More
    KreuLetërsiShënime mbi libraKosta Nake: Skaner rrëqethës i Sigurimit të Shtetit Komunist

    Kosta Nake: Skaner rrëqethës i Sigurimit të Shtetit Komunist

    Romani “Ngjizja e papërlyeme” i Agron Tufës

    Kam përdorur epitetin “i shëndoshë” për këtë roman sepse kam parasysh 731 faqet e tij me një format mbi të zakonshmin dhe një shkrim të ngjeshur. Leximi më mori një javë të plotë dhe ishte i mundimshëm jo nga stili, por nga objekti i veprës plot ngjarje me peshë historike e filozofike, mbi të gjitha nga toni tërësisht i ndryshëm nga librat që kam lexuar deri tani. Po e zbut duke përdorur fjalën “përbuzje” në vend të “urrejtje” për mjetet dhe teknikat e zgjedhura për sjelljen e karaktereve të sigurimsave dhe bëmave të tyre. Mund ta quaj një doktrinë për të ndryshuar disa kalke historike dhe botëkuptimore që këto vite tranzicioni vetëm sa i kanë këqyrur nga jashtë qelqnajës së trashë mbrojtëse dhe shumë pak  i kanë prekur.

    Përbuzja

    Sipas meje, është e para vepër letrare ku shoqëria shqiptare e viteve të diktaturës komuniste dhe organizimi shtetëror i është nënshtruar një përzgjedhjeje të vëmendshme se si propoganda e atëhershme i shikonte klasat e përmbysura dhe forcat politike kundërshtare: “Ata kishin me vete policinë, pushtetin, simpatinë e shoqërisë dhe, sigurisht, halabakët. (f.13) Na e nginjën trurin e njomë me parrulla, me idole, me gatishmëri, me shkencë e skolastikë, me materializëm dhe domosdoshmëri historike, me shkak-pasojë dhe besim në Njeriun e Ri… Tani në kokat tona ka vetëm shkretëtirë të paskjatë, xhungël mbijetese. (f.157) Në mur varej një portret i udhëheqësit buzëtrashë. (f.309) Për ushtarakët përdoren karakterizimet qafëgic, qafëderri, fytyrëbytha, thatan, turiqena, zemërbisha, lukuni qensh të unshëm, si gostia e një zogorie qensh mbi pirg kockash.”

    Autori atakon drejtpërdrejt partinë që kishte marrë përsipër të luante rolin udhëheqës në gjithë jetën e vendit: “Partia është një sekt satanist, si çdo religjion e di për mrekulli se ç’është në gjendje të bëjë miti tmerronjës e lebetitës i frikës dhe demonizmit… Jo mirësia, jo ndriçimi, jo dashuria e përvujtnia, por ankthi, mizoria, ndëshkimi i përgjakur e absurd i nënshtron turmat.” (f.641) “Njerëzit duan të jetojnë, frika e ankthi i rraskapit, i sfilit. … Çmenduria dhe egërsia vjen një çast dhe të lodhin.” (f.642)

    Gjithë kjo ngarkesë negative shkarkohet mbi dy qëndrestarë: Martin Gega si mbrojtës i kauzës antikomuniste, Ljuba Borisovna si mbrojtëse e dashurisë së vërtetë.

    Kompozicioni

    Rrëfimit të autorit i bashkohen edhe rrëfimet e karaktereve duke shkrirë kufirin midis vetës së tretë me vetën e parë njëjës. Kompozicioni i përngjan një prizmi ku e njëjta ndodhi dhe i njëjti karakter shikohen dhe rishikohen nga sy dhe kënde të ndryshëm shikimi. Ai bëhet edhe objekt diskutimi në vepër:  “Çështja e kompozicionit është tortura më e madhe për një shkrimtar dhe jo procesi i shkrimit… Kompozicioni është në thelb loja me kohën, sepse suksesi i një arkitekti të mirë është organizimi harmonik i hapësirës dhe triumfi mbi kohën: ja se çfarë e mban një rrëfim dhe çfarë i jep dramacitet fatit të protagonistëve në një histori.” (f.659)

    Romani hapet me prologun që i ngjan një amaneti për të rrëfyer një tragjedi që nuk është thjesht fati i një familje, por pikënisje për ta ndarë me dhimbjen e të tjerëve. Kaq mjafton që autori të sjellë në përmasa të ndryshme pesë modele të grave ruse që e lidhën fatin e tyre me atë të burrave shqiptarë: Zinaida që bashkëpunon me pushtetin komunist dhe ruan pozitën e lartë në fushën e artit dramatik, Ljuba që përballet me dinjitet me përndjekjen nga Sigurimi i Shtetit, Olja që e largojnë djallëzisht nga Shqipëria, Elena që qëndron larg rrymave të rrezikshme të ekspozimit politik, Ljudmilla që bëhet viktimë e burgut në Qytetin Stalin.

    Pjesa e parë e romanit “Ofelia s’del në skenë” (f.19) fillon me Ljubën që qëndron para pasqyrës:  “gjinjtë e kërcyer, të fryrë e të fortë, qafa alabstër me vena të kaltra, supet të rrumbullta, e shkëlqare.” Bukuria fizike e saj do të jetë edhe karrem vuajtjeje sepse nga njëra anë do të lakmohet marrëzisht nga Viktori që është mik dhe armik i burrit të saj dhe nga ana tjetër do të tentohet të depersonalizohet nga punonjësit e sigurimit. Duke e vendosur Ljuba Borisovnën në qendër të veprës autori hap dy shtigje për linjat e subjektit: Të zbulojë fantazmat dhe përbindshat që bashkëjetojnë me njeriun dhe i nxjerrin kthetrat dhe përgjakin shpirtrat edhe në rrethet e ngushta familjare dhe shoqërore siç ilustrohet me rrëfimin e Zinaidës për motrën e saj Ira dhe burrin e saj Misha, po ashtu marrëdhëniet e Ljubës me Lev Kashkinin, Viktor Sallakun dhe Martin Gegën. Kjo i shërben autorit si indicje për ta shtruar marrëdhënien seksuale në një rrafsh filozofik si raport mes vullnetit dhe dhunës, pranimit me dëshirë dhe detyrimit. (f.257)

    Martin Gega, i diplomuar si inxhinier gjeolog në Bashkimin Sovjetik, nuk pranon të ndahet nga bashkëshortja ruse dhe kaq mjafton që Sigurimi i Shtetit të gjejë pretekste ose të sigurojë dëshmitarë ta burgosë dhe vrarë pa gjyq për veprimtari armiqësore. Kur Ljubës i ofrohet roli i Ofelisë nga tragjedia “Hamlet”, Martini ka katër muaj që ndodhet në burg. Regjisorja Zinaida Mihajllovna e këshillon që të dalë nga pozicioni i vështirë duke filluar me joshjen seksuale dhe kurvërimin selektiv. Pikërisht këtu fillon heqja e tabusë për foljen e aktit seksual, përdorimi pa pika, pa asteriks, madje duke u ndalur në trajtën veprore dhe vetevetore, duke e kthyer në një nga veçoritë e punës së Sigurimit të Shtetit për depersonalizimin e njerëzve. Kjo bën që ky libër duhet lexuar vetëm dhe jo me zë për ta dëgjuar të tjerët. Atmosfera e nderë që përfton veprimtaria subversive e Sigurimit të Shtetit ka antipodin zbutës erotik që  kalon paralelisht fund e krye veprës.

    Një roman brenda romanit

    Qëkur ishte student në Moskë, Martini kishte shkruar një roman dhe dorëshkrimi i tij kishte arritur edhe te duart e poetit Samuil Ismari. Ishte një sprovë e hedhjes në letër të jetës së vet të rinisë. I ati e pati dërguar Martinin 15-vjeçar të çonte me kalë  trasta me ushqime në majë të Çoparit, te Logjet e Zanave ku ishte çeta antikomuniste e Jup Ndreut. Atje ra në pritë dhe ndodhi një masakër. “Kjo që po na bajnë komunistat s’ka mal që e mban mbi kurriz…. Nuk po lëmë me na bo zap do morra të partishëm. Ky pushtet mbushë me xhahila dhe këlyshë të anmikut shekulluer.” (f.292)

    Pasqyrimi i asaj masakre dhe pakënaqësia që s’mund të fshihet, e kthente atë roman jo vetëm në një krijim të pabotueshëm, por edhe të rrezikshëm për fatin e vetë autorit. Shoku i tij student, Viktor Sallaku, ka një parahistori antagonizmi me Martinin që te prindërit: I ati i Viktorit është shpallur dëshmor edhe pse “është vrarë duke vjedhur bostan”, kurse i ati i Martinit është pushkatuar pa gjyq dhe është klasifikuar si reaksionar. Ljuba u lidh së pari me Viktorin, pastaj iu dorëzua Martinit duke filluar një rivalitet dashuror që vjen duke u rritur, edhe pse Viktori krijoi një lidhje tjetër me Olja Pisarjevën. Këtyre dy shkaqeve u shtohet edhe termi “malok” që Viktori e përdor për Martinin duke përftuar racizëm brendashqiptar dhe patologji të urrejtjes. Kaq mjafton që Viktori ta bëjë Martinin pre të Sigurimit të Shtetit duke i zbuluar Nesho Dragoit se ai ka shkruar një roman të dyshimtë. Si rezultat Neshua i thotë Viktorit: “Martini ka karakter dhe bindje antipushtet. Ai nuk është njeriu ynë.” (f.358)

    Tragjedia “Hamlet” në një vështrim të ri

    Rishikimi i trashëgimisë letrare botërore siç ndodh në këtë vepër me tragjedinë ‘Hamlet’ (f.58-59), përbën një veçori të kësaj vepre që e ndeshim gjerësisht dhe mjeshtërisht në Veprën e Ismail Kadaresë. Sipas autorit, Klaudit nuk i duhej mbretëria e të vëllait, po mbretëresha Gertrudë, jo froni por shtrati. Nga ana tjetër edhe Gertruda mund të jetë joshur fillimisht nga Klaudi, pastaj ka zgjedhur fronin. Mos mbreti ishte i paaftë në shtrat? Pse u zgjodh helmi në vesh? Kujtohet paralelizmi me Egjistin e Klitemnestrën te Sofokliu, Paolon dhe Françeskën te “Komedia” e Dantes. Duket qartë se autori jo vetëm se e ka rilexuar tragjedinë e shqipëruar nga Noli, por ka parë edhe variantin rus të Pasternakut. Një detaj ilustrues: Noli përkthen “qyqe” kurse Pasternaku “kukuvajkë.” Qyqja dhe kukuvajka bashkohen te vetmia, por qyqja këndon ditën dhe kukuvajka natën. Noli e quan Ofelinë “zonjë”, kur ajo është “zonjushë”, kurse Pastërnaku e quan “ëmbëloshe.” Së fundi, autori ka vënë re se fjalët “mos të të rrejë mendja dhe dije mirë” nuk janë fare te përkthimi i Nolit. (f.245)

    Shkrimtari Samuil Ismari.

    Pjesa e fundit e romanit “Ç’lajme na sjell, Hermes?” (f.577) i kushtohet shkrimtarit Samuil Ismari, por ai shfaqet gjatë gjithë romanit, duke filluar që në pjesën e parë. (f.33) Ka ndonjë detaj që na bën ta lidhim me një shkrimtar real, që është ende i gjallë: “Samuil Ismarit iu zmadhuan bebet e syve poshtë qelqeve të syzave optike.” (f.239) Kur shkrimtari rrëmbehet nga policia, shtrohet pyetja: “Kush do t’i dilte krah? Prindërit atje, në qytetin e Jugut.” (f.710)

    Duket qartë në vepër se autori është reshtuar në anën e adhuruesve të këtij shkrimtari. Kur Martini e pati takuar Samuilin në Moskë, i patën thënë se “është ylli në ngjitje i letërsisë së re shqipe,” kurse Martini i thotë Ljubës se “është një fenomen i letërsisë më të re.” (f.98) Shumë besojnë se  Ismari është i shenjuar me talent, andaj një palë mundohen t’ia hanë kokën dhe një palë tjetër ta mbrojnë. (f.345)

    Madhështinë ia njohin edhe ata që nuk e duan ose janë dyshues: “Një qiellor me flatra, dhelpër e  rafinuar (f.335) S’e dija që qenka karagjoz kaq i madh ky Samuil Ismari (f.336) Ai është një pusht karizmatik, sa çdo femër e bukur do të ëndërronte një histori dashurie me të, në mos më shumë, një flirt.” (f.344) Samuili është i talentuar… më i talentuari, por ama edhe me prirjet më të rrezikshme. (f.466)

    Shkrimtari Tufa nuk është kufizuar vetëm me vlerësimet, por është i pari që e fton për të qenë pjesë e subjektit të veprës. Përpjekjet e Sigurimit të Shtetit për të shtënë në dorë romanin e birit të reaksionarit, arrijnë deri te marrja forcërisht e shkrimtarit Ismari nga policia dhe agjentët e sigurimit. Edhe pse shkrimtari Samuil përballet me dinjitet me represionin, autori gjen rast të bëjë edhe deklarimin e vet: “Nuk ka asgjë heroike në përballimin  e torturave  dhe nuk mund t’ia kërkosh askujt një heroizëm të tillë.” (f.589) Ka dhe një shpjegim për titullin e kësaj pjese: Hermes është hyu që zbret në ballkonin e Samuilit dhe sjell “kumtet e qiejve.” (f.656 dhe f.716)

    Shkrimtari Tufa e shfrytëzon këtë pjesë të fundit për të na çuar të shohim një galeri figurash nga Lidhja e Shkrimtarëve, disa prej të cilëve janë lehtësisht të identifikueshëm: Poeti hundëfajkua Dritan Agalliu – një yll fushor në ngjitje në qiellin e poezisë së angazhuar shqipe (f.583) me namin e Ezopit (f.588) që ia thotë për dolli. (f.590) Kryetari i lidhjes, shoku Shute. (f.693) Dafina Luçi – anëtare e detashmentit “Engjëjt e hekurt” (f.594), e re, tunduese, alturiste, gjithë sharm, stil dhe dell aventuresk. (f.595) Nasihat Toçaj – prozator me subjekte sigurimsash, ambicioz i madh, servil, mediokër. (f.594) Nesho Dragoi me romanin “Kukuvajkat” kushtuar mërgatës, Dario S. që humbi jetën në një aksident ajror, etj.

    Historia

    Agron Tufa i pari autor që në rrafshin artistik bën një luftë fyt për fyt e dhëmb për dhëmb me sistemin e diktaturës komuniste duke u ndalur në pikat më të zeza të atij sistemi. Ai guxon të heqë nga lista e temave tabu edhe çështje shumë të ndjeshme që lidhen me historinë e re të Shqipërisë, duke filluar nga lufta çlirimtare kur deklaron: “Historia do të vazhdojë të mbetet një bijë bastarde e kohës, përderisa atë do të vazhdojnë ta shkruajnë fitimtarët, sepse pergamena ku e shkruajnë do të jetë po e njëjta: lëkura e  të mundurve.” (f.525)

    Në gojën e Martinit ai vë akuzën: “Pushteti ynë politik ka ardhur në qeverisje duke kryer krime gjatë dhe pas luftës.” (f.427) Gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri u shfaqën dy palë me qasje të ndryshme ndaj pushtuesit, por të dyja palët kanë dhënë jetën për qëllimin më të epërm në emër të atdhedashurisë. Pse disa quhen “dëshmorë” dhe të tjerët “tradhëtarë”?  Pse disave u ngrihen lapidarë e të tjerëve nuk u gjendet eshtrat? (f.554)

    Shtatzania e Ljubës

    Shtatzania e Ljubës pasi Martini është asgjësuar dhe pa kontakt me ndonjë mashkull tjetër, i ka dhënë titullin krejt romanit. (f.624-25) A kishte aftësi koitale dorëshkrimi i Martinit që gëlltiti për të sjellë ngjizjen e papërlyeme? A është një mrekulli? “Asnjëra prej fjalëve nuk e shpreh gjendjen e saktë të një gruaje, së cilës ia kanë thithur me shiringë shpresën deri në pikën e fundit.” (f.624) Autori ka krijuar një linjë speciale subjekti për këtë rrjedhë të pazakontë të fatit të saj tragjik. Si gjithçka tjetër në mjedisin  shqiptar, dukuria bëhet pronë e thashethemnajës, ai kapërcen cakun e shqetësimit familjar, hyn te rrethi shoqëror, madje autori thërret në skenë mjekun Zef Sheldia si zëdhënës shkencor i kësaj ngjizjeje të papërlyeme dhe na fut në hullitë e shkencës dhe alkimisë dhe në labirinthet e partenogjenezës dhe telegonisë, e vendos nën lupën e orgazmës dhe regjistrimit të materialit trashëgimor.

    Mjedisi rus

    Një përkthim i romanit në gjuhën ruse do të tërhiqte vëmendjen në Rusi, sepse shtohet një tjetër shkrimtar shqiptar që ka qëndruar disa vite në Moskë i cili sjell detaje me toponime që provojnë njohjen e kryeqytetit rus, sjell krahasime gjuhësore që e tregojnë si njohës të gjuhës ruse. Mbi të gjitha është vendosja e një gruaje ruse në qendër të veprës dhe ngritja e saj në piedestalin e heroinës që mund të rishtrijë strukturën metalike mbi urën e dëmtuar nga agresioni rus në Ukrainë.

    Durrës, 15-16 maj 2023

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË