KAMBANA
Kumbon diku. Në largësi tretur.
Tingujt janë valë ere
Nëpër barishte përndjekur
Kumbon diku. Pa pushim ashpër e butë.
Shurdhëri kudo. Vetëm ritmi
Përplaset brigjeve të hekurt.
Kumbon diku. Më fshikullo lart, maje resë.
Ikni nëpër kuvlinë tingullore
Heshtazi e pa shpresë.
Kumbon diku. Kumboj dhe klith.
E mbyllur kudo. I rrëmbyer
Pas tingullit, i etshëm jam, e thith.
Kumbon diku. Më qëllo. Sa trim jam, sa i mirë.
Kohë, qëlloje dhe ti kujtimin
Ashpër e pa mëshirë.
Kumbon diku. Qysh moti dhe tani.
Dhemb kudo, qiell. Barishteve
Të njoma, mua më shtri.
përktheu nga origjinali Resul Shabani
SHIRAT
- Frikë
Ia mbërrijnë të lodhur e të plogët kuajt e hapësirës
ky gjëmim i largët i parandieshëm i të folurit të harruar
paprá trokojnë vetë para dritareve të mbyllura
humbur godasin me thundrat e mpira pa potkoj
o tokë mbi ty rrëshqet dheu i yndyrshëm i qetë
trokojnë nëpër terr përzierë
Ku para kësaj mase para këtij horizonti
të pambuktë pa trajta
para këtij mishi të errët të tokës e natës
përzierë thellë i mishtë e i tultë njëherësh
vërshimë e syve dhe vdekje e hapësirave
Ku o ku ti unë ti det zhurmues i pafund
ti monoton
fushë horizontalisht lodhur
dëshiruar për një kthjellim të pingultë erërash
Ku o ku
ti brumë i ngjeshur shiu e toke
o njeri unë
gurë ndër duar e baltë në sy
përktheu nga origjinali Fatos Arapi
- Kënga
Prej nga dhe ku vjen ti o e panjohura e paharruara
Këngë, ti fëmijë e pashpresë naive
shigjetë barërash dhe zog i baltës
shteg i thatë i pafund nëpër shi
Shteg i argjendtë nepërkë lodruese
ku po më prin
Përherë e parandier në ujëra e në errësirë
ti krifë e butë kreshtë e ashpër
mospërfillëse guximtare
përherë mish damari i tokës e natës
e jele e mprehtë shpate rrëqethje e syrit
shtegut t’argjendtë them oj ti fëmijëri,
çomë ti këngë pleqëri përjetësisht e paharruar
ti iluzion më i madh pa metaforë
dritare e hapur ngathët ashpër e thellë
për gjithë ngjyrat e amshimit
Merrmë nën këtë brerimë shiu ti shteg
për të më kthyer qetë në këtë liman të vogël
në këtë fole të ëmbël ëndrre.
përktheu nga origjinali Ali Aliu
- Kuajt
Ia mbërrijnë të ngathët e lodhur kuajt e hapësirës
(shira të zbehtë pa shteg e memecë)
para grazhdeve të shuplakave të mia në dritare
Hani u them ushqehuni jeni të djersitur
dhe të lagët nga avulli i nxehtë që kullon
nga vithet e natës.
Lodroni e hingëllini
kërce ti zog me krahët harruar
pelë këmbëdrere vallëzuese e stërlodhur
nëpër këtë dritare të kërcejmë
bashkërisht dhe aty përsëri
e përherë pa u ndalur
në kthjelltësinë e hijesuar të hapësirës.
përktheu nga origjinali I. Spasse
BLIRI
1.
Kur vendosa ta pre
kur vendosa
balli plot rrudha dërsinte
zemra gulçonte
kur vendosa
nuk ishte i lehtë vendimi
të pritej vërsniku im me të cilin jam rritur
nga lastar e kam ndjekur gjer në trung fluror
me të kam luajtur në maje
unë isha mbështetja e tij e ai djepi im ishte
ai vrulli im qiellor
unë mbrojtës i tij nga buburrecat mizat dhe krimbat
Më e shpejtë ishte rritja e tij më e madhe se imja
shtëpinë ma gërryente
rrënjët e thella që tokën pushtonin
në gjurmë më rrëmihnin
dhe u çanë netëve pa gjumë dhe mure dhe dyer
shkërmoqën themelet çatia u plasë
nga rrënjët e degët e tij
Dhe ahere mbetur
midis dashurisë së madhe e frikës
që më ngrinte gjakun
presën e sëpatës e mata
si për zogun në grykën e tij
përktheu nga origjinali Fatos Arapi
2.
Në fillim thashë si në lojëra fëmijërore
ca me mburrje ca me drojë
ta përgushja lartë
por fuqia m’u shndërrua në naxhake e sëpatë
që vrapon pas trungut të harlisur në lëndinë
Dërsira derisa e arrita derisa e kapa
i lodhur u dorëzua butshëm në dorën tradhtare
si qengj i stërlodhur shpend i tejvogël
zunë të bien degët të roiten gjethet
lëngu të përzihet me lotët e djersën
duke zbritur teposhtë nga toka nga fundi i dhembjes sime
u takuam mbi gardhin
mes barit të shkelur nga stivat e druve
të dy të krasitur pa dridhje pa degë
me trupa të prerë stivuar në kthina
derisa foletë fluturuan pa zogjtë e tyre
pa hijet e tyre pa shpatullat tona
në humnerën e Gjithësisë ç’rrënjosur nga pangopësia.
përktheu nga origjinali Ali Aliu
3.
Shtrirë mbi bar sodis renë verore
ku m’u shfaq hija e blirit
që ende dridhet në kujtimin e qiellit e gjumit
shtëpia tani lartohet shkarkuar nga pesha e zogjve
me themele të qetë mbi rrënjë të vdekura
as dyert më dridhen as muret më tunden
nga gjëmimet e bimës dhe erës rebele
E qetë është gjithçka që më zë syri
që nisë të zvarritet nën barërat e kalbur
rrëshqet pas dridhjes së fletëve
Qetësi e paqe gjersa tani dergjemi
dy trupa të prerë dy dhimbje dy burime të tharë
ku zogjtë më nuk fluturojnë nuk shpërthejnë më këngët
Përse duke prerë atë përgjysmova veten
në cung shndërrova shtatin e dorën time
E derisa nuk bashkohen të dy në rrugën e tymit
atje n[ fund të barit më ndjek qortimi i mendimit
me aromën e blirit
përreth shtëpisë së verës.
përktheu nga origjinali I. Spasse
LIQENI
Ti më je ai liqen. Ajo lule prej ujërash dhe qielli
zgavër në shtatin e fushës zog në përqafim të kodrës
A je ti ai i lashtë ai diell ajo fjalë
që vjen prej bregu në breg prej vale në valë
Të kërkoj liqî gjatë po ku më je ti
në syrin e dallgës në gushën e gurit
vesë e fshehur në shuplakën e bjeshkëve
zë i shqiptuar moti në hirin e ujërave
Ti liqen je shtathedhur gëzof i lëmuar i një kunadhe
dhëmb ujku, gjeth morine e kambanave blegërim’
ti liqen je prehje dhe n’treqind bashkë kryengritje e madhe
kur me shtatin e ftoit do të të frytënojë ajo shqim
Ti kurrë nuk m’je këtu ti shkëmb i shkrirë
nga syri i diellit nga fryma që lëshoi era
ti argjend i gjallë i të pandodhurave vera
ti bar i kositur ti lulëkuqe ti lulëzim shkume t’dlirë
Ti më je liqen ikonë që lindi kaherë
nga paleta e diellit nga buzët e ndonjë murgu
ti ushtar shtatëvjeçar ti je varrosje kurbeti
ti nuse ti pritje ti venitje e amshuar në ne
Ti më je ai liqen. Ti më je ai tani.
I shtrirë në barëra në ule në shkëmbin virgjër
por vala jote është zog që fluturon pa hije
dhe tanimë gjithçka është shkumë edhe ylber edhe erë
Dhe prore je liqen. Këtu je e prore s’je
me një breg me rreth me hallkën sytë që m’i shtrëngon
mbi një maje në një fund në një kaçubë
prej nga bisha misterioze vazhdimisht larg më shikon
Ti më je ai liqen. Ajo bukuri dhe grua me hire shumë,
Mesditë me rërë. Katarakt me krah të harruar.
Mendoj se je i pranishëm. Por bregu është plot me shkumë
thua s’je liqen thua s’ke ekzistuar.
E megjithatë ti je liqen pikëllim i gdhendur në fushë
përqafim i kodrave diell prore i vetëm
me një breg me një rreth vetëm me një shikim
me shikim kah vetja drejtuar si edhe guri si edhe flaka
përktheu nga origjinali Adem Gajtani
KTHIMI I NGADHËNJYESVE
Zjarret e mëdhenj lajmëruan kthimin e trimit
Pas luftërave dhjetëvjeçare
Troja tanimë është bërë shkrumb e hi
Kurse trofetë dhe arin e bien në Eladë ngadhënjyese
Kremtojnë Mikena dhe Arga
Gëzohen Itaka dhe Pili
Duke pritur ndër ullinj anijet e ngarkuara
Para fitores së Agamemnonit shtrihen brohoritje dhe lule
Dhe brirët triumfatorë ftojnë për të kremtuar
Por Kasandra më kot mundohet ta zmbraps sundimtarin e ri
Nga shkëlqimi i oborrit
Nga portat dhe shtrati
Se të parandiesh s’do të thotë të pengohet
Lugina e thatë e gjakut, që ashtu i rrëmbyer do ta
Rrethonte kotësinë e marshimit të gjatë
Ajo vetëm mund të shikojë përtej ëndrrave të saj
Sulmin tradhtar të tehut
Në gjakun e shpresës së mallkuar
Dhe në gardhin e saj të brishtë
Shenja e kuqe e fjalës që rrokulliset
Me pafuqinë e saj në pezhishkën e kohës
Dhe qe ngadhënjyesit e rinj me trofetë e tyre
Kah qielli i përgjakur i çojnë kupat
Prej ku pikon dhe në paqenësi rrjedh
Gjaku i fitores shterpë.
përktheu nga origjinali Resul Shabani
S’DO KETË LUFTË NË TROJË
1.
Ka nisur rrethimi Rrethimi zgjat prej kohësh
dhe gratë llërë bardha të bukura ikin para hijeve të tyre
gjersa pleqtë e urtë Prijamit i thonë
kujdesu për djemtë
është e egër toka jonë, dorë burri kërkon
kurse Hekuba gishtërinjtë thyen
gati bëhet për bekim
një parandjenjë e hirtë barkun ia pret
Mbi anijet e zeza deti fatkeqësi të grumbulluar sjell
por ajo edhe fushës së thatë hijen tonë e përgjon
nën qefinin prej barojash helm
Tani ëmbëlsia e fjalës njerëzore është e pafuqishme
shpuar prej shtizës së urrejtjes
Vaji i nënave armën e përbuz
Dielli i zjarrtë dëgjon perënditë
puset e shpresës duke shteruar
dhe krahë të zeza prej qielli na lebetitin
hekurin duke pritur
2.
Nga të katër anët na sodisin na përgjojnë na përndjekin
frymëmarrja e tyre e nxehtë na i dogji krahët
dhe qyteti i bardhë ngjitet sipër qiellit
duke zbuluar vetëm para tij kraharorin e plaguar
Rrethimi vazhdon Shikimin na e gërmon
në ëndërr rrëmih gjersa hija e zezë e natës endet kudo
emri i saj në fyt na mbetet
Fjalë shprese kërkojmë shenjë yllësore porosi qiellore
por dinaku djalë i Laertit kurthin po ngrinte
njeriu pranë njeriut dhe jonjeri amshuar
do na zbardhin te pragu i shembur i agut dhe ëndrrës.
Agamemnoni krenar mburojën e tij tregon
dhe shtizën e fortë lart e çon
duke përsëritur vesin e zi të hekurit
Tmerri pyeti gjersa shpejtoi kot zëri i shpëtimit
a do ketë luftë në Trojë
a do plasë luftë në Trojë
Por kasnecë të zinj nga larg na vijnë
me lajme të zeza nën yjet shterpe kalojnë
dhe zhduken në errësirë
3.
Rrethimi vazhdon
Gjithçka është gati për dhembjen e njeriut
gënjeshtër e Shëmtuar është bota e flakur
mbi fundërrinat e urrejtjes
Aty frika na zbardh e na flak
larg e më larg nga drithi dhe plugu
Dhe qe ku pyllin përsëri po na presin
ta ngrenë turrën e perëndive katran
për talljen me dhembjen e njeriut në logun e kohës mjerane
A do t’i shterojë dikush udhët e rrezikut
ethet e pagjumësive shurdhe
përgjimet e zeza të tokës së trembur
Posa të të kujtohet mungesa e saj
edhe luftëtarët do t’u suleshin shtretërve të braktisur
Hefesi çalaman përsëri do ta farkojë e zbukurojë hekurin
e Zeusi i gjithëfuqishëm përroskat e gjakut i drejton
luginave të thata të zemrës
Ka nisur rrethimi Rrethimi zgjat prej kohësh
E kemi me vete dhe përtej vetullave tona
Kërcënimin dhe mallkimin i përgjon vajtimi
gjersa të gjitha sytë kah Troja janë kthyer
kah kraharori yt kah imi
shpuar në kohë të liga
Dhe lebetitë prej shprese dhe frike
edhe hiri në fushë
edhe guri në qytet
S’do ketë luftë në Trojë
S‘do ketë
Qumështi po gufon për foshnjën e palindur
në barkun e trembur të botës
A do ketë vallë
përktheu nga origjinali Resul Shabani
Shënim: Titulli i poezisë është marrë nga drama La guerre de Troie n’aura pas lieu të Jean Giraudoux