More
    KreuLetërsiBibliotekë"Kulla" nga Malcolm Greenwood

    “Kulla” nga Malcolm Greenwood

    Më ishte bërë zakon të shkoja e të qëndroja pranë kullës, sepse gdhendjet e saj të ndërthurura dhe piedestali tepër i madh, kishin diçka që më magjepste. Kur isha ende në moshë të njomë, ajo lartësohej mbi mua në mënyrë të tillë që në momente të caktuara të ditës parvazi i saj anësor që sillej rrotull pjesës së sipërme të bazës nga ku vetë kulla fillonte ngritjen meteoritike, lëshonte një hije, e cila mbulonte pjesërisht masën spazmatike të figurave të bas-reliefit në granit të kuq.

    Mund të ketë qenë lakuriqësia e pjesshme e bas-reliefit që tërhoqi syrin tim adoleshent, ndonëse unë mund të dëshmoj se, në vitet që vijuan, vura re se në atë ngatërrim trupash nuk kishte asgjë të pahijshme. Akoma nuk jam në gjendje ta përcaktoj nëse ishin meshkuj apo femra dhe se ç’bënin ata aty, në merrnin pjesë në një valle fisnore apo në ndonjë festë të moçme, a bëhej fjalë për një luftë të hershme apo primitive. Përgjigje nuk kam pasur kurrë, dhe në të vërtetë, për një kohë të gjatë as që e vrisja mendjen për një gjë të tillë; edhe pse kurrë nuk kam guxuar të pyes, duket se askush nuk e ka idenë, dhe për më tepër, as edhe dëshirën për ta ditur.

    Ishte ndijimi i lëvizjes, i gjithë atyre trupave njerëzorë që lakoheshin mbi njëri tjetrin që gjithmonë më joshte mua. Në Galerinë Publike ishte ekspozuar dikur një pikturë, e cila prodhonte të njëjtin efekt tek unë. Ishte një pikturë me kalorës që, mbi kuaj, ecnin me të katra në mes të betejës, troshiteshin pareshtur lart e poshtë, dhe bindshëm vërsuleshin drejt teje; natyrisht, ajo ishte thjesht një pikturë, dhe për pasojë, gjithçka aty ishte tërësisht statike.

    Kur iu afrova kullës nga afër, me trupin tim jo më të gjatë se një katedër, pjesa kryesore e saj që fillimisht fshihej nga parvazi i cili ndodhej më sipër, lartësohej aq rrëmbimthi, saqë ishte  e pamundur për të pasur një ide sesa e lartë ishte; pa dyshim, në këtë mënyrë, lartësia e kullës dukej më e madhe se ç’ishte në të vërtetë. Sidoqoftë, edhe pse nga distanca arrije ta shikoje skajin e fundit të saj, ishte e pamundur të gjeje një vend të përshtatshëm nga ku ta vështroje në perspektivë në gjithë tërësinë, dhe kjo për shkak se baza e saj ishte mbuluar nga dheu i shembur përreth.

    Kësisoj, unë tregova një interes të veçantë kur u formua Lëvizja e Re, e cila haptazi përvetësoi kullën si emblemën e vet. Nuk dua të them se detyrimisht bëhej fjalë për të njëjtën kullë, por gjithsesi edhe kjo ishte një e tillë, dhe lidhja me të sigurisht ekzistonte në mendjen time. Pavarësisht nga aspiratat e mia rinore për një botë më të mirë, unë nuk i përkisja asnjë lloj orientimi politik, ndaj dhe asnjëherë nuk më shkoi ndërmend të bëhesha pjesë e Lëvizjes apo të interesohesha për politikat e saj; edhe ndikimi magjepsës që vinte nga emblema nuk luajti ndonjë rol, megjithatë, sa herë që përfaqësuesit e saj dhe aktivitetet e tyre përmendeshin në edicionet e lajmeve, me shumë vëmendje, unë zgjatja veshët si të isha një koleksionist i pullave të postës apo të kutive të shkrepëseve, të cilit syri i kap diçka interesante.

    Ja kështu, pra. Mbarova shkollën dhe studimet e larta dhe fillova punë, por kulla ishte gjithmonë aty, e vizitoja, dhe aty vështroja sërish gdhendjet misterioze, figurat që hidhnin valle, apo ç’ka bënin aty, a thua se ekzistenca e tyre varej pikërisht nga kjo, edhe pse ishte e qartë se ato nuk kishin kurrfarë pikësynimi dhe destini.

    Pasi kishin kaluar disa vite dhe mahnitja ime fillestare u venit e u shndërrua në diçka më të arsyeshme, dikush ma vuri në dukje se, në të vërtetë, ndërtimi i kullës nuk kishte përfunduar kurrë. Përse vallë të mos ishte çuar deri në fund ndërtimi i plotë i saj? Ky ishte një tjetër mister jo më pak i madh sesa ndërtimi i vetë kullës. Sidoqoftë, nuk mund ta mohoje se, nëse asaj i hidhje një vështrim të kujdesshëm në ato raste të rralla kur ndriçohej kundrejt një qielli të errët, dukej qartë se pjesa e sipërme ishte prerë me saktësi dhe njëkohësisht të jepej përshtypja se pinakulli kurrë nuk kishte qenë vendosur në majë. Kur ndodheshe pranë bazës, kjo nuk ishte e lehtë për t’u konstatuar, por nëse e shihje në perspektivë të plotë, dhe dije se çfarë të kërkoje, gjithçka bëhej shumë e qartë.

    Tani që po e shikoja me një sy tjetër, vura re se aty kishte diçka që më bëri përshtypje. Kulla ishte ndërtuar me blloqe të mëdha, besoj se duhej të ishin pesë të tillë, të vendosur njëri mbi tjetrin, në piedestal. Sigurisht, nga njëfarë largësie nuk mund ta shquaje nëse ato me të vërtetë ishin blloqe të plota guri, apo blloqe që përbëheshin nga gurë më të vegjël të vendosur aty me mjeshtëri; nëse qëndroje pranë kullës, ishte e pamundur që atë ta ekzaminoje me imtësi, dhe kjo për shkak të këndit të ngushtë të perspektivës dhe lodhjes që i shkaktohej syrit. Gjëja më e çuditshme ishte se me shikimin e parë të krijohej përshtypja se në secilën prej pesë pjesëve kishe të bëje me të njëjtin tip gdhendje, por në të vërtetë, ato kishin një ndryshim midis tyre që shkonte nga një ndryshim i hollë në një krejtësisht të dukshëm. Dukej se këtë ndryshim nuk e kishte vënë re askush, por edhe nëse dikush e vinte re tregohej indiferent, ndaj edhe unë nuk fola me askënd për këtë çështje.

    Sidoqoftë, ajo që ma ringjalli interesin ishte një fjalë që filloi të qarkullojë në atë periudhë, sipas së cilës Lëvizja kishte propozuar kompletimin e kullës. Me sa kuptova, përsëri kjo nuk ngjalli ndonjë interes te njerëzit. Ata ngrinin supet dhe largoheshin në punët e tyre; ndërsa mua kjo më mundonte dyfish, sepse ma tërhiqte vëmendjen në dy drejtime të kundërta, njësoj si në ato situatat ku ti pëlqen t’i qëndrosh besnik diçkaje me të cilën je familjarizuar, por edhe ngaqë njohja e ka bërë atë pjesë të qenies tënde; në këtë mënyrë e ke të vështirë të ndahesh prej saj, ndërkohë, në të njëjtën kohë lakmon me padurim diçka të re që mezi e pret edhe pse nuk mund ta dish me siguri, derisa është tepër vonë, se ajo është më e përshtatshmja për ty. Kësisoj, nga njëra anë dëshiroja ta shikoja kullën të kompletuar, nga ana tjetër e kuptoja se një ndjesi negative ma përshkonte trupin sa herë që mendoja se kulla do ta humbte pamjen e saj, gjë që për mua kishte qenë e njohur e me vlerë për shumë vite. Ishte e vërtetë se doja ta shikoja kullën me pjesën e gjashtë të saj, lavdinë e kurorëzimit, siç edhe pretendohej, por kush do të ishte i aftë për ta kthyer atë në gjendjen e mëparshme nëse efektet e kompletimit nuk do të ishin të kënaqshme? Askush nuk do të ishte në gjendje ta bënte këtë apo të tregonte interes për kthimin e saj në gjendjen e mëparshme, sepse ekzistonte frika që nivelet e mëposhtme mund të pësonin dëm, prandaj me ta përfunduar kompletimin, gjithçka do të mbetej e pandryshueshme për gjithmonë.

    Filli i mendimeve të mia, pak a shumë, luhatej në këtë linjë. Nëse Lëvizja pretendonte se ishte e destinuar për vendosjen e seksionit të gjashtë dhe ndërtimin përfundimtar të kullës, cilët vallë kishin qenë ata që kishin marrë përsipër ndërtimin e pesë seksioneve të tjerë gjatë gjithë historisë së saj? Ishte kjo një kureshtje që më brente nga brenda. Përfundimisht, e binda veten për të shkuar te Qendra Arkivore Publike me synimin për të pyetur nëse aty kishte ndonjë dokument që lidhej me ndërtimin e kullës. ‘Në lidhje me kullën?’ u përgjigj punonjësi me njëfarë toni në zërin e tij, a thua se po i kërkoja një shpërndarësi librash një material pornografik, për besimtarët. ‘Zakonisht, këtu nuk na kërkohen gjëra të këtilla,’ shtoi ai. Ai më shoqëroi në gjysmerrësirë deri te disa grumbuj librash, dhe pranë një llambe të ulët në një cep të errët të dhomës, zbriti një libër të rëndë dhe voluminoz, me kapak lëkure dhe të mbuluar nga pluhuri. ‘Ky libër nuk jepet për lexim në shtëpi,’ tha ai, ‘por, ju mund ta lexoni këtu.’ Fjalët e tij më lanë një shije midis tinëzisë dhe fajit, megjithatë unë u ula në një stol të vogël mes atij muzgu artificial dhe sforcova sytë tek hodha shikimin mbi ato faqe të zverdhura pergamenë. Herë pas here, tek shfletoja librin, thjesht duke i hedhur një shikim, rastësisht syri më kapi disa gdhendje që dukeshin si gravura në dru. Aty ishte baza e kullës, një plan i parë i gdhendjeve, dhe më pas kulla me seksionet e ndryshme të saj që lartësoheshin në mënyrë progresive. Më tej, libri mbaronte papritur, si të ishte lënë i papërfunduar: një duzinë faqesh ishin bosh dhe asgjë nuk ishte shkruar mbi to.

    Në Qendrën Arkivore u riktheva mjaft herë, dhe sa herë që shkoja aty, punonjësit e saj më hidhnin një shikim të çuditshëm. Vetë libri i historisë së kullës ishte i vështirë për t’u kuptuar; nëse kjo vinte nga vjetërsia e tij apo nga stili enigmatik i autorëve, këtë nuk isha në gjendje ta përcaktoja. Fjalët ishin shkruar në gjuhën time, por mënyra e renditjes së tyre në fjali i shndërronte ato pothuajse në një gjuhë të huaj; ende isha i paqartë për shumë gjëra, por papritur Lëvizja filloi të spikasë në jetën e përditshme të njerëzve, dhe pa kaluar gjatë, ajo shpalli zyrtarisht synimin e saj për kompletimin e kullës. Pritej të caktohej një datë, gjithashtu, kishin përfunduar marrëveshjet për gdhendjen e bllokut të fundit prej graniti të kuq, sipas modelit më të mirë.

    Nuk kishte as më të voglin dyshim se unë do të isha i pranishëm në kurorëzimin e punimeve. Në orën e caktuar u ndodha atje mes turmës, jo shumë larg nga baza e kullës; në atë çast më erdhi ndërmend gdhendja në bllokun e parë me trupat njerëzorë që dukeshin sikur lëvrinin; mos vallë aty pasqyrohej lindja e një humaizmi të ndryshëm, i cili do të luftonte për vendosjen e një rendi të ri kundër kaosit fillestar? Kjo ishte e vështirë për t’u perceptuar, për më tepër, ky lloj interpretimi trazohej nga një dyshim i rrënjosur thellë që i fshehur qëndronte në gatishmëri për të mos lejuar mendime të tilla, sidoqoftë, patjetër që duhej të kishte një shpjegim tjetër, më të mirë se ky. Ndërkohë, turma priste protagonistët e Lëvizjes, të cilët pas inspektimit të nevojshëm të kullës, me ndihmën e një helikopteri të posaçëm, do ta vendosnin Pinakullin e Arritjes në majën e saj.

    Kur turma e madhe e njerëzve ishte mbledhur, ajo që kishte filluar si një ditë e bukur, papritur u kthye në një ditë të zymtë me re të dendura. Në momentin që blloku i madh i granitit të kuq po qëndronte pezull në ajër mbi pikën ku me shumë kujdes do të ulej, qielli u shndërrua në një sterrë të vërtetë, dhe e vetmja pikë e ndriçuar ishte pjesa ku një rreze drite që projektohej nga një pikë e ulët, krijonte një kontrast midis kullës dhe qiellit të errët. Në çastin që blloku i gurtë u ul në majën e kullës, një qetësi absolute sundoi përreth; papritur u dëgjua një zhurmë karakteristike që ngjasonte më shumë me një kërcëllimë dhe menjëherë copa të vogla guri u përhapën rreth e qark. Përmbushja e një destini të shumëpritur historik sapo kishte ndodhur, por ai moment shënoi gjithashtu shpërthimin e një stuhie të fuqishme.

    Njerëz të armatosur që ndodheshin me turmës, por që nuk ishin vënë re më parë, befas filluan të qëllojnë me armë drejt njerëzve të Lëvizjes. Pa vonesë u shfaqën aty edhe njerëz të tjerë, të cilët nxorën armët e fshehura dhe filluan të kthejnë zjarr. Paralelisht u ngrit një erë e fortë, që në fakt ishte fillimi i një stuhie; shiu i rrëmbyeshëm e përkeqësoi konfuzionin e krijuar, ndaj në mes të asaj errësire e pata të vështirë ta dalloja ngacmimin e pikave të shiut që binte furishëm, nga efekti i plumbave që fluturonin nga të gjitha anët. Por kjo nuk ishte e gjitha: disa sekonda më pas u dëgjua një gjëmim i fuqishëm. ‘Ndoshta është një rrufe,’ thashë me vete. Një zë i frikësuar e i alarmuar ushtoi: ‘kulla!’ U ktheva, hodha vështrimin lart dhe pashë kullën që filloi të lëvizë. Pas pak ajo u drodh dhe u mblodh galamsh pa zhurmë në mes të shiut që binte; retë e zeza ishin larguar disi, megjithatë kulla vazhdonte të ndriçohej çuditshëm kundrejt një qielli ende të errët. Pak nga pak, ajo u mblodh si një lëmsh dhe u shemb plotësisht.

    U lëshova përtokë, ndërkohë që gurë të mëdhenj filluan të bien në të dy krahët e mi; nuk po e merrja vesh nëse kulla ishte goditur nga një rrufe, apo thjesht gjithçka kishte ndodhur si rezultat i vendosjes në majë të bllokut final, pinakullit të shumë lëvduar të Lëvizjes, i cili me peshën e tij tepër të rëndë, kishte vithisur gjithë kullën. Mundet që, brezat e mëparshëm, të mençur e të ditur, me qëllim e kishin lënë atë të pa kompletuar.

    Në mes të qetësisë që vijoi, u ngrita në këmbë me kujdes, hodha vështrimin përreth dhe vura re se turma ishte shpërndarë. Pjesët e mbetura të kullës, tashmë krejtësisht të shkatërruar, ndodheshin mes trupave pa jetë, ndërsa piedestali i bukur pranë të cilit kisha qëndruar shumë herë në fëmijëri, ishte çarë gjithashtu në mes; figurat e bas-reliefit, të cilat dikur gjallëronin nga jeta, tani ta jepnin përshtypjen se po pushonin, dhe për përpjekje as që bëhej më fjalë…

    Me të rimarrë forcat, u ktheva tek Qendra Arkivore për t’i hedhur sërish një sy faqeve të fundit të librit me shpresën se aty mund të zbuloja arsyen që kulla ishte lënë gjithmonë e pakompletuar. Iu afrova rafteve të librave të mbushur me pluhur, dhe u shtanga kur pashë se libri kishte bërë këmbë.

     Përktheu nga origjinali: Aristidh Shqevi

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË