More
    KreuIn memoriamKur dheu i Arbnit humbi Frang Bardhin, hartuesin e të parit...

    Kur dheu i Arbnit humbi Frang Bardhin, hartuesin e të parit Dikcionar Latinisht-Shqip

    Nga Ledi Shamku

    KORRIK 1643 – Dheu i Arbnit humbet në moshë fare të re (vetëm 37 vjeç) një nga rojtarët më të vyer të vijimësisë sonë identitare: Frangun e Bardhë, hartuesin e të parit Dikcionar Latinisht-Shqip. Më dt. 15 korrik 1643, Matì Dudesi do të shkruante në Relacjone: “…quindici dì or sono, scrissi la morte del mio signore Franciscus Blancus.” Pak para kësaj date ai lajmon se Frangu ynë “sta male di grave infelicità”. Ishin kohët më të errëta të një apostazie të frikshme, kohë kur ky vend u ngrys i krishterë e u gdhi ndryshe. A do t’i shëmbëllente më vetvetes? Pa luminarë dritëbardhë si Frangu i bardhë terri do na kish mblu shenjat dalluese të fytyrës sonë që edhe tash shquhet me zor. Më poshtë dy fjalë nga Ndajtehymja që i pata shkruar botimit në shqip nga Excipere i “Dictionarium Latino-Epiroticum”.

    “Legere et non intelligere, negligere est” ­ Katoni

    Ky botim anastatik, i pari në Shqipëri, ndërmerret me rastin e 400-vjetorit të lindjes së Frangut t’Bardhë (16/06/­1606); në nderim të tij e në shërbim të besojmës se Shqipëria i ka rrënjët e saj të ngulura thellë në humusin greko­romak të qytetërimit perëndimor dhe se kjo ngulitje ka shënjuar fort gjithë diakroninë shpirtnore, kulturore dhe gjuhësore të homo arbanensis.

    Jo rastësisht Dictionarium­i u fillua nga Bardhi me maksimën e Katonit; ai dyshonte se, sikundër kish ndodhur me Budin, edhe ai do të lexohej, por rrezikonte të mos kuptohej. Dhe ndofta ka pasur të drejtë në dyshimin e tij, pasi ende sot, pas gati 400 vjetësh, Dictionarium­i është lexuar e rilexuar, por nga shumëkush është “neglizhuar” qëllimi i vërtetë i ndërmarrjes së kësaj nisme në 1635­n e largët; d.m.th. ky qëllim nuk është kuptuar, ose nuk është nxjerrë në pah, pasi i është mëshuar vetëm shqetësimit objektiv të humanistit të ri lidhur me “ghiuhene tane, ghi po bdarete, e po bastardohete…”. Në fakt, qëllimi ishte më tepër se kaq. Dictionarium­i do të shërbente si mur mbajtës për truallin shqiptar, që ai të mos shkimej kundrejt korpusit europian – me të cilin kish qenë i pandarë – si rezultat i veprimit të një erozioni të skajshëm shpirtnor që, me osmanizmin, ish thelluar në shek. XVII.

    Frang Bardhi

    Naltimin e këtij muri mëtonte Bardhi dhe pikërisht këtu duhet kërkuar shtysa e aksionit të ndërmarrë prej tij. Çështja gjuhësore, për sa e rëndësishme (ai e thekson qartë këtë në parathënien e tij) do të shpalohej nga Bardhi si dytësore kundrejt çështjes religjioze (identitetit fetar). Të atij identiteti që shqiptarët prej shekujsh e kishin të përbashkët me Kontinentin e Vjetër. E identiteti fetar në mesjetë, që shpesh përcaktonte sistemin shoqëror, plazmonte e njëtrajtësonte mënyrën e organizimit të jetës, pavarësisht nga gjeografia dhe raca. Ruajtja dhe forcimi i konotacioneve etniko­shpirtnore të vendit do ta rriste vetiu qëndresën ndaj tjetërsimit dhe ndaj përdhunës.

    Për herë të parë vepra u rishfaq ndërkombëtarisht me botimin anastatik që Mario Roques bën në Paris, më 1932, i cili e pajisi atë me një parathënie të çmuar e që në botimin tonë do të shfaqet me shqipen mjeshtërore të Willy Kamsit. Vepra njohu edhe një përshfaqje tjetër. “Rilindja” në Prishtinë e botoi atë në vitin 1986.

    Për vetë ndeshtrashat historike dhe kulturore të shqiptarëve, Dictionarium Latino-Epiroticum u kthye shpejt e mirëfilli në vlerë arkivore. Për shekuj, nuk u ndërmor asnjë studim për të e as u krye ndonjë ribotim i mëpastajmë i veprës. Madje nuk u rishtyp as nga vetë Propaganda Fide, me gjithë mungesën e plotë të fjalorëve shqip deri në shek. XIX, edhe pse kërkesa e klerikëve shqiptarë për këtë Fjalor, sikurse dëshmon regjesti i dokumenteve arkivore të Propagandës, vijoi të përsëritej. Sa për ilustrim që mbështet çka më sipër, përmenden dy dokumente arkivore që datojnë motet 1657 dhe 1663, në të cilat peshkopë shqiptarë i kërkojnë herë pas here Romës t’u nisë disa ksombla të këtij Fjalori.

    Ndër të parët që gjykoi ta hetonte Dictionarium-in si objekt studimi ishte Petrotta në veprën “Popolo, lingua e letteratura albanese”, ku pasi e përshkruan me hollësi, mes të tjerave, shkruan: “Sikundër e vëren edhe vetë autori, Fjalori i tij është mjaft i vogël; e nuk arrin ta përbushë qëllimin për të cilin u hartua. Por anipse i vogël, Fjalori i Bardhit mund të studiohet me mjaft dobi dhe qoftë edhe për rëndësinë e tij historike, meriton të botohet në një përshfaqje të re.”

    Pas studimit të Petrotta-s dhe sidomos pas shestimeve shkencore të paanshme të M. Roques, janë të shumtë e të njëpasnjëshëm studiuesit që u ndalën te Bardhi, ose iu referuan atij. Kështu, ndër punët e para që kreu gjuhëtari riosh E. Çabej në vitin 1936, kur sapo qe kthyer në Shqipëri, ishte hartimi i një teksti për shkollat, “Elemente të gjuhësisë e të literaturës”, ku Dictionariumi analizohet me instrumente shkencore të thjeshtëzuara për ta bërë të kuptueshme nga nxënësit e shkollave. Po kështu edhe M. Domi, bashkëhartues i tekstit shkollor “Antologji e letërsisë” për shkollat e mesme, në kreun “Frangu i Bardhë” përshkroi me detaje sa thelbësore aq edhe të thjeshta kriteret dhe tiparet kryesore të Dictionarium-it, pa i ndarë ato nga shenja historiko-kulturore e kohës, pra duke shmangur rrezikun që kjo vepër të përjetohet nga shqiptarët e sotëm si e largët dhe e papërkitshme. Me drunjtëzimin e mëpasmë të mendimit dhe të gjuhës, dhe me kufizimin e lirisë së të shprehurit lidhur me çështje të tilla “delikate” që kanë të bëjnë me historinë e kulturës shpirtërore të shqiptarëve të mesjetës, si dhe me vijimësinë e natyrshme linguistike të shqipes së shkruar, kjo filozofi pune nuk u ndoq më tej.

    Veprat e Frank Bardhit

    Për studiuesit e fushës së grafisë shqipe apo të fonetikës historike, të cilët u referohen dëshmive të vjetra shkruar prej Buzukut, Budit, Bardhit e Bogdanit, një çelës mjaft të mirë leximi për Fjalorin e Bardhit ofroi albanologu rumun Macrea në punimin me titull “Fjalori shqip i 1635”, duke sjellë në kujtesë se vepra “është një mjet i shkëlqyeshëm pune për filologët e historianët dhe u ka shërbyer si gurrë dijetarëve për studime mbi gjuhën shqipe: F. Bopp-it për veprën “Mbi shqipen në marrëdhëniet e saj farefisnore”; F. Miklosich-it për “Studime shqiptare”; G. Meyer-it për “Studime shqiptare” dhe për “Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe”.

    Më 1956 Injac Zamputi botoi “Të dhana të reja mbi gjendjen ekonomike, shoqnore e politike të vendit tonë në shekullin e XVII-të”, ku shprehet se: “…këtu kemi të bajmë jo me një prelat që administron në mënyrë të zakonshme çashtjet shqiptare, por me një njeri që ka iniciativë, vepron mbrenda rregullave, por edhe jashta rregullave të shënueme nga tradita, si ta lypë nevoja, dhe përpiqet t’i sigurojë vendit e kishës vendase njerëz t’aftë si veten e me kulturë.”

    Në vështrim të parë duket paradoks që një rregulltar i Kishës s’Shenjtë t’veprojë brenda e jashtë rregullave. Cilave rregulla? Ja si informon vetë Bardhi – Episcopus Sappatense në vjetin 1637: “Mbasi këta priftënt e mij shqiptarë nuk e kuptojnë gjuhën latine, megjithëse janë të ritit latin, e kam përkthye besojmën e shejtes fe në gjuhën shqipe […] Po ashtu edhe rendin e Synodit, të vendosun në Pontifikalin romak, e kam përkthye në këtë gjuhë, me disa shtesa, për qeverisjen e mirë të kishës sime…” Dhe sikundër dëshmohet, ai nuk ka pritur të marrë pëlqimin ose së paku mendimin e Romës për një punë të tillë kaq të natyrshme, porse të paguxuar më parë.

    Po në vjetin 1956, në “Buletin për Shkencat Shoqërore”, Kolë Kamsi shkroi artikullin “Frangu i Bardhë”. Këtu Kamsi përpiqet të hetojë shenjat e ecurisë morfologjike në zinxhirin evolutiv të shqipes, e jo vetëm të shqipes truallsore, por të mbarë korpusit landor të saj. Natyrisht, për nga vetë përmasat e këtij punimi, nuk mund të priten rezultate përfundimtare, pasi për këtë do ndërtuar pikësëpari i gjithë thesaurusi i autorëve tanë të vjetër, shkurt do formësuar ajo që Kolë Ashta e quan “përmendore e leksikut historik”.

    Disa vjet më pas, në 1964-ën, studiuesi Kolë Ashta shkroi “Vëzhgim historik në fjalorin e parë të shqipes, Bardhi 1635” ku mbërrin të formësojë disa përfundime mjaft të vyera në lidhje me landorësinë gjuhësore në analizë të faktit se: “Fjalori përbahet prej 5000 fjalësh latine dhe prej 2544 shqipe; ky shpërpjestim rrjedh nga se auktori disa fjalë të latinishtes i përkthen me një të vetme shqipe ose përdor një mënyrë përkthimi perifrastik.”

    Ky studiues dashamirë mundohet ta përligjë mpakjen e mësipërme duke thënë: “Tue marrë para sysh këto kushte se kish shkue tash sa vjetë në dhe të huej e pa njerz, me të cilët të flasë shqip o të këshillohet me ta për punë të fjalorit, shumë fjalë latine nuk ja ka marrë mendja se si t’i përkthejë. Për mungesë të njoftjes së leksikut shqip, do t’i qëllojë jo fort rrallë që dy ose katër fjalë latine, mú edhe tetë kësosh t’i përkthejë me një fjalë të vetme shqipe; për këtë shkak fjalori del i cektë.” Vallë, në periudhën ideologjike kur ish nderë perdja e hekurt, të ketë qenë mirëfilli ky mendimi i Ashtës, apo kaq i ka lejuar rrethi i ngushtë i lirisë së shprehjes asokohe? Kjo ndërdyzje lind vetiu nga një tjetër paragraf që po ky studiues ndërton në parashtresën e tij. Ashta dëfton se kur punonte për fjalorin, Frangu i Bardhë kish afër vetes dy bashkënxënës të tij shqiptarë, dalmatin Matí Duda dhe durrsakun Shtjefën Gaspri. Pasi dëshmon kësisoj, Ashta shtron tërthorazi pyetjen: “Po pse atëherë Bardhi thotë se në pregatitjen e fjalorit nuk kishte ‘me chá me razenuem e me folle mbe ghiuhet tane’, kur si Matí Dudesi dhe Shtjefën Gaspri shi në veprën e Frangut kanë shkrue tue folë kaq mirë për auktorin? Kontradiktë!”

    Në kushtet ideologjike të Shqipërisë socialiste ftillesat historike për gjuhë-kulturën e shqiptarëve, për tiparet e qenësishme të këtij binomi, ishin temat kryesore ku përqendrohej mbikëqyrja e njinjishme e shtetit. Qasja në continuum-in historik mund të kryhej vetëm në rrafshe ku mendimi rravgonte mbi konkordanca ilire, iliro-trake, indoeuropiane e deri në përsiatje hamendësore pellazge. Si kufi i hontë e i pashpallur qëndronte mesjeta, sidomos ajo e vonë. Edhe ajo mund të shqyrtohej, porse jo me synime vijimore në kohë dhe sidomos jo aspekti social e kulturor i saj e aq më tepër nuk duhej ndalur mbi misionin e humanistëve t’asaj ere. Ndaj edhe dikush si Ashta mund ta studionte Bardhin, porse të veçuar si ishull dhe thjesht e vetëm në metashkencë: sa lema shqipe kish, sa huazime shfaqte, në ç’raport formal qëndronte shqipja e tij në krahasim, b.fj., me atë të Matrangës etj. Kësisoj Ashta, në pamundësi për t’u shtyrë më tej, la gjithsesi një vëzhgim pyetës, i cili, edhe pse duke u parë shkujdesshëm ngjan si pyetje retorike, mund të përmbushet nga e njëjta përgjigje që kënaq edhe pyetjen zanafillore të kësaj parashtrese, pra: “Pse edhe pas afro 400 vjetësh Dictionari i Bardhit mund të konsiderohet ende si modern?”

    Vijojmë më tej. Në vitin 1965, në “Studime Filologjike”, Pashko Geci botoi shkrimin me titull “Frang Bardhi dhe fjalori i tij latin-shqip”, ku del në përfundimin se Bardhi kërkon t’i japë dorë misionit ruajtës shpirtëror që kleri kish ndërmarrë ndaj popullatës shqiptare, antropologjia kulturore e së cilës rrezikonte të shkimej e të tjetërsohej nga një kulturë e huaj me karakter asgjësues në sens të botëkuptimit: osmanizimi. Kështu receptohet kjo mënyrë pune e Bardhit, parë nga këndvështrimi etiko-filozofik, kurse në rrafsh gjuhësor, të parapëlqyerit e shpjegimit në vend të përkthimit të sforcuar lidhet me faktin se Bardhi nuk kërkoi ta gjejë me çdo kusht fjalën gjegjëse në shqip, e aq më pak ta shpikë apo ta “fabrikojë” atë siç thotë Roques.

    Lidhur me këtë, P. Geci i mbahet mendimit se Bardhi nuk u ndal të shqipëronte fjalë të njohura nga të gjithë, të përditshme e që kishin zënë vend. Një personalitet aq i formuar si Franciscus Blancus, i cili ndër arkivat e Propaganda Fides cilësohet si një nga njerëzit e ditur të kohës dhe sakaq këshilltar e asistent i disa kardinalëve, e ka ditur fort mirë cili është parakushti kryesor që garanton vijimësinë e natyrshme të një gjuhe të shkruar: ky parakusht lidhet me ruajtjen e shtresëzimit historik të leksikut të saj. Epërsia e gjuhës së shkruar në ngulitjen e formave nuk mund të zhvillohej në kurriz të evolucionit të natyrshëm të saj, edhe pse të pashkruar dhe këtij gabimi Bardhi e të tjerë lavrues mendjehapët të shqipes iu ruajtën fort.

    Nuk është aspak e rastit që pikasjen e kësaj procedure të Bardhit dhe paraqitjen e saj si zgjedhje pozitive gjuhësore, e kryejnë pikërisht figura si P. Geci e K. Ashta. Të dy këta gjuhëtarë në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972 kanë referuar mbi të njëjtën çështje: “Mbi shkrimin e fjalëve të burimit latin”, duke iu kundërvënë reformës shkrimore që propozonte zëvendësimin e ortografisë sipas burimit latin, shprehje kjo e continuum-it tonë historiko-kulturor dhe dëshmi e lidhjeve të gjithhershme, me shkrimin sipas modelit të ri të gjuhëve neolatine, pasi kësisoj gjurma humbet, forma e fjalës nuk dëshmon më për faktet historike që kanë lënë shenjë mbi gjuhë. Ajo pushon së qeni dorëzania më besnike e trashëgimisë së një kombi. Ngulmimi i tyre nuk u mor parasysh dhe shqipja iu nënshtrua edhe një herë sindromit të Feniksit: riformësim pas shkrumbimeve revolutive. A përnjimend u ngjall nga hini i vetvetes po ajo që pati qenë? “Rrethanat – thotë Saussure, – e bëjnë gjuhën të ndryshojë për hir të vazhdimësisë. Porse ajo që mbizotëron në çdo ndryshim është ruajtja e lëndës së hershme; mungesa e besnikërisë ndaj së kaluarës është diçka fare relative. Ja pse parimi i ndryshimit mbështetet mbi parimin e vazhdimësisë. Ky fakt kryesor mjafton për të dëshmuar pamundësinë e një revolucioni në gjuhë”. Sindromi i Feniksit a, me fjalë të tjera, një Shqipëri që rishfaqet ndryshe pas Revolucionit Kulturor (që kulmoi me Revolucionin Gjuhësor) e shënjuan aq fort frymën e gjuhës shqipe, sa sot edhe pas afro 400 vjetësh, për të zbardhur dilemat tona, s’na mbetet veçse të thërrasim në ndihmë veprën e atyre që nuk i ushqyen ato zjarre të shkreta.

    Dihet se tradita ekziston në dy forma: shpirtërore dhe landore. Duke u mbështetur te kjo e dyta, do të mbeteshim brenda sinorëve të muzeve etnografikë që gëlojnë nga furkat, xhubletat e orenditë pagojce. Parë në këtë dritë, bën vërtet përshtypje pesha që i dha regjimi traditës landore; aq peshë sa dukej se pas këtij ekzagjerimi fshihej krimi i zhgjetimit dhe copëtimit të së vetmes garante që përcjell shpirtin e një kombi; fshihej faji i dëmtimit të thurjes së brëndshme dhe emfatizimit të ornamenteve të jashtme. Sindromi i Feniksit përshfaqej për herë të dytë pas pushtimit osman. Citojmë sërish Çabejn: “Në Ballkanin Perëndimor ka pasur treva me një besim të vetëm dhe ky besim nuk mund të mos ketë ushtruar një veprim koncetrues edhe në lëmin gjuhësor. Një nga këto treva ka qenë Shqipëria katolike, e cila gjer tre shekuj më parë shtrihej edhe më në veri (Kuçi) e nga jugu arrinte gjer në Shqipëri të mesme. Në këtë zonë të hapët njësia fetare që ekzistonte prej shekujsh e pandërprerë, në kohën para dhe pas Buzukut ndihmoi pas mendimit tonë në një shkallë të gjerë për formimin e zhvillimin e një gjuhe letrare…” Me fjalë të tjera, Çabej i urtë kumton (nën diktaturë) se dëmtimi i thurjes moralo­fetare dëmtoi procesin e formimit dhe zhvillimit të natyrshëm të gjuhës letrare, që në rasën më fatlume solli vonesë të madhe historike, e jo vetëm, por për fat të keq edhe deformimin relativ të trajektores shumëshekullore të gjuhës mu në adoleshencë të saj. Analogjia është e qartë.

    Me lexu e mos me kuptu domethanë me neglizhu ­ citon Bardhi; por edhe me lexu duke neglizhu domethanë mos me kuptu. E ndër librat tona ka pasur një neglizhim të qëllimtë. Kështu që në fjalinë e parë të paraqitjes që Bardhi i bën fjalorit, del qartë se qëllimi kryesor i tij është “me ndihmuem gjithë atyne që janë nd’urdhënite Tinëzot e të Shintesë Kishë Katolike…” ­ pra për të ndihmuar pikërisht klerin e vendit. Të theksuarit se Bardhi e krijoi fjalorin e tij vetëm me qëllim progjuhësor, nuk ishte veçse gjysma e dytë e së vërtetës. Cenzura ndaj studiozëve dhe fshehja ndaj studentëve e faktorit primar të ndërmarrjes historike të tij, shpjegon përse-të dhe ndërdyshjet e mësipërme. Ruajtja e identitetit religjioz, sikundër deduktonte Çabej, asokohe do të thoshte së pari ruajtje e identitetit europian të trevës dhe të gjindjes; e së dyti (për efekt të lavrimit të një kulture rajonale në gji të këtij identiteti), edhe ruajte e përkatësisë etnike nëpërmjet lavrimit të një koineje letrare të përbashkët.

    Fjalori i Frang Bardhit e ngërthente brenda vetes këtë dëshmi sa identitare aq edhe gjuhësore. Dhe është vërtet për t’ardhur keq se si një libërth me volum kaq të vogël, porse të parin Fjalor të gjuhës shqipe, shteti shqiptar gjatë Periudhës së Socializmit nuk e botoi kurrë, në asnjërën nga format e mundshme të paraqitjes së tij. Ndonëse vepra monumentale u interesonte sa albanologëve që merreshin mirëfilli me çështjet “e mëdha”, aq edhe studentëve, bibliofilëve etj., ky monument nuk u “zgjodh” të përshfaqej për gjithkënd, pasi me çështjet “delikate” duhet të merrej vetëm një grup i kufizuar njerëzish, të cilët, të nisur nga çelësa jashtëhistorikë dhe jashtëgjuhësorë, duhet ta përkthenin këtë kontribut të madh humanizmi vetëm nën dritë dogmatike me bazë revolucionare. Ndryshe nuk ka si shpjegohet ky mosbotim.

    Fjalori shpalonte pa kurrfarë ndërdyzje identitetin tonë. Fjalori shpalonte pa kurrfarë ndërdyzje një tjetër identitet tonin. Dhe është ky shpalim që e bën atë modern sot e gjithë ditën, anipse kanë rrjedhë gati katër shekuj nga hartimi i tij. Ndaj po e hedhim në tregun kulturor këtë botim anastatik të “Dictionarium Latino-Epiroticum”, duke ua ofruar të gjithëve, studiuesve, studentëve, bibliofilëve, atyre të cilëve ideologjia sot nuk ua verbon më tejqyrën historike, e që kanë tash mundësi ta njohin në mënyrë intelligere Frangun tonë Ogurbardhë, si rojë të evolucionit dhe continuum-it tonë identitar.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË