More
    KreuIn memoriamLamtumirë, maestro Camilleri! Fenomeni gjuhësor edhe në sfidën e përkthimit shqip

    Lamtumirë, maestro Camilleri! Fenomeni gjuhësor edhe në sfidën e përkthimit shqip

    Nga Diana Kastrati

    Andrea Camilleri, të mërkurën, dha frymën e fundit si një patriark, i rrethuar si rrallëkush e rrallëherë në historinë e njerëzve të letrave, nga një afeksion mbarëpopullor italian e ndërkombëtar qëi kapërcen gati kufinjtë e tokësorit të vdekshëm.

    I pagëzuar nga klub fans e tij si ‘Il Sommo’, il Maestro’, ai i qëndronte me një thjeshtësi të pazakontë përmasës së vet erudite të ngjyer thellë në italianitetin me rrënjë sikule.
    Bir i Siçilias së magjishme, dishepull i rrugës së shtruar me ‘flori letrar’ si Pirandello e Sciascia, i pajisur me dhuntitë e rralla të afabulatorit, kureshtarit, njeriut të detajeve, fantazistit të pashoq, inteligjencës së mprehtë, sensit të hollë të humorit, kulturës së thellë europiane e italiane, punëtorisë e mbi të gjitha një hedonizmi që ia mbajti gjallë indin vital për 93 vjet të bekuara, ai përcillet me buzëqeshjen e njerëzve që e deshën, e adhuruan, lexues apo jo të tij. Në vitet e fundit humbi shikimin e pikërisht këta njerëz të thjeshtë që nuk e shihnin më të qarkullonte në lagjen romane ku jetonte, bënin të pamundurën ta kënaqnin, siç ishte rasti i një zonje e cila ia shpinte përditë në shtëpi ciambella-n (një lloj ëmbëlsire) qëkur ai nuk qarkullonte më nëpër qytet.

    Mund të flisja e shkruaja për shumëçka për të: skenarist, fillimisht ndihmës regjisor pranë studiove të RAI-t për realizimin radiofonik të pjesëve të Komisarit Maigret të George Simenon-it, Mjeshtrit belg të romaneve policeskë e Mentorit të tij në të ri, dramaturg, shkrimtar e lektor në shkollën e aktrimit, intelektuali mendjehapur e zëplot që nuk i tutej asnjë rrethane politike a koniukturale. I njohur për qëndrimet e tij pro politikave integruese të emigrantëve, zëi fuqishëm kundër Salvinit dhe mazhorancës së sotme, me ikjen nga kjo botë sot, ia doli ta gjunjëzonte edhe vetë Salvinin e të tjerë qëaq ashpër i kishte kritikuar. Ishin këta që shkruan mesazhet më të respektueshme e me plot adhurim për humbjen e këtij kollosi të kulturës italiane. Ai vdiq, si jetoi: I lirë!

    Në këtë shkrim, zgjodha të flas për njërën nga përvojat e mia në përkthimin e një romani të Maestros. Ishte mënyra më e mire për ta bërë publike atë fill të pashkëputshëm që krijohet midis Autorit e përkthyesit. Në 2014, kur asistentja e tij e pandashme Valentina Aferj më komunikoi detajet e takimit tim me të, në shtëpinë e studion e famshme të tij në via Asiago, u lumturova. Por shëndeti tij i luhatshëm, nuk e bëri të mundur këtë takim. Gjithsesi, unë e kam takuar atë, shumë më në intimitet, kam bashkëjetuar me veprën e tij, në një harmoni të plotë. Të falemnderes, Maestro!
    Andrea Camilleri e përkthimi në shqip i romanit ‘Vdekja e Amalia Saçerdotes’ (La Rizzagliata).

    Bëhet fjalë për një shkrimtar veprat e të cilit përkthehen dhe janë përkthyer thuajse në të gjitha gjuhët e botës, në japonisht, turqisht, finlandisht, në gjuhën daneze, portugalisht, spanjisht, frëngjisht, gjermanisht, hungarisht, çekisht, polonisht, rusisht, në gjuhën koreane, kineze etj me radhë. Ka disa vite tashmë që veprat e tij janë sjellë edhe në shqip duke u pritur jashtëzakonisht mirë nga publiku. Popullariteti i autorit nuk ka njohur kufinj. Pa asnjë dyshim që fama dhe cilësia dalluese e të shkruarit të tij duhet të kërkohen në gjuhën që përdor, një miksim sikul (siçiliano)-italian. Freskia e shkrimit të tij qëndron pikërisht në aftësinë e tij për të ofruar një panoramë joshëse e intriguese të Siçilisë, tokës së tij të lindjes, jo vetëm lexuesve bashkëpatriotë italianë në të gjithë gadishullin pa përjashtim (pavarësisht se shkruan në dialekt), por duke futur në këtë rrjet admiruesish që nuk e lëshojnë asnjëherë, edhe të huajt. Ai arrin të të magjepsë me shijet, erërat e këtij ishulli kaq interesant, të nguc shqisat natyralisht e pa sforcime. Kushdo që i ka hapur edhe një herë të vetme faqet e një romani të Camillerit, mbetet i mahnitur e i gozhduar nga përdorimi i një gjuhe komplekse, të shumështresuar, e gjitha e mveshur me konotacionet rajonale. Si mund ta përcaktojmë fenomenin gjuhësor të Camillerit? Varietet gjuhësore të përdorura nga ai janë të paktën 5, secila me një funksion të saktë: Varieteti i përzier.
    Vizmuller-Zoço tek Il caso Camilleri flet pikërisht për një code mixing, do me thënë një vendosje e barazpeshuar e kodeve. Këtë e përdor në rastet e shfrimeve të gjendjeve emocionale. Dialekti siçilian vjen e integrohet më pas me gjuhën italiane. Interesant është fakti që Camilleri nuk i lë personazhet e tij të përdorin italishten rajonale të Sicilias. Italianizimi realizohet qartë duke përdorur morfema italiane të ngjitura në bazat e të folmes siçiliane, por këto baza janë ato që zgjedh autori, jo ato që do të priste dikush në një ligjërim të përzier. Përdorimi i dialektit evidentohet nëpërmjet futjes në përdorim të italishtes standarte në disa pjesë të caktuara. Këto pjesë u vihen në gojë atyre personazheve apo ngjarjeve që kanë të bëjnë me transmetimet televizive apo në institucionet publike. Ky fenomen është code switching, ose ndërrimi i kodeve.
    Hibridacioni, ose shkrirja e dy sistemeve gjuhësore është një tjetër teknikë gjuhësore e Camillerit.Pikërisht ky mekanizëm thekson aspektin kreativ të autorit. Ky fenomen i përket disa fjalëve të veçanta dhe jo gjithë ligjërimit, pra parashikon shkrirjen e plotë të rregullave e të njësive të dy gjuhëve të ndryshme. Barrierat gjuhësore zhduken meqenëse elementët linguistikë kombinohen në mënyra nga më të paparashikuarat duke krijuar fjalë të reja. Disa shembuj mund të ishin: fatigazza – e kryqëzuar me faticaçia (term i gjuhës standart), shqip: lodhje e madhe, këputje; travaglio – fjala travagghiu e kryqëzuar me lavoro (term i gjuhës standarte); shqip: punë e mundimshme; quanno – quannu i kryqëzuar me quando (term i gjuhës standarte); shqip: atëherë kur; vrigognuse –vrigognusi kryqëzuar me vergognose; shqip: i turpshëm, i ndrojtur. Por në dialektin gegë të shqipes përdoret fjala e cila mbart më shumë ngarkesë stilistikore; i marrshëm.
    Italishtja e përpunuar e shkruar dhe e folur.

    Italishtja popullore e cila u vihet në gojë atyre personazheve që nuk e kanë mbërritur akoma zotërimin e plotë të gjuhës kombëtare standarte, e karakterizuar nga modifikime si pasojë e ngjizjes me dialektalizma, me gabime ortografike, me përdorim të pavend të foljeve, përemrave e nyjave.

    Paradialekti, ose përzgjedhja artistike e lirë e Camillerit duke i dhënë liçencen vetes të përdorë forma të padëgjuara që nuk arrijnë të futen në asnjë klasifikim sociolinguistik.
    Sic shihet, ishim të detyruar të sqaronim strukturën aspak të zakonshme narrativo-gjuhësore të Camillerit, për të arritur të kuptojmë edhe procesin e përkthimit në shqip.
    Përkthimi i fundit që kemi bërë është një roman i titulluar La rizzagliata (Rrjeta e peshkut, i botuar për herë të parë në Spanjë nën titullin Vdekja e Amalia Sacerdotes), i cili është i shkruar thuajse në 90% në dialektin siçilian-camillerian. Dhe është pikërisht përmes dialektit që autori arrin të japë të gjitha nuancat e larmishme mendore e shpirtërore e sociale të siçilianëve, duke filluar nga tragjedialiteti i tyre proverbial, tek ironia, tek teatraliteti i veshjes së maskave të ndryshme, tek humori, tek aspeti erotik. Dialekti, apo dialektet në përgjithësi, janë vetë thelbi i personazheve.

    Të përkthesh Camillerin është një betejë e vërtetë. Gjëja e parë që të bie në sy në vepër dhe që duhet me doemos të respektohet, është prania e një shtresëzimi të theksuar stilesh e regjistrash. Respektimi i këtij fenomeni lypste nga ana ime përdorimin jo vetëm të gjuhës standarte, por për herë të parë më duhej t’i drejtohesha për ndihmë përdorimit të dialektit gegë në të shkruar. Gjuha standarte rezultonte të ishte e pamjaftueshme dhe e pangjyrim përballë galerisë shumëngjyrëshe e shumëplanëshe gjuhësore stilistikore camilleriane. Cilët ishin faktorët e tjerë që ndikuan në shqipërimin e rrjedhshëm e, më duhet ta evidentoj, të natyrshëm të kësaj vepre?

    Në dallim me të gjitha përpjekjet e jashtëzakonshme profesionale e skrupoloze të përkthyesve të Camillerit në gjuhët e tjera, të cilët kanë ndjekur të njëjtën rrugë të përdorimit të një dialekti të vendit të tyre, unë isha e favorizuar maksimalisht nga një rrethanë së pari jashtëgjuhësore; bëhet fjalë për dimensionin dhe përbërjen socio-kulturore-antropologjike të siçilianëve e cila ka shumë pika përkimi me dimensionin tonë antropologjik. Kësisoj, rrethanat që për një gjerman apo një tjetër europian verior janë të panjohura e shpesh edhe të pakonceptueshme, per mua/ne, ishin krejtëisht familiare. Në këtë rast, fatkeqësisht, emëruesi i përbashkët i sistemit të korrupsionit që është një ligjësi në ishullin e Sicilisë, por po aq edhe në Shqipëri, më ndihmonte të zbërtheja e të kapja edhe nuancat më të holla të “trukeve” politike, mekanizmat e padukshëm të një milion fijeve të mosfunksionimit “mesdhetar” që kanë një shtresëzim të përbashkët në konstitucionin mendor e social të vendeve tona. Përkthimi në këtë rast shndërrohej në një “deja’ vu”.

    Duke i mbetur këtij konteksti social-antropologjik, përdorimi nga ana ime e të folmes shkodrane popullore qytetare, ishte çelësi që më hapte rrugën për të bërë timin një dialekt (siçilianshen) i cili më përkonte mrekullisht me realitetin e komunitetit qytetar shkodran, për shembull në ndarjet shtresore sociale, në hierarkinë e patrandshme klasore, në traditat familiare, në shpërfaqjet e mentaliteteve të qendrës po aq sa të periferive.
    Përdorimi nga ana e autorit e një strukture sintaksore me bazë dialektin siçilian, në të cilën folja vendoset në fund të fjalisë: “Ça’ sugno”, që do të ishte në shqip: “Këtu jam”, apo “Troppo presto venisti” që do të ishte në shqip (dialekt): “Si shumë heret ke ardhë!”, strukturë e cila përkon mrekullisht shpesh me atë të së folmes të qytetit të Shkodrës. Kjo formë bashkë me të tjera si kjo, e ka bërë bashkëbisedimin, i cili është masiv në vepër madje zë 70% të romanit, shumë të afërt, të ndjerë, të mirakandshëm, argëtues, të gjallë, do të guxonim të thoshnim, shumë kinematografik. Në fakt aspekti kinematografik në të shkruarin e Camillerit, është një tipar thelbësor i cili vjen e plotësohet me gjysëm fjalitë e personazheve të pazhvilluar kulturalisht e me shpejtësinë e kalimit të “imazheve-skena” me të cilën Camilleri luan “kameran” e tij, penën.
    Nëse i hidhet një sy përvojave të përkthyesve të vendeve të tjera të veprave të Camillerit, të bie menjëherë në sy puna e pamatë që kanë bërë ata për t’iu përafruar koloritit origjinal ishullor. Edhe pse komunikimi e përkthimi janë që të dyja kërkesa natyrale të njeriut, jo gjithmonë përkthyeshmëria mund të realizohet. Shumë koncepte janë kaq të lidhura ngushtë me kulturën e origjinës sa mund të mos shprehen me një kod të ndryshëm gjuhësor. Çdo popull e sheh realitetin në mënyrë të ndryshme nga tjetri, i ndikuar fuqishëm nga mjedisi e nga të jetuarit e vet historik. Sipas filozofit e linguistit gjerman, Wilhelm von Humboldt, çdo gjuhë është shkak dhe reflektim i Weltanschaung, do me thënë i vizionit të vet për botën ku qëndron si dhe me bazën e kulturës së tij. Pra, diversiteti gjuhësor është mospërputhje e vizioneve mbi botën. Humboldt, duke folur për përkthimin thotë se, qëllimi i tij është pikërisht ai që të lejojë të kapë vizionin e ndryshëm të botës si dhe shpirtin e kulturës pranë së cilës është endur teksti origjinal. Me fjalë të tjera, është pikërisht ajo që po e quajmë “frymë” e veprës letrare, “l’ésprit”. Në rastin e raportit të Camillerit me shqipen, për fate të pakushtëzuara nga ne, kjo frymë është krejt e kapshme, krejt e prekshme, e ndjen, e nuhat, e shijon, e përthith.
    Ngjall vërtetë kureshtje fakti që përkthyesi në gjermanisht i Camillerit, Moshe Kahn, ka hequr dorë vullnetarisht nga përdorimi i një dialekti gjerman si ekuivalent i dialektit siçilian, duke kryer nga ana tjetër një punë titanike të kërkimit të stilit barok të dikurshëm të të shkruarit për t’ia afruar paksa tek qëllimi i kalimit të koloritit të kohës në përkthim. Ai ka lënë një shprehje shumë domethënëse: “Dialektet nuk përkthehen, ato trajtohen.” E gjemë me shumë vend një konstatim të tillë, pavarësisht favorizimeve që ka patur në këtë rast përkthyesja.
    Duke i mbetur krahasimit të vështirësive e të lehtësirave nga ana jonë me gjuhët e tjera, është shumë interesant të dihet se të përkthyerit në gjermanisht të pjesëve erotike në romanet e Camillerit, është një sipërmarrje aspak e lehtë. Si në romanin që po analizojmë, ashtu edhe në veprat e tjera, elementi erotik i Camillerit është i pranishëm e mbi të gjitha është shumë i fortë. I fortë nënkuptojmë që edhe me një fjalë të vetme, apo me një gjysëm fraze, ai arrin të përcjellë atmosferën e egër të një amplesi. P.sh.: “Orama’ era addivintata abitudini la pausa sigaretta prima del secondo round che in genere era piu’ furioso del primo e con una maggiore abbunnanza di colpi bassi.”

    Në shqip: “Tashmë ishte bërë shprehi pushimi i tymosjes së cigares, para fillimit të raundit të dytë që përgjithësisht ishte edhe më i furishëm se i pari e me një numër më të madh goditjesh në pjesën e poshtme”. Në dallim me gjermanishten, e cila është më e rezervuar në ligjërimin erotik, shqipja është e “avantazhuar” edhe në këtë pike. Duke qenë një pjesë e nxehtë e Mesdheut, edhe ligjërimi ynë pasqyron këtë aspekt me një pasuri termash e vizionesh, duke i ndenjur me shumë “dinjitet” përbri dialektit siçilian. Seksi në ligjërimin popullor është një element thelbësor dhe këtu zë fill edhe vështirësia e përkthyesit. Para shprehjeve shumë tipike siçiliane dhe që përsëriten me një frekuencë marramendëse, si “Che minchia vuo’?” dyzimi fillon me problemin etik: duhet apo nuk duhet respektuar “fryma” që përmendëm pak më pare? Edhe nëse e zgjedhim ekuivalentin që ekziston në shqip, a duhet ta shkruajmë të plotë fjalën, apo ta ndërpresim me pikat e reticencës? Ne kemi optuar për këtë të fundit. Na dukej e padrejtë që të mos e vendosnim fjalën që aq shumë i jepte hov ligjërimit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË