Kreu In memoriam Kujtime për Mehmet bej Alltunin

Kujtime për Mehmet bej Alltunin

Nga Ton Koka

M’u dukte nji mungesë detyre e do të kishe pasë bremje ndërgjegjejet mos me u lanë pasardhësave episode të jetës së këtij njeriu.

Nji ditë të bukur prandveret të vjetës 1949, ndërsa kryejshe punën e përditshme, Burton Rain më dorëzon listën e të arratisunve të porsambrrijtun në Trieste.

Më ra në sy emni i Mehmet Alltunit, për mâ tepër vendi i ardhjes: Aleksandri, Egjipt. Tue qenë se nuk ishte regjistrue në kampin e të ikunve, Kuestura e Triestes na njoftonte se, në bazë të ligjit në fuqi, e kishin autorizue me nji lejeqëndrim (soggiorno) për gjashtë muej.

Emni i tij nuk më ishte i panjoftun. E kishe ndie nji vjetë përpara nga Alush Lleshanaku (ish-mësues i jemi i edukatës fizike), pak kohë përpara se t’u niste për në ishullin Montekristo bashkë me një grup bashkatdhetarësh për stërvitje të fshehta me synim hedhjeje në malet e Shqipnisë së Veriut.

U njofta me Mehmet Alltunin në Caffè Tommaseo. Ishte me Maliq Tahirin, tregtar i pasun shkodran me banesë në Trieste, të cilin e pata njohtë në vjetin 1940. Mâ tepër se shtetësija e përbashkët na lidhi menjiherë lufta kundër anmiqëve të atdheut, kundra komunistave katila, shërbtorë të Moskës. Na lidhi një miqësi pa zhigla. Mehmeti ishte luftëtar kundra komunistave në Malet tona dhe unë në shërbim për të njajtin ideal. Mehmet Alltuni ka lé në Kavajë në vjetin 1904 nga një familje pronare tokash. Gjyshi i tij kishte marrë nga Turkija titullin “Bej”. Kuptova se titulli në fjalë nuk iu përshtatte. Mehmeti si edhe unë kemi qenë të pasun si familje, por të shpronësuem nga të gjitha pasunitë, të luejtshme e të paluejtshme. Na, faleminderës Zotit, u gjindëshim në nji vend të lirë, ndërsa të dashtunit tanë, të persekutuem e të burgosun në atdhé.

Mehmet Alltuni politikisht ishte me ndjesina mbretnore. Kishte hye në Greqi në vjetin 1944. Mbas dy muejve në Athinë kishte pasë marrë grishjen nga Zogu me shkue në Aleksandri, Egjipt. Në atë kohë Zogu ishte mysafir i mbretit Faruk, me origjinë shqiptare. Alltuni m’a kishte cekë se nana e tij dhe nana e Zogut ishin ilakà të largët. Në Oborrin Mbretnor në Aleksandri, Alltuni kishte përqafue miqtë e vjetër Irfan Ohrin e Sotir Martinin, ky i fundit ministër i Oborrit. Në Aleksandri u gjindte në mërgim edhe Viktor Emanueli III, ish-mbret i Italisë. Pamvarësisht nga e kaluemja historike (7 prilli 1939) të dy mbretnìt i kishin fshi ngjarjet e kalueme tue mbajtë ndërmjet tyne marrëdhanie të mira.

Në prandverën e 1947, në Aleksandri u zhvillue një takim ndërmjet këtyne personave: Viktori Emanueli III, Ahmet Zogu, Xhafer Deva dhe Ernest Koliqi. Lajmin e takimit e kam marrë nga Ernest Koliqi, por edhe Alltuni kishte qenë në dijeni. Alltuni më ka tregue se djelmët e Irfan Ohrit kishin mbrrijtë në Bavari (Gjermani) për me hye vullnetarisht në ushtrinë amerikane dhe ishte në kontakt me ta. Mbas shtatë muejve gjendja ekonomike e Alltunit ishte bâ kritike. E kisha vue oroe se nuk shkonte në Caffè Tommaseo. E kalonte ditën ndejun në bankë përballë Moles Audace, i zhytun në mendime për të kaluemen e me mallë për vendin e vet. Për vjetë me rradhë kishe hangër drekën në shoqnì të drejtorit të Postës së Triestës me emën Mario Falinger. Nji ditë në bisedë e sipër drejtori më tregoi këtë episod. Kishte mbrrijtë nga Gjermanija nji pako për njifarë Mehmet Alltuni. Pakoja në fjalë përmbante artikuj të paligjshëm, si: gjashtë napuljona ar, dy çakmakë dhe 1 kg duhan, të cilat nuk mund t’iu dorzojshin Alltunit.

Unë iu luta Marios me gjetë nji shteg-dalje tue marrë parasysh gjendjen e vështirë të tijën. Mario caktoi me ia kthye pakon dërguesit, që ishin djelmët e Ohrit, dhe me i shkrue që pakon ta nisnin përsëri në adresën e Mario Falinger, pranë Postës Qendrore në Trieste. Unë i shpreha mirënjohtjen. Gjithçka shkoi mirë e mbarë me kënaqësinë e plotë të Alltunit.

Ndërkaq afati i ndejes i Alltunit po merrte fund. Iu luta mikut, kolonelit Lee Blue, në atë kohë përgjegjës i Ministrisë së Brendshme të Qeverisë Ushtarake Aleate, me ndërhye pranë Kuesturës. Nuk qe e vështirë me e shtye lejen e qëndrimit të Alltunit, i cili edhe pse në ngushtësina ekonomike i dërgoi zojës së kolonelit një drandofile të kuqe në shenj mirënjohjeje.

Alltuni vinte shpesh në shtëpinë tonë i grishun për drekë e për darkë. Na fliste për pronat e tija në rrethet e Kavajës. I kishin mbetë birë në zemër kuajt që kishte pasë lanë atje. Ishte shumë krenar për kuaj lipizian e arab. Na kishte premtue se porsa t’u lironte Shqipnija do të ishim mysafirë të tij e do të kishim në dispozicion kuaj të mirë.

Temat nuk nga mungojshin, por ishe kureshtar me dijtë për veprimtarinë me çeta organizue në Malet e Mirditës. Vjetët e luftës ishin kohë të këqija për Shqipninë. Jugosllavët kishin në kontroll Partinë Komuniste e organizonin me anën e celulave të mbshehta kryengritje në gjithë vendin. Nji kundërmasë qe hymja në Tiranë e Xhafer Devës me 3000 kosovarë të armatosun nga gjermanët. Mbas natës së 4 frorit 1944, gjermanët i dhanë fuqi të plotë Xhafer Devës dhe mbas një mbledhjeje me parì e krenë mirditas, u organizue lëvizja për me zblue partizanët, kryesisht në zonat malore të Shqipnisë së Veriut. Armët, municionet e të hollat nuk i mungojshin Xhafer Devës. Shërbimet gjermane kishin njoftue Devën për hymjen në Shqipni të Milovan Popoviqit për të drejtue personalisht veprimet kundra gjermanëve. Deva njoftoi Alltunin, i cili me Alush Leshanakun e me njizet luftëtarë të zgjedhun kosovarë u drejtuen kah Selita për me rrethue Popoviqin. Përpjekja qe e ashpër. Fatkeqësisht, Popoviqi mbrrijti me i ikë rrethimit tue hy në Jugosllavi. Mâ vonë morën vesht se kishte pasë takim me Mehmet Shehun. Në atë veprim komanda, e përkrahun edhe prej gjermanëve, i doli në krye përleshjes tue vra në kaçore me dheta komunista të armatosun.

Nji ditë të tetorit 1943, në patrullë kërkimi bazash ushtarake në malet e Mirditës, Alltuni me grupin e tij u gjet përballë një aeroplani ushtarak rrëzue nga kundrajrori gjerman. Bante pjesë në grupin e disa fluturakëve drejtue te pusat e Ploestit, në Rumani. Një pilot kishte thye kambën dhe tjetri ishte bâ shkrumb e hi. Piloti amerikan, me emën George dhe me gradë kapiten, ishte përpjekë me u lidhë me komandën e vet, por pa sukses. Ai iu lut Alltunit mos me ia dorëzue gjermanëve. Kërkesa qe e randë, sepse Alltuni e grupi i tij ishin të mbështetun nga komanda gjermane. Megjithatë, aty për aty, Alltuni mori një vendim guximtar, natyrisht tue e paralajmue Xhafer Devën.

Simbas ligjeve të Kanunit shqiptar, kur edhe nji anmik, por që ti nuk e njeh për të tillë, i drejtohet banesës sate, ti duhet t’ia çelësh derën tue i dhanë bujtësì e mikpritje. Alltuni mendoi se kjo rrethanë hynte në rasa të parapame të ligjës kanunore. Gja e çuditshme, por edhe Deva qe i të njajtit mendim.

Kapiteni George, një natë, me shumë kujdes qe sjellë në Kavajë, në banesën e Alltunit ku edhe gjeti mikpritje. Mjeku i familjes e mjekoi. Për dy muej kambën ia mbajti në allçi deri sa muejti me ecë pa ndihmën e terfurkëve. Kapiteni e kishte kuptue rrezikun me të cilin përballohej familja për strehimin e tij. Alltuni më thonte mue se me kapitenin u merrshin vesht me anë të mjekut, i cili e përçapte anglishten. Kapiteni George kishte nji natyrë të qetë, me sjellje shembullore. E kalonte ditën tue ndigjue radion me valë të shkurta e prandej ishte në dijeni të fateve të luftës. Nuk donte kurrsesi me shkue kundra ndjesinave politike të njerëzve që i kishin dhanë strehim. Alltuni sa herë m’a kishte çekë se mikut nuk i kursejshin me i gatue gjellë të shijshme e me gjetë në treg, ose me anë të miqve, ndoj peshk të freskët, pemë e barishte të dorës së parë. Tue qeshë me te i permendsha shprehjen e urtë shkodrane: “Je tue e mbajtë si ellin në dërrasë.” Shqiptari ka zakone të vlefshme që vështirë t’i ketë një tjetër popull: besën e bujarinë. Porsa u shndosh, kërkoi me përdorë kodin për me muejtë me kumtue me komandën e vet. Të gjitha gjanat e kapitenit ishin në një strajcë ushtarake. I ruente Mehmeti, me çelës, në një raft të shtëpisë, me urti e me mende të preme.

Kapiteni ia doli me u lidhë me komandën e lajmoi Alltunin se në orën dhe datën e caktueme, një nëndetëse e marinës së SHBA-së do t’iu aviste shkambit të Kavajës për ta marrë me vedi. Me sa mbante në mend Alltuni, data kishte qenë 29 ose 30 dhetor, ora 23.00. Sidoqoftë, Alltuni e kishte njoftue kapitenin se lufta kundra njësive të anmikut ishte përherë e mâ e vështirë. Asgjamangut Alltuni kurrsesi nuk do t’iu dorëzonte komunistave e kështu që i mbetshin dy rrugëdalje: vetvrasja ose ikja në Greqi. Kapiteni ishte vazhdimisht në kontakt për vërtetim të pregatitjeve të fundit. Sigurija, gjaja mâ kryesore.

Qe nji natë pa hanë. Në nji barkë me rrema hynë Alltuni e mjeku. U dhanë shejet paracaktuese me nji llampë të mekun. Rreth 1500 metra nga bregu, doli në sipërfaqe trajta e nëndetses. Ishte ajo e marinës së SHBA-ës. Jo shumë metra nga ky lugat i detit, nji sandall me motor me zhurmë të lehtë me dy marinarë, iu afrue barkës me rrema. Nji çast i paharrueshëm për të dyja palët. Ai, që e përjetoi këtë fakt gjeti në mbrendësinë e zemrës një kënaqësi të pashoqe. Nga nji vend i vogël e i stervuejtun, nji luftar i pafat i pështon jetën një ushtarit të nji kombi të madh. Kapiteni George i shtrëngon dorën Alltunit ndërsa mjekun e përshëndet me nderim ushtarak, e tue u zhbajtë në sandallin e marinarve shqipton këtë falenderje: “I will never forget your kindness.” (“Kurr s’kam me e harrue mirësinë tuej”.) Mikpritja e dhanun nji anmikut me fat, përfundoi në nji natë të errët, në det pranë Shkambit të Kavajës. Ligja e vjetër e Kanunit, nji shembull i rrallë në historinë e popujve, qe nderue mâ së miri, por rreziku që përballoi Alltuni qe tepër i madh. Mjaft me mendue pasojat e hatashme nëse do të ishte zbulue prej gjermanëve. Për çdo ditë Alltuni e kishte vue në dijeni të fakteve Devën, që në atë kohë ishte Ministër i Brendshëm i Regjencës në Tiranë.

Pak muej e kapitulli i qëndresës antikomuniste mori fund. Alltuni doli në Greqi, kurse Deva me mjete ushtarake gjermane hyni në Austri. Atje u martue me nji grue nga Innsbruck dhe në vjetin 1950 u transferue në Romë. Në Romë shkoi edhe Alltuni mysafir i mikut të ngushtë Gjon Markagjonit.

Detyra më qiti në qytetin e amëshuem dhe atje pata rasën me ngranë drekë bashkë me Devën dhe Alltunin. Të gjitha përmbajtjet e këtyne faqeve u vërtetuen.

Në vjetin 1955 Deva emigroi në Amerikë. Jetoi në Pale Alto, California. Ka punue pranë një shkollës së mesme si sekretar.

Një ditë të tetorit erdhi në zyrën ku punojshe koloneli Lee Blue. Më njoftoi se të nesërmen më priste bashkë me Alltunin në prefekturë. U çudita dhe i kërkova shkoqitje. Nuk më tha kurrgja veçse më siguroi se nuk ishin probleme. Kur e njoftova Alltunin, u shqetësue mjaft. E qetësova tue i dhanë pikëpjekje ne e nesre në orën 09.00 në Caffè Specchi, pak hapa nga prefektura. E kaluem pragun e prefekturës ndonji minut përpara kohës. Roja e paralajmërueme, na shoqnoi në zyrë. Aty gjetëm kolonelin Lee Blue, nji oficer anglez dhe përfaqësuesin e qeverisë italiane.

Koloneli Blue nxori nga xhepi nji zarf me përmbajtje nji letër nga Pentagoni. Letra i drejtohej Mehmet Alltunit. Qe teksti: “Ministria e Mbrojtjes së SHBA-së ka nderin me falenderue Mehmet Alltunin për ndihmën e madhe dhanë kapiten George (nuk më kujtohet mbiemni i tij), në rrethana tejet të vështira. Kumtimi zyrtar me hollësina të rastit përpilue nga oficeri ynë gjindet në arkiv të Pentagonit. Një falenderje të posaçme zojës Alltuni, gjithashtu mjekut për ndihmën e gjatë për shërimin e kambës. Pentagoni i dërgon këtë çek 5000 dollarësh për shpenzime banese, ushqimi e shpenzime mjekësore.”

Unë isha përkthyesi. Alltuni kërkoi fjalën dhe u lejue.

“Zotni, pikësëpari ju duhet ta dini se oficeri i juej ishte rob lufte, ishte anmik, sepse në atë kohë ne ishim aleat me Gjermaninë. Oficeri na ka besue se nuk ia dorëzojshim gjermanëve. I kemi dhanë mikpritje në shtëpinë tonë në saje të ligjit të vjetër kanunor, në bazë të të cilit nëse anmiku troket në derë, i lejohet mikpritja për 24 orë. Për oficerin tuej kemi marrë parasysh rrethanat e ndryshme. Përsa i përket kombit tuej, ju jeni anmiq të popullit shqiptar sepse ju ia keni dorëzue Atdheun tonë komunizmit sovjetik e sherbtorëve të tyne jugosllavë. Gjithçka kemi bâ për oficerin tuej e kemi bâ për tradita të shenjta dhe jo për të holla. Çekun kthenjani atyne që ma dërgojnë”. Tue dalë nuk pranoi as me i dhanë dorën. Po atë mbasdite takova kolonelin Blue. U shpreh në këtë mënyrë: “Janë të rrallë këta njerëz. Janë të rralla këto karaktere dhe këta atdhetarë të vërtetë.”

Po e mbylli tregimin tue shtue vetëm një rresht. Alltuni ka nderue vetën, por tue i shtue dritë historisë së kombit të vet. Në vjetin 1954 Mehmet Alltuni emigroi në Toronto, Canada, punëtuer i thjeshtë në një fabrikë duhani. Vdiq në vjetin 1978. Dritë pastë!

Ton Koka ka lindë në Cetinë në vitin 1918, në nji familje tregtarësh shkodranë. Asht laurue në vitin 1944 në Universitetin e Triestes në Shkenca Politike, po atje ka vijue studimet në Shkenca Ekonomike. Ka punue në shërbim të SHBA-së. Asht dallue jo vetëm për aktivitetin antikomunist gjatë viteve të Luftës së Ftohtë, por edhe ka qenë mik i përzemërt i intelektualëve, si Ernest Koliqi, Zef Valentini, Martin Camaj, Arshi Pipa, Danjel Gjeçaj – me të cilët ka nda idealet patriotike dhe kulturore tue andrrue nji Shqipni të lirë dhe të orientueme kah Perëndimi. Ka ndrrue jetë në Trieste në shtator të vitit 2014.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Henri Matisse, “Shënimet e një piktori”, 1908

Një piktor i cili i drejtohet publikut jo vetëm që t’i paraqesë veprat e tij, por për t’i shfaqur edhe ca nga...

Anisa Markarian: Disa pikla dëshmi në oqeanin e kujtesës së përbashkët

Bisedoi Andreas Dushi A.D: Tuj rrëmue n’do gjana t’vjetra / gjeta nji fotografi. Këto dy vargje nga një...

Anisa Markarian: Trupat e rinj

fragment nga romani «15 ditë prilli» – Botime Çabej Tavolina e laboratorit të anatomisë, e gjatë dhe e...

Sevdai Kastrati: Romanet që janë konsideruar gabimisht (pjesa 5)

Më bën përshtypje se si Fotaq Andrea nuk ngurron para hipotezave dhe ec përpara pa fakte. Pajtohem pjesërisht se Konica nuk...

KATEGORITË