nga Hyjni Ceka
Në manastir të “Shën Prodhromit”, në Voskopojë, shoh Milto Sotir Gurrën, shkrimtarin. Të fundmin që trashëguam nga Rilindja jonë. Dukej që larg, tek zbriste për teposhtë… Varej në Përrua të Shipskës e veç kur ngjitej pastaj, si djalë… Vinte, na gjente, te Zhombri, mbi Çesmë.
Bënte kohë që i pati shkuar të tetëdhjetat, po mendjen e kishte qiqër.
Më kujtoi në çast… Për fytyrë jo… Por sa më dëgjoi emrin… Më pati bashkëpunëtor njëherazi te “Mituria” e dyzetekatrës…
– Po mirë, – tha, – sa vjeç ishe atëherë?
– Gjykomë! – e nxita. – Ç’moshë kam tani… Bëj llogarinë!
– Njëzet e tetë, – ia priti në çast…
Po kuptoi që lajthiti.
– Dale, mor i uruar! – e ndreqi. – Pse tetë vjeç paske zënë të shkruash?!
– Sot jam tridhjetë e dy, zoti Milto.
– Vërtet! Vërtet! – u kujtua, më në fund. – Ja delta e Nilit… Në Odesë, kur isha, një çifut thoshte se, po u shfaq ajo “delta” në cep të syrit, njeriu i ka shkuar të tridhjetat… Ajo rrëfen për moshën e burrërisë.
Fjalë e Miltos kishte ngrohtësi dhe ëmbëlsi që sot zor se e gjen gjëkundi… rilindës e shkuar rilindësve. Rrëfimin tërheqës e pati shprehur daç në biseda të shtruara, por edhe në libra. Janë ato “Plagët e Kurbetit”, njëherë! Por edhe “Goca e Kaçanikut”, nuk të ka shoqen!
Bënte nga bënte, mendja i shkonte ndër vite të largëta… Tek adoleshenca, te rinia. Kaluar në Odesë e në brigjet e Detit të Zi… Zinte në gojë rusët e Krimesë… Për ta fliste mirë.
– S’e njihnin meskinitetin, – thoshte, – as smirë që kishin. Dy rrugë plot me “dyqane shqiptarësh: “Bollshaja Arnautka” dhe “Malaja.” S’na ngitnin. Çifutët nuk i donin, as turqit. Për çudi, me shqiptarë shkonin!
Aty jam habitur, tek dëgjoja nga goja e tij se tregimet më të para Miltoja i kishte shkruar në rusisht, botuar ndër revista të Moskës e Petërsburgut.
Ishte njohur edhe me Gorkin dhe kishte pasur shkuarje të madhe me të.
Këtë, nuk desha ta besoj njëherë…
Por më bindi… së fundi…
Ato kohëra, kur gjendej në Odesë, pati shkruar një pamflet e godiste Italinë, me ku të dhemb e ku të djeg… E mbyll në pliko dhe ia dërgon, në konfidiencë Aleksei Maksimoviçit në Moskë… Seç nxirrte edhe ai një revistë letraro-politike.
Prit se po ia botonin pamfletin. Hiç! Prit… e hiç!
Së fundi, niset me tren. I shkonte Aleksei Maksimoviçit drejt e në Moskë, në zyrë brenda!
Përfytyrojeni Milton, me ato vetulla të trasha, të kreshpëruara… Ato buzë të mëdha oparaku, mbledhur e tendosur. Mefistofel i Gëtes!
Po, siç tregonte edhe vetë, Gorki s’ia kishte varur… Kishte pasur të bënte me shqiptarë dhe më përpara?! Nuk dihet!
Miltos i qe përgjigjur shtruar:
– Miltiadhi Sotirieviç! – kish thënë. – Italinë e kam Atdheun tim të dytë. Kam shkruar për të kaq e aq tregime… Për inatin tënd, or vëlla, s’e hedh dot në erë, gjithë veprën time!
Miltoja ishte bërë një dorë aty… Jo se ishte frikësuar gjë, por i ishin derdhur një barrë mendime përnjëherësh…
“S’u prishka bota mes vetes, për hatrin e të voglit”.
Fjalët e fundit i vinin kiamet të rënda! I gjëmonin. I bubulonin. Ia kishte dhënë koka pastaj…
Për inatin tënd, or vëlla, s’e hedh dot në erë gjithë veprën time.
Ç’ndodhi kështu?
Vetëm ne shqiptarët vajtkemi qorrazi pas të tjerëve. Ndryshe bota… Bota llogarit çdo gjë!
Me të gjitha këto, Milto Sotir Gurrës, s’i kishte ngelur qejfi. Përkundrazi! E ngrinte e vinte në intimitet. Po Aleksei Maksimoviç! Asnjëherë në emër letrar.
Kur do të bënte përmbledhjen e gjithë tregimit, s’iu ndenj pa rrëfyer për Gorkin se, mbas gjithë asaj bisede, kishte hapur sirtarin pastaj, i kishte dorëzuar dorëshkrimin, të ruajtur me kujdes, për aq kohë, nëpër dosje… Dhe e kishte zënë për krahu e kishte futur në shoqëri me artistë e me shkrimtarë. E kishte njohur dhe me Shaliapinin e famshëm në atë rast… E kishin pirë vodka… E kishin bërë romuze. Kështu rrëfente Miltoja për vitet e rinisë së tij. Dhe i largohej të zbehtit e fytyrës. Faqja i skuqej atëherë dhe i zhdukeshin rrudhat e pleqërisë, që të tëra.
Ne shastisnim. S’dinim ku ta mbanim më parë mendjen… te kultura e tij prej enciklopedisti apo te fjala poetike! Gjithsesi, e përcillnim me ndere, kur afronte dreka… E vinim në mes dhe e nisnim. Ai shëmbëllente me Sokratin e lashtë. Dhe… ec e ndalo. Si në bisedat sokratike… më!