More
    KreuLetërsiShënime mbi libraKosta Nake: Dashuritë e trazuara të një emigrimi të detyruar

    Kosta Nake: Dashuritë e trazuara të një emigrimi të detyruar

    Vëllimi poetik “Kush humbet atdheun është Shopen” i Roland Gjozës, Uegen 2018

    1. Ku kanë shkuar ato puthje

    Kjo pjesë e parë e vëllimit dhe më e madhja, i ngjan një antene parabolike me dy vatra: figura e së dashurës që ka mbetur në Shqipëri, kurse autori 60-vjeçar ka emigruar në Amerikë dhe është vendosur në metropolin më të madh të botës, në Nju Jork, me një gropë të krijuar në shpirt nga mungesa dhe pritja e pashpresë; pezmi për fatin e trishtë të poetit sepse ka ardhur një kohë kur bien Heminguei e Bethoveni dhe ngrihet Putini, me atë emigrimin e detyruar duke lënë gjysmën këtu dhe duke e filluar nga e para atje.

    Poezia “Aguliçja e vogël” që ngre siparin e kthen lulen në simbolin e së dashurës që është muza e poetit, aktualisht pa të dhe me një Amerikë që nuk ofron një lule si ajo; por që në kthimin më të afërt, do ta ujisë me puthje. Është një dashuri sa sublime, aq edhe e prekshme, me një anatomi të plotë të trupit të saj, si te poezia “Jam skulptor i shiut” (f.80) ose “E pashë përsëri” (f.119), ku përsëriten vazhdimisht, sytë, gjinjtë, thithkat, kofshët… Është një pritje e bukur, që toleron edhe vonesat si te poezia “Dhe në qoftë se ti.” Është poeti që, si askush tjetër, e përjetëson femrën në moshën më të bukur të jetës së saj me një monument enumeracionesh, metaforash, paralelizmash, prandaj vitet e dekadat nuk e zhbëjnë dot më. Nga dashuria në rrafshin vetjak, me kulturën e vet të gjerë, autori sjell disa nga femrat e famshme, kryesisht si karaktere të veprave letrare e muzikore, njerëzit më shquar në historinë botërore, me një kalim të shpejtë nga një vend në tjetrin, nga kontinenti në kontinent.

    Tek tema e dashurisë dhe përtej saj, te fati i poetit dhe emigrantit, te rritja e kontrastit mes vlerave dhe antivlerave, te parada e njerëzve të shquar nga bota e letërsisë, artit figurativ e muzikor, me kalimin nga antikiteti në bashkëkohësi, me hartën e detajuar të Nju Jorkut dhe globin në pëllëmbën e dorës, poezia e Roland Gjozës ka karakter universal me shtrirjen e pafund në hapësirë dhe në kohë, prandaj ajo mund të lexohet, pranohet e përjetohet kudo në botë. Për fatin e poetit mund të veçojmë pak vargje nga poezia “Kamelje dimri”: “ç’nuk i vijnë ndërmend poetit të gjorë/ që gjithmonë do t’i mungojë ndonjë kopsë në xhaketë/ diçka do të ketë të grisur te mëngët/ dhe këpucët/ të shqyera e të ngrëna te thembrat.” Pastaj vjen një kushtim për Frederik Rreshpjen me pohimin e trishtë “s’është kjo tokë e fëlliqur për shpirtbardhët/ se këtu rrojnë zuzarët.” (f.176)

    Shembull tjetër i qartë që kontraston me fatin e krijuesve shqiptarë është poezia “Union Square” (f.137) ku krijuesit e mëdhenj u bëjnë shoqëri vendeve të njohura në Nju Jork. Mes morisë së njerëzve të shquar rrezëllijnë edhe emrat e krijuesve shqiptarë dhe mund të krijohet perceptimi se më për zemër ka Lazgushin, Fishtën, Kadarenë, Migjenin të cilit i ka kushtuar 25 hajke, kurse Vaçe Zelës i ka kushtuar një poemë më vete.

    Një detaj i bukur i kësaj kulture universale të poetit vjen te poezia “Krehër me muzikë” (f.103) ku përftohet enumeracioni i llojeve të flokëve: ricat e të zinjve, flokët e gjatë të skorpjonsave, kaçurrelsat biond, flokët topuz, gërshetat e zinj, flokët e shkurtër. Vëllimi është me vlera të spikatura artistike pasi ka arritur të krijuar një simfoni madhështore me përjetime njerëzore që mpleksen me peizazhin e lëvizshëm natyror dhe korin e zogjve.

    “Në qiell isha dhe unë dashnor
    i njëmijë dashnoreve të librave
    zgjati dorën zoti në një rrufe që kaloi aty rastësisht
    dhe dogji zift
    në radhua vuri vulën përfundimisht
    u pranova me ligj” (f.14)
    “prej poetit mbete çupkë
    tetëmbëdhjetë,
    po të mos ish poeti
    në vend të vargut blu
    do të lexohej diagnoza e mjekut.” (f.43)
    Ai vetë deklaron: “unë e kam mendjen te poezia që bëj pa rimë/ se ashtu ma këndon shpirti. (f.63)

    Duke zbatuar teknikat e reja të shkrimit pa shkronja të mëdha dhe pa shenja pikësimi, duket sikur poezitë janë shkruar vetëm për t’u recituar, prandaj do të ishte një rikthim te vlerat e letërsisë sikur të kishte një kompromis kombëtar të mediave televizive që një mbrëmje në javë t’i kushtohej fjalës poetike. Ka vargje të gjatë e solemnë, por ka dhe vargje dinamikë sipas mesazheve që mbartin poezitë. Ka dhe poezi eksperimentale me anaforë si te poezia “Numrat” (f.102), me epiforë si “Ti vë re” (f.60), me paralelizmin “shikoj trumcakët në ngricën e pafundme/ që kërkonin ushqim/ trumcak jam dhe unë/ trumcak i shkrimit (f.121), me paralelizëm mohues: “s’ishte muzgu/ ishin flokët e tu bionde (f.84), me përsëritje në distancë si teknikë strukturuese e poezive si “Shih në sytë e tu” (f.91)

    2. Kush humbet atdheun është Shopen

    Pjesa e dytë që i ka dhënë titullin krejt vëllimit, tërhiqet disi nga motivi i dashurisë për femrën për të zgjeruar vështrimin mbi botën dhe shoqërinë njerëzore në një rrafsh të gjerë dhe emigrantit dhe atdheut në një plan më të afërt. Interesant është leksiku i poezisë që i ka dhënë titullin krejt veprës (f.228): Varshavë, Poloni, Shopen, por vargjet përmbyllëse janë një përgjithësim i fuqishëm, tepër i ndjeshëm për shqiptarët që tashmë përbëjnë shumicën në emigrim: “kush humbet atdheun/ është shopen/ që e ndjek nëna/ dhe e vret.” Në këtë linjë kalon edhe mesazhi i poezisë “Retë vijnë nga atdheu” (f.189) që të kujton një poezi të Kadaresë për dikë që u vra larg Shqipërisë, por këtu në një pikëvështrim të ndryshëm: “retë vijnë nga atdheu/po s’flasin/ s’thonë asgjë retë/ atdheu na ka harruar/… ne s’kemi atdhe”. Fati i poetit rimerret në këtë pjesë disa poezi: “Dal natën të ndez qirinj” (f.201), “Do t’i përkthej poezitë” (f.206) dhe “Marshi funebër” (f.216), “Kur poetët s’janë të lumtur” (f.226), “S’ka më poet në këtë vend.” (f.233) “Në letër i zë trenat njëri pas tjetrit/ dhe i bëj shkronja nate/ shkruaj me alfabet trenash/ për ty.” (f.243)

    3. Haiku

    Duke i kushtuar një pjesë të veçantë hajkut, Roland Gjoza mund të jetë lëvruesi më i madh i tij në letrat shqipe duke i dhënë atij edhe fizionominë shqiptare me një çlirim nga skema e ngurtë e rrokjeve. Çdo hajk është një principatë përsiatjeje me një densitet të lartë filozofik, megjithkëtë, autori ka bërë një rreshtim të tyre në formacione tematike, duke ruajtur frymën e përgjithshme të vëllimit. Nga “Hajku metropolitan” mund të veçojmë: “dante në nju jork/ do të zbriste në metro/t’i bënte korrigjime ferrit”, “në qoftë se liza në vrimë do të binte/ nju jorku do të qe ai vend/ i çudive” (f.279) “dymbëdhjetë vjet/ që ngre në mes të grataçielave/ shqipërinë e kujtimeve” (f.280) “kaloi vargu me pata të egra/ në formën e V-së ndajnatherë/s’ishte V, po gërshërë që priste/ prej mallit një copë qiell.”

    Grupimi më i veçantë është “Haiku libër” (f.304) dhe “Hajku libër 2” (f.316) ku shumica kanë si mbititull emrin e një autori ose titullin e një vepre letrare. Grupimi “Hajku blu” është i njëjti konceptim me dy të  larpërmendurit, por këtu ndodhet edhe seksioni shqiptar me një shpërndarje si hedhja e farës së grurit gjatë mbjelljes me dorë: Lazgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Bilal Xhaferri, Kasëm Trebeshina, Fishta, Mjeda, Fan Noli, Naim Frashëri, Çajupi, Serembe, De Rada, Petro Marko, Migjeni. Leximi i vëmendshëm i tyre të fut në shtigje të ndryshme, por ashtu si “të gjitha rrugët të çojnë në Romë”, ashtu edhe të gjithë hajket janë përftesa të dala nga shtrydhja në morsetën e leximit të Roland Gjozës.

    4. Apologjia e Rolandit

    Janë shtatë poema me varg të lirë. Është një rrëfim i sinqertë i poetit për fatin e vet pas përmbysjes së madhe që të kujtojnë apologjinë e Sokratit. Poema “Do ta hedh në gjyq vendin tim” fillon e mbaron duke e rimarrë titullin si refren, sepse ndjehet i dëbuar, sepse ndjehet i padëshiruar, sepse në kthimet e rralla ndjehet si lypës, sepse ia kanë fshirë emrin si të ishte dënuar me vdekje, sepse vë re se edhe koha e re vazhdon t’i ndajë shqiptarët.

    “ç’bëra unë?
    si të tjerët
    më vunë përpara daullen dhe i rashë me urdhër
    nën hijen e flamujve
    dhe borisë i fryva
    sa e çava
    këndova sa zëri m’u ngjir
    në komunizëm isha i talentuar
    ndërsa në demokraci i paaftë.” (f.338)

    Poema “Do të shkruaj përsëri për dashurinë” ndërtohet mbi antitezën e poetit që varfërohet dhe një kastë njerëzish që u pasuruan dhe s’kanë asnjë lidhje me letërsinë dhe artin, sepse “ata  e kanë artin si kleçkë për të kruajtur dhëmbët” (f.343), sepse “ata na quajnë minj letrash” (f.344), sepse “s’jemi pare sermi/ po pare letre/ me të cilën ata fshijnë menderen.” (f.345), sepse ata e përdorin penën “vetëm për të firmosur çeqe.” (f.348)

    Megjithkëtë, ashtu si Galileu, poeti deklaron:

    “edhe zbathur po të mbetem
    si perseu flatra në gishtërinj do të më dalin
    se kam pegasin në ajër
    që do të më çojë tek altari
    tek ati, biri, shpirti i shenjtë i fjalës.” (f.346)

    Poema “Humba ç’kisha më të mirë” është vazhdim i apologjisë.

    “dje duhej fjala tribunale
    për të ngritur në këmbë milionat
    për t’u dhënë zemër të rropateshin
    për tasin!
    se gjoja rrohej në gojë të ujkut
    me syrin në shënjestër
    ne ishim fanari
    po që të dukej përralla e vërtetë
    thirrej poeti.” (f.350)
    “që të mbushnim barkun
    menduam vetëm për koromanen
    dhe te koromania mbetëm
    skllevër të ideve.” (f.352)

    Poema “Vaçe Zela” sjell identikitin artistik të një këngëtareje të madhe, “e vajzës së bukur që vinte nga këneta,” “e vajzës së bukur të kitarës” që mbylli sytë e shpërfillur larg Shqipërisë si argumentim i padiskutueshëm i fatit të njerëzve të mëdhenj që ka nxjerrë kombi ynë dhe që ka detyrimin për ta sjellë hirin e saj në dheun e Myzeqesë. Vaçe Zela ishte bilbili i bilbilave: “bilbili i myzeqesë, i moresë, i andeve, i arbërisë, i kosovës, i shqipërisë.” (f.365)

    Me këtë vëllim poetik Roland Gjoza ka siguruar një pasaportë letrare që mund të udhëtojë lirisht nëpër glob.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË