nga Josif Papagjoni
…Ishte një “goditje” për mua kur lexova romanin “Fjala e fundit e Sokrat Bubës” të Thanas Medit. Qe thuajse një afresk antropologjik për vllehët, zakonet dhe doket e ngulura në shekuj ekzistence; qe shpirti prej nomadi i tyre që ecejakej maleve me bagëtitë dhe cekte mbrëmjeve perëndimet e diellit, hënën, dashuritë, pllenimet, magjitë, krejt kozmosin, që bekonte mendjen fluturake teksa bënte bashkë mitet dhe të vërtetat e jetës së vështirë prej çobensh me “shtëpitë” ngarkuar mbi kurrize mushkash, dhe përbri tyre një dashuri tragjike, gati një kokëkrisje, me një personazh të veçantë si Katerina që të mbetej në mendje. Kjo prozë e bukur dhe me horizont u pasua me romanin e dytë që lexova nga Thanasi, “Kohë e djegur”, tanimë si një kaligrafi për dashurinë, virtutin njerëzor, dinjitetin, jetën e emigrantit, por që i ikte asaj “magjie” të romanit të parë, i ikte “hënës” dhe mbrëmjeve të mbushura me mistikë njerëzore. Gjithsesi, romani lexohej shpejt, kishte jetë brenda, të vërteta të shpirtit dhe një vështrim dhembshurisht prekës për situatën e njeriut në tokë të huaj, e bri saj situatën dashurore të tij në luhatjet e kuptueshme të paragjykimeve nacionaliste dhe jo vetëm. Së fundi ja ku lexova romanin e tretë të autorit me një titull disi të sforcuar, “Valsi i një dasme fantazmë”.
Te ky roman m’u duk një Thanas tjetër, disi më ndryshe; një shkrimtar që nuk ngarendet drejt narrativës epike dhe një hapësire ku përfshihet aq shumë shtresimi joshës antropologjik me gjithë mënyrën e jetesës, me të dhënat historike, me shtrirjen e subjektit dhe zhvendosjet e veprimit sa andej këndej (si te “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”); as një shkrimtar që e shndërron raportin dashuror në pretekst për të thënë diçka më shumë se aq, madje për të shquar afrime e dallime mes dy popujve miq, shqiptarëve dhe grekëve, projektuar falë një subjekti plot kureshtje, suspansë e pjellori ngjarjesh, gjer dhe me të papritura të besueshme e kokëshkrepje por nën përligjjen e arsyes. “Valsi i një dasme fantazmë” është një roman që ndjek parimin e ndërtimit kapilar, pra të një strukture “qelizore”, si në një “bërthamë”, prej nga projektohet më tutje midisi; një roman jo fort i hapur në mese sociale, politike, historike, zakonore, por i ngujuar më së shumti në një nyje, atë midis Andonit dhe Markelës. Madje, edhe kjo vjen përmes dhe përbrenda mendjes së personazhit zotërues, Andonit, herë si rrëfim në vetën e parë e herë e alternuar me vetën e tretë. Sa i përket anës së strukturës a tipologjisë së romanit, në këtë mënyrë nga një personazh kalohet dhe flitet për personazhet e tjerë, ndërsa këta të fundit, “të tjerët”, filtrohen, përthithen, pohohen, vlerësohen po prej këtij personazhi. Përftesa është, pra, e dyfishtë. Një mënyrë e tillë ngjan tejet e njohur, e afirmuar, e bërë “klasike” tashmë në letërsinë botërore dhe atë shqiptare. Veç Andonit, Markelën e dëshiron dhe një tjetër, Leko karrocieri. Pra, gjendemi në skemën: dy mëtues për të njëjtën femër. I pari i pagdhendur, i pashkolluar, i shëmtuar, por guximtar, marrok; i dyti i shkolluar, i tjetërsuar, me një shpirt të pasur, marrëzisht i dashuruar, por i trembur, pa nisiativë, diku-diku edhe tinëzar, xheloz.
“Valsi i një dasme fantazmë” është një roman për dashurinë. Por për dashurinë e pamundur. Është një roman për bukurinë, por që rrënohet nga e shëmtimi i jetës. Bukuria e femrës thyen rregulla, ligje, norma, shemb njerëz të fuqishëm. Markela është një vajzë kryeqytetase prej një familjeje që është goditur nga pushteti komunist, e internuar në një fshat ku femrat dhe gratë digjen nga dielli dhe punët e rënda, ndaj dhe shëmtohen herët. Bukuria trondit. Por edhe respektohet. Lakmohet. Siç lakmohet edhe Markela nga shumëkush. Në një fshat të humbur diku, ajo vjen si diell e dritë. Shkrimtari i blaton kësaj vajze gjithë hiret e bukurisë, sa dhe të mirësisë. Ideja e fuqisë hipnotike të bukurisë është përcjellë bukur nga autori. Ai përdor një mënyrë të shkruari të stilit të “ngritur”, me flukse lirike e poetike, por që diku-diku mund të ishin me të shkartisura, për ta ruajtur sensin e masës, realitetin ku dhe si ai ngjet. Gjithsesi, faqe të tëra i rrëmben ky stil i shfrimeve lirike prej një narrative letrare që parapëlqen qasjen romantike dhe që bëhet vërtetë e pëlqyeshme për lexuesin. Kjo posaçërisht për bukurinë dhe sfidën e saj, në një rreth social ku femrat e fshatit, të sfilitura në punët mundonjëse të bujqësisë, mes zhegut, shiut dhe acarit, ngjajnë si fytyra të përvuajtura, groteske e të mashkulluara. Në hyjnizimin e bukurisë femërore proza e Medit bëhet poetike. Krahas fuqisë hipnotike, bukuria ka dhe fuqi morale, përtëritëse, riformuese. Këto dy linja gërshetohen, por më e besueshme mbetet e para. E dyta më shumë pohohet sesa njëmendësohet si e tilla. Ajo nuk ka gjetur dot njëvlerësin e dëshiruar në episode ku eleganca, qytetaria, brishtësia dhe bukuria shpirtërore e Markelës si njeri të gjenin po atë lartësi e të formonin po atë kult, siç ka gjetur e formuar edhe bukuria fizike e saj si femër. Sepse kjo penelatë është përzier me pamundësinë e dashurisë prej vajze të ndëshkuar nga regjimi, e internuar, e përveçuar, me një djalë të ri që është, përkundrazi, i lidhur me pushtetin, por që habitshëm bëhet bartësi i refuzimit të këtij pushteti (jo drejtpërdrejtë, por si meditim, shpirtërisht). Përpos treshes Andon-Markela-Lekë, romani sjell disa portrete që përfaqësojnë pikërisht atë kohë të mbrapshtë, ndër ta më i spikaturi është operativi i zonës, Gafur Bisha, me gjithë linjat e zeza të mundshme, zullumet, syrin hetues, si edhe kryetari i kooperativës, Xhevo Kumini, sa dogmatik aq dhe imoral. Falë tyre dhe përsiatjeve të Andonit shkrimtari e bën të shfaqshme zezonën e asaj kohe të zymtë, kur liria mungonte, edhe liria për të dashuruar pengohej, tok me gjithë mjerimin që dhemb.
Shkrimtari e ka mbajtur Markelën në linjën e bukurisë erotike, krejt e pastër, si pikëz loti. Thuajse e ka “ëngjëllizuar” atë. Unë do të mendoja se femra të tilla, sado fatkeqe, sado të dëlira, sado me hiret tunduese të bukurisë, nuk mund ta tejkalojnë rrethanën ku ndodhen, pra dhe një mënyrë sjelljeje të atillë që të ishte edhe më pranë të vërtetës. Çka dua të them me këtë? Paçka se ajo e pranon dashurinë e Andonit, nuk mund të mos cysë tek ai interesin e saj për t’u martuar përnjëmend me të, me qëllim që të siguronte jetën dhe të përmirësonte gjendjen e vet sociale. “Martesa” që sajon autori, duke bërë dashuri fshehurazi në shtëpi, në pranim e besim reciprok, qoftë dhe me një unazë të dhuruar, është më shumë një lloj fiksioni a klisheje romantizante duke e kthyer Markelën në iluzionin e të mundurës dhe të vërtetës, por jo vetë të mundurën dhe të vërtetën. Më e besueshme dhe e përligjur paraqitet marrëdhënia e Leko Zavallit me Markelën, rrëmbimi i tij, pasioni i tij erotik, kokëkrisja e tij, sikundër edhe arrestimi i tij, sepse ai e kishte quajtur partinë “bajgë”, ashtu i nxehur me të atin komunist, i cili kërkonte që të hiqte dorë prej saj. Por Leko Zavalli s’hoqi dorë, gjer në burgimin e tij. Ndofta e tepërt dhe e pagjetur këtu është sajimi i një truku me rrufe, alivani, shpëtim jete, për të përligjur “puthjen” e Markelës prej tij, sikundër “spiunimi” në organet e sigurimit të shtetit prej të atit. Ndofta kjo e fundit duhej përligjur disi më ndryshe, për shembull me frikën e një ndëshkimi si familje kur s’ke nga ia mban etj.
Në modelin rrëfimor të romanit përmes mendimeve dhe përjetimeve të heroit në të tërën e vet sillet në mënyrë realiste koha, shoqëria, e vërteta. S’them kurrgjë të panjohur të kujtoj se letërsia operon me të “mundshmen” dhe do të ishte gabim trashanik t’i kërkoheshin asaj ngjashmëri fotografike me këtë apo atë bëmë, ngjarje, subjekt, njeri, jetë etj. Por e “mundshmja”, pa e përjashtuar të veçantën dhe aventurën, lipset të krijojë atë që rëndom e quajmë “e ngjashme”, atë që na bashkëshoqëron, që është asociative. Këtu fjala është për atë tipologji romanesh që ndjekin, pak a shumë, linjën realiste dhe formën klasike e tradicionale, sikurse është edhe ky roman. Në këtë pikëpamje, teksa e mbarova, mua më lindën disa pyetje, që ia bëra disi ndërdyshas vetes, por që, ndofta, me to mund të bashkohen edhe të tjerë lexues. E para është raporti me të vërtetën. E vërteta shqiptohet si e tillë përmes pohimeve të personazhit të Andonit, vuajtjeve të tij në dashurinë që ka me Markelën. Andoni është komunist, është zgjedhur sekretar i organizatës bazë të partisë së fshatit. Ai sillet aq fort i “dashuruar” saqë sikur e harron se në ç’rrethanë jeton, duke e sfiduar atë. Ai “martohet” në mirëbesim me Markelën e bukur, por jo me kurorë e dasmë. Është një rrethanë e sforcuar, sipas meje. Vështirë të gjendeshin asaj kohe njerëz të tillë, që të bënin veprime kësisoj pa llogaritur mirë fatin e fisit të tyre, “biografitë”, jetesën, ca më tepër që ai është edhe sekretar i partisë dhe dashuria me një të internuar është më shumë një klishe e paradigmës letrare të deheroizmit, e mirëpritur në vetvete, por që te ne nuk pati eksperienca letrare në periudhën e realizmit socialist. Aq më tepër, pas vitit 1990, liria e shprehjes dhe njohja e së vërtetës e bën thuajse të tepërt këtë model a klishe letrare të tejkaluar. Për mua ishte thuajse e pamundur nga pikëpamja logjike dhe historike dashuria e Andonit me Markelën. Ky do të ishte një artific. Ajo vjen më shumë nga sot sesa ishte përnjëmend e tilla dje. Dhe duke e kuptuar këtë pamundësi, autori rreket ta përligj me dytësin që ka sajuar brenda vetes së Andonit, figurën e “skuthit”, pra me ndërgjegjen e tij të traumatizuar, që është pikërisht e vërteta e tij, frika e njerëzve për të dashuruar përkundër asaj që ishte kthyer tashmë në “normë” politike: refuzimit që u bëhej të ndëshkuarve nga pushteti, ndjekja e luftës së klasave, biografitë politike etj. Tok me këtë gjetje interesante, domethënë me dytësin tonë që na tmerron, me kipcin, me tjetërsimin, shtirjen, autori ngulmon në zhbirilimin e botës së brendshme të Andonit, aty ku dhe fle protesta e tij e heshtur, frika, tmerri nga syri dhe veshi i opinionit, i ideologjisë dhe i sigurimit të shtetit, duke bërë pohime që përkojnë me akuzën ndaj regjimit, kohës, komunizmit, diferencimit klasor, shkeljes së të drejtave të njeriut, mungesës së lirisë, rregullave të ngurta e shtypëse, privimit të dashurisë etj. Kësodore stigmatizimi i të keqes, i regjimit nuk vjen përmes veprimit, por përmes meditimit dhe përjetimit të Andonit si kryepersonazh. Kjo do të ishte tërësisht e përligjur nëse autori nuk do të bënte personazh kryesor Andonin si një sekretar partie por, ndofta, një Andon riosh “tjetër”, që i blatohej dashurisë, që binte në konflikt me familjen, shoqërinë, vetëdijen zotëruese të kohës. Një Andon siç qe Leko Zavalli, i cili doemos do të pranonte edhe “rrëzimin” dhe fundosjen e tij, ndëshkimin me punë të rënda, refuzimin e shoqërisë, ftohjen me të afërmit, ndofta dhe internimin. S’ka dyshim se kjo zgjidhje do të përkonte me gjasën tipike të kohës. Por Andoni sitip social nuk e jep këtë shans. Ai është më shumë “vetvetja” e autorit të supozuar në një rrethanë të tillë, pra një alterego e tij e sotme. Andaj dhe krijon jo pak hendeqe në besueshmërinë sociale. Shkrimtari e di fort mirë se dashuria e Andonit me Markelën ishte e dështuar qysh në kryeherë. Ai do që ta shprehë dhe ta marrë në mbrojtje këtë dashuri (të mundshme, por të parealizueshme), por nuk ka se si, rrethana nuk ia lejon, përndryshe romani do të rezultonte në një gafë dhe shkelje të së vërtetës. Atëherë shkrimtari detyrohet të krijojë artificin e vet: në një çast dyzimi dhe frike nga “skuthi” (vetvetja) që po e shihte e po e ndiqte gjithandej tek dashurohej aq haptazi, ditën me diell, me Markelën, Andoni e mbyt si padashje atë. Ajo vdes. S’më duket një fund i gjetur mirë, ngjan i papërligjur. Paçka se kërcënohet prej Gafur Bishës, ish operativit të bërë kryetar kooperative, që mos të shkojë në varrimin e saj, Andoni shkon kokëfortësisht, madje mban edhe një fjalim morti. “Sot i dhamë lamtumirën bukurisë, varrosëm ëndrrat, Markela ishte një ëndërr…” Te këto pak fjalë është krejt ideja e romanit, gjetja letrare e autorit: pushteti i bukurisë. Por a mund t’i thoshte një sekretar partie i asaj kohe këto fjalë apo është thjesht një dëshirë, një figurë e moderuar, që vjen nga sot, ndofta është autori i fshehur pas saj. Me peshën e vdekjes që e thërmon krejt, Andoni pa dashje e qit krimin që ka bërë me një klithmë, kur njerëzit tashmë kanë ikur nga varreza: “ Unë e vrava, unë e mbyta me këto duar…” Dhe përtej këtij pohimi, përkundrazi, shkrimtari sikur na thotë: “Markelën nuk e mbyti Andoni, por diktatura komuniste që dhunonte liritë e njeriut përmes luftës së klasave, e mbyti koha e egër që vriste dashuritë, që cenonte dinjitetin, që varroste ëndrrat për pak lumturi…” Ide të tilla na kujtojnë kohë të zymta, kur njeriut i mohohej më e bukura dhe më e pafashmja gjë: DASHURIA. Ja, kjo është ajo që na bën për vete dhe na dhemb fort te ky roman…