Dje me datë 30 tetor, në një ceremoni të organizuar në Ministrinë e Kulturës u shpall i pari Poet Laureat shqiptar. Mes 25 kandidatëve, Rudolf Marku u përzgjodh si i tillë, për të drejtuar në vijim një fushatë dy vjeçare në promovimin e poezisë shqipe. Motivacioni i dhënë nga Komiteti i Poetit Laureat ishte:
“Ka arritur të ndërtojë një vepër të pasur dhe koherente përtej konteksteve historike, politike dhe gjeografike në të cilat ka jetuar poeti, duke shprehur me gjuhën e përshtatshme atë çka është e qëndrueshme te njeriu. Në motivacionin për Poetin Laureat është vlerësuar edhe shërbimi i çmuar që i ka bërë ai kulturës kombëtare, duke sjelle në shqip shumë nga kryeveprat e poezisë botërore”.
Por kush është Rudolf Marku?
Ai lindi në Lezhë më 1952. U diplomua në Universitetin e Tiranës dhe nga viti 1987, deri në 1990, punoi si redaktor pranë gazetës letrare Drita. Nëpërmjet saj, i hapi portat e botimit disa prej shkrimtarëve të rinj, duke i bërë të njohur për lexuesin shqiptar.
Është autor i disa librave si vëllimet poetike “Shokët e mi”, “Rruga”, “Sërishmi”, “E dashur”, “Udhëtim për në vendin e gjërave që njohim” etj., dhe sëfundmi ka botuar edhe “Rrathë të brendashkruar” (Onufri, 2020). Gjithashtu është autor i disa romaneve si “Tre divorcet e zotit Viktor N.”, me të cilin fitoi Çmimin Kadare për vitin 2015, “Katër fëmijët dhe Pogi i padukshëm”, “Kësulkuqja vjen me trenin e dhjetës” etj.
Përveçse shkrimtar, Marku është edhe përkthyes. Falë tij kanë ardhur në shqip poetë si Eliot, Paund, Oden etj..
Rudolf Marku është nderuar me disa çmime letrare mes të cilëve mund të përmendim çmimin e Poezisë Evropiane në Berlin në vitin 2007, çmimin Naim Frashëri për vitin 2012 në Tetovë dhe Prishtinë, çmimin Atë Zef Pllumi për librin poetik, çmimin PEN dhe me çmimin Penda e Argjendtë, dhënë nga Ministria e Kulturës për vitin 2012.
Tanimë si Poet Laureat, Marku ka një përgjegjësi të re: Të ndihmojë për t’i rikthyer poezisë shqipe peshën që përgjatë viteve duket se e ka humbur dhe shkëlqimin që ngjan sikur është venitur.
©ExLibris