More
    KreuLetërsiShënime mbi libraLedia Dushi: Romani i Virgjil Muçit — Mbi një mjedis ku është...

    Ledia Dushi: Romani i Virgjil Muçit — Mbi një mjedis ku është e vështirë ta ruash arsyen, kur bota humbet fillin

    Borgesi shkruan: “Kurrë nuk kam lexuar një roman pa u ndjerë disi i lodhur. Dhe unë e kam këtë ndjenjë e veçanërisht kur vendos të shkruaj për atë libër sepse e di se autorët ngazëllehen kur lexuesit gjejnë kuptime të thella në shkrimet e tyre. Kjo gjë na bën me dije se edhe lexuesi ka pjesën e vet, ai mund ta pasurojë librin. Mendoj se, shkrimi dhe leximi ndërtojnë një lloj miqësie. Ky është caku vlerësues për një autor. Me librin “Piramida e shpirtrave” jam njohur kur ai ishte në dorëshkrim në konkurim për çmimin“Kadare”, ndërsa me personalitetin e zotit Virgjil Muçi, shumë më përpara. Romani i Virgjil Muçit ndërtohet mbi një mjedis ku është e vështirë ta ruash arsyen, kur bota humbet fillin. Ndjeshmërinë e tij e ruan duke krijuar një “klimë” të përshtatshme për shpirtin e tij. Kjo gjë nuk e pengon aspak të shkruajë për ndjeshmërinë e personazheve të tij. Shkruan me kujdes dhe kulturë. Lexuesi vendoset në rrugëtimin e jetës dhe në fund zbulon ose mendon për të vërtetën duke shkrirë kënaqësinë dhe dhimbjen në një çast të vetëm. Autori e di se është e vështirë të jesh i lirë nga pushteti i së kaluarës. Bëmat e saj shpesh jo vetëm vijnë si thirrje, e cila nganjëherë merr trajtat e një kërkese për drejtësi, por edhe si kujtesë e stërkalur me dhimbje e nostalgji. Ndjen edhe vështirësitë e të qenurit i lirë nga ai që e quajmë realitet modern që tek ne vjen disi i përçudun me emrin “tranzicion”. Mark Mara i ndjen të dyja këto dhe e di se është e vështirë të ndërtosh një satelit të së ardhmes në këtë vend ku gjithçka është groteske.

    Ai humbet në këtë mjedis. Romani i Virgjil Muçit nis si tip letërsie e udhëtimit, merr frymë si letërsi e kujtesës dhe dëshmisë për diktaturën. Fillimisht paraqitet si roman i personazhit, i cili herë herë ka premisë të antiheroit, thuajse një vështrim prej prokurori të situatës.Ideja e përmbysjes së ideologjisë deri në ekstrem, nëse dikur ndaloheshin librat kundër komunzimit, tash librat ideologjik. Frika, paniku, pasoja nga ideologjia deri në një  demokraci të “shpërdorur” Diku diku shfaqet edhe si roman i pasojës. Herë – herë qëndrimi i tij i ngjan personazhit të Konicës te Dr. Gjilpëra, të paktën në një rast.

    Ka linjë të qartë fabulative, të lexueshme lehtë. Teksti dëshmon për një lidhje të mirë konceptuale mes sistemeve politike diktatoriale. Rrëfim i mirë i hapësirës/autorit, por edhe më i mirë rrëfimi i personazhit të persekutuar.

    “Personazhi” i vërtetë i romanit është përditshmëria. I ngjan një lëmshi që pluskon sa në ujë aqnë ajri. Në këtë lëmsh lëvrijnë njerëz që gjithnjë e më pak janë vetvetja ndërtojnë marrëdhënie me parimin, të gjithë kundër të gjithëve. Kjo gjë e mban të lidhur lëmshin. Mendoj se nuk është e lehtë t`i mbash, aq sa të mundesh, qoftë edhe në faqet e një romani, në një mjedis ku janë rrëzuar ato çka quhen bazat morale të jetës. Autori ndërton shtëpinë e groteskut të tij dhe e quan “bulevard pa qytet”. Robert Farka, personazhi qëndror e perifrazon kështu: “shoqëria e mbledhur në këtë dhomë në një farë mënyre është një miniaturë e shoqërisë së madhe që gjendet atje jashtë, ndaj ne nuk jemi në gjendje ta rrokim me vështrimin tonë. Por, në fund të fundit, punë e madhe, mund të bëjmë edhe pa të; gjithçka na duhet e kemi këtu para syve. A nuk është edhe krimi pjesë e pandarë e jetës sonë, ashtu siç mëkati bashkëjeton me virtytin? Madje është kontrasti që krijon mëkati që e nxjerr edhe më në pah virtytin dhe e bën të shkëlqejë e të çmohet lart. Dhe e fundit, mos harro që këtu je në Ballkan dhe jo në Skandinavi. Mbaje vëth në vesh këtë që të them…” Në atë lëmsh pluskojnë gjallojnë ministra, deputetë, biznesmenë, pronarë gazetash, drejtori i fondacionit Atdheu, pastori i kishës Adventiste…Në fakt personazheve të tij u ka ikur vetvetja, ata lëvizin vetëm si formë. Gjithçka lëviz brenda një “demokracie” të pakontrolluar ku injoranca e mbrapshtia mbartin maskën e arsyes. Autori zgjedh groteskun, ndoshta e vetmja mundësi artistike për të na dhënë mjedisin politiko-social ku ngjarjet zhvillohen. Grotesku në këtë roman mundëson bashkekzistencën shpërthyese midis të qeshurës dhe të qarës. Ndjekim gjëra reale me personazhe groteske që duket se në filozofinë e jetës së tyre funksionon thënia: Jeta është gjithçka që ti kërkon prej saj. Mark Mara, një qytetar amerikan me prindër shqiptarë, që sapo shkel në tokën e prindërve të tij, përplaset me një mjedis që i ngjet një shpelle, në muret e së cilës lodrojnë figura të ndërthurura në mënyrë të çuditshme. E ndjen se në këtë vend gjithçka mund të ndodhë.

    Vinte në tokën e të atit, i cili, megjithëse kishte kaluar më shumë se gjysmën e jetës në një nga qytetët më të mëdha të botës, krahasimet dhe figurat i lidhte me fshatin ku kishte lindur.

    Kishte nevojë për paqe dhe e ndjente se mund ta arrinte vetëm me ekuilibër shpirtëror.

    Kështu nis të ndërtojë “Piramidën e shpirtrave”. Dionisi ishte i plotfuqishëm në këtë vend.

    E gjen të mbështjellë me “buzëqeshjen përtallëse”, i gatshëm të tregojë ngjarje që flasin për regjimin që kish kaluar. Dëgjuesit i ndiqnin me shumë dëshirë. Në kohën në të cilën jetonin, s’kishte gjë për të treguar. Njerëzit ishin ndarë në të mirë dhe të këqinj dhe pastaj në të këqinj dhe të mirë dhe kështu mund të ishin, o të gjithë të mirë, o të gjithë të këqinj.

    “Mark Mara piu një gotë me Dionisin dhe iu krijua përshtypja sikur kishte një jetë në këtë vend. Kjo ndjesi iu tret në trurin e lodhur dhe i bulëzoi një mendim tjetër: ç’dreqin kërkoj këtu!”

    Janë mendimet që vrasin përditë shpirtin e njeriut. Kështu Dionisi e vuri në gjumë për t`u takuar herë të tjera. Dionisi në këtë libër vjen si fis i ish zyrtarëve të lartë të komunizmitpor që nuk i përkiste askuj, veç vetvetes, dhe  “nuk lypte mirëkuptimin e asnjërës palë, por vetëm shpirtit të tij të lirë”. Ndoshta është elementi i parë që jetëson dhe ndërton romanin. Dita e re e gjeti në një takim të rastit por jo të rastësishëm. Takime që do ta shoqërojnë autorin në rrugën e zhgënjimit të tij. Arsyeja që ai e mendonte vizitën në atdheun e prindërve (kështu e quan) si kalim nga ferri në purgator ishte se ferri dhe purgatori s’mund të jenë në të njejti vend.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË