Zena, ky djalë i Ballofcit, autori – shpesh edhe heroi – i një vepre të gjerë letrare, nis krijimtaritë e tij me petka burrnie dhe hyn në finalen e saj me petka djalërie. Niset plak e përtërihet rrugës, duke krijuar kështu paradoksin e qenies së tij prej autori që jetën e prekshme, të zakonshme, e përkthen në fiksion sikurse jetën prej njeriu të imagjinatës e kthen në sensualitet të zakonshëm njerëzor.
Pas më shumë se gjysmë shekulli nga fillimet e krijimtarisë së tij, Zejnullah Rrahmani mund të shihet si autor që ka ecur në dy shtigje, duke krijuar dy faqe të një fytyre të tij letrare.
Nëse letërsia shqipe mund të shihet si një rrëfim që ka njohur dy hulli të mëdha të filozofisë së vet poetike, shtegun e Barletit dhe atë të Kristofordhit, të Barletit si heroikë e poetikë bashkësie dhe të Kristoforidhit si poetikë gjuetie apo si aventurë, Zena është ndër ata pak autorë që njohu artin e ecjes mbi këto fy shtigje. Ai nisi në shtegun e Barletit dhe për më shumë se dy dekada po shtegton gjurmëve të Kristoforidhit.
Afër 40 vjet më parë, në ish-Jugosllavi, një student letërsie, F. G., shkoi në shërbim ushtarak dhe me vete kishte marrë edhe romanin Sheshi i unazës të Zejnullah Rrahmanit. Një ditë, dyshimet për përmbajtjen e atij libri e sollën atë në bankën e të dyshimtit. Dhe, kur i kërkuan ta përkthente titullin e librit, ky, meqë nuk e dinte serbokroatishten pothuajse fare, provoi që, pa të keq, fjalët unazë dhe shesh t’i interpretonte me një porno-skenë komike, duke futur gishtin tregues të së djathtës në një unazore të formuar me të majtën. Sigurisht që ky shpjegim i solli atij mjaft telashe, para se të lexohej si humor.
Kjo anekdotë gishti na kujton ta shohim fytyrën letrare të Zenës nga perspektiva e gishtit. Në të vërtetë, e tërë ajo që ka shkruar autori deri më sot, mban gjurmët e:
gishtit, si identitet bashkësie dhe
gishtit si identitet personal
Gishti si identitet bashkësie lidh kuptim qysh nga Zanoret e humbura (1974), nëpër Shesh të unazës, nëpër E bukura e dheut, Udhëtimi arbdhetar, Jusufi, e deri te Romani për Kosovën. Këtu mbyllet qarku i gishtit të bashkësisë. Në tërë këtë grupim tematik e psikologjik të prozës së tij, njeriu ngreh gishtin kundër tjetrit, si bashkësi; përkatësisht ngrihet gishti kundër tij. Ngrehja e gishtit bëhet ngrehje çarku, ndjell vdekje, shuan jetë. Për punë gishti flet si Sheshi i unazës si Jusufi. Edhe kur temat duket se personalizohen, si te Jusufi, gishti kundër tij, është gisht-instrument ndaj një etnie. Është ky hero-autori Zenë nën lëkurën e luftëtarit.
Në sytë e mi, Mjeshtri i vetmisë (1995)bëhet gjethimi i një stine tjetër në letërsinë e autorit, kur ai nisi me folë me gishta më ndryshe, në tjatër hanë. Aty, me gishta, nëpër terr, ai nis e gjurmon identitaren personale, duke kaluar nëpër situata të bashkësisë e të familjes. Aty hinka e etnikes erdhi e u transformua në dritë të fenomenalies familjare. Njëkohësisht e shpall aleanca me vetminë, si hyrje në mistikën e jetës e të universit. Ky demarsh i ri u sforcuar në veprat e radhës: Iluminacion, 99 rruzare prej smaragdi, Tregimet e Ballofcit, Lypësi dhe Sophia, Pesë vaktet, Djemtë e Ballofcit e deri te Deti Zi (2022). Tash vjen në fron hero-autori Zenë nën lëkurën e shtegtarit.
Udhëtimi i tij tashmë nuk është arbdhetar, si dje, ai bëhet një udhëtim që shpesh personalizohet si udhëtim i Zenës. Tashmë, Zena kërkon gjurmët e kuptimit e moskuptimit në këtë botë. Ai është lypës e princ, shtegtar e banor i viseve të rralla, gjithnjë në kërkim të shenjave personale origjinare të gishtit. Tashmë, për të merr kuptim shprehja me dhanë gisht, pra me lanë gjurmë të aventurës së tij pas jetës.
Që nga Mjeshtri i vetmisë ai i kthehet shtëpisë, si objekt e si hapësirë shpirtërore; si kujtesë e si imagjinatë. Shtëpia (house) bëhet shpi (home) dhe anasjelltas. S’do mend, ai e kërkon shtëpinë edhe si hapësirë të marrëdhënieve me tjetrin, me familjen, miqtë, me kozmosin. Tashmë poetika e rrëfimit të tij merr kuptim të brendshëm; si gjurmim i temave dhe stilit që atij i japin jetë e përjetim e paqe, përtej temave të dikurshme të gishtit që vret e që vritet. Stili i dikurshëm narrativ noton kah rrëfimtaria mistike që kalon nga tokat narrative të 1001 netve dhe strehohet diku te mistika e imazheve narrative të haikut japonez.
Në këtë lojë të re, gishti etno-historik kërkon ta vazhdojë aventurën e njohjes e shkrimit në hapësira edhe më të gjera shpirtërore e poetike, me synin kah frymëmarrja e njeriut këtu, aty, atje, duke humbur e duke u gjetur nëpër botë. Tashmë kërkimi për shtëpinë etnike bëhet kërkim i shtëpisë së vet, fizike, imagjinare e shpirtërore. Hapësira e shtëpisë ndërron formë e ngjyra.
Së fundmi, disa nga ngjyrat themelore të kësaj loje autori i ka sjellë në përmbledhjen Djemtë e Ballofcit, një histori karakteresh që përbëjnë një vend a civilizim të quajtur Ballofc, një hapësirë magnetike të tërë ngjarjeve e temave që prekin mendjen e imagjinatën e autorit.
Ballofci është bota e tij ku ai e do jetën: “Due me jetue në botën time ku mali mundet me u ba fushë dhe fusha mundet me u ba qiell. Due me jetue në këtë botë ku deti mundet me u ba qiell e qielli tokë. Ku një zhabë e vogël e blertë mundet me u ba princeshë dhe nji dhi e zgjebosun në shkrepa mundet me e bartë një bri mbrenda të cilit jeton shpirti i një zane.” Kjo është imazhi i së vërtetës, të bukurës e të dashurës për Zenën. Imazhi i njerëzores që ribëhet e humb në jetë mu si te Zahiri:
“Jam i mbushun me shenja tokësore: i lidhurn me tokën, me ujë e me ajër. Trupi im merr e jep me natyrën si me shtëpinë prej së cilës varet dhe të cilën e ndërton dhe e përshtat për veti. Njeri jam. Nji prej pyllit të njerëzimit. Fëmijë i dritës jam. E bukura më tërheq dhe më mrekullon, më magjeps dhe frymëzimi im asht. Shenja të hyjnores kam në zemër, zjarr të përjetësisë në shpirt”, për të përfunduar: “Sa herë nisem drejt vetes humbi në terr. Tue udhëtue drejt Teje gjithë jetën, udhëtova drejt vetes”.
Ky invokim e metafizikës personale shndërrohet në erotikë jetimi e bukurshkrimi.
Së fundmi, me librin Deti i Zi, parabola e gishtit, si bashkësi, më herët, e si kërkim vetjeje më pas, e ribën veten si gisht që përzihet me gishta. Si gisht që tretet në lojën e gishtave si lojë dashurie. Heroi flet: “gishtat e tu ndërthureshin me gishtat e mi”.
Loja më sublime e çdo gishti përfundon si lojë gishtash; si pjesë e lojës ku identitarja, personale a grupore, rifitohet duke u zhbërë, apo duke u bërë një me gishtat e tjetrit, në dritë e në terr, duke u bërë Mollë a tretur në Det të Zi.
Në këtë pergamenë erotike, zoti i Erosit pushton gjithë hapësirën poetike duke e kthyer rrëfimin në të rrëfyer për një dashuri fatale, një serenatë që pak rrëfehet e shumë këndohet. Në një çast, kur vetë Ajo kthehet në shtëpi, heroi thotë: “kur të shkojsh, unë kam me mbetë pa shtëpi”. Kështu, Erosi bëhet shtëpia e vetme e shtegtarit Zenë, heroit e autorit, humbësit e fituesit permanent.
Deti i Zi është një rrëfim neo-romantik, apo vetëm romantik, apo edhe një rrëfim romansë që sjell një yrnek të rrëfyeri fiksional për dashurinë si ngjarje, imagjinare e përjetim jete. Zena, djaloshi i Ballofcit, nxori në letër romantikën që banon gjithnjë brenda qenies dhe pret të shfaqet, të joshet, të provokohet. Nxori Verterin që flinte brenda tij.
* Lexuar me rastin e 70-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Zejnullah Rrahmani,
në promovimin e librave ‘Deti i zi’ dhe ‘Djemtë e Ballofcit’.