh. 

    Të lutëm, mjeshtër i madh! Harroje atë gjë! Mos e mendo më asnjëherë. Gjëra që ndodhin. Të kam thënë edhe në atë mbrëmje.

    Nuk e di se ç’mund të bëj që ta shpaguaj këtë turp që më gërryen nga brenda.

    Nuk ke nevojë të bësh gjë! Është gjë që nuk ia vlen të flitet më për të.- insistonte

    ministri ynë që ta tejkalonte këtë bisedë, që thënë të drejtën nuk i pëlqente aspak.

    Jo, jo, ministri im i mirë, dua të bëj diçka që të jem rehat me veten. Dua të ta bëj një nder, një shpagim sado të vogël, që të ndihem mirë me veten.

    E po, meqë insiston të ma bësh një nder dhe meqë me të mund të ndihesh më mirë, të lutëm, ta shkruash një artikull në gazeta e portale të shumta rreth punëve të mëdha dhe të mira që janë bërë gjatë mandatit tim, veçmas në fushën tuaj. Kjo lutje e imja është për të të lehtësuar nga kjo barrë e panevojshme dhe për të të bërë të ndihesh mirë, siç e the edhe vetë.

    Me gjithë qejf, ministri im i mirë. E bëj me vullnetin tim më të madh.- për herë të

    parë i buzëqeshi fytyra piktorit tonë të madh. Ai doli i gëzuar nga zyra shtetërore dhe pas dy ditëve në shumicën e portaleve vlonte shpërndarja e artikullit autorial të piktorit tonë të madh, që mbante titullin “Ministri që e ringjalli kulturën tonë”.

    ***

    Poeti ynë i talentuar P.N., protestonte i vetëm para dyerve të Ministrisë së Kulturës në sheshin kryesor të Prishtinës. Kishin kaluar më shumë se dy muaj dhe atij nuk i kishte shkuar huq asnjë ditë e protestës së tij vetmitare. Ai zgjohej me rrezet e para të diellit të mëngjesit, bëhej gati, hante ose nuk hante fare mëngjes, herë krihej e herë jo, dhe pa u bërë ora tetë shfaqej para godinës ministrore. Aty i shihte tek hynin në vendin e tyre të punës thuajse të gjithë zyrtarët e ministrisë. Disa prej tyre i përshëndeste përzemërsisht, ndërsa disa të tjerë i thumbonte sa herë që i shihte dhe sa herë që i linin mundësi për ta shprehur mllefin ndaj tyre. Ndërkaq, me ministrin, kundër të cilit protestonte, poeti ynë i talentuar ishte shumë i matur, gojëmbël e dashamirës. Tri herë ishte ulur pranë tij ministri (natyrisht në prani të kamerave dhe fotografëve), për t’i shtjelluar çështjet dhe problemet që e revoltonin të talentuarin tonë. Tri herë ishte zotuar i pari i ministrisë që do t’i shqyrtonte hallet e ankimtarit të përditshëm, por asnjëherë nuk ia kishte shqyrtuar dhe as që i kishte përmendur ato me vartësit e tij, ndërsa ky i fundit as nuk ishte ankuar për mosmbajtje premtimesh dhe as nuk e kishte ndalur protestën e fikallvetshme.

    Poeti ynë i talentuar P.N., protestonte i vetëm para dyerve të Ministrisë së Kulturës në sheshin kryesor të Prishtinës. Ishte i indinjuar thellësisht në një komision qeveritar që nuk ia kishte dhënë shpërblimin e parë për veprën më të mirë në poezi për vitin paraprak. Këtë shpërblim ia kishin dhënë një poeti tjetër, i talentuar gjithsesi, i cili ishte rival i përbetuar i poetit tonë të dashur. Kjo i kishte shtuar peshë indinjatës së tij, gjë që kishte kulmuar në protestë të përditshme.

    Në një ditë prej ditësh, dyerve të godinës ministrore ia kishte mësyrë edhe një grup prej pesëdhjetë artistësh e krijuesish, mbështetës të opozitës, për të protestuar ndaj veprimeve dhe vendimeve që ata cilësonin si jo të mira. Kishin ftuar thuajse të gjitha mediet e vendit, kishin shkruar parullat dhe i mbanin në duar. Parullat ishin të thurura bukur, dorën në zemër, siç dinë të bëjnë vetëm artistët e krijuesit. Kamerat dhe fotografët e shumtë ishin përballë tyre dhe donin ta zinin secilin çast të protestës së bukur, siç e quanin mendimtarët e krahut opozitar në vendin tonë. Para se të niste, bënin thirrje që sa më shumë artistë, krijues e dashamirës të artit t’i bashkoheshin protestës estetike, siç donin ta cilësonin, sepse ministri tashëm, sipas tyre, ishte shkatërrimtari më i madh i artit dhe kulturës në Kosovë.

    Kjo protestë nuk doli ashtu siç pritej. Ajo përfundoi ende pa ia nisur mirë. Me ta marrë fjalën prijësi i protestës, regjisori i talentuar K.K., që t’i falënderonte të pranishmit, të bashkëngjiturit në kauzë, dhe ta shtjellonte dhe arsyetonte qëllimin e protestës, prapa shpinës së tij krisi anti-protesta e poetit tonë të talentuar P. N.

    Hajdutë! Jeni hajdutë! ç’kërkoni këtu, o hajdutë! Që njëzetë vjet e keni zhvatur buxhetin e kësaj ministrie. Nuk keni lënë gjë pa bërë.- ishin britmat e njëpasnjëshme e të pandalshme të poetit tonë të talentuar, që ishte stacionuar në vend-protestimin e tij pak hapa para protestuesve të tjerë, kolegëve të tij, që zejen e të qenit protestues nuk e kishin të zhvilluar. Ishte hera e parë që protestonin.

    Të lutëm, qetësohu! Ne nuk të pengojmë ty, as ti mos na pengo neve dhe jemi në

    rregull.- përpiqej ta merrte me të mirë poetin tonë prijësi i protestës.

    Ju jeni artistë të korruptuar! Ju nuk jeni të denjë për të protestuar. Jeni mbështetës të

    krimit të organizuar. Poshtë krimi njëzetvjeçar!- nuk ndalej me britmat e pandërprera poeti ynë i talentuar. Donte që me çdo kush ta zhvlerësonte protestën që bëhej pak metra përballë tij.

    Pusho, o dështak! Pusho, o idiot! Ti a je protestues apo servil i ministrit? Ç’dreqin je?- u acarua për të parën herë prijësi i protestës, regjisori i talentuar K. K. Tashmë nuk e duronte dhe ia kthente të sharat e njëpasnjëshme protestuesit vetmitar.

    Unë jam artist, ju jeni kriminelë!- poeti ynë nuk ndalej në ofendimet ndaj kolegëve të

    tij të zanatit. Një gjë e tillë tashmë i kishte acaruar ata tejmase. Më nuk shfaqnin fije konsiderate ndaj poetit tonë të talentuar.

    Po të ishe protestues, do të duhej të ishe mes nesh, jo në anën e ministrit. Por, ti nuk je

    protestues. Ti je servil, ti je mut!- shfryhej regjisori ynë dhe tashmë goja e tij ishte shthurur bukur shumë. Plaste nga inati që protesta po merrte tatëpjetën dhe po zhvlerësohej në mënyrën më të keqe të mundshme. Sharjet ndaj poetit tonë të talentuar u lëshuan edhe nga protestuesit e tjerë. “Ti je mut, ti je servil, ti je dështak, ti je psikopat!”!, ishin sharje që vinin e shpeshtoheshin dhe tashmë protesta kundër ministrit ishte shndërruar në një protestë kundër protestuesit të vetmuar.

    Ministri me këshilltarët e tij e shikonin protestën prapa perdeve të dritareve të godinës ministrit dhe shquheshin gazit nga akuzat, sharjet dhe shfryrjet e mllefit mes artistëve, që dorën në zemër tashmë e kishin humbur betejën me eprorët e ministrisë. Artistët e zhgënjyer me dështimin e protestës së tyre nuk kishin mundur ta bënin zap mllefin e tyre dhe e rrahën, e shqelmuan dhe grushtuan, bukur fortë protestuesin e vetmuar. Edhe pse i rrahur e i shqyer vetullave nga grushtet e kolegëve të tij, poeti ynë i talentuar doli fitimtari i vetëm i ditës. Ai u bë i stërnjohur dhe i stërdashur për një pjesë të madhe të qytetarëve dhe një zotërues i hapësirës protestuese apo më mirë të themi zotërues i të protestuarit. Ai tashmë shihej si një protestues i licencuar, i pranuar edhe nga pushteti dhe pa lejen a miratimin e tij tash e tutje vështirë se do të mund të protestonte kush para dyerve të ministrisë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË