More
    KreuLetërsiBibliotekë"Krilla e kujtimit tënd", cikël poetik nga Rudolf Marku

    “Krilla e kujtimit tënd”, cikël poetik nga Rudolf Marku

    POETËT

    Poetët mblidhen në Ferr,
    Mes squfurit djegës. Bisedojnë të qetë
    A thua se janë në shtëpinë e tyre.

    Gjuha është një tunel i pafundm;
    Bashktingllore basesh. Zanore prej flauti.
    Por zhurmat në Ferr i mbysin bisedat e tyre.
    Kush tha se do të donin t’i zhvendosnin yjet
    Drejt Mëshires, drejt përdëllimit?

    Poetët janë qytetarë të Ferrit,
    I mbushin penat e tyre me squfur, me gjakun e vet,
    Me ëndërrat e të panjohurëve, me rrëfime fantazmash,
    Të dënuar për shkak të tingujve, të ritmit, të fjalëve
    Dëgjojnë bisedat sekrete të sferave qiellore.

    Poetët janë qytetarë të Ferrit.
    Ecin nëpër hone malesh, kundër gravitetit të dashurisë
    Për të arritë mëkatarët e braktisur nga gjuha.


    KURRË NUK DO MBRIJ NË TIRANË

    Shkapërcej male, lugina, hone të frikëshme,
    I bie mespërmes Mesdheut, Adriatikut, Jonit,
    Por nuk arrij në Tiranë,
    Dhe jo e jo në Shqipëri.
    Ne Heathrow, Gatwick, Stansted më qeshin,
    Më thonë se nuk do shkosh asgjëkund,
    As në Eldorado dhe as në Ferr,
    E pastaj më thonë me takt, me kujdes,
    Është më mirë të mos marr as avion e as tren

    Sepse Trishtimi nuk qenka gjeografi,
    Sepse Trishtimi nuk qenka Vend.

    Zgjedh rruge të tjera. Me anije, tragete, nëndetëse,
    Kaloj tunele sekrete të nëndheshme të mallit,
    Përdor taktikat moderne të katapulteve të kujteses,
    Teknologjinë më të fundit të shpejtësive të zemres;
    Në Rinas më qeshin e pastaj më thonë
    -E kupton dhe vetë, nuk ke mbërrit në Tiranë,
    Dhe jo e jo në Shqipëri

    Sepse Trishtimi nuk qënka Vend,
    Sepse Trishtimi nuk qënka gjeografi.


    PËR E. B.

    Ti më thua se Poezia është një gur i lemuar
    Që e marrim me vete pa u kujtuar kurrë.
    Trishtimi është ulur në shkallët tona,
    Me sytë e ftohtë na veshtron me këmbëngulje,
    Trishtimi që nuk ka ku të shkojë, i përzënë nga të gjithë.

    Perpiqemi të jemi njerëzor. Ecim vertikalisht,
    Flasim për qyteterimin, për galaksitë dhe librat
    Me një sintaksë rrethore;
    Dhe koha që përserit vetveten!
    Sa vite kaluan që kur e thyem buken bashkë?
    Që kur endërrat i vumë në ca diagrame
    Për të arritë labirinthet me hyrje falas?

    Në stinen pritëse të marr me vete,
    Drejt Betlehemit. Pa një yllë orientues
    Vetem me at’ gurin e lëmuar që për pak e harrojmë.
    Nisje nuk ka. Ka vetëm mbërritje.
    Ti prek bashktingëlloret e dhëmbjes me gishtërinj delikatë
    Për të shkruar strofen aleksandrine të vetëvrasjes.

    Pa e kuptuar kemi arritë Oqeanin Paqesor.
    Qenka e lehtë të shohesh se si koha ngrihet
    Nga dallgë të stërmëdha për t’u mbytur prapë !


    INFERNO

    Në Fleet Street njerëzit, autobuzët lëvizin ngadalë.

    Orakulli i Delfit nuk mundi ta parashikonte Londrën.

    Zotat e mëvonshëm e ndëshkuan me zjarr dhe murtajë.

    Zotat e sotëm janë të depozituar në Bankat e City-t.

    Shoh Portat e Ferrit që mbyllen ngadalë.
    Në anën tjetër të Tamizit.


    NATA E FUNDIT E OVIDIT NË ROMË

    I përzënë, për t’mos u kthyer kurrë më në Romë,
    Më flakin në cepin më të largët të Perandorisë,
    Atje ku barbarët kërcënojnë nga ana tjeter e Lumit,
    Në një gjuhë të pakuptueshme. Larg lexuesve të mi;
    Të shkruash pa lexues është njësoj si të vallëzosh në terr.

    Është nata e fundit që jam në shoqërinë e Macerit,
    Që flas me Propertius për Safon, Kalimakun, Katulin,
    Që i rrëfej Virgjilit, Horacit dhe Tibullisit
    Se Korina në të vertetë kurr nuk më ka dashur;
    A nuk e pa Botën më qartë se askush Homeri i Verbër?

    Eci përgjatë Tiberit;
    Nuk kemi vdekë, sa kohë që jemi në ujnat e një Lumi,
    Dhe jo veç në bregun e tij!
    Ciceron i mençur. Edhe ti vdiqe nga shpata,
    Larg bregut. Djathtas dhe Majtas gjithnjë sheh në rreshta barbarët.

    Romakët numërojnë fitimet. Ngrënje që nuk kanë fund;
    Dehjet dhe dollitë për Perandorin. Nuk kanë kohë të lexojnë Poezi;
    Senatorët i mbyllin veshët ndaj metrikës aleksandrine, hekzametrit
    Të rrethuar me kurva, përçmojnë poezitë e dashurisë
    Ndërsa gratë dhe vajzat e tyre ënëdrrojnë në shtrat poetët.

    Nesër do nis udhëtimin për në vendin e Barbarëve,
    Tani që Barbarët filluan të dynden në drejtim e kundërt, drejt Qendres;
    Sepse Barbarët e dinin prej kohësh:
    Kur Roma i përze Poetët e vet
    Është koha e duhur për t’i rënë Perandorisë!


    NISJET

    Ishte Verë. Udhëtonim me tren
    Duke kaluar stacionet që i quaje Askund,
    Koha kur shkruanim ëndërrat në një letër të përbashkët,
    Kur diagramet e ëndërave nuk premtonin një fund.

    Në stacione pamë Ulisin që s’kish mbërit në Itakë,
    Dhe Penelopen e plakur që nuk priste askënd,
    Trishtimi na tha të kërkonim një nisje tjetër,
    Për t’mos patur kurrë mbërritje në një vend.

    Udhëtojmë pa u ndalur mes labirintheve të Fatit,
    Duke parë stacionet me emërin Askund ,
    Në këtë Botë ku Ulisi kurr s’arrin në Itakë,
    Në kët’ Botë ku askush nuk shkon asgjëkund.


    KRILLA E KUJTIMIT TËND

    Krilla e kujtimit tënd fluturoi përzishëm,
    Mbi mal t’ Anakreontit ku ka rënë borë;
    Por Lumi i Thamizit nuk premton kurrgjë,
    Të paktën të ishe flloçkë me të prekë me dorë!

    Vjeshta në Londër vjen me gjethe të mëdha që bien,
    Dhe me patat e egëra që lënë Kopështin Kensington.
    Krilla e kujtimit tënd fluturon në qiej përzishëm
    Nuk e lënë të ulet as në Anakreont!

    Ajo dhomë e çveshur që na njihte të dy,
    Si shpirtëra të humbur në një botë mizore,
    Kurrë nuk na sheh më . Me mijëra kilometra larg
    Endemi si fantazmat e një botë rrënoje.

    Ka vite q’u mësova të shoh lart, në qiejt,
    Zogjtë shtegtarë që nisen ngadalë në fluturim
    Me një krah të thyer krille fluturojnë fatet e dashnive
    Si shpirtëra të përzënë që s’u lejohet kurrmë kthim.


    VENDI IM

    Emri yt ende nuk është shkruar ;
    Vazhdon ngjitjen tënde në drejtimin e kundërt të gravitacionit të dashnise,
    Në trajektoren e dhimbshme të Harreses.
    E di se këtu kujtesa vret më tepër se Terrori
    O Vendi im i braktisur nga gjuha.

    Askush nuk na e thotë vendin ku jemi.

    E prapë vazhdon të ngjitesh në malin mistik të teologjisë së dëshpërimit,
    Me formula të frikëshme honesh. Derisa arrijmë në atë piken mes Qiellit dhe Tokës,

    Në vendin më të bukur të Dheut. Jo shumë lart, por jo dhe aq poshtë,
    Në qoshkun e preferuar të engjëjve.
    Vetë Engjëlli i Historisë të ka zënë pritë,
    Me plagët e përhershme- Masakrat e Fatit;

    Engjëlli i Historisë që nuk na thotë as vendin se ku jemi
    O Vendi im !


    E PSE U DASHKA TË JEM
    NË KËTË QYTET

    E pse u dashka të jem në këtë qytet
    Ku zemra më dhëmb? Shiu bie si tridhjet’ vite më parë
    Ngjesh me vitrinat njerëzit të mos lagen rrinë,
    Si manekinë.

    Si tridhjetë vite më parë pres të më shfaqesh
    Nga një qoshe rruge që nuk ka kuptim
    E lagur,bërë qull, si nga dënesjet e dikurshme
    Në këtë qytet pa asnjë premtim.

    E di që je larg, Kontinente larg
    E di se shiu është i rrallë në Kaliforni,
    Por unë vij nga Londra, dhe njerëzit më thonë
    Se në kët’qytet unë vetë solla shi.

    Pa e ditur se shiu ka filluar më parë
    30 e ca vite bie, me rrebesh dhe furtunë,
    30 vite që njerëzit nuk ngren sytë nga yjet
    30 vite që njerëzit janë më të vetmuar se kurrë

    E pse u dashka të jem në këtë qytet
    Poshtë yjeve që s’i prek asnjë histori?
    Trobaturët kanë vdekur, të gjithë kanë vdekur
    E askush nuk kujtohet se lotët quhen shi.


    KUR ANIJA E POETIT

    Kur anija e Poetit të thyhet prej dallgëve,
    Me dhogat, hartat, velat, që pluskojnë mbi det,
    Ndërtoni varkat tuaja,

    – O njerëz që qëndruat gjithë jetën në breg !

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË