More
    KreuLetërsiShënime mbi libraKosta Nake: Legjenda që rindizen dhe shkëlqejnë me hir

    Kosta Nake: Legjenda që rindizen dhe shkëlqejnë me hir

    “Erërat që trazojnë mjegullën” nga Ervin Nezha, Albas 2022

    Përpunimi i brumit të miteve dhe legjendave në magjen e prozës artistike është një dukuri botërore që ka luajtur një rol të rëndësishëm në përcjelljen e ngjarjeve dhe karaktereve në konvejerin e shekujve. Shkrimtari kosovar Rushit Ramabaja para gjysmë shekulli dhe shkrimtari i ri Ervin Nezha para dy vjetësh kanë provuar ta bëjnë këtë përpunim me këngën e Gjergj Elez Alisë. Me këtë sprovë Ervin Nezha ka dëshmuar se ka gjetur mjetin e vet më të përshtatshëm për të hapur shtegun e vet letrar në xhunglën e egër të krijimit, ka hedhur në tregun letrar mjegullën jo vetëm në titullin e librit, por edhe fund e krye legjendës,  mjegullën si tipar të qëndrueshëm natyror të një qyteze malore, mjegullën si metaforë e kompleksitetit që krijon raporti i shqiptarit me pushtuesin dhe mes vetë shqiptarëve.

     Vepra e Nezhës fillon me kalin dhe kalorësin që në dy fjalitë e para të saj, një përdorim që lidhet me kontekstin historik të legjendës për Gjergj Elez Alinë, kohë kur terreni pushtohej me patkonjtë e kuajve të luftës dhe fati i betejës përcaktohej nga forca e krahut që përdorte shpatën, shtizën, tarozgën apo topuzin. Ramabaja i qaset legjendës duke i dhënë mjaft hapësirë marrëdhënies mes njeriut dhe kafshës, rifillon që nga vdekja e Elezit, kur Gjergji ishte ende fëmijë, rrjedhimisht fasha dyditore e këngës shtrihet në vite dhe kali mbetet brenda tipareve legjendare. Nga katër elementët bazë të jetës autori përdor tre për rijetësimin e legjendës: fillon me ujin, vazhdon me ajrin dhe përfundon me zjarrin. Nezha operon ndryshe, parapëlqen vetëm elementin e katërt – tokën, ndryshe nga kënga, nuk ka ndonjë marrëdhënie të veçantë mes Gjergjit dhe kalit, njeriu nuk e ndan suksesin me kafshën, edhe pse në një mjedis me orë, zana, shtriga e shtojzovalle kjo do të kishte mirëkuptim. Kalorësit hipin e zbresin, ndërsa kuajt e përmbushin misionin e tyre me trokthin dhe hingëllimat në udhët e ngushta që zgjaten buzë humnerave.

    Nezha është më i kursyer në kohë, i mjaftojnë vetëm një numër takimesh që limitohen ditë pas dite, nga kërkesa e gjeneralit për bisedime me dukën vendas, deri në skadimin e afatit dhe përmbylljen me ftesën kalorsiake për duel. Gjithsesi, nuk është një ngjarje rastësore, por një përpjekje e përhershme e pushtuesit venedikas për të vjelë taksat me hir a me pahir. Është zbritje me këmbë në tokë jo vetëm nga identifikimi i Naltinisë si vend dhe hedhjes dritë mbi peizazhin e tij, por edhe vështrim real i marrëdhënieve ndërkombëtare si proces i paraqitjes së kërkesave të njërës palë shoqëruar me kërcënime, ashtu siç ndodh edhe sot me sanksionet. Kjo e çon autorin dhe lexuesin në retrospektivë për një ballafaqim të mëparshëm me gjeneralin Teodato Zorzi pa një prerje kohore në shiritin mijëvjeçar të Republikës së Venedikut, po sigurisht para se në skenën e historisë të ngjitej Kastrioti. Është një kurth i dyfishtë dhe i mençur që ngre Gjergj Elez Alia për robërit në një zonë që del jashtë kornizës së këngës,  është çlirimi i parë i fantazisë së prozatorit për të zgjeruar trasenë mbi të cilën do të rinisë udhën legjenda, është demonstrimi i parë i mençurisë në interpretimin e materialit: “Njeriu ka lindur me një dashuri të madhe për veten dhe ndonjëherë kjo dashuri që shpërthen brenda në një çast dobësie, kur kërcënohet ekzistenca, bëhet perde edhe për krenaritë më të forta.” (f.13) Ka një largim të guximshëm nga legjenda kur dashi i pjekur, vajza e përdhunuar, kreshniku i vrarë, krahina e djegur zëvendësohen me futjen e një prifti si ndërmjetësues për bisedime mes palëve sepse “administratori i ri i këtij territori nuk donte të qeveriste një tokë pa njerëz.” (f.20) Një gjetje e zgjuar e autorit është thirrja në skenë e Monun Stazit, komandantit të kullës dhe krah i djathë i Gjergjit, por edhe një personazh i bindur nën urdhrat e autorit për të injektuar pikëpamjet e veta që aludojnë për ngjarje moderne dhe njerëz bashkëkohës. Shërbimi i djalit të ri pranë Gjergjit dhe motrës së tij Naisina, natyrshëm mund të prodhojë një romancë, por ardhja për bisedime e gjeneralit venedikas Marko Gali dhe mjegulla e takimit të tij vetëm për vetëm me Naisinën, nuk mund të mos shkaktojë xhelozi te Monuni, gjë që e shtyn drejt një akti të nxituar që bie në kundërshtim me kodin e nderit në marrëdhëniet me të huajt.

    Transformimi i këngës në prozë të gjatë do të kërkonte edhe degëzime legjendash që i ngjiten trungut kryesor, siç janë humbja e djallit në mjegull duke ndjekur një nuse, takimi i motrës së Gjergjit me fallxhore dhe bashkëpunimi me shtojzovalle, gëlltitja e një gogle dushku prej një vogëlushi që i shkaktoi mbytjen, pastaj nga varri i tij mbiu një filiz ku shkon motra që lindi më vonë dhe demonstron dashurinë e motrës për vëllanë që kalon çdo dashuri tjetër. Edhe zëvendësimi i blirit me dushkun më duket si një prirje pozitive për të futur diçka nga vendlindja e autorit.

    Kur je përballë një armiku që kërkon dhe nuk je i gatshëm t’i japësh asgjë, taktika e parë që duhet zgjedhur përpara përplasjes së pashmangshme është shtyrja e luftës së më gjatë që të jetë e mundur për ta shfrytëzuar çdo ditë paqeje për t’u përgatitur për ditën më të keqe. Shtyrja e javës së parë vjen si marrëveshje xhentëllmenësh, edhe pse gjenerali ka një mik, Abelerio Ponten, që shikon te kjo shtyrje edhe çmendurinë, edhe dashurinë. Marko Gali që kishte ardhur me një mision të përkohshëm, tundohet nga ideja e qëndrimit në Naltini sepse ka pesë arsye të mjaftueshme: miqësia që krijoi me priftin, përshtypja që i la takimi me vajzën e vogël që përqafonte vëllain-dushk, ndershmëria e banorëve vendas, ndjenja që i shkaktoi Naisina e bukur. Por mbresa më e jashtëzakonshme në sytë e gjeneralit ishte nderimi që tregonin vendasit për të vdekurit edhe kur ishin kufomat e armiqve duke  kujtuar përdhosjen që i kishte bërë Akili trupit të Hektorit, kurse autori e përdor skenën e përcjelljes për të pasqyruar diçka nga gjama e cila më futi edhe mua në kthetra se më rierdhi përshkrimi që i ka bërë At Zef Pllumi te libri “Rrno vetëm me tregue.”

    Vjen një çast dhe trysnia e legjendës bëhet e papërballueshme. Plagët nëntëvjeçare të Gjergjit janë si një kështjellë e papushtueshme, si një lumë i pakapërcyeshëm, apo si një mal i pakalueshëm. Pritja ka një kufi dhe mund të kthehet nga tehu i mprehtë. Gjenerali i Venedikut i kërkon Gjergjit të heqë dorë nga pushteti dhe t’ia dorëzojë atij por ka dhe një kërkesë tjetër – Naisinën për grua me hir apo me pahir. “Kjo ishte pika që kishte derdhur gotën për Gjergjin.” (f.58) Autori kërkon një shpjegim të ndryshëm për atë hedhjen e menjëhershme të Gjergjit në këmbë duke e ftuar venedikasin në duel. Magjinë e shërimit dhe aftësinë për t’u përballur ia beson Naisinës e cila i ngjitet malit me dëborë për të gjetur trëndafilin e zi çudibërës. E mbajti lulen si kupë dhe hëna u mënjanua dhe prej saj filluan të pikojnë pika drite. “Pikat binin mbi lule, ndërsa hëna i ngjante një ene të verdhë, që vazhdonte të zbrazej, derisa një çast drita e hënës mbaroi.” (f.64) Kjo lule magjike bëri mrekullinë.

    Ngjyra e kalit në këtë vepër përcaktohet si reflektim i një tradite të lashtë që e vendos vajzën-nuse mbi shpinën e një kali të bardhë dhe shkon më tej kur e kthen në mishërim të së mirës duke i kundërvënë kalorësin e hipur mbi kalin e zi. Naisina hip kalin e bardhë, kurse Monuni që i ndërlikon marrëdhëniet me venedikasit, edhe pse është krahu i djathtë i Gjergjit, hip një kalë të zi. Kjo antitezë rivjen me një forcë qartësisht të dukshme te dueli mes Gjergj Elez Alisë mbi kalin e bardhë dhe gjeneralit venedikas Marko Gali mbi kalin e zi.

    Dueli kalorsiak vihet para dy sprovash që mund ta zhvlerësojnë. Monuni organizon një sulm të paautorizuar mbi venedikasit duke bërë që gjenerali Marko të mendonte se kishte besuar verbërisht te nderi i vendasve. Në se ai do të ishte vrarë, atëherë mund të interpretohej si shmangie e qëllimshme e duelit dhe pastaj Gjergjit duhej t’i këndohej një këngë turpi. Nga ana tjetër “Republikës së Venedikut i interesonte politika e saj e sukseshme dhe jo trimëria.” (f.72) Ky është një zhvillim interesant që i atribuohet tërësisht autorit dhe sjell atë mjegullën e ndërlikimeve të paralajmëruar që në titull: sulm i paparalajmëruar ndaj një misioni që ka zgjdhur rrugën e bisedimeve në vend të luftës, dënimi me vdekje i Monunit brenda një qerthulli kundërshtish, dorëzimi i vullnetshëm seksual i Naisinës te një njeri që nuk e pati dashuruar dhe do të varet, fshehja e dënimit për turmat dhe shpallja hero nga ata që e dënuan, përfshirja e priftit në bashkëpunim si pjesë e një loje të sofistikuar dhe së fundi një fund i ndryshëm nga ai i këngës – Gjergji nuk e gjen të motrën në shtëpi.

    Dueli realizohet duke respektuar kodin  e nderit, Naisina lë një trëndafil të kuq mbi varrin e Marko Galit, Gjergji që nuk vdiq nga plagët vdes nga lodhja e duelit, nga hidhërimi për vdekjen e Monunit dhe rrënimi i krahinës së tij, së fundmi edhe nga ikja e beftë e së motrës.

    “Kah kërkova gjithkund bjeshkë e m’bjeshkë,

    Kah verova gjithkund vrri e n’vrri,
    Kah mjerova gjithkund shpi e n’shpi,
    Kërkund s’ndesha m’Gjergj Elez Ali!”

    Këto janë katër vargjet e fundit të këngës, por shkrimtari ka një përmbyllje të ndryshme. Ai është edhe analist dhe këtë e shpalos në epilogun e veprës. Një ushtri e huaj vjen për pushtimin e radhës disa vite pas vdekjes së Gjergj Elez Alisë, por largohet pas kryer asnjë aksion ushtarak. “Nëse nuk i sulmojmë, ata do të shkërmoqen vetvetiu… Kur ne të mos vijmë, ata do të hidhërohen, do t’i harrojnë të gjitha, do të harrojnë edhe veten dhe kur t’i harrojnë të gjitha, do ta harrojnë edhe atë, sepse ai thjesht nuk do t’u duhet më.” (f.83)

    Botuar në ExLibris 270

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË